|
Pse Musolini s’donte që Zogu të martohej me një Kastriotase
(Botuar në gazetën “Panorama” në 20 nëntor 2013)
Botohet libri për pasardhësit e Skënderbeut.
Ylli Polovina: Administrata e Mbretit i kërkoi në parim dorën një pinjolleje të heroit.
Gjatë diktaturës ata nuk i përmendte kush. Fundja nuk kishte se ç’u duheshin pasardhësit, kur kishin vetë heroin, të cilin e ngritën në përmasa mitike. Shumë pak dihet se ku kanë përfunduar sot pasardhësit e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Pas lënies së Shqipërisë, prej pushtimit turk, për të shkuar përtej detit, pasardhësit e Kastriotit u shpërndanë nëpër Itali, ku hodhën degët e tyre. Për të mësuar më shumë për ta, studiuesi Ylli Polovina na sjell një libër të ri, të titulluar “Pasardhësit e Skënderbeut, si u mbajtën fshehur”. Polovina i rikthehet edhe një herë marrëdhënieve diplomatike të Skënderbeut me Venedikun, Napolin, Vatikanin… zhgënjimet e tij, braktisjen, lënien vetëm prej Papatit që vetë e kishte quajtur “Atlet të Krishtit”. Për të vijuar me pasardhësit, si u shpërndanë ata dhe cila ishte marrëdhënia me vendin amë. Gjatë periudhës së Zogut, sidomos kur Mbretit i kishte ardhur koha për martesë, Kastriotët u përmendën disa herë. Një herë nga oborri i Musolinit, por duket se ishte pikërisht ky i fundit që nuk ishte dakord për një krushqi të tillë, si dhe nga vetë Zogu, përfaqësues të të cilit i kishin kërkuar në parim njërës prej pinjollëve dorën për martesë. Por, siç dihet, asgjë nuk ndodhi. Dhe kandidatja e mundshme mbeti vetëm një e ftuar në dasmën e Zogut. Ndërsa më vonë, sipas Polovinës, komunistët tregoheshin indiferentë ndaj tyre, por kjo nuk do të thotë se nuk e ndiqnin veprimtarinë e Kastriotëve. Në një kohë që ata kishin vendosur lidhje me fraksionin antikomunist jashtë vendit, me Ernest Koliqin e Lec Shllakun. Pas rënies së diktaturës, kastriotë të vërtetë e të rremë u shfaqën në horizont, për të rivendosur lidhjen me Shqipërinë.
Alma Mile
Në një faqe të plotë të gazetës botohen edhe tri fragmente të shkurtra nga libri “Pasardhesit e Skënderbeut, si i mbajtën fshehur”
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|