Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Si u shpik vajza e Skënderbeut me emrin Vojsava


(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com në datat 21 dhe 22 nëntor 2013)

Fragment nga libri “Pasardhësit e Skënderbeut, si u mbajtën fshehur”

Në Napoli është krijuar edhe një trillim tjetër.
Lexuesit, pa ia rrëfyer brendinë, ia bëmë të ditur atë kur treguam disa hollësi të pemës gjenealogjike të Kastriotëve të sjellë në zyrtarisht në Shqipëri prej Xhorxho Marias. Mes të tjerash atje Skënderbeu nuk kishte vetëm një djalë, Gjonin, por edhe një bijë. Emri i saj qe si dikur e gjyshja, Vojsava.
Ndërkohë në faqet e mëparshme të këtij libri tërhoqëm vëmendjen për një detaj: në apartamentin e Stefanisë dhe të Xhorxhos në Kazerta kishte adhurim të plotë për botimin e Karlo Padiliones “Di Giorgio Castriota Scanderbeg e de’ suoi discedenti”.
Arsyeja pse ndodhte kjo, qe fare e kuptueshme: libri i Padiliones, i vetmi më i plotë dhe më popullori për gjenealogjinë e pasardhësve të Gjergj Kastriotit, e bënte degën e Napolit si kryesoren, të parën, çfarë donte të thoshte edhe trashëgimtaren e titujve, të pronave, të prestigjit dhe të fronit të Arbërisë së thirrur tashmë Shqipëri. Sipas atij autori degët e tjera kastriotase ekzistonin, por nuk kishin të drejtë të pretendonin këtë status.
Në cilat rrethana u zhvillua ky veprim i zhurmshëm që deri atëherë nuk e kishte munduar aq fort, të paktën në sy të botës, gjindjen e madhe të pasardhësve të Gjergj Kastriotit? Mos sepse qenë bërë një tufë edhe natyrshëm u shkaktua kundërveprimi për të bërë sa më shpejt seleksionimin apo sepse shtytëse ishin motive të tjera?
Karakteristikë e këtij momenti (libri i Padiliones u botua më 1879) ka të bëjë me një sërë ndryshimesh gjeopolitike në gadishullin ballkanik, kur pas serbëve, grekëve dhe malazezëve, radha e shkëputjes prej Perandorisë Osmane po u afrohej shqiptarëve. Nga historia jonë ne e dimë që këtë kohë qe në evolucion të plotë një përpjekje masive e armatosur për pavarësim: Lidhja e Prizrenit. Periudha e veprimit të saj u shtri në vitet 1878-1881.
E nisur në 10 qershor, në qytetin e Prizrenit, me një tubim të 300 përfaqësuesve të të gjitha krahinave etnike, ajo qe përpjekja e parë, pas kryengritjes antiosmane të Skënderbeut, për t’i dhënë formë një shteti të mëvetësishëm shqiptar. Pati qenë lufta ruso-turke, e cila për pak sa nuk përfundoi me pushtimin, prej fuqisë cariste, të Edrenesë (18 janar 1878) dhe dhjetë ditë më pas të fshatit Shën-Stefan, në prag të Stambollit. Duke përfituar prej kësaj gjendjeje njësitë e armatosura serbe iu sulën Kosovës dhe shkuan gjer në Gjilan. Malazezët në 10 janar pushtuan Tivarin dhe më 19 janar, të nesërmen e hyrjes së rusëve në Edrene, morën Ulqinin. Një javë më vonë, thonë kronikat, ata dolën në brigjet e liqenit të Shkodrës dhe të lumit të Bunës.
Shqiptarët, kudo ku ndodheshin, u vunë në alarm. Shpresonin të shpëtonin prej Turqisë dhe tashmë po binin nën një pushtim të ri, edhe më të egër. Por ato që u shqetësuan shumë nga revanshi rus dhe pragshpartallimi i Perandorisë Osmane qenë Fuqitë e Mëdha: Britania e Madhe, më së pari, për rajonin e Lindjes së Afërme dhe Italia e Austro-Hungaria për Ballkanin. Një armëpushim ruso-turk që përfundoi me Traktatin e Paqes të Shën-Stefanit (3 mars 1878), ia mori osmanëve tetëdhjetë për qind të zotërimeve të tyre në gadishull. Viset shqiptare qenë më të sakrifikuarat. Më shumë se një e katërta e tyre tashmë ishte gëlltitur prej fqinjit verior sllav.
Për ta rishikuar Traktatin e Shën Stefanit dhe zyrtarizuar zgjidhje të reja të rendit kontinental, për ta zhbërë këtë gjymtim të madh të fateve të disa popujve, u vendos që Fuqitë e Mëdha të mblidheshin në 13 qershor 1878 në Berlin, me një Kongres. Delegatët shqiptarë në kuvendin e tyre të Prizrenit u mblodhën tri ditë më parë, në 10 qershor. Kërkuan rikthimin e territoreve të shkëputura si edhe lirinë politike për të qenë autonomë.
Një mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e teta qe edhe periudha kur u nxit dhe u shkrua libri i Karlo Padiliones. Viti 1879, kur u botua, zhvillohej në trojet shqiptare luftë për të ruajtur hapësirën etnike nga njëra anë prej fqinjëve serbë e malazezë dhe nga ana tjetër prej osmanëve.
Një mijë e tetëqind e tetëdhjeta qe betejë sërish, në përballje me të dyja rreziqet. Ndeshja e fundit e armatosur e Lidhjes së Prizrenit dhe shtypja e saj nga Perandoria Osmane u krye në prill 1881.
Libri për gjenealogjinë e pasardhësve të Skënderbeut, “Di Giorgio Castriota Scanderbeg e de’ suoi discedenti”, doli në jetë kur, për të zënë një pozicion tepër strategjik në Ballkan, qenë Italia dhe Austrohungaria që së bashku apo veç e veç, u përpoqën të realizonin krijimin e shtetit të pavarur të Shqipërisë. Në një situatë të tillë, të paktën në rastin italian, aksioni i dëbimit të turqve dhe i pushtetit të tyre kërkonte një emër të përveçëm, i cili të kishte autoritetin e mjaftueshëm për ta udhëhequr luftën çlirimtare ose për ta administruar shtetin e ri që do të dilte prej kësaj beteje.
Të paktën për italianët cili mund të qe më i përshtatshëm se një pasardhës i Skënderbeut, ndërsa këta prej qindra vitesh jetonin aty dhe ishin nënshtetas të atij vendi?
Përveç të kaluarës historike të famshme këta garantonin edhe mbajtjen e një lidhjeje të fortë jo vetëm me Romën si kryeqytet i shtetit të tyre laik, por edhe me vetë Krishterimin, nëpërmjet Vatikanit.
Ndërkaq nuk qe veprues vetëm ky projekt i Perëndimit. Ishte edhe një i Lindjes, ku pretendenti do të dilte prej kthinave të Perandorisë Osmane apo, për një manovër më elastike interesash, edhe prej asaj egjiptiane, të mbretëruar nga një dinasti, asaj të Mehmet Aliut, me origjinë të njohur shqiptare.
Veç në Lindje funksiononte edhe një linjë tjetër, ajo sllave, e cila qe rrjetë që thurej në kryeqendrën e Rusisë cariste, në Shën Petërsburg. Kjo kishte dorë të gjatë të saj serbët. Pas vdekjes së Skënderbeut, mes jo pak përpjekjeve për ta bërë atë me origjinë jo shqiptare, por greke dhe sllave, nuk kishte qëndruar duarkryq edhe Mavro Orbin, autor i një libri me mjaft autoritet tek kombësia e vet: “Mbretëria e sllavëve”.
Qe botuar në 1601 në qytetin italian Pesaro. I njohur në Perëndim me emrin Mauro ai pati lindur në qytetin e Kotorit, në një hapësirë mjaft të afërt dhe të pleksur me etninë shqiptare, sot territor i Malit të Zi. Emri i tij i pagëzimit qe Fran dhe kjo të bën ngasje të madhe të hamendësosh se duhej të ishte shqiptar.
Vetëm kur ky u bë pesëmbëdhjetë vjeç dhe hyri në urdhrin monastik Benediktin e shndërroi atë në një variant tepër të përhapur mes tyre: Mavro.
Në vitin 1599, me që në viset e tij nuk kishte shtypshkronja, shkoi në Itali për t’u kujdesur për botimin e librave të vet. Këtu vizitoi bibliotekën e dukës së Orbinos, ku mundi ta përhapte punën e tij edhe në sajë të ndihmës që i dha përkujdesësi i vet i pasur, Marin Bobaljeviç. Pas kësaj shkoi në Raguzë, ku jetoi deri sa vdiq.
Tashmë Mavro Orbin është vlerësuar si një shkrimtar pansllav dhe vepra e tij kryesore, cituar më sipër, mbetet një krijesë tërësisht ideologjike dhe e ngarkuar me mitologji sllave. Qe kjo arsyeja përse në 1723 libri i tij u përkthye në gjuhën ruse dhe u botua në Shën Petërsburg.
Kur filloi të formësohej shteti sllavojugor, ai i porsadalë dalë nga pushtimi osman dhe që ashtu, në kërkim të një hegjemonie ballkanike Serbia po hynte në shekullin e njëzetë, për të justifikuar përpjekjet shovene, me synim edhe tjetërsimin etnik të shqiptarëve, u mbështetën tek doktrina Orbin.
Qe ky momenti kur, për fat, përherë e më shumë u shtua numri i historianëve që filluan ta vlerësonin atë si të pasaktë.
Pikërisht ky Mauro ka qenë i pari dhe i vetmi mes kolegëve të tij të të gjitha kohërave, i cili ka sajuar historinë e vajzës Vojsava të Skënderbeut. Atij i duhej kjo shpikje vetëm ideologjikisht. Synonte të forconte në identitetin sllav të Gjergj Kastriotit dhe të dinastisë së tij e t’i jepte përparësi absolute, mbi atë arbëre, kësaj përkatësie etnike. Nënën e tij, Vojsavën, Orbin, pra i pagëzuari gjer në pesëmbëdhjetë vjeç me emrin e viseve tona Fran, e konsideronte tërësisht serbe dhe prania (e fantazuar) e një mbese me të njëjtin emër, do ta paraqiste jo si rastësi, por si një origjinë të vijuar, të vetëdijshme, ngulmuese, të themeltë e të shndërruar në rregull e traditë trashëgimi.
Të mos harrojmë se Mauro Orbin e dinte edhe atë që asnjë historian, madje edhe ajo e gjysmëshekullit realkomunist, nuk e ka mohuar dhe do të mjaftonte për t’i nxjerrë në pah, tek Kastriotët, gjakun e përgjysmuar mes shqiptarëve dhe serbëve. Vetë Gjoni, i biri i Skënderbeut (në këtë rast edhe i vëllai i motrës së sajuar), qe martuar me një serbe të mirëfilltë, bijë princi: Irenë Brankoviç.
Qe Karlo Padilione që e besoi tezën e Mauro Orbinit dhe e vendosi në librin e tij, Vojsavën fantazmë, në krye të pemës gjenealogjike. Duke shkuar pas historianit pansllav ai shkroi se kjo bijë e Gjergj dhe e Donika Kastriotit qe martuar me një sllav tjetër, princin malazez Stefan Cërnojeviçin, ndërsa dihet dhe është plotësisht e dokumentuar që me të vuri kurorë jo e bija e fantazuar, por e motra e Skënderbeut, Mara.
Veç e gjithë kjo përpjekje e Karlo Padiliones do të qe më e justifikuar sikur ai të mjaftohej me vetëm këtë pasaktësi,sepse tejngarkimi i identitetit të familjes Kastrioti me përkatësi serbe në ato momente, në 1879, kur në trojet shqiptare po luftonte pa u epur Lidhja e Prizrenit, nuk e ndihmonte aspak çështjen e pavarësimit shqiptar prej Perandorisë Osmane, edhe pse shtetit me kryeqendër Beogradin i voliste ato kohë nxitja e çdo kryengritjeje antiturke.
Mendojmë se Padilione më tepër se me theksim të qëllimtë lidhjeje politike sllave, ka synuar të zbukurojë origjinën e pasardhësve të Skënderbeut, saktësisht degës së Napolit, me sa më shumë lidhje familjesh të shquara fisnike. Këtë gjë mund ta kenë dëshiruar edhe ata që e kanë nxitur të shkruajë, të cilët prej kësaj përkatësie, kanë menduar se përfitojnë shkallë më të lartë fisnikërie.
Kur është përgatitur, shkruar dhe botuar libri “Di Giorgio Castriota Scanderbeg e de’ suoi discedenti” ishin në jetë, në moshë dhe autoritet të plotë, prej degës kastriotase të Napolit, Xhovani, markezi i Auletës, 32 vjeç si edhe Ferdinando, stërgjyshi i Xhorxho Marisë, me 54 vite jetë.
I pari, siç tashmë e dini, ka qenë tepër i qartë në pikëpamjet e tij proshqiptare si edhe në kulturën e vet ndihmëtare, por aspak ndërhyrëse dhe imponuese. I dyti, nuk ka lënë gjurmë si individ me ndikim të posaçëm.
Gjithsesi, qoftë edhe si ide periferike, nuk mund të përjashtohet që ky libër të jetë i porositur, i sponsorizuar, ose të paktën i nxitur, prej ndonjë përfaqësuesi të kësaj dege të Kastriotëve. Nuk kemi pse anashkalojmë edhe një shteg tjetër interpretimi: të jenë struktura shtetërore italiane ato që kanë ndërhyrë për llogari të maksimalizimit të influencës dhe të përfitimit prej ngjarjeve ballkanike. Nuk ka sesi shpjegohet ndryshe që edhe enciklopedia e shumënjohur, Treccani, në edicionin e saj të vitit 1931, në kohën e lulëzimit të plotë të fashizmit në Itali, me autor Anxhelo Perniçe (Angelo Pernice), zërin “Kastriotët” e nis me fjalët “Familje princërore shqiptare e bërë e famshme nga Gjergji, zakonisht i quajtur Skënderbe...Bij të Gjergjit qenë Gjoni dhe Vojsava...”
Historiani i rëndësishëm italo-arbëresh Attilio Vaccaro në Kuvendin Ndërkombëtar “Giorgio Castriota Scanderbeg (1405-1468)”, të mbajtur në Universitetin Orientale të Napolit në 1-2 dhjetor 2005, e vlerëson librin e Padiliones si “me përmasa modeste..., por jo për këtë arsye i papërfillshëm”.
Por shtrembërimi i qëllimshëm i fakteve tek “Di Giorgio Castriota Scanderbeg e de’ suoi discedenti” nuk është kaq shumë i rëndë tek sajimi i Vojsavës bijë, por e përshkrimit të Akiles, birit natyral jashtëmartesor të dukës Ferrante, si të ligjshëm. Madje Karlo Padilione shkon edhe më tej në këtë punë të dyshimtë: Akilen e konsideron birin e parë mes gjithë djemve të tjerë.
Por kjo histori fëmijësh të ligjshëm dhe jo të tillë të nipit të Skënderbeut, Ferrantes, ka nevojë të shpjegohet që të mund të kuptohet plotësisht rrengu “napolitan” i vitit 1879.

Gjithçka që do të tregojmë nis në fillim pranverë të vitit 1468, kur pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, bashkëshortja e tij, princesha Donikë, e shoqëruar nga djali i vetëm, Gjoni trembëdhjetë vjeçar, si edhe disa vejusha komandantësh shqiptarë të rënë në luftë, kapërceu detin për t’u vendosur në Itali.
Ajo nuk po ikte si një emigrante që nuk do të rikthehej më në principatën e vet. Në atë pragpranverë po e kapërcente detin bashkë me princin trashëgimtar për ta vijuar luftën përkohësisht prej andej dhe në rastin më të parë për t’u rikthyer.
Kastriotët qenë një familje e vjetër autoktone, madje me lëvizshmëri të dukshme në hapësirën verilindore të arbërve, por si dinasti pushteti në trojet shqiptare zotëronin historinë e vetëm katër brezave.
Veç qenë një familje me etje të fortë për të ushtruar ndikim e qenë të parët, me vullnet të madh për t’i mbërritur synimet e tyre politike dhe pasurore, me këmbëngulje të papërmbajtur zgjerimi dhe me rregulla shumë të rrepta të ruajtjes të së drejtës së trashëgimisë.
Gjergj Kastrioti i pamartuar për një kohë të gjatë dhe çështja e kalimit tek pasardhësi i principatës së tij e sidomos i statusit të kryekomandantit të Lidhjes Shqiptare të Lezhës, qenë preokupuese për jo pak qarqe e individë të fortë të kohës. Dihet, pastaj, që kur martesa e vonë me Donika Arianitin e dha frytin e gëzuar të një djali (Gjoni lindi afërsisht në vitin 1455) ndodhi edhe tradhtia e madhe e nipit të tij, Hamzait, atij që pas vdekjes së të ungjit, në kushte të mungesës së një fëmije mashkull nga Donika dhe Gjergji, do t’i takonte kurora e Arbërisë.
Si ndodhi që më vonë, pas lindjes së shëndetshme të Gjonit, çifti princëror Kastrioti nuk bëri më fëmijë të tjerë, se e provuan por nuk ia dolën dot apo u mjaftuan me lindjen e parë, për fat një mashkull dhe jo femër, është një temë joshëse jo vetëm për historianët.
Sidoqoftë jeta e trembëdhjetëvjeçarit në atë ikje drejt brigjeve të gadishullit të Apenineve si edhe ajo e pasardhësve të tij meshkuj në Itali merr rëndësi të veçantë. Madje në tokat përtej detit e mbart këtë peshë edhe më të madhe se në trojet amtare. Në Itali dhe në Evropë Skënderbeu kishte një emër tepër të madh dhe familja e tij, pra trashëgimtarët, një vlerë shumë të posaçme për t’u përdorur qoftë edhe në mënyrë propagandistike në luftën e gjatë që kontinenti i krishterë po bënte kundër perandorisë osmane me fe zyrtare islamizmin.
Zhvillimet që ndodhën pas mërgimit të përkohshëm të familjes së Gjergj Kastriotit ishin të tilla që brenda një dekade pothuaj e shuan mundësinë e rikthimit të tyre. Megjithëse vetë Gjoni dhe të paktën dy nipër të tij dëshmohet se në krye të komandove të ndryshme të financuara e pajisura nga Republika e Venedikut apo Mbretëria e Napolit kanë rihyrë në Shqipëri për akte diversioni, kapje plasdarmesh apo edhe operacionesh të gjëra çlirimi, ajo ikje e pragpranverës 1468 kishte qenë pa rikthim.
Që prej këtij çasti familja princërore Kastrioti e vazhdoi jetën e saj larg trojeve të shqiptarëve dhe për fat të trishtë edhe larg lidhjeve e vëmendjes reciproke të dy palëve, duke krijuar kështu një nga gropat më të mëdha të kujtesës sonë kombëtare.
Në dy feudot që të atit ia kishte falur për shërbime të veçanta mbreti Ferdinand i Napolit, Gjoni nuk e humbi shkallën e fisnikërisë, por e vazhdoi: u quajt dukë. Në trashëgimin e titullit ai nuk pati asnjë problem: qe djalë i vetëm.
Problemet nisin më pas, ku fillon vërtet një labirint. Këtë e ka zhbiruar më mirë se kushdo prej studiuesve të familjes Kastrioti në tokat italiane Xhankarlo Valone.
Siç dihet Gjoni u martua në mërgim me Jerina Brankoviç, vajzën e princit serb Llazar. Edhe këta, për shkak të pushtimit osman, qenë të emigruar. Siç dihet vetë Erina ishte bijë e lidhjes martesore të Llazarit me Helena Paleologun, pjesëtare e familjes perandorake të Bizantit. Mund të thuhet se me atë martesë në shkallën e fisnikërisë Gjon Kastrioti realizoi një ngjitje më të madhe se i ati i tij i lavdishëm dhe më të lartën në të gjithë historinë e derës së tyre. Jo pak libra dhe disa enciklopedi të mesjetës shkruajnë se në rast se në Itali dhe më tej saj duan të gjejnë një dëshmi pranie të vijuar të perandorit bizantin Manuel Paleologu, këtë gjë duhet ta bëjnë duke kërkuar në pasardhësit e Skënderbeut.
Gjon Kastrioti u martua në vitet 1475 apo 1476. I takon të ishte njëzetë e apo njëzetë e një vjeç.
Genetikisht prej të atit dhe të ëmës, Kastriotët dhe Arianitët, kishte traditë për lindje djemsh. Me siguri e ëma, Donika, e cila u kujdes për këtë martesë, nuk pati asnjë merak se të birit do t’i ndodhte ndryshe. Kështu edhe ngjau. Çifti lindi mashkull dhe menjëherë atij iu vu emri i gjyshit të famshëm: Gjergj.
Trashëgimia ishte siguruar.
Gjoni, i cili edhe vetë, sipas rregullave dinastike feudale, pati ringjallur në emër gjyshin e tij, nuk e mbylli këtu çështjen e pasardhësve. Ndërsa Gjergji u lind në fillim të vitit 1477, pothuaj më pak se një vit më pas Erina (siç më lehtësisht e shqiptonin emrin e saj italianët) dhe Gjoni u bënë me djalin e dytë. I vunë emrin Kostandino (Costandino). Djali i tretë doli në jetë po kaq shpejt. U quajt Federiko (Federico). Afërsisht rreth vitit 1495 lindi mashkulli i katërt si edhe pa u vonuar një vajzë,që u pagëzua me emrin Maria. Mund të ketë ngjarë edhe e kundërta: Maria të jetë e lindura para Federikos. Në kontrollin që disa studiues italianë e veçanërisht Prof. Valone i kanë bërë librave të famullive të vendndodhjeve të Kastriotëve në Pulia, nuk gjendet asnjë ditëlindje e regjistruar e të katër fëmijëve të tij. Sigurisht kjo u ndodhte shumëve atë kohë.
Të bën përshtypje se, pas lindjes së menjëherëshme të dy djemve të parë (1477-1478), çifti Gjon dhe Erina presin mbi pesëmbëdhjetë vite për të nxjerrë në jetë, sërish fare afër njëri-tjetrit, dy fëmijë të tjerë. Këtë pauzë të pa dokumentuar mund ta interpretosh në mënyra të ndryshme, por një hamendje hap shteg patjetër: mos ndërkohë, në këtë të quajtur pauzë të gjatë të pajustifikuar, Gjoni ka pasur edhe fëmijë të tjerë, natyralë?
Emërtimi “fëmijë natyralë” ka të bëjë me lindjen e tyre nga lidhje jashtëmartesore. Ndërsa të lindurit nga martesa zyrtare quhen juridikisht fëmijë të ligjshëm, ata të krijuar nga marrëdhënie dashurore apo seksi me gra të tjera, në vend të cilësimit “fëmijë të paligjshëm”, thirren “natyralë”. Me këtë term pranohet se gjithsesi janë prej gjakut të babait, pra pasojnë linjën e tij mashkullore.
Gjoni jetonte në kohën kur të paktën për të fuqishmit politikisht e të pasurit, veçanërisht për dinastitë, lindja e fëmijëve natyralë ishte gjë e pranuar dhe disi e justifikuar nga opinioni. Madje në Mbretërinë e Napolit vetë monarku Ferdinand nuk ishte bir i martesës zyrtare të të atit të tij. Qe krijesë lidhjeje jashtëmartesore, të cilin në mungesë të një djali nga martesa zyrtare vetë mbreti Alfons ia kërkoi Papës, siç atëherë ishte rregulli, ta shpallte trashëgimtar të fronit të tij. Ky nuk pranoi dhe u desh pasardhësi tjetër i Selisë së Shenjtë që ta kryente këtë gjest. Gjithsesi, për kureshti të lexuesit, në kthinat e historisë së mbretit Ferdinand, mikut të madh të Skënderbeut, ka mbetur e pa zhdukur nofka që i kishin vënë: “Bastardi”.
Në një farë mënyre “Dobiçi”, siç quhet me përçmim, sigurisht të padrejtë, në shqip, fëmija i lindur i tillë.
Sidoqoftë ndryshe nga i ati i tij, Skënderbeu, që u martua shumë vonë (afërsisht dyzetë e tetë vjeç) dhe bëri vetëm një fëmijë, i biri Gjon vuri kurorë kur mbushi njëzetë e një mote dhe në fund të jetës së tij të mbyllur më 1505 kishte të ligjshëm, të paktën, katër fëmijë. Ndërsa Skënderbeu ndërroi jetë 63 vjeç dhe shkak iu bë infektimi nga malaria, i biri jetoi vetëm pesëdhjetë vite.
Dhe nuk iu ndanë disa drama që i erdhën njëra pas tjetrës.
I biri i tij njëzetë vjeçar, Kostandini, që nga fundviti 1497 qe ipeshkv i qytezës së Izernias, dy vite më vonë u sëmur rëndë dhe ndërroi jetë, duke tronditur veçanërisht gjyshen e tij, Donika, e cila i ngriti në një nga kishat e Napolit një varr monumental. Të dhëna të tjera jo plotësisht të sigurta dëshmojnë se në vitin 1500, pra kur ndërroi jetë Kostandini, mund të ketë vdekur edhe djali i tretë, Federiko.
Secili lexues që po e ndjek këtë shtjellim të pemës gjenealogjike të Skënderbeut, do të thotë: Sidoqoftë është gjallë djali i parë, Gjergji, sipas rregullit dinastik vetë trashëgimtari. Mirëpo këtu, pas dy dramave të para, do të mbërrinte edhe e treta, më e madhja e tyre. Djalin e madh, pikërisht ngjallësin e emrit të Skënderbeut dhe trashëgimtarin e principatës në Shqipëri, duke filluar nga fillimi i vitit 1501 Gjon Kastrioti nuk e pa më. Ai, nën nxitjen dhe në shërbim të Republikës së Venedikut, shkoi për mision kryengritjeje në Shqipëri, ku dështoi keq dhe nuk u kthye më. U bashkua me turqit dhe u vendos në Konstadinopojë. Gjoni iku nga kjo jetë vetëm pak muaj pasi në shtëpi i mbërriti kjo gjëmë.
Kështu për pesë vite qe përmbysur e gjithë qëndrueshmëria dhe ardhshmëria e brezit të pestë dinastik të Kastriotëve. Shpresa e vetme mbeti vetëm djali i fundit, i vogli Ferrante. Kur i ati u nda nga jeta ai ishte po aq sa edhe vetë Gjoni kur mori rrugën e emigrimit: vetëm trembëdhjetë vjeç. Këtu edhe u kalua trashëgimia e familjes së shquar. Nuk e bëri dot Gjoni, i cili deri sa mbylli sytë akoma priste të rikthehej në shtëpi djali i madh, Gjergji. Kështu të drejtën e trashëgimtarit të dinastisë e kreu e ëma, Erina.
Ferrante, ky djalë që nuk duhej të qe më shumë se pesëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë vjeç kur Marin Barleti në krye të librit të tij \"De vita et Gestis Scanderbeghi, Epirotarum Principis\" (“Historia e jetës dhe e veprës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, Princi i Epirit”) do t’i bënte përkushtimin e zjarrtë, mbetet edhe kyçi i të gjithë historisë në mos dhe të keqkuptimit. Pikërisht me fëmijët e tij nis pyetja dhe kërkohet përgjigje nëse u shuan apo në të vërtetë vijuan pasardhësit në linjë mashkullore të heroit kombëtar shqiptar.
Më shumë se në Shqipëri kjo vazhdimësi, e përsërisim, kishte rëndësi tepër të madhe në Itali dhe në të gjithë Evropën, ku Skënderbeu zotëronte famë.
Ndërkohë viti 1505 do t’i sillte trashëgimtarit, Ferrantes ende të vogël, jo vetëm dhimbjen e vdekjes së të atit, por edhe të gjyshes. Donika ndërroi jetë vetëm pak muaj para të birit, Gjonit. Dha shpirt në Spanjë, në oborrin mbretëror Aragonez. Ajo jetoi edhe tridhjetë e shtatë vite më shumë nga i shoqi. Kështu ikën nga kjo botë të dy ata që sërish së bashku, nënë e bir, në pranverën e vitit 1468, patën lënë Shqipërinë me shpresë të madhe të riktheheshin.
Ferrante qe me titull të trashëguar nga i ati, Gjoni, dukë i Galatinës dhe kont i Soletos. Sipas sërës së vet, u martua me bijën e një familje fisnike italiane. Vajza quhej Adriana Akuaviva (Adriana Acquaviva), dhe qe bijë e dukës së Nardosë, Belisario Akuaviva.
Lindja e parë qe sipas traditës: djalë. Pas diçka më shumë se një viti fëmija e dytë: doli vajzë. Duka Ferrante i vuri emrin e nënës, Erina. Janë afërsisht vitet 1516-1518.
Me një djalë u duk sikur problemi jetik i trashëgimit të dinastisë për Ferranten u zgjidh, por për fat të keq nuk ndodhi kështu. Këtu nis pjesa më e ndërlikuar e të gjithë historisë gjenealogjike të pasuesve të Skënderbeut..
Por është edhe më spektakolarja.
Ndërsa e kishte djalin si trashëgimtar dhe po ashtu një vajzë mjaft të bukur, Erinën, e cila do të bëhej edhe shumë e mençur, nipi i Skënderbeut, Ferrante, lindi fëmijën e tretë. Qe djalë. I vuri emrin Federiko. Ndodhemi në 1519, pra një vit më pas nga lindja e Erinës.
E papritura: Ferrante këtë djalë nuk e ka me gruan e tij të ligjshme, bijën e një dere duke, Adriana Akuavivën, por me një tjetër. Ajo quhet Pacienca Polastra (Pazienza Pollastra), bijë e një qytetari të thjeshtë.
Me Federikon nis cikli i fëmijëve natyralë të nipit të Skënderbeut nga i biri i vetëm, Gjoni, dhe po ashtu mbyllet lindja e fëmijëve të ligjshëm. Ferrante dhe Adriana jetuan bashkë normalisht, duke bërë 46 vite martuar. I nipi i Gjergj Kastriotit të famshëm ndërroi jetë në 27 dhjetor 1561 dhe bashkëshortja e tij në 10 dhjetor 1568. Pra të dy i ndau vetëm vdekja.
Atëherë përse ndodhi që Adriana Akuaviva, me sa duket një grua shumë e urtë përballë të shoqit tepër të trazuar nga pasionet dhe protagonizmi, nuk bëri më fëmijë? Pikëpamja e autorit të këtij libri është se ajo nuk ka mundur dot të lindë më. Patjetër Ferrante qe i ndërgjegjshëm dhe i vendosur që trashëgimtarin e dinastisë Kastrioti ta vijonte nga martesa me Adrianën. Doemos edhe vetë Adriana këtë gjë e dëshironte shumë, ca më tepër që ashtu pasonte edhe emrin e derës së saj prej dukeshe. Si grua, deri edhe për sfidë ndaj flirteve të të shoqit dhe vetë grave rivale, ajo do t’ia kishte “rrëmbyer” Ferrantes të paktën një djalë. Për Adrianën zemërbutë shtysa e rënies shtatzënë për trashëgimtarin e ligjshëm do të ketë qenë jo vetëm e vazhduar, por edhe tepër torturuese po të tregojmë se djali i saj i vetëm vdiq papritur në moshën dhjetëvjeçare.
Kësaj krijese të pafajshme nuk i gjendet emri, por sipas studiuesit italian Alessandro Laporta jeta e tij e shkurtër u harkua mes viteve 1516 dhe 1528.
Këtë çast tragjik nipi i Skënderbeut kishte edhe një djalë natyror, Federikon, por kjo nuk e zgjidhte lehtësisht vijimin ligjor të dinastisë. Ngulim këmbë se pikërisht këtë çast Adriana Akuaviva donte të lindte fëmijë me të shoqin, por patjetër nuk ka mundur dot biologjikisht. Për fat të trishtë ajo grua e mirë duhet të jetë shterpuar,ndoshta nga ndonjë sëmundje.
Krijesa e katërt e Ferrantes është vajzë, sërish fryt dashurie jashtëmartesore. Quhet Lukrecia (Lucrezia). Nëna nuk i është saktësuar dot. Fëmija vijues quhet Alfons. E ka me Pacienca Polastrën, me atë që pati lindur Federikon. Tashmë ajo është rreth të tridhjetave. Pra Ferrante për më shumë se pesëmbëdhjetë vite nuk e ka braktisur.
Krijesat e tjera të nipit të Skënderbeut janë djem. Njërit iu vu emri Pardo dhe nëna e tij quhej Porcia de Urizio (Porzia de Urrisio), nga një familje e njohur e dukatit të Galatinës. Tjetri u pagëzua me emrin Akile (Achile) dhe për nënë kishte Dianora Koronitën (Dianora Coronita), një skllave, të cilën Ferrante ia kishte blerë një anijeje greke apo venedikase dhe e pati shpallur të lirë.
Djali pasues quhet Çezare (Cesare). Nëna e tij mbetet e paidentifikuar.
Për djalin e gjashtë Annibale, i pagëzuar më 3 shtator 1552, nuk ka të dhëna për nënën e tij. Më 7 gusht 1554 lindi vajza me emrin Porcia (Porzia), fryt i lidhjes jashtëmartesore të Ferrantes me Maria Vilamarin (Maria Villamari).
Një vajzë tjetër, emri i të cilës do të ngjallë gjyshen Donika (Adronica) do të qe krijesa e re. Ajo pati nënë Porcia de Urrizion, me të cilin nipi i Skënderbeut pati edhe djalin Pardo.
Më vonë një vajzë e katërt jashtë martese do të marrë emrin e gjyshit Gjon (Giovanna).
Më 3 maj 1562, u pagëzua i shtati djalë. U quajt Ferrante, në kujtim të të atit, sepse tashmë nipi i Skënderbeut kishte disa muaj që pati ndërruar jetë.
Shtatë djem, katër vajza, katër gra jashtë martese dhe dy të tjera akoma anonime, janë bilanci (ndoshta i përkohshëm) i jetës intime të dukës Ferrante. Këtu ka nisur pështjellimi, pse jo edhe një dëshirë e disa ushtruesve të politikës dhe e një rrethi shkruesish të historisë shqiptare, që rrjedha e pasardhësve të Skënderbeut, fati i dinastisë së tyre, të mbyllet këtë çast, njëherë e mirë.
Mirëpo pikërisht këtu, në këtë rrëmujë flirtesh jashtëmartesore dhe ngulimi të pashoq të Ferrantes, pasardhësit të vetëm të ligjshëm të Skënderbeut, për ta mbajtur me çdo kusht të gjallë jetën dhe emrin e lavdishëm të familjes Kastrioti, gjendet po aq natyrshëm refuzimi, por edhe pranimi i debatit kulturor nëse ka realisht vazhdues të heroit tonë kombëtar, por njëkohësisht edhe evropian, në atdheun e tyre të mërgimit politik, në Itali.
Hapësira për qartësim, për shpjegim dhe mirëkuptim, besojmë se ka.
Të lëmë mënjanë pasionet e Ferrantes, atë kohë gjë rutinë, por krahas dramës që pati bashkëshortja e tij fisnike Adriana Akuaviva, ka mjaft prova që na bëjnë të mendojmë se nipi i Skënderbeut është më pak mëkatar nga sa duket me shikim të parë. Ferrante i trajtoi dukshëm të gjithë fëmijët e vet natyralë si t’i kishte të ligjshëm. Këtë gjë e bëri jo vetëm me kokë të vet, por edhe me pëlqimin e gruas së tij Adriana.
Më së pari u dha mbiemrin e tij, pra përkatësinë e dinastisë. Ata qenë të gjithë Kastrioti Skënderbe. Profesor Xhankarlo Valone ka gjetur një dokument të 12 majit 1566 kur thuhet se në Galatinë në martesën e dy shqiptarëve (Kirenti me Korinën) janë të pranishëm bashkë “zoti Don Achile, zoti don Pardo dhe zoti don Cesare, djemtë e të nderuarit Zotit Dukës sonë”.
I nipi i Skënderbeut u dha bijve të tij jashtëmartesorë emrat më të shtrenjtë të Kastriotëve: Donika dhe Gjon. Po ashtu siç edhe e kishin bërë rregull pas ikjes në Itali u vunë edhe emrat e dy monarkëve të Mbretërisë së Napolit, at e bir, Alfons dhe Federiko.
Ferrante u dha, po ashtu, edhe pasuri. Federikos, djalit të parë natyral, i dhuroi për martesë 6000 dukatë. Andronikës i bëri pajë 1400 dukatë. Pardos i fali një shtëpi të madhe me oborr në qendër të qytetit. Lukrecias i dha për pajë 545 dukatë në dorë dhe 600 të tjerë në pasuri të paluajtshme.
Sipas kumtesës së Enco Ligorit, “Ferrante dhe të tjerët. Integrimi i emigrantëve shqiptarë në Galatina në shekullin e pesëmbëdhjetë” (“Le living Skanderbeg”, “The Albanian Hero between Myth and History” (“Skënderbeu i gjallë“, “Heroi shqiptar midis Mitit dhe Historisë“, Leçe 12-13 mars 2009, botim i kryer në Gjermani nën kujdesin e Monika Xhenezin, Joachim Matzinger dhe Xhankarlo Valones), nënvizon se për 45 vite sa qe gjallë “një despot dhe prepotent si ai, pati forcën dhe mundësinë të përzihej dhe bënte miqësi me familjet më të mira të Galatinës”. Sipas këtij studiuesi, bijtë jashtëmartesorë janë aq të legjitimuar prej Ferrantes sa që marrin pjesë në pagëzime. Në librin e kishës kryesore të qytetit, Shën Pjetër, më 11 shkurt 1549 Pardo ka qenë në pagëzimin e një të quajtur Staiban. Shumë herë, ndërmjet viteve 1551 dhe 1555, qe djali tjetër, Alfonsi, i cili ishte i pranishëm në ceremoni të njëjta tek Kalofilit (Calofilit), Konxhedot (Congedot) dhe Monxhotë (Mongiotë).
Në librin e pagëzimeve të kishës së Shën Pjetrit emrat e bijve natyralë të Ferrantes janë të regjistruar si CS, pra si Castriota Scanderbeg.
Po ashtu, në këmbënguljen e tij që t’i legjitimonte si pasardhës, duka Ferrante pothuaj të gjithë fëmijëve të tij natyralë u kujdes t’u jepte tituj fisnikërie, e drejtë ligjore që e kishte vetëm mbreti. Federikon më 26 gusht 1548 e martoi me Aurelia de Nohan, të motrën e Vinçenso Maria (Vincenzo Maria), baron i Nohës. Djali i tij trashëgimtar Xhovanni u bë baron i Galianos. Akili mori grua Izabela Sanseverinon, derë princërore, dhe pasardhësit e tij u bënë baronë. Pardo lidhi jetën me Antonela Stefanjolin nga një familje fisnike vendase. Çesare më 2 gusht 1587 është baron i Bakaricos dhe i Shën Gjergjit (Santo Giorgio). Lukrecia u martua me Çesare Baronin, feudal i Disos. Xhovana lidhi kurorë e krijoi familje me Mario Kavacën, të ardhur prej një babai me titull baroni, me origjinë nga Taranto.
Ferrante bëri gjithçka që djemtë e tij natyralë të kishin autoritetin e të ligjshmëve. Kështu, me sa mundi dhe sipas mënyrës së tij, e zgjidhi çështjen e vazhdimësinë e dinastisë. Në jetën tjetër me siguri është i qetë dhe pa brengën se, po të duhej të vepronte ndryshe, brenda ca rregullave morale, pas të cilave më pas u kapën fort ca puritanë për ta mbyllur përfundimisht derën e zëshme të Skënderbeut, do të qe puna më e mirë.
Për historinë tonë doli kështu, siç veproi, më i nevojshëm.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com