|
Ylli Polovina: Si i fshehu komunizmi pasardhësit e Skënderbeut
(Botuar në “Gazeta Shqiptare” në 21 nëntor 2013)
E quajtur zyrtarisht si familje e shuar më 27 dhjetor 1561, me vdekjen e nipit të Skënderbeut, dukës Ferrante, dinastia në të vërtetë nuk u fik. Duke mos pasur trashëgimtarë ajo shumoi pasardhës.
Tani janë gazetarë, njerëz të shkencës ose të ligjit, punonjës bankash, muzikantë.
Ylli Polovina vjen me të tretin studim për pasadhësit e Skënderbeut. Gjith}ka ai është rrekur të arrijë, është të treguarit e historisë si mbijetuan pinjollët deri në ditët e sotme.
- Më sipër cituam pjesën hyrëse të librit tuaj të fundit, “Pasardhësit e Skënderbeut, si u mbajtën fshehur”. Lexuesi do të dëshironte të dinte më shumë për brendinë e tij.
- Ju falënderoj që më dhatë këtë mundësi.
-“Gazeta Shqiptare”, në këtë drejtim, bën sa mundet.
-Në “Pasardhësit e Skënderbeut, si u mbajtën fshehur” kam cituar të gjithë ata studiues, diplomatë, funksionarë shteti, miq dhe gazetarë, të cilët më kanë ndihmuar në nismën e njohjes së opinionit publik shqiptar me ekzistencën reale të pasardhësve të Skënderbeut. Midis tyre mirënjohjen e kam shprehur edhe për GSH si edhe ju personalisht, si redaktore e kulturës.
Megjithatë le të kthehemi tek përgjigja e pyetjes që më bëtë.
Libri për të cilin po flasim është botimi im i tretë me tematikë përpjekje për këndvështrime të reja të veprës dhe jetës së heroit tonë kombëtar. Tek “Gjysma e harruar e Skënderbeut” (2008) mëtoj të argumentoj se si gjatë periudhës 1944-1990 Gjergj Kastriotit i është censuruar, për arsye ideologjike, lidhja e tij e fortë me Evropën dhe qytetërimin e saj perëndimor. Për këtë arsye ai përherë u interpretua si komandant ushtarak, si prijës, ndonjëherë edhe si diplomat, por kurrsesi si politikan. Po të ndodhte kjo do të zbulohej doktrina e tij politike, e cila kishte për themel lidhjen me Perëndimin.
Tek ky libër i parë për Skënderbeun po ashtu mbroj pikëpamjen se Gjergj Kastrioti është hero evropian më shumë se heroi ynë nacional. Pra, është të paktën dy herë më i madh nga sa jemi mësuar ta njohim dhe ta pranojmë ne.
-Kjo është interesante, sepse ndërkohë ka pasur një tentativë, që për ta çmitizuar, zvogëluar dimensionin e tij.
- Tek libri i dytë i kësaj triologjie, “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut” (2012) mu dha një mundësi të rishoh e ridimensionoj disa raporte të tij me pushtetin dhe pronën. I jam larguar ngjyrës rozë të përshkrimit dhe frymës romantike. Gjergj Kastrioti është një njeri pushteti dhe për pasojë plot lakmi për të qenë i pari dhe grumbulluar vazhdimisht në duart e tij fuqi politike dhe prona. Kjo i shërbente edhe për t’u rezistuar më mirë osmanëve si edhe krijuar një shtet arbër unik . Ndërkaq në krah, por edhe përballë, ka profilin e lartë të dinastisë princërore Muzaka.
Ky libër i tanishëm synon ta plotësojë tablonë. Në 335 faqet e tij paraqes prova të shumta se si, për arsye më shumë se politike, i është privuar opinionit shqiptar njohja me pasardhësit e Skënderbeut në Itali, vend ku kjo dinasti emigroi dhe u shumua, deri në ditët e sotme.
Me pak fjalë libri i ri është edhe një rrëfim se si mu krijua mundësia dhe u angazhova në kërkimin dhe gjetjen në Itali të pasardhësve të vërtetë, si i seleksionova ata mes falsëve të shumtë dhe si organizova sjelljen e tyre në vendin tonë. Është një histori që nis në 17 janar 1998, kur sapo i emëruar në Ambasadën tonë në Romë, njoha kompozitorin dhe dirigjentin Lorenco Kastriota Skanderbeg.
-Duke e shfletuar librin tuaj vura re se ai ka një strukturë të dendur informative.
-Që lexuesi të dijë sa më shumë për historinë e trashëgimtarëve fillimisht dhe më vonë, të pasardhësve të familjes Kastrioti në Itali, libri është ndarë në 47 kapituj. Më lejoni t’i përcjell lexuesit titujt e një pjese të këtyre kapitujve: “Shefi i Ballkanit në agjencinë ANSA: “Kemi një shqiptar këtu afër”, “Roma mes dy vendmonumenteve të Skënderbeut”, “Kronikat regjistrojnë lojë politike”, “Dega Kastrioti e Leçes”, Izabela origjinale dhe një tjetër e dytë:, “Përplasen komunistë dhe antikomunistë”, “Kastriotët-Zogu, rivalitet i ngacmuar”, “Në Paris, mbi emrin e Gjergj Kastriotit, tre S serbe”, “Nga se vdiq papa Pali II”, “Veneciania Luçia Nadin”, “Ku ndodhej Donika në dimrin 1466-1467?”, “Një ngatërresë në Universitetin Oriental të Napolit”, “Si u shpik vajza e Skënderbeut me emrin Vojsava”, “Qeveritari i lartë italian, një Kastriot i rremë”.
-Çfarë risie, dokumente e prova të reja, sjell libri juaj, për të dëshmuar se pasardhësit e Skënderbeut janë mbajtur fshehur?
-Për ta provuar si u mbajtën fshehur për një gjysmë shekulli dhe cilët në të vërtetë janë ata, realët dhe jo falsët, është shkruar i tërë libri. Por në pak fjalë po tregoj shtratin ku ka ecur ky kërkim. Pas emigrimit politik në Itali, në Mbretërinë e Napolit, prej fëmijëve të Gjonit, birit dhe trashëgimtarit të vetëm të Gjergj Kastriotit, për rrethana që i shpjegoj, mbeti vetëm Ferrante, portreti i të cilit është vendosur në ballinë të librit. Deri në pranverë të këtij viti nuk ka pasur asnjë pamje të tij dhe zbulimi u bë pesë muaj më parë. Fati i fëmijëve brenda martesorë të Ferrantes, që nuk i siguronin trashëgiminë, ishte i tillë që ky bëri edhe mjaft bij të tjerë jashtë martese. Të gjitha këta, madje edhe vajzat, ai i trajtoi zyrtarisht me dinjitet dhe me tituj fisnikërie. Kujtojmë se këtë kohë edhe vetë mbreti i Napolit, Ferdinandi, qe një fëmijë jashtë martese i të atit, Alfonsit. Pas vdekjes së Ferrantes, për arsye që sërish i shpjegoj (sepse në mes ka edhe një djalë të mohuar nga trashëgimia nga që bashkëpunoi me osmanët), mbeti e parë mes pasardhësve vetëm e bija, Jerina. Këtu me ligj, si i thonë, e drejta e trashëgimisë së Skënderbeut u mbyll. Pra askush prej atyre që jetuan më pas, nuk ka asnjë të mundësi të kalojë mbi vete të drejtën e trashëgimit politik. Por të pasardhësve po, sepse të paktën katër nga djemtë jashtëmartesorë të Ferrantes krijuan familje dhe pasardhës. Nëpër shekuj dy prej tyre u shuan, por dy, përherë në linjë mashkullore, vijojnë edhe sot. Për ekzistencën e tyre, çfarë në librin tim lexuesi informohet gjerësisht, ka pasur botime që në mes të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Një kulmim u arrit me një botim të historianit napolitan, Karlo Padilione, fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, dhe i përkthyer në shqip pas vitit 1990. Pasardhësit e Skënderbeut jo vetëm u njohën nga dy vendime të qeverive italiane në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të njëqindvjeçarit të shkuar, por edhe prej bashkësisë së arbëreshëve. U njohën edhe nga politika shqiptare e periudhës së Rilindjes. Kështu në libër dëshmoj për rolin e tyre për të inkurajuar çlirimin e Shqipërisë nga Perandoria turke, se si Filipo Kastrioti shkëmbeu telegrame urimi me Ismail Qemalin për shpalljen e pavarësisë, si qenë pjesëmarrës aktivë në Kongresin e Triestes në 1913, si i mbajtën marrëdhëniet me Ahmet Zogun, si një dërgatë e tij kreu bisedime për t’u martuar me njërën nga vajzat e degës së Kastriotëve të Napolit, si ai i ftoi në dasmën me Geraldinën dhe këta, të kënaqur, pasi ikjes i dërguan mesazhe falënderimi. Çuditërisht këto raporte të vijuara të politikës shqiptare me pasardhësit në Itali të Gjergj Kastriotit, të pakompromentuara me kërkesa për pjesëmarrje të tyre në të drejtë froni apo pushteti publik në Shqipëri, u ftohën menjëherë pas ardhjes në pushtet të komunistëve. I vetmi dokument që kam gjetur është një listë në mes të viteve pesëdhjetë, ku njëri prej tyre gjendet në listën e ambasadës shqiptare në Romë, si mik i Shqipërisë, dhe pastaj bie e heshtja e plotë. Ndërkohë janë antikomunistët dhe Vatikani që jo vetëm i mbajnë lidhjet e rregullta me ta, por edhe i gjallërojnë vazhdimisht. Për këtë arsye i hap shumë vend çfarë ndodhi në Romë në 1968, me rastin e festimeve të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Kështu derisa diktatura ra nuk u bë asnjë përpjekje për t’i kontaktuar. Për inerci kjo vazhdoi edhe pas rënies së saj dhe unë paraqes në libër rrethanat përse dhe si ndodhi më në fund rikthimi i tyre. Tashmë pas mbi gjashtëdhjetë vitesh. Gjithnjë si pasuri historike dhe kulturore e vendit tonë, për çfarë edhe ata vetë janë dakord.
-Zoti Polovina, më ka bërë përshtypje, gjatë leximit të librit tuaj, se si dëshironi të vini në dijeni bashkëkombësit që Kastriotët Skënderbe në Itali kanë ruajtur plot dinjitet jo vetëm identitetin e tyre si pasardhës të kësaj familje historike shqiptare (arbre siç më shpesh e shënoni), por edhe tiparet më themelore morale. Ju paraqitni argumente se si në tetëmbëdhjetë breza, pra deri sot, ata nuk u nëpërgojuan asnjëherë për gjeste dhe veprime të diskutueshme, se si në pesë shekuj bënë emër të mirë, madje mjaft të spikatur.
-Për këtë nuk i referohem vetëm kërkimeve të mia, por rezultateve të punës së dhjetëra studiuesve italianë, të cilët citohen vazhdimisht në libër. Janë emra që këtu, jo vetëm më parë, por edhe pas vitit 1990, nuk kanë gjetur theksimin e publicitetin e merituar. Një prej tyre është profesori Xhankarlo Valone.
-Tani që libri juaj është shpërndarë në disa prej librarive të kryeqytetit pritni interesim të publikut?
-Si ta ketë fatin. Asnjë nuk imponohet. Meritohet. Kam vetëm një “ëndërr”: t’i promovoj tre librat e mi për Skënderbeun në një mjedis universitar në Prishtinë.
-Besoj se për këtë nuk ju pengon njeri.
-Më pengon vetja. Sapo mbaroj një libër hidhem me ngut tek tjetri. Kështu humbas emocionin për të dhe interesin, për rrjedhojë edhe detyrimin për ta promovuar.
-Dhe çfarë keni në duar.
-Një libër me titullin e përkohshëm “Ambasadori ballkanik”. Në të mëtoj të paraqes rolin e Shërbimit të Jashtëm Shqiptar në Ballkan. Do të jetë një i shkruar antologjik:analiza diplomatike, këndvështrime historike, skica e mbresa udhëtimi, rrëfime dëshmitarësh rreth ngjarjeve më të bujshme...
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|