Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ÇFARË FSHIHET PAS MUNGESËS SË FOTOS PËR NGRITJEN E FLAMURIT NË 28 NËNTOR 1912?
AMERIKË, PSE TË DUAN KAQ SHUMË SHQIPTARËT
FLAMURI QË U NGRIT NË VLORË DHE KASTRIOTI I PESTË, ALEANDRO
22 NËNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBËTAR NËPËR NJË DET TË MINUAR
PASARDHËSIT NË ITALI TË SKËNDERBEUT NË KRYE TË MBROJTJES SË PAVARËSISË SË PORSASHPALLUR
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

SI NUK U TAKUAN KURRË EQREM VLORA, GRUAJA E DY VAJZAT E TIJ


(Botuar në “Gazeta Shqiptare” më 21 mars 2014 me titullin “Ylli Polovina: Ajnisha, pinjollja e panjohur e Eqrem Vlorës”)

Sapo patën përfunduar festimet e 100-vjetorit të shtetit kur bashkë me studiuesin e fotografisë Qerim Vrioni, siç e kishim vendosur më parë, u nisëm drejt Vlorës. Ishte 6 dhjetor 2012. Kryeqyteti i pavarësimit i kishte ende të ngrohta shenjat e haresë së madhe kombëtare. Veç misioni kryesor i atij udhëtimi qe Ajnisha Vlora. Si i rritur dhe i formuar në këtë qytet, i cili për çdo metër katror krijon histori dhjetëfish më shumë sa në të njëjtën hapësirë siujdhesa e njohur botërisht për këtë mbiprodhim, Ballkani, Qerimi pati ardhur të më lehtësonte këtë takim. Gjer atëherë pata lexuar një intervistë të vetme të vajzës së Eqrem Vlorës, botuar në një të përditshme me tirazh të lartë, ndërsa shumë më parë, për fat, kisha mbledhur të dhëna prej Kadri Beqirit, i persekutuar politik i para nëntëdhjetës. Është i biri i Kujtim Beqirit, njërit prej të dënuarve me vdekje në gjyqin politik sovjeto-shqiptar të gjoja sabotatorëve të Kënetës së Maliqit. Siç e dini, kur e varën, litari nuk e mbajti Kujtimin dhe ai ra përdhe ende i gjallë. E rivarën prapë dhe e pritën deri sa dha shpirt.
Kadriu dhe familja Vlora, pra gruaja e Eqremit dhe dy vajzat e tyre, njiheshin mirë sepse patën jetuar të internuar në qytetin e Kavajës.
Tek libri i tij afro shtatëqind faqesh “Kujtimet, 1885-1925”, botuar fillimisht në gjuhën gjermane (“Lebenserinnerungen”), Eqrem Vlora që në fletën e parë, poshtë portretit të vet me pamjen reale të moshën kur e shkroi, pra rreth të tetëdhjetave, gjendet ky dedikim: “Gruas, si edhe dy vajzave të mia, që jetojnë larg, me dashuri dhe përkushtim të veçantë”, Romë, 1963”.
Ndërkaq në parathënien e këtij libri të shkruar mjeshtërisht, kur e shpjegon cilët e kanë mbështetur për t’ia dalë mbanë, në rreshtin përmbyllës ka vendosur edhe këto fjalë mirënjohëse: “si edhe mbesa ime e dashur, e mençur dhe energjike, zonjusha Hana Këlcyra”.
Hëna është vajza e Ali Këlcyrës, tashmë e shumënjohur për publikun shqiptar për inteligjencën e saj si edhe vëllimin e madh të kujtimeve që ruan. Ajo, deri në vdekje, i qëndroi afër burrit të tezes. Eqremi dhe Aliu patën marrë për gra dy motra, bija të Salih Pashës. Sipas shënimeve të vetë autorit të “Kujtimeve, 1885-1925”, e shoqja e tij, Hedije h. Vrioni (“h” do të thotë hanëme, zonjë), kishte lindur në vitin 1904. Vajza e madhe, Shehzade Lejla hanëmi pati dalë në jetë në Romë më 10 janar 1933. Vajza e dytë, Aishe Ajnishah hanëme, kishte lindur në Tiranë më 7 tetor 1943.

Martesa dhe pastaj dashuria me kushërirën

Në kapitullin “Shqipëria në udhëkryq”, faqet 551-553, Eqrem Vlora shkruan paragrafë të tëra për Hedijen (e shkruan më së shumti Hadije). Janë ato radhë të librit kur shpjegon përse në vitin 1925 pati braktisur, tepër i lënduar dhe i bezdisur nga intrigat e Tiranës, jetën e një politikani të kryeqytetit dhe qe rikthyer në Vlorë. I drejtpërdrejtë, siç edhe është për nga natyra, Eqremi nuk e përmban dot thënien e të vërtetës së plotë. “Arratisja nga Tirana kishte edhe një arsye tjetër, sentimentale. Më 9 shkurt 1925 unë isha martuar. Bashkëshortja ime ishte Hadija, e bija e Salih Pashë Vrionit, xhaxhait të sime mëje dhe vëllait të kunatit të tim ati. Gruaja ime ishte rritur jetime, kishte humbur që në fëmijëri baba dhe nënë dhe ishte rritur në shtëpinë e xhaxhallarëve të saj Omer Pasha dhe Galip Pasha. Ajo ishte 19 vjeç më e vogël se unë! Pra ishte një martesë me mendje dhe jo me dashuri”.
Disa rreshta më pas: “Martesa me këtë kushërirë kaq të bukur, serioze, të vetëdijshme për sojin e saj, por edhe shumë të re, nuk do të më kishte shkuar kurrë ndërmend dhe jam i bindur se edhe ajo vetë nuk e kishte menduar ndonjëherë këtë mundësi. Megjithatë kjo martesë u bë dhe tani jam i bindur se unë vetë nuk do të kisha bërë kurrë një zgjedhje kaq të qëlluar dhe fatlume.
Vitet e para e patëm disi të vështirë të merreshim vesh, mjediset tona kishin qenë të ndryshme, mënyrat tona të mendimit diametralisht të kundërta! Por unë e doja çiltërsisht kushërirën time...”.
Radhë më vonë, në vijim, në vitet e tij të gjata të mërgimit dhe ndarjes me familjen, Eqremi shkruan me shumë mall: “Por pak e nga pak midis nesh çau rrugë mirëkuptimi; vetëm duhet thënë se merita e këtij afrimi nuk është e imja, por e saj. E re, energjike, e durueshme, e pajisur me një etje të pashuar për dije dhe me një ndjenjë të theksuar realiteti, ajo ia dilte gjithmonë që nga pështjellimi i gabimeve dhe i vetive të mia, të nxirrte gjithmonë atë që i shërbente dhe ishte e domosdoshme për mirëkuptimin mes nesh dhe për mbarëvajtjen e shtëpisë. Dhe ia arrinte të bëhej e saja jo vetëm falë bukurisë, por, para së gjithash, falë sjelljes së saj fisnike”.
(Kur ndodhej në një takim ambasadorësh në Athinë, të cilët kishin me vete edhe bashkëshortet e tyre, një fotoreporter vendas u qe lutur të shpallnin, prej zonjave të pranishme, femrën më të bukur. Diplomatët e lartë patën rënë dakord dhe një juri e shpejtë e tyre ia kishte dhënë të gjitha votat Hadijes. Pas kësaj shpalljeje dhe miratimit me duartrokitje, fotoreporteri pati shkuar tek Eqremi dhe i qe lutur t’i bënte një foto bashkëshortes së tij. Ky nuk kishte kundërshtuar, por lejen e pati dhënë vetëm në rast se revista apo gazeta për të cilën punonte, të qe për amvisat, por e ndalonte nëse ishte thjesht gazetë kuriozitetesh, ca më keq thashethemesh e skandalesh).

Ajnisha, e fundmja e mbetur nga familja, por më interesantja

Përse e kërkoja Ajnishanë? Lejlaja (Shehzadja e hijshme si e ëma) pati vdekur në 1970, kur qe vetëm 37 vjeçe. Hadija ndërroi jetë katërmbëdhjetë vite më pas, tetëdhjetë vjeçare. Kështu që prej më shumë se një çerek shekulli Ajnisha është shenja e vetme e drejtpërdrejtë e Eqrem Vlorës, i cili edhe ai, i emigruar politikisht në Vjenë, qe fikur në fund të marsit 1964.
Sipas atyre që e njihnin vajzën e vetme të gjallë të tij, pas vdekjes së parakohshme të së motrës ajo kishte kaluar një tronditje të rëndë të sistemit nervor dhe doemos që kjo pati ndikuar në aftësitë për të qenë një burim i plotë dhe i hollësishëm informacioni për të atin. Në të vërtetë, për një fat të madh, tashmë vepronte gjithë energji dhe kapacitet Hëna Këlcyra, por, për ta thënë hapur, shpresoja shumë edhe tek ajo që do të na thoshte e bija. Për aq sa të mundte, gjithsesi do të qe dëshmi e rrallë dhe e jashtëzakonshme. Në fund të fundit duhej një provë në të kundërt të fjalënajës se Ajnisha nuk qe e zonja të ndihmonte opinionin publik shqiptar për të shpjeguar të atin e ikur dhe familjen e mbetur në Shqipëri, dramatikisht vetëm me tri femra. Kjo do të ishte gjithashtu një shpëtim tjetër nga izolimi i ri për atë grua të lindur një vit më parë se në viset tona, për banorët e saj që me shumicë e kishin mbështetur Lëvizjen Nacionalçlirimtare (të udhëhequr në ilegalitet të thellë nga PKSH), të niste një shtet me emrin e papritur e të rëndë “Diktatura e proletariatit”.
Kështu, nëse kujtesa e saj do të qe e brishtë, dhuntia për analizë e dobësuar, gojëtaria e cenuar, do të ishte, të paktën, i fuqishëm shpirti. Madje mbase çfarë i mungonin prej mundësive të para do të qenë mbledhur tek ky liman i fundit. Një e tillë gjë ndodh sidomos tek ata njerëz (apo popuj e shoqëri), të cilët kanë identitet të fortë, të gjallë e të zhvilluar kulturor. Nga prapësitë e fatit kultura është një zhguall mbrojtës i mahnitshëm, përtej çelikut, kuarcit apo diamantit. Kadri Beqiri më pati treguar se Ajnishasë, kur vinte në mëngjes në klasë, përshëndetja e saj e edukuar u tingëllonte të gjithëve si muzikë. Po ashtu poezitë në frëngjisht që u recitonte intimisht shoqeve.
Për fat, kur më në fund bëmë bisedën e dëshiruar, ndodhi pikërisht kjo çudi e bukur. Herë pas here, tek i përgjigjej pyetjeve, prej tensionit të brendshëm të depërtimit në kujtime, Ajnishasë i thahej buza, por nusja e shtëpisë e jepte menjëherë pak lëng frutash. Shtatëdhjetëvjeçarja i kishte krehur flokët me aq shumë butësi e finesë femërore dhe vënë mbi to një rreth! Ndërkaq fjalët i shqiptonte të qarta dhe të ëmbla. Dukeshin si të mëndafshta. Një çast, si të qe në ëndërr, tha se i ati thoshte “dua të bëj një vajzë që t’i vë emrin e gjyshes Ajnisha”. Ajo kishte ardhur nga Egjipti dhe qe aq shumë e bukur sa, siç e shprehu Ajnishaja e atij 6 dhjetori 2012, “kur pinte i dukej uji në gurmaz”.
Nga trysnia e rëndë e fatit të tyre në atë ditë mësova edhe më tepër për arsyet e forcës së qëndresës së familjes me vetëm tri femra: përveç kulturës së brendshme dhe edukatës qytetare, mbrojtja e saj e madhe pati qenë qyteti i internimit, Kavaja si edhe bashkëshorti, Lavdoshi. Për Ajnishanë nuk mund të gjeje shok jete më të duhur se ai.
Por, për të mos vonuar për lexuesin episodet më të spikatura, le t’i tregojmë tani disa prej tyre më me nge.
Ishte ende pa mbushur vitin kur iku i ati. Kështu që ajo nuk e mban mënd. Nuk janë parë e nuk janë takuar kurrë. “Për babanë më ka shpjeguar nëna ime”, thotë. “Më ka shpjeguar shumë pak, se kishte frikë se, si fëmijë që ishim, mos e nxirrnin dhe e thoshim jashtë shtëpisë”. “Për babanë pak i ka treguar edhe Lejlasë”, shton, duke theksuar se kjo “pak” ishte aq fare thërrime e imtë sa mund të thuhej se pothuaj nuk flisnin fare. E shihnin të tria në ëndërr, por edhe këtë pa ja pohuar njëra-tjetrës. Për Eqrem Vlorën qenë ndaluar edhe ato.
Si qe ikja e tij nga Shqipëria! Ngjarje kyç e jetës së Eqremit dhe po aq brengosëse për familjen e mbetur larg Romës apo Vjenës së tij. Ajnisha shpjegon çfarë ka dëgjuar nga e ëma. Pati qenë një ditë kryeqytetase ende pa u çliruar Tirana, fundshtatori sipas të bijës, kur ai, hipur mbi një makinë gjermane, kishte ndaluar para shtëpisë së tyre elegante të fundit, atje ku në Tiranë, mu në qendër të saj, ka qenë ambasada kubaneze. Qenë sistemuar aty vetëm pak kohë më parë, sipas pohimeve të Ajnishasë në intervistën e saj dhënë të përditshmes, sepse Eqremi kishte vendosur të largohej para se ajo makinë gjermane, me të sipër, të ndalej tek ndërtesa luksoze dhe Hadija të dilte duke rendur për ta takuar. Diçka kishin biseduar që të dy. Po të kishte jetuar e plotësuar kujtimet e veta deri të paktën në këtë datë e fundvitit 1944 vërteta e asaj që duhet t’i kenë thënë njëri-tjetrit do të qe bërë me kohë publike dhe nuk do të qëndrojë ende nëpër mjegull. Sipas atyre pak gjërave që e ëma u pati thënë dy vajzave Eqremi, i cili me italianët dhe gjermanët mori në mënyrë të përsëritur statusin e ministrit për Kosovën (Tokat e Çliruara), të Punëve të Jashtme dhe për Drejtësinë.
Hadija u pati pohuar të bijave se babai i tyre i kishte thënë se po ikte jashtë vendit nga që nuk mund të rrinte më asnjë çast. Ndryshe do ta vrisnin të parin. “Dëgjo, i kishte shqiptuar me vetëbesim Eqremi të shoqes, do të të dërgoj vapor, makinë, aeroplan, çdo gjë që t’iu marr. E lexova në një libër që komunizmi do të iki shpejt”. Porosia e tij e fundit, sipas Hadijes, qe “Mbani sjelljen, se të gjitha dyert i keni të hapura! Do t’ju respektojnë”. Në shpjegimet e saj të pakta nëna u kishte lënë të kuptonte dy bijave se përveç mosnxitjes sa duhet të Eqremit (“Shih si do të bëjnë motrat e tua dhe vepro si ato!”) edhe ajo vetë nuk ndihej gati ta ndiqte pas menjëherë të shoqin. Mbi të gjitha kishin tërë atë shtëpi dhe kaq shumë plaçkë! Nuk dëshironte t’i braktiste.
Por, me sa dukej, shumë shpejt do ta kuptonte se pati gabuar dhe duhej të kishte vepruar si motra e saj, ajo që ishte bashkëshortja e Ali Këlcyrës. Kjo, sapo ky i tha “Po ikim, eja!”, hoqi përparësen nga mezi (po lante rroba me dorë) dhe vrapoi pas tij.
Kur Eqremi nisi me të vërtetë t’u niste herë një makinë, herë një anije, herë një mundësi fluturimi me avion, madje në një rast afroi deri afër kufirit një autoblindë, territorin tashmë e kontrollonin cep më cep fitimtarët, komunistët.

Si sillen me tri femrat e pambrojtura Haxhi Lleshi, Manush Myftiu dhe Hysni Kapo

Kështu erdhi me vrap edhe goditja e parë e madhe: sekuestrimi i gjithçkaje kishin brenda vilës. Grupin e rrëmbyesve të shtetit të ri e kryesonte vetë Haxhi Lleshi. Ajnisha thotë, se sipas të ëmës, kur erdhi çasti i sekuestrimit të 9 syndyqeve me kostume popullore shqiptare, ardhësit nga katet e larta të shtetit të ri as ato nuk i patën kursyer, veç thërritnin “Oh, sa të bukura!” dhe i merrnin një pas një. Shumë e shqetësuar Hadija doli nga shtëpia dhe u nis për tek zyrat e të mëdhenjve të regjimit. Në zyrat e tyre kërkoi Manush Myftiun. Ky kishte qenë mik me Eqremin. Në Vlorë pronat i kishin pranë. Kur i ati i Manushit, Idaiu, pati rënë në burg, i biri qe student rishtar në Itali dhe ky iu lut që të kujdesej për fatin e të riut. Të vazhdonte shkollën. Kështu Eqrem Vlora ia pagoi Manushit, me monedha floriri, të gjitha vitet e studimit jashtë. Por tashmë, sapo Hadija i hyri në zyrë, bëri sikur nuk e njohu (“Kush je zonjë?”) Ajo nisi t’i thotë se në shtëpinë e saj kishte ardhur Haxhi Lleshi me disa të tjerë me uniforma ushtarake, një lloj komisioni, siç i thoshin, dhe po i merrnin të gjithë plaçkën. “Tek çështja e luftës së klasave nuk ju ndihmoj dot”, pati shqiptuar me fjalë të prera Manush Myftiu.
Rrugës, tek rikthehej e pashpresë në shtëpinë e vet, pati takuar të shoqen e Haxhi Lleshit. Kjo nga çfarë dëgjoi se po i bënte i shoqi qe tronditur. “Po ti mos ua lë, i kishte thënë, merri moj zonjë se janë të tuat!” Pastaj për të shoqin pati shqiptuar fjalët “Dhe mos i vëre budallanë!” Qe pikërisht ajo që e kishte nxitur të shkonte edhe njëherë tek zyrat e të mëdhenjve e të takonte Hysni Kapon. Hadija u rikthye sërish. Komunistit vlonjat me funksion të lartë në Tiranë, sapo i thanë se po e kërkonte një grua nga qyteti i tij, urdhëroi të futej menjëherë. Kur Hadija hyri brenda dhe i shpjegoi se qe e shoqja e Eqrem Vlorës, Kapo e pyeti përse nuk kishte ikur bashkë me të shoqin. Pastaj, duke parë që tjetra më shumë heshti, pati shqiptuar me një zemërim dashamirës “Jazëk i qoftë që nuk të mori!” Pasi e dëgjoi si e kishte hallin, në fare pak minuta shkroi një pusullë, ku urdhëronte ndërprerjen e sekuestrimit.
Hadija vrapoi për në shtëpi, por tashmë qe tepër vonë. Plaçka e rrëmbyer ishte hipur në makina e larguar andej prej nga ku nuk rikthehej më në jetë të jetëve.

Demokrati më i madh në Tiranë është komunist në Kavajë

Lejlaja kishte më shumë se pesë vite e fejuar me Shahin Vrionin, familje dikur e pasur, por, nëpërmjet një të treti të lidhur me lëvizjen partizane, person i parë me sy të mirë nga regjimi. Ky, inxhinier, pati projektuar e drejtuar punimet e një fabrike në Vlorë. Fillimisht nuk qenë gati që për arsye thjesht ekonomike të martoheshin dhe kur kjo rrethanë më në fund u plotësua, martesa e la mes dy bajrameve, të Madhit dhe të Voglit. Qe viti 1970 dhe krejt papritur ra epidemia e gripit Hong Kong. Dy muaj Lejlaja e bukur pati rënë në shtrat, me temperaturë të lartë dhe me mëlçinë e zezë e zemrën që sëmundja e pabesë e ardhur nga faqja tjetër e globit, ia breu pa mëshirë. Mjekët bënë gjithçka për ta shpëtuar të pafatën, por nuk mundën dot.
Kështu vajza e madhe e Eqrem Vlorës ndërroi jetë në mes të dy bajrameve.
Ajnisha, duke treguar me zërin e saj si të qe kumbim i butë i një salloni të kadiftë, sa e mbrojtur qe ndjerë, bashkë me nënën dhe motrën, në qytetin e Kavajës, thotë shumë e bindur se ai për të persekutuarit politikë qe qyteti më i mirë që ekziston në botë. Ndërkohë të njëjtit opinion bashkëshorti i saj, Lavdosh Habilaj, i gjen ca fjalë të tjera, pothuaj lapidare.
Sipas tij “Demokrati më i madh në Tiranë është komunist në Kavajë”.
Kur e tha këtë gjë, një vit e më tepër shkuar, nuk ishte marrë ndonjë vendim qeverie për kthimin e eshtrave të Eqrem Vlorës në atdheun e vet, siç kabineti Rama, me një veprim kombëtar shumë emancipues ka vendosur.
Populli i Kavajës, me mijëra banorë të këtij qyteti kampion për tolerancën politike, si Marathonomaku, e kanë paraprirë këtë gjest.
Jo tani, kur liria është e dukshme, por kur ajo mungonte tërësisht.

Ylli Polovina

Tiranë, më 19 mars 2014

Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com