|
PSE RRI NË BALLË TË SHTETIT KY PORTRET I ISMAIL QEMALIT?
(Botuar në gazetën “Shqip” më 26 nëntor 2013)
Gjithnjë e më shumë në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, monumenti i Ismail Qemal Vlorës, futur në një kënd të hijshëm pranë Kuvendit dhe Kryeministrisë, ngjan i vogël. Në skajin tjetër të këtij bulevardi, dy herë më i madh dhe më i dukshëm, ngrihet ai i Ahmet Zogut. Ja pse, qoftë edhe për kaq pak baraspeshim, ideja e qeverisësve të rinj për ta vendosur në zyrat kryesore të Shtetit portretin e bashkëkombësit që priu një ndër aksionet më të ndërlikuara politikisht, atë të shpalljes së pavarësisë, dëshmoi largpamje. Mbase është tepër ta përcaktosh si një reformë, por vizionin e një gjesti të tillë e ka.
Ismail Qemali ka qenë i nderuar për plot një shekull dhe t’u gjesh faje qeverisësve të mëparshëm, nga republika e parë apo monarkia, tek diktatura apo pasnëntëdhjeta, do të ishte padrejtësi. Të gjitha regjimet apo sistemet shoqërore që kemi kaluar, si edhe krerët e tyre, për të kanë pasur nevojë. Ai, në krah me bashkëpunëtorët e tij, është themeluesi. Asnjë nuk e zëvendëson dot: Shteti Shqiptar modern lindi me të si edhe mori atë formë, për të cilën qe zhvilluar për dekada një lëvizje e pazakonshme qytetëruese dhe proevropiane: Rilindja jonë Kombëtare. Si edhe bërë një projekt, i pari dhe i fundit që ka krijuar politika e viseve tona: libri “Shqipëria ]’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” e Sami Frashërit.
Veç gabime ndaj Ismail Qemal Vlorës janë kryer. Duke u propaganduar shumë, jo rrallë edhe mitizuar, gjithkund mes nesh është krijuar përshtypja se për të është thënë gjithçka, se ia njohim mirë veprën, doktrinën si edhe jetën personale. Është një marifet i njohur i të pushtetshmëve ta monumentalizojnë një paraardhës të shquar, ta himnizojnë dhe kështu të krijojnë në opinionin publik mbingopje. Të nginjur, njerëz të thjeshtë apo edhe historianë e studiues, nuk kanë më asnjë kërshëri për të kërkuar gjëra të reja. Vitin e shkuar guximin për të depërtuar më tej e kreu një i ditur që vjen prej publicistikës, Ilir Ikonomi (libri “Pavarësia”), si edhe një nga stërnipët e vetë Ismail Qemalit, Darling Vlora. Ky komunikoi me Akademinë e Shkencave dhe zëri “Ismail Qemali”, pa përjashtuar këtë emër të tij politik, në Fjalorin Enciklopedik u zëvendësua me formën e plotë dhe të vërtetë “Ismail Vlora”. Më pas Darling risolli botimin në anglisht të kujtimeve politike të stërgjyshit të vet. Ndërkaq këto kohët e fundit ka kryer edhe dy veprime të tjera, të cilat, sepse kanë një domethënie, duhen bërë të dukshme.
Në gusht të këtij viti, prej Italisë së Veriut, ku jeton, ai shkoi për dy javë në Vjenë. Kryeqyteti austriak është vendi ku kanë jetuar e punuar shumë prej Vlorajve, ku edhe i ati i Darlingut pati studiuar. Në Vjenë mori përkrahje të fuqishme për shpalljen e pavarësimit të Shqipërisë vetë Ismail Qemali. Aty kishte qenë ambasador Syrjai, pati studiuar, shumë vite të fundit të jetës edhe aty kaluar, emërdëgjuari Eqrem Vlora. Eshtrat e tij prehen në një nga varrezat më të mëdha të qytetit, mbi një kodër. Njihet nga historia rivaliteti i madh mes Ismailit dhe Syrjait, dy krerëve të familjes Vlora, për të fituar mundësinë të ishin shpallësit dhe themeluesit e shtetit të pavarur shqiptar. Lufta mes tyre ka qenë më e ashpër se e dy partive tipike opozitë-pozitë, por fitoi i pari. Në të vërtetë ai që e meritonte. Me idetë, sjelljen publike, temperamentin, thellësinë e kulturës Ismail Qemali përfaqësonte më shumë se kushëriri i tij i parë popullin e vet.
Duke qenë se punon vazhdimisht në mbledhjen e të dhënave të reja rreth stërgjyshit të tij, Darlingu prej kohësh ka edhe një dëshmi cinizmi të Eqremit ndaj Ismailit. Dihet që njëra prej akuzave të rënda që i bëri kushëririt, qe sikur ai ia pati shitur Janinën, me një marrëveshje të fshehtë, grekëve. Ky falsitet me kohë është hedhur poshtë nga historiografia, por Darling ka në dorë tashmë një hartë të përpiluar prej Eqremit shumë vite pas vdekjes së Ismail Qemalit, pra kur ky nuk qe gjallë ta shihte me sy lojën e mbrapsht. Kushëriri xheloz, biri i rivalit, Syrjait, ka improvizuar kufijtë e Shqipërisë me trojet e saj etnike. E ka vizatuar vijën ndarëse me jugosllavët dhe grekët (përtej përmasës së njohur nga fuqitë e mëdha në 1913), në dy variante: minimale dhe maksimale. Ky i fundit shkonte deri afër Nishit, duke mos lënë asnjë copë tokë shqipfolëse në Kosovë, Malin e Zi dhe në Maqedoni. Kur vija e tij e kufirit etnik hynte në tokat e shtetit grek vraponte drejt Çamërisë, duke e përfshirë, por linte jashtë Janinën.
E megjithatë Darling të parin veprim që bëri në Vjenë ishte, për ta nderuar, vizita tek varri i të kushëririt. Kjo nuk ndodh vetëm sepse ai mbledh e bashkon gjithçka të familjes Vlora, por sepse dëshiron të jetë korrekt me një rregull, të cilin të paktën popujt e vegjël duhet ta zbatojnë: janë numerikisht tepër pak për t’u përçarë, shumë pak për të luftuar njëri-tjetrin, fare pak për të dobësuar e shkatërruar rivalin. Rivali, si në një vrap, vetëm kalohet duke kryer punë më të mira se ai. Rivali nuk është asnjëherë kundërshtar. Kjo fjalë e ky term, edhe pse përdoret në shoqëri më demokratike se e jona, gjithsesi është i padrejtë. Tek ne, shqiptarët, madje duhet zbuar.
Kështu, si kundërshtare, gjysmëshekulli i para nëntëdhjetës e shpalli familjen Vlora (si edhe mjaft të tjera pronare të mëdha e të pasura), duke krijuar një gropë të thellë në kujtesën kombëtare. Ajo e veçoi Ismail Qemalin nga familja e tij, kur ai, doemos, nuk mund të kuptohet pa dinastinë Vlora, këtë vatër shumë brezash jo vetëm me përfaqësues të spikatur, por siç doli këto dy dekadat e fundit, edhe me atdhetarë të shquar. Nuk mund të pranohet më tej mendësia sikur familja Vlora i pakëson dinjitet Ismail Qemalit, por është e anasjella. Ajo merr nga ky burrë shteti, por edhe i jep atij.
Dëshmia tjetër e re që ka spikatur Darlingu ka të bëjë me Bankën Kombëtare Shqiptare. Ajo provon se në parim ky institucion tepër i rëndësishëm i sigurisë dhe i sovranitetit të vendit tonë i ka rrënjët tek qeveria e vogël (ku një Ministri qe një dhomë me vetëm dy veta), por shumë punëtore dhe vizionare e Ismail Qemal Vlorës. Në 4 tetor 1913 qeveria e tij, duke mos siguruar dot krejtësisht një hua të brendshme, vendosi krijimin e Bankës Kombëtare. Bashkëpunuese me të do të qenë Banca Commerciale Italiana (me qendër ne Milano) dhe Wiener Bank-Verein (me seli kryesore në Vjenë). Kur në 21 tetor Ismail Qemali mbajti një fjalim para popullit të Vlorës u shpreh “Banka për Shqipërinë është i dyti fitim pas lirisë...”. Ky akt themelimi u botua në gazetën “Përlindja e Shqypenies» më 3 dhjetor 1913. Njëkohësisht, më pas, edhe si broshurë: “Banka Kombetore e Shqypenies”, Vlone, Shtypshkronja e Shtetit Shqypetar, 1914.
Kështu në historinë tonë u rifitua një datë e re mjaft e shënuar, një 100-vjetor tjetër.
Për ta përkujtuar Guvernatori i Bankës Kombëtare në 4 tetor 2913 organizoi një ekspozitë dhe po ashtu një konferencë. Nuk harroi që mes të ftuarve të ishin edhe pjesëtarët e tanishëm të familjes Vlora. Tashmë Banka dhe Darlingu janë në gjurmë të dokumentit origjinal të aktthemelimit. Ai është përpiluar në tre kopje (një për çdo Bankë). Në të janë së bashku nënshkrimet e Ismail Qemalit dhe të gjithë ministrave të tjerë. Gjest i kryer tamam me frymën e bashkimit, si në shpalljen e pavarësisë.
Darlingu më në fund e ka identifikuar dokumentin origjinal në arkivin e Milanos dhe zbulimi është fare afër....Do të jetë edhe kjo ngjarje një dëshmi më shumë sa drejt e bukur, me sa largpamje e sens shtetformues, u vendos që portreti i Ismail Qemal Vlorës të jetë në zyrat kryesore të Shtetit Shqiptar. Sigurisht pa zhvendosur asnjë të drejtë dhe institucion tjetër. Ai themeloi që të ishim bashkë të gjithë. Në kontributin për Shqipërinë e së ardhmes të mos mungonte asnjë.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|