|
70 VJET NGA NJË LUFTË E NGATËRRUAR
(Botuar në gazetën Shqip më 29 maj 2014)
Tani për tani, sipas kronikës, dy ngjarje nuk po i ndahen njëra-tjetrës: pritmëria e marrjes së statusit vend-kandidat për në BE dhe ai që ende quhet 70 vjetori i çlirimit.
Rastisën si bashkudhëtarë edhe pse, po të mos ndodhte kjo, një lidhje të përhershme e kanë. Lufta Antifashiste u krye masivisht nën inkurajimin, udhëheqjen dhe ndihmën politike dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Sovjetik dhe të Britanisë së Madhe. Edhe në Kongresin e Përmetit, i cili sapo e kapërceu përvjetorin, po ashtu edhe në shpalljen e qeverisë së pasluftës që pretendonte të gjithë pushtetin, kryer në Berat më 22 tetor 1944, parulla më e madhe në sallat entuziaste kishte të parin emrin e Ruzveltit, pastaj të Stalinit dhe të Çurçillit.
Duke shkuar drejt qershorit ndihemi të gjithë të sigurt se po shkojmë drejt një të mire të përbashkët. Edhe pse rrethanat, pas zgjedhjeve për në parlamentin evropian, sërish mund ta ndërlikojnë vendimin në favorin tonë, e drejta historike është me ne: e meritojmë të kalojmë, për vite e vite të tëra më pas, në një provë të rreptë nëse jemi të aftë apo jo të përmbushim standardet e një shteti dhe të një shoqërie demokratike perëndimore. Deri tani, madje ca më tepër edhe këto ditë, po dëshmojmë se kemi probleme të mëdha përshtatjeje me këtë sistem. Prandaj në rast se kemi ndonjë aftësi për ta larguar nga vetja këtë defekt serioz dhe vënë para përgjegjësisë veten e sidomos klasën politike, mbetet vetëm ky shteg: aderimi i domosdoshëm në BE.
Ndërkohë duke shkuar drejt 29 nëntorit që përkon me 70 vjetorin e çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi fashist italo-gjerman, ne të gjithë po rendim drejt një ngjarjeje për të cilën nuk jemi aspak të një mendjeje. Ajo nuk na bashkon, madje ka edhe potencial të na përçajë më tej nga sa copëra-copëra jemi. Më 29 nëntor 1944 shteti ynë i njohur ndërkombëtarisht në 1913 i shpëtoi asgjësimit. Pavarësia territoriale u rikthye. Kontribuesi dhe shpëtuesi më i madh qe Lëvizja Nacionalçlirimtare. Por ndërkohë në po këtë ditë, asnjë orë më vonë, liria e mëvetësimit shtetëror u kthye në robëri politike. Jo vetëm për të interpretuarit nga ideologjia komuniste si armiq klase, masë e madhe bashkëkombësish që u vu nën zgjedhë dhe u përndoq, por edhe për vetë ata, çlirimtarët kryesorë.
Ja pse nuk kemi asnjë arsye të rëndësishme dhe asnjë nevojë kombëtare për të bërë festë në 29 nëntor. Për ta përkujtuar po. Dhe rivlerësuar po ashtu. Sepse disa kanë shkuar tepër larg në mohimin e kësaj lufte. Thonë e shkruajnë se nazistët gjermanë ishin më të mirë se komunistët shqiptarë (gjatë viteve të luftës). Për një deklaratë të tillë në çdo vend demokratik, veçanërisht në Evropë, të ngrihet kundër një stuhi e tërë e opinionit publik, pse jo gjendesh edhe para ndonjë gjykate. Mohimi i kësaj lufte, përbuzja dhe poshtërimi i saj, nuk është gjë tjetër, për autorët e këtij gjesti, veç një rikonfirmim i frymës së mëparshme bashkëpunuese me pushtuesit, si edhe një kolaboracionizëm i dytë, i kryer shtatë dekada pas shkatërrimit të boshtit fashist Romë-Berlin-Tokio dhe një çerek shekulli pas shembjes së regjimeve totalitare staliniste.
Ndërsa do ti gëzohemi qershorit, duke respektuar kontributin e vetvetes si edhe të politikanëve dhe partive kryesore, pa përjashtuar asnjë, në qeverisje apo në opozitë, tek na afrohet 29 nëntori duhet patjetër të tentojmë më të dobishmen: analizën, reflektimin. Sigurisht pa hequr dorë nga një ceremoni e përhershme dhe e pacensurueshme: nderimin e të rënëve në këtë luftë. Partizanët kanë qenë heronj dhe sjellja ndaj tyre nuk bëhet me inat ideologjik.
Për të vepruar sa më efektshëm dhe më me frymë kohe ishte një rast i mirë përvjetori i rëndomtë i Kongresit të Përmetit, i cili nga një grup i caktuar politik mori këto ditë reliev. Për fat të keq duke u kujtuar me një ceremoni të tipit të hershëm. Do ti bënte mirë të ardhmes tonë në rast se nismëtarët e tërhiqnin vëmendjen e opinionit publik me një konferencë a takim shkencor, me një debat apo tavolinë të rrumbullakët, ku ngjarja historike të vëzhgohej me dritë-hijet e saj. Sepse ky kongres i dha thellësi dhe forcë luftës antifashiste, afrim dhe garanci ditës së çlirimit, por ndërkohë rigoditi pluralizmin politik. Kishte mjaft të drejtë të mos njihte çdo qeveri kukull të ngritur jashtë kufijve, jo pjesëmarrëse të drejtpërdrejtë në luftën për çlirim (një e tillë nuk u ngrit kurrë, sepse e penguan aleatët e mëdhenj), por ndërkaq ndalimi i Ahmet Zogut për tu rikthyer në Shqipërinë e lirë e për të konkurruar në administrimin e vendit edhe ai, si të gjithë, si qytetar dhe jo si monark, qe një e drejtë e sistemit të lirë shoqëror dhe jo favor për ish-mbretin problematik.
29 nëntori si ngazëllim përçan, si analizë bashkon.
Bashkon po ashtu edhe ringritja e disa lapidarëve (të shkatërruar qëllimisht) të Luftës Nacionalçlirimtare (dhe jo ai rrjet i dendur propagandistik dhe shpesh edhe banal, që ka ekzistuar para nëntëdhjetës). Ka beteja luftarake që janë legjendare dhe për të cilat ka shkruar edhe shtypi ndërkombëtar, ka njoftuar edhe Radio Londra. Ndërkohë lapidarë apo pllaka përkujtimore, monumente pse jo, duhen çuar në këmbë për palën tjetër politike, nacionalistët dhe mbretërorët, për aq sa luftë kanë bërë dhe për aq të rënë kanë. 29 nëntori 1944, që të kujtohet për vlerat e tij dhe më në fund të rivendoset në themelin e vet real, duhet të shoqërohet edhe me gjeste nderuese për qëndresën që ata kanë bërë, në diktaturë, sidomos në burgje.
Përderisa kabinete qeveritare të majta kryejnë rregullisht dëmshpërblime të tyre financiare, veprimin tjetër e kanë shumë më të lejueshëm nga rregullat e demokracisë dhe mjaft të pranueshëm për ndjekësit partiakë.
Ai që duhet mbajtur mënjanë nga 29 nëntori i ardhshëm është vetëm Enver Hoxha. Nuk është fjala për ta dëbuar, sepse askush nuk e ka këtë fuqi mbi një figurë historike. Hoxha nuk ishte një amator dhe as një person i pazoti. Ai qe një njeri pushteti dhe këta tipa, sidomos në kushtet shqiptare, pra të një shoqërie apatike dhe të prirë në besimin ndaj gënjeshtrës, nuk mbesin në histori. Ata të ngecin aty.
Ja pse veprimi ndaj tyre (si edhe për të gjallët e sotëm) kërkon kujdes të veçantë: realizëm, realizëm dhe realizëm; të vërtetën, të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|