|
Luftë me pulla, Esadi, Spiromilo, Zogu, Hoxha..
(Pjesa e dytë, botuar në “Shqiptarja.com” në 10 nëntor 2013)
Myhuri, vula me vete e Esat Pashë Toptanit
Pasha Esat ngriti dy qeveri, njërën para ardhjes së Princit Vid dhe tjetrën pas ikjes së tij. Në përpjekjen numër një për të marrë frenat e Shqipërisë dhe për ta sunduar atë Toptanasi problematik, pasi la Shkodrën në duart e malazezëve, shkoi në Krujë dhe atje mblodhi një të quajtur Unioni Muhamedan. Prodhoi një emision pullash, e cila nuk u vu në qarkullim, ndaj edhe gjendet me shumë vështirësi.
Arsyeja pse ndodhi kështu është e denjë për një rrëfim rozë. Edhe pse formalisht ishte porositur nën kujdesin e një Unioni Muhamedan dhe të vetë një myslimani njëqind karatësh siç qe pasha, ai emision me pesë pulla, i zbarkuar gjithë gëzim në portin e Durrësit, kishte të vizatuar sipër pamjen e një gruaje. Madje qe mjaft e hijshme, si të ishte një italiane. Kështu qarkullimin e saj e ndaloi vetë Esat Toptani.
Kur në 12 tetor 1913 pasha që turbullonte të gjitha ujërat, shpalli qeverinë e dytë ose “Pleqësinë e Shqipërisë së Mesme”, duke qenë se nuk kishte pulla për afrankim (sipas shpjegimit në fjalorthin e posaçëm në fund të librit të Thimi Nikës kjo do të thotë “përdorim i pullave për korrespodencën postare”), në vend të tyre ai përdori disa vula administrative të prodhuara enkas për zyrat postare e telegrafike, Nika shpjegon: “Brenda rrethit të brendshëm është një shqytë me shqiponjë dykrenare. Mbishkrimi i poshtëm ngjan të jetë i njëjtë në të gjithë shembujt dhe është: “SHQIPNIA E MESME 12.X.1913”.
Pas vulë-pullës me shqiponjë Esat Toptani i gjeti një rrugë origjinale përdorimit të pullave të qeverisë së Ismail Qemalit me portretin e Skënderbeut. Ndërsa për princ Vilhelm Vidin u vendosën sipër fjalët “7 mars 1914. Rroftë Mbreti”, pasha i ngjeshi sipër myhyrin e tij. Ishte, sipas një zakoni osman, një vulë të cilën ai e mbante në njërin gisht. Këtë shtampë e lyente me bojë dhe e shtypte mbi çdo pullë, e cila e vendosur mbi një zarf, të merrte rrugën e ikjes në një adresë shqiptare apo të kapërcente kufijtë, për në një shtet tjetër.
Mund ta përfytyrojë gjithsecili lexues tani se sa e këndshme mund të dukej një portret i Skënderbeut me vulën mbi fytyrë të gishtit të Esat Pashë Toptanit.
Kundër Shqipërisë ka Esat dhe Spiro Spiromilo. Kundër të dyve ka edhe Shkodër
Nga 24 shkurti 1914 deri në tetor të këtij viti Spiro Spiromilo, komandant e prijës lokal i fondamentalistëve grekë të Himarës, u përpoq ta mbajë të gjallë këtë qytet si një “republikë“ të shkëputur nga trungu etnik shqiptar. Doemos qe një plasdarmë ushtarake. Prej kësaj baze do të provokohej tension etnik në të gjithë jugun e vendit, mëtuar përherë nga Athina si territor helen.
Thimi Nika e sheh këtë kacavjerrje hiene nëpërmjet historisë së filatelisë. Duke qenë se çdo shtet ka si shenjë të ekzistencës së vet pullën, Spiro Spiromilo, si i mbërthyer prej një etheje malarike, gjatë vitit 1914, prodhoi dhe shpërndau njëra pas tjetrës emisione pullash. I pari qe në 10 shkurt, i dyti në 24 gusht, i treti në tetor.
Provokacioni i 10 shkurtit ishte një mbishtypje me sipër inicialet e Spiro Spiromilos, i 24 gushtit me mbishkrim në ngjyrë të zezë në tri rreshta horizontalë e fjalëve “Himara greke 1914”, i tetorit pasqyronte me pamje portretin e mbretit grek Kostandin.
Ndërkaq Shkodra, që sipas Nikës “në historinë e filatelisë shqiptare është ndër qytetet që ka një vend të merituar” vuri në veprim emisionin e vet të 19 marsit 1915. Ky shënonte përvjetorin e parë të ngritjes së flamurit kombëtar, ngjarje që mori jetë në Shkodër në 19 mars 1914, ndërsa Esat Pashë Toptani ngrinte qeveritë e tij personale që nuk e njihnin atë të Vlorës dhe ca më tepër Spiro Spiromilo plasdarmin e tij në Himarën jetë e mot të shqiptarëve.
Dihet se “Në kohën kur në Vlorë u ngrit flamuri kombëtar dhe u shpall pavarësia e Shqipërisë, Shkodra ndodhej e rrethuar nga trupat malazeze e serbe. Më 22 prill 1913, Shkodra iu dorëzua pushtuesve malazezë. Më pas, më 19 mars 1914, forcat ushtarake ndërkombëtare i zmbrapsën trupat pushtuese dhe e çliruan Shkodrën prej tyre. Pikërisht në këtë ditë, populli i Shkodrës, që kishte luftuar aq shumë për lirinë e pavarësinë, i mbledhur në kështjellën e Rozafës, pasi dëgjoi fjalimin e mbajtur nga përfaqësuesi i Anglisë, koloneli Filips (Phillips), ngriti flamurin kombëtar, krahas flamujve të fuqive të mëdha” (“Historia e filatelisë shqiptare”).
Emisioni i 19 marsit 1915, nuk ishte gjë tjetër veç edicioni i 1 dhjetorit 1913 i qeverisë së Ismail Qemal Vlorës me pamjen e heroit tonë kombëtar. Mbi pullat e tij u mbishtyp “19 MARS 1914-KUJT. I NGRITJES FLAM. KOMBËTAR NË FONTESË-SHKODRE”.
Në fontes e kanë fjalën për fortesën, kalanë Rozafa të qytetit.
Sfida tjetër kundër “Himarës greke”: Republika e Korçës
Austrohungarezët, që e filluan mësymjen në Shqipëri në nëntor 1915 dhe brenda verës së vitit të mëpastajmë pushtuan territore të mëdha, përdorën postën ushtarake të tyre edhe për shqiptarët. Edhe pse janë pulla austriake për këtë shërbim nuk vendosin mbi to asnjë shenjë të identitetit të popullit tonë.
Ndërkaq edhe italianët veprojnë. Ata e nisën pushtimin e tyre me zbarkimin në ishullin e Sazanit më 30 tetor 1914. Marrja e territorit shqiptar vazhdoi deri afër fundit të vitit 1916. Më 1 mars 1917, Italia krijoi në Vlorë dhe në qendrat kryesore të pushtuara organet administrative. Më 3 qershor 1917, gjenerali Ferrero publikoi një “Proklamatë”, me të cilën deklaroi “Pavarësinë e Shqipërisë” nën kujdesin dhe mbrojtjen e Mbretërisë Italiane. Pak më vonë u krijua Legjioni I Shqiptar. Shqipëria bënte pjesë në “Zona Guerra A” (“Zona e Luftës A”), shtabi drejtues i së cilës ishte në Taranto, shpjegon autori i librit “Historia e filatelisë shqiptare”. Kur e pyesim nëse edhe këtë herë italianët vijojnë traditën e para vitit 1912, ku mbi pullat e tyre përdornin fjalën “Albania”, Thimi Nika përgjigjet se një e tillë sjellje tashmë mungon. Janë forca pushtimi.
Pasi grekët në 20 dhjetor 1912 morën qytetin e Korçës nuk mund të pritej prej tyre veç e zakonshmja prapësi. Ata përdorën pullat turke që u gjendën në zyrat postare dhe i mbishtypën me tekstin “ELLHNIKH DIOIKHCIC” (Administrata greke). Më pas u vunë në përdorim edhe pulla të zakonshme greke.
Kur në dhjetor 1916, nën protektoratin e trupave ushtarake franceze u shpall Republika Autonome e Korçës, një sasi e vogël pullash greke, që u gjend në postën e qytetit u mbishtyp me shqiponjën shqiptare. Vula, tregon Thimi Nika, qe përgatitur nga argjendari patriot Ilo Dhimitri.
Shqipëria e njohur nga Lidhja e Kombeve shpalos pamjet e qyteteve dhe të kështjellave të saj
Qeveria që doli nga Kongresi i Lushnjës, duke filluar nga 11 shkurti 1920, u vendos në Tiranë. Ky u shpall kryeqyteti i Shqipërisë. Që prej këtij çasti qeverisësit e vendit selinë do ta kishin këtu. Prej Tiranës u morën edhe të gjitha vendimet për misionet e pullave të shtetit.
Tek “Historia e filatelisë shqiptare” shkruhet se që në 1 mars 1921 ka një vendim të Këshillit të Ministrave, me numrin 239, për krijimin e një komisioni për të realizuar mbishtypjen e pullave. Do të hynin sërish në punë pullat me pamjen e Skënderbeut, ato me format të vogël, të prodhuara në Paris, që patën destinacion Shkodrën dhe protagonist drejtorin e postës së këtij qyteti, Sadik.Tiranën. Këtyre iu bënë katër mbishtypje. E para me bririn, që e kanë simbol postat. E dyta, e treta dhe e katërta kanë fjalën Besa.
Një vendim i dytë qeveritar, i 6 janarit 1922, me numër 19, porosit të prodhohej një emision me shtatë vlera të ndryshme, me pamje prej zonave të ndryshme të Shqipërisë. Në atë 2 qint do të vendosej kalaja e Gjirokastrës, në atë 5 qint – kalaja e Kaninës, në vlerën 10 qint – kështjella e Beratit, në pullën 25 qint Ura e Vezirit, në 50 qint – kalaja e Rozafës në Shkodër, në 1 frank – Korça dhe në 2 frank – kalaja e Durrësit. “Kurse pullat taksë, shpjegon në librin e tij Thimi Nika, në të gjitha vlerat 4, 10, 20 dhe 50 qint, do të kishin të njëjtën pamje, shqiponjën dykrenore”.
Kishte nisur në filatelinë shqiptare fryma kombëtare.
Fan Noli pa pulla, Ahmet Zogu me pothuaj shtatëdhjetë
Që Noli mbeti pa pulla me portretin e tij është fare e kuptueshme duke pasur parasysh temperamentin e tij e sidomos pazotësinë për të ngritur një qeveri të fortë e të qëndrueshme. Megjithatë, siç del nga libri, ai ka mundur, në ditët e fundit të fatit të tij të shkurtër gjashtëmujor, në nëntor 1924, të jetë i nismëtar i prodhimit të një emisioni me qëllim bamirësie, thjesht për të krijuar fonde në dobi të Kryqit të Kuq Shqiptar.
Ndërkaq rivali i tij i paepur, Ahmet Zogu, i cili u rikthye në Tiranë që nga Jugosllavia në 24 dhjetor, qe natyrë krejt tjetër. Pas këtij çasti ai e qeverisi Shqipërinë për katërmbëdhjetë vite dhe në të gjithë këtë kohë të mjaftueshme për të dhe për figurat kryesore të historisë tonë kombëtare, asnjë prej këtyre të fundit nuk e vendosi në ballin e ndonjë pulle. Mbi to u ul vetë këmbëkryq.
Kështu në 5 mars 1925 u shpërnda një emision kujtimor për rikthimin e tij në Tiranë. Qenë shtatë pullat e serisë së shtypur në Vjenë, në 1922, por duke u vënë sipër tekstin “Triumf’ i legalitetit 24 Dhetuer 1924”. Nuk ishin pak, por plot 40.000 seri.
Për herë të parë portreti i Ahmet Zogut në pullat shqiptare u shfaq më 24 dhjetor 1925, me emetimin e emisionit kushtuar përvjetorit të parë të “Triumfit të Legalitetit”. Ai qe iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Postë Telegrafave qysh në muajin prill të vitit 1925, pra menjëherë pas hyrjes në veprim të “Triumf’ i legalitetit....”.
Historia e këtij emisioni është e mbushur me episode padurimi që të vinin sa më shpejt në Tiranë. Vetë Zogu, Presidenti i Republikës, urdhëron me shkrim “për dërgimin sa më parë të një nëpunësi në Korfuz për të krye formalitetet e duhuna e për të marrë pullat e shtypuna”. “Ditët e para të nëntorit 1925, shkruan filatelisti dhe studiuesi Nika, ishin të ngarkuara me një korrespondencë të dendur telegrafike midis Korfuzit e Tiranës dhe anasjelltas. Me shkresën nr. 493/52, datë 05.11.1925, Drejtoria e Postave, Telegrafave e Telefonëve njoftonte Ministrinë e Punëve Botore se “përfaqësuesit e tyre flasin për nisjen e pullave nga Korfuzi më 13.11.1925.” Por, “për shkak të motit të keq, vapori nuk u nis. Me vaporin më të parë për në Durrës do nisemi nga Korfuzi.” Ditën që mbërriti vapori në Durrës gjithçka ishte gati: pullat u vendosën në 65 arka dhe u shoqëruan për në Tiranë nga një njësi e posaçme e xhandarmërisë”.
Ja edhe urdhri tjetër i Ahmet Zogut, më datë 23 dhjetorin 1925: “Dekretojmë: të vihen në cirkulacjon qysh më 24 dhetuer 1925 me rastin e kryevitit të Triumfit të Legalitetit pullat e reja të shtypuna rishtazi e qi të stokohen pullat e tjera qi kanë në përdorim deri sot.”
Kështu, të gjitha llojet e tjera të pullave, përfshi edhe ato me pamjen e Skënderbeut, të cilat për më shumë se një dekadë, me mbishtypje të ndryshme, kishin përmbushur shërbimin postar të shqiptarëve, zhdukeshin, asgjësoheshin. Do të qe tash e tutje, deri në fillimprill 1939, vetëm pamja e fytyra e tij. Më 1 shkurt 1927, pullat me portretin e Zogut do të viheshin në qarkullim si një emetim i ri me mbishtypje me kurorë dafine në trajtë vezore dhe mbi të me inicialet “A” e “Z”. “Kjo seri doli në kuadër të përvjetorit të dytë të zgjedhjes së Ahmet Zogut si kryetar i Republikës”, informon lexuesin Thimi Nika.
Gjatë periudhës së mbretërimit, nga 1 shtatori 1928 deri në 7 prill 1939, u prodhuan 15 emisione pullash. Në qendër të tyre sërish qe ai. E nisi me atë të tetorit 1929, emetuar me rastin e ditëlindjes së tij. Portretin ia shoqëronin fjalët “RROFT MBRETI”. Ahmet Zogu portret do të qe deri kur në ngjarjen e 10-vjetorit të monarkisë 1928-1938, ku u vunë në qarkullim pulla dhe blloqe përkujtimore. Ahmet Zogu u rishfaq, portet i plotë, edhe me rastin e martesës me hungarezen Geraldinë Apponyi. Kjo ngjarje u fiksua në tetë pulla me ngjyra të ndryshme. Poshtë tyre, me germa kapitale, u shkrua “MARTESA E MBRETIT EVENIMENT KOMBTAR”.
Madje edhe kur e dinte se do të sulmohej ushtarakisht nga fashistët italianë, madje po merrte edhe masa ushtarake për mbrojtje, në 2 mars 1939, Zogu dekretoi krijimin e një serie pullash postare për dobi të Kryqit të Kuq Shqiptar. Dy prej tyre do të kishin portretet e të ëmës së Zogut (Nënës Mbretëreshë) dhe të motrës së tij, princeshës Sanije. Kjo qe njëherësh edhe kryetare nderi e Kryqit të Kuq Shqiptar. Kjo seri pullash nuk arriti të prodhohej.
Kështu u mbyllën katërmbëdhjetë vite pa në pulla pamje rilindasi, pa të Ismail Qemalit dhe madje edhe pa të Gjergj Kastriotit. Me vetëm portret të Ahmet Zogut, në kohën e qeverimit të tij, ky prodhoi më shumë se, që nga shpallja e pavarësisë e deri sot, janë bërë për Skënderbeun.
Gjergj Kastrioti “përleshet” me Viktor Emanuelin
Nga 7 prillit 1939 deri më 8 shtator 1943, kur Italia fashiste kapitulloi pa kushte, u emetuan prej saj në Shqipëri rreth 8 seri pullash. I pari emision qe menjëherë pas pushtimit: më 23 qershor 1939. Këtë ditë Drejtoria e PTT-së paraqiti për miratim bocetin e një pakete pullash për Skënderbeun. Me këtë rast qenë paraqitur dy variante. Në 5 korrik Këshilli i Ministrave u shpreh për çështjen e pranimit të bocetit të parë (për pullat postare ordinere prej 5 e 65 qind) se vendimi përfundimtar do të jepej më vonë. Në datën 27 të po atij muaji, me urdhër të Mëkëmbësit të Përgjithshëm në Tiranë, u njoftua drejtori i Përgjithshëm i PTT-së se projekti me portretin e Skënderbeut nuk qe miratuar dhe se duhej bërë patjetër një variant i ri. Pak ditë më vonë, në 1 gusht, rrufeshëm, nga Roma mbërriti një shkresë, e cila e njoftonte këtë drejtori se portreti i Gjergj Kastriotit do të zëvendësohej me atë të mbretit Viktor Emanueli III. Boceti për Gjergj Kastriotin nuk ishte pranuar prej Ministrisë Punëve të Jashtme italiane.
Kështu në 29 gusht, siç shpjegohet në librin “Historia e filatelisë shqiptare”, “doli vendimi nr. 533 i Këshillit të Ministrave, i firmosur nga kryeministri Shefqet Vërlaci. Ai anuloi pikën 1 të vendimit të tre muajve më parë, nr.117, datë 25.05.1939, ku...autorizoi zyrat kompetente për shtypjen e pullave postare ordinere prej 5 dhe 65 qind me portretin në profil të Viktor Emanuelit III, në bazë të bocetit të aprovuar paraprakisht nga Ministria e Punëve të Jashtme në Romë”.
Me këtë shëmti nisi e tërë historia e katër viteve të pushtimit italian. Viktor Emanueli III qe rishfaqur, në 4 gusht 1939, edhe në një pullë tjetër, këtë herë për shërbime postare ajrore. Ishte shtypur në Romë. Tre vite më vonë, me rastin e përvjetorit të tretë të “bashkimit të dy kurorave”, monarku italian nuk mungoi të vinte fytyrën e tij edhe në një seri të re pullash. Ai tashmë nuk kishte vënë mbi kokë vetëm kurorën e Ahmet Zogut, por edhe të Skënderbeut.
Ndërkohë katër vitet e pushtimit italian qenë edhe plot demagogji për gjoja realizimin e Shqipërisë Etnike. Në shtator 1941 ishte marrë nisma për një emision kushtuar bashkimit të trojeve shqiptare, por nuk u realizua kurrë.
Janë gjermanët që në 18 tetor 1944 kujtohen për të njëjtin veprim. Këtë ditë Drejtoria e Përgjithshme e PTT-së mori nismën për një emision filatelik “me përkujtue bashkimin e Tokave të lirueme me Shqipnin e vjetër”. Nuk u krye, jo vetëm se qe dinakëri politike për të siguruar përkrahje në ato çaste të fundit të mbijetimit të nazizmit gjerman, por edhe sepse dyzetë ditë më pas Shqipëria do të çlirohej plotësisht.
Puna e vyer filatelike e një qeverie kolaboracioniste
Më 28 prill 1944 kryesia e Këshillit të Ministrave mori vendim për ngritjen e një komisioni të posaçëm në mënyrë që pullave postare t’u jepej karakter i spikatur shqiptar. “Detyra e komisionit, shkruan Thimi Nika në librin e tij, ishte të studionte mënyrën e nxjerrjes së një vargu emisionesh pullash postare “me karakter përkujtimor, patriotik, historik e letrar”.
Ja, shkurtimisht, çfarë do të pasqyronin këto emisione të reja: -Seri pullash postare të zakonshme me imazh “përkrenaren e Skënderbeut në profil dhe fjalën “SHQIPNIJA”; -Tre seri të tjera sërish me emrin Shqypnija; -Paketë pullash postare përkujtimore për martirët e atdheut. Mbi secilën do të shkruhej fjala “SHQIPNIJA” dhe emrat e Bajram Currit, Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Atë Shtjefën Gjeçovit, Ceno Sharrës, Oso Kukës, Ded Gjo Lulit, Ajdin Dragës, Themistokli Gërmenjit, Çerçiz Topullit, Papa Kristo Negovanit, Avni Rustemit dhe kolonelit Tomson; -Seria e gjashtë do të qe për poetët kombëtarë Jeronim De Rada, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta; -E shtata do të ishte përkujtimore për personalitete historike të kombit, ku në çdo pullë, krahas fjalës “SHQIPNIJA”, do të qenë pamjet e Pirros, të Teutës, Batos, Gjin Bue Shpatës, Karl Topisë, Gjergj Balshës, Moisi Golemit, Arianit Topisë dhe Lekë Dukagjinit; -Seria e tetë do të ishte përkujtimore për 500-vjetorin e kthimit të Skënderbeut në Shqipëri. Veç fjalës “SHQIPNIJA”, në pamjet e këtyre pullave do të pasqyroheshin kthimi i Skënderbeut në Krujë, Skënderbeu luftëtar në një mjedis në kalanë e Krujës dhe Lidhja e Lezhës; -Në të nëntën paketë, përkujtimore për 28 nëntorin 1912, do të pasqyrohej grupi i nismëtarëve të shpalljes së pavarësisë. Në mes tyre do të qe Ismail Qemali me proklamatën në dorë dhe rreth tij Dom Nikollë Kaçorri, Isa Boletini, Babë Dud Karbunara, Murat Toptani, Luigj Gurakuqi e Pandeli Cale; mbi pullat me velfta 10 e 30 qind dhe 2 franga shqiptare do të pasqyrohej, sipas fotografisë autentike të kohës, ngritja e flamurit në Vlorë; mbi pullat me vlefta 15 e 65 qind dhe 3 franga shqiptare do të vendosej flamuri kombëtar në lëvizje; -Seria e dhjetë e pullave postare përkujtimore do të nderonte Lidhjen e Prizrenit. Pamjet mbi to do të nisnin që nga “Shtëpia e mbledhjes së Prizrenit”, po ashtu edhe portretet e Iliaz Pashë Dibrës, Abdyl Frashërit, Sulejman Vokshit, Ali Pashë Gucisë, Shuaip Agë Prizrenit, Haxhi Ymerit, Haxhi Zekës dhe Sheh Mustafa Tetovës. Mbi këto pulla do viheshin fjalët “SHQIPNIJA” dhe “LIDHJA E PRIZRENIT 1878”.
Thimi Nika, në librin “Historia e filatelisë shqiptare”, thekson se “Ky vendim, për miratimin en bloc të kësaj tematike emisionesh, merrte rëndësi të veçantë në atë kohë, pasi dihet që filatelia e deriatëhershme kishte ngushtësi tematike të theksuar dhe në pulla mungonin dukshëm subjektet kombëtare. Nisur nga ky vendim, Drejtoria e Përgjithshme e Postave, Telegrafave dhe Telefonave, më 10 maj 1944, shpalli publikisht një konkurs “midis artistave shqiptarë për hartimin e modeleve përkatës të të gjitha pullave postare në fjalë...Më 27 shtator 1944, Këshilli i Ministrave do të mblidhej përsëri për të diskutuar e vendosur për dy emisione të reja: njëri, për 25-vjetorin e Kongresit të Lushnjës dhe, tjetri, për 25-vjetorin e Luftës së Vlorës”.
Pamjet do të përmbanin godinën e Kongresit të Lushnjës si edhe portretet e Aqif Elbasanit, Sotir Pecit dhe Abdi Toptanit. Mbi pullat o të shkruhej “SHQIPNIJA” dhe “KONGRESI LUSHNJËS 1920”.
Po të realizohej, ky aksion i qeverisë bashkëpunuese me gjermanët, edhe pse në një farë mënyre i shërbente maskës së tyre, nuk ka përse të mos vlerësohet jo vetëm si një veprim përfitimi nga rrethanat, por edhe si një akt shkëlqimi patriotik.
Periudha e Yllit të Kuq ose nacionalizmi me vezmet e komunizmit
Si të paralajmëronte se do të vinte një mbretëri tjetër, jo me skeptër e kurorë, por me drapër e çekan dhe gjithë kohën me yllin e kuq në ballë, pullat e para të Shqipërisë së rënë në stalinizëm qenë ato të para 29 nëntorit 1944, mbi të cilat teksti ekzistues thoshte “Mbretnija Shqiptare”. Mbi këto fjalë u mbishtypën të rejat: “Qeverija Demokratike e Shqipërisë”.
Me, mbi një pullë zogiste të vitit 1930, sipërshtypjen e yllit të kuq me pesë cepa dhe tekstin “U.N.ÇL.SH -10 korrik - 1943-1945”, qe edhe emisioni i ri i realizuar në bazë të një vendimi të Këshillit të Ministrave nr. 20, të marrë në datë 23 qershor 1945. Ishte dyvjetori i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Po ashtu ylli i kuq flakë u vu edhe mbi zarfet FDC, siç në gjuhën filatelike njihen zarfet “e ditës së parë”.
“Më 28 nëntor të këtij viti, shkruan Thimi Nika në librin e tij, administrata e postës vuri në qarkullim edhe një emision të ri, me tri pamje nga Labinoti, Berati e Përmeti (vende në të cilat gjatë luftës ishin zhvilluar ngjarje të rëndësishme) dhe gjashtë vlera, me ngjyra të ndryshme”. Këto pulla u shtypën në Beograd. Në pjesën fundore, në një rresht, patën të shkruar “Qeverija Demokratike e Shqipnis”.
Sipas Nikës, “Natyrisht tematika e pullave të periudhës 1945-1990 është shumë më e gjerë dhe më e larmishme se e asaj të mëparshme, 1913-1945. Tanimë, edhe për interesa pragmatiste, ideologjike e politike, filloi të gjejë terren gjithnjë e më të madh në filateli, p.sh., tematika e epikës historike shqiptare që, siç dihet, përfaqëson një fond etnokulturor shumë të rëndësishëm dhe me ndikim si faktor aktiv për të mënjanuar rrezikun e shkombëtarizimit. Visari folklorik shqiptar u transplantua edhe në emetimet postare. Të kujtojmë këtu, p.sh., emisionet me veshjet kombëtare të trevave të ndryshme, seritë e pullave me vallet popullore, me legjendat tona, me instrumentet e lashtë muzikor të përdoruara në krahina të ndryshme të Shqipërisë, me objektet e artizanatit, me banesat karakteristike, me zbulimet e ndryshme arkeologjike, përfshirë një numër të madh të mozaikëve antikë etj”.
Kështu studiuesi dhe koleksionisti i filatelisë Thimi Nika fakton se “Në vitin 1959, p.sh., u emetua një emision i posaçëm kushtuar javës së monumenteve të kulturës..; më 28 prill 1961 u vu në qarkullim një emision me veshje kombëtare; më 25 dhjetor 1974 u emetua një seri për arritjet në zbulimet arkeologjike..., i cili u vijua më pas me emisione të tjera për këtë fushë si, më 25 shkurt 1984 dhe 20 shkurt 1987; duke filluar nga viti 1977 u emetua një cikël emisionesh, të realizuara bukur estetikisht, me tematikë vallet popullore të trevave të ndryshme shqiptare etj.”
Në koleksionin filatelik të Shqipërisë në periudhën 1945-1990, sipas Nikës, “janë fiksuar pamje të veprave më të mira të piktorëve tanë të traditës, duke filluar nga ato të mjeshtrave të ikonografisë Onufri, Onufër Qiprioti etj. për të vijuar me Kolë Idromenon, Andrea Kushin, Abdurrahim Buzën, Sadik Kacelin, Simon Rrotën, Guri Madhin, Foto Stamon, Sali Shijakun, Fatmir Haxhiun, Vilson Kilicën, Danish Jukniun, Jakup Kerajn, Ismail Lulanin, Vilson Halimin, Zef Shoshin, Lec Shkrelin, Kujtim Buzën dhe shumë autorë të tjerë shqiptarë. Madje në filatelinë e kësaj periudhe, më 25 dhjetor 1977, është emetuar edhe një emision i veçantë me 7 vlera dhe 1 bllok për lirikun e shquar të pikturës shqiptare, Piktorin e Popullit Vangjush Mio”.
“Emisione të veçanta, shkruan Thimi Nika, janë prodhuar, p.sh., për udhëheqësit ilirë, Pirron, Teutën, Baton e Bardhylin, për vëllezërit Abdyl, Sami e Naim Frashëri, për Naum Veqilharxhin e Ismail Qemalin, për Luigj Gurakuqin e Ndre Mjedën, për Jeronim De Radën e Zef Jubanin, për Çerçiz Topullin e Mihal Gramenon, për Aleksandër Moisiun e Migjenin, për Petro Nini Luarasin e Fan Nolin, për Shote e Azem Galicën, Elena Gjikën dhe Aleksandër Xhuvanin, për udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për heronj e dëshmorë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare etj.”
Jo vetëm tek vështron periudhën e Ahmet Zogut, por edhe kur të njëjtën gjë bën me “të fortin” tjetër, Enver Hoxhën, libri “Historia e filatelisë shqiptare” është i ekuilibruar dhe i pandikuar prej paragjykimesh të ndërsjella politike. Kjo e bën atë jo vetëm të saktë shkencërisht, por edhe interesant, tërheqës. Periudha e Yllit të Kuq, pra e komunizmit, përshkruhet nga Nika edhe me disa vlera të tjera. Kështu pullat shqiptare të kësaj kohe emetuan ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare dhe deri piktorë të famshëm botërorë (Da Vinçi, Buonaroti, Dyrer, Zheriko, Karavaxho, Renuar).
Siç janë të pranishme në filatelinë e gjysmëshekullit totalitar veprimtaritë më të rëndësishme sportive kombëtare, nuk mungojnë edhe lojërat olimpike ose kampionatet botërore të futbollit e të atletikës, të basketbollit e peshëngritjes, të çiklizmit të qitjes. “Në vitin 1964, shkruan Thimi Nika, spikasin dy emisione për lojërat olimpike të Tokios, në vitin 1968 seria e lojërave olimpike të Meksikos, në vitin 1972 pullat për lojërat olimpike të dimrit “Saporo ’72” dhe lojërat olimpike të Mynihut, në vitin 1976 emisioni për lojërat olimpike të dimrit të zhvilluara në Insbruk e kështu me radhë”.
Akoma edhe më befasuese për një sistem politik aq shumë të mbyllur, siç qe 1944-1990-ta, është përdorimi i filatelisë me temë florën dhe faunën, apo jetën e fëmijëve, çfarë as që u shkua ndërmend prej qeverive shqiptare në periudhën 1913-1944. “Mjafton të shikosh vitet 1965-1970, informon lexuesin Nika, dhe bindesh plotësisht për këtë realitet. Brenda këtyre pesë vjetëve, p.sh., janë emetuar 19 emisione me 137 vlera me tematikë nga fauna dhe 10 emisione me 68 vlera me tematikë nga flora. Tematika për fëmijë në pulla filloi të lëvrohet qysh në vitin 1951, kur u emetua një emision i veçantë kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve”.
Që shteti komunist i kohës, i cili e mbante të izoluar Shqipërinë, me filatelinë tregohej më i hapët, kjo kuptohet. Zarfi postar udhëtonte edhe jashtë. Për pasojë qe imazh. Duke përdorur dinakëri, si edhe jo pak demagogji, përmbajtja e pullës qe më “liberale”, më e hapët, më pak e politizuar. Thimi Nika në librin e vet thotë se “Komiteti për Marrëdhënie Kulturore me Botën e Jashtme dhe ambasadat shqiptare, të akredituara në shtete të ndryshme të botës, për qëllime propagandistike, shpërndanin falas për filatelistë të huaj, sidomos në ish-vendet komuniste, sasi të konsiderueshme emisione pullash, të pavulosura dhe të vulosura. Kjo shihej si një drejtim i rëndësishëm i punës për njohjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”.
Me një filateli dukshëm nacionaliste, pra edhe atdhetare, diktatura gjithsesi nuk harronte të shprehte dhe të imponohej, sidomos brenda vendit, dogmën e saj ideologjike, marksizëm-leninimin. Ja pse ideatorët e kësaj doktrine, Marksi, Engelsi, Lenini e Stalini, u shumuan njëri pas tjetrit. Koleksionisti dhe studiuesi Nika numëron: “Janë 11 emisione ku pasqyrohet portreti i Marksit, 5 emisione ku del figura e Engelsit, 10 emisione me Leninin dhe 4 me Stalinin Disa emisione (5 gjithsej) i kushtohen edhe Kinës komuniste dhe udhëheqësit të saj, Mao Ce Dunit. Janë 7 pulla të koleksionit filatelik shqiptar me portretin e Mao Ce Dunit”.
Gjenden me bollëk në këtë histori pothuaj pesëdhjetë vjeçare edhe emisionet e pullave të prodhuara për miqësinë shqiptaro-sovjetike, për linjën ajrore Tiranë-Moskë, përvjetorët e Revolucionit të Tetorit dhe fluturimet e kozmonautëve rusë. E njëjta gjë u përsërit pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. “U emetuan emisione për përvjetorë ngjarjesh të Kinës, rrëfen Thimi Nika, sepse edhe kinezët emetuan disa emisione për Shqipërinë”.
Nika nuk mëdyshon asnjë çast kur analizon dhe pohon: “Në qoftë se para vitit 1945...në filatelinë shqiptare mbizotëronte figura e mbretit Zog, tashmë shfaqet gjithkund portreti i Enver Hoxhës, i cili, për më shumë se katër dhjetëvjeçarë e gjysmë, dominoi gjithçka në Shqipëri. Duke filluar nga viti 1947 dhe deri në vitin 1985 janë rreth 20 emisione të veçanta ose jo të veçanta ku pasqyrohet Enver Hoxha”.
Pulla e fundit e tij u prodhua dhe shpërnda në 16 tetor 1988, me rastin e 80-vjetorit të lindjes.
Shtojmë për lexuesin se, megjithëse e qeverisi Shqipërinë pothuaj tri herë më pak në kohë se Hoxha, Zogu ia kalon atij gati trefish.
Periudha e Europës dhe meraku për nipin Erin
Ndërmjet ditës së shembjes popullore të monumentit të Enver Hoxhës (20 shkurt 1991) dhe mesit të vitit 1992, kur u bë shndërrimi i plotë pluralist i Shqipërisë, periudhë që po e quajmë formalisht si të ditëve të fundit të Ramiz Alisë, u prodhuan disa pulla. Pesë ditë pasi ishte larguar statuja e Hoxhës nga sheshi “Skënderbe”, u prodhua dhe shpërnda një emision për piktorin francez Renuar. Më 15 mars pullat e radhës qenë nga flora shqiptare. Me këtë rast, vëmë në dukje se tërë viti 1991 në filateli qe fare i çpolitizuar, por duke mos harruar orientimin e tij kombëtarist. Kështu emisioni i parë i vitit, shpërndarë në 23 janar 1991, qe me figurën e Isa Boletinit, pak ditë më pas, ai i 31 janarit, kishte në qendër Shtetin e Arbrit.
Në 30 shtator 1991 seria e re qe për folklorin shqiptar, në 5 tetor për Moxartin, në 25 nëntor emision për udhëtarët e mëdhenj Kolombi, Magelan dhe Berling. Në 29 nëntor, kur sipas rregullit të mëparshëm duhej që emisioni t’i kushtohej ditës së çlirimit, ai ka tematikë historinë e aviacionit. Në vitin 1992, në 25 shkurt, pulla e radhës i kushtohet lojërave olimpike të Albertvilit, në 31 mars hyrjes së Shqipërisë në KSBE, në 15 prill emisioni ka temë Evropën, në 5 maj Ditën e Dëshmorëve, në 10 qershor kampionatin evropian të futbollit, në 14 qershor lojërat olimpike të Barcelonës.
Në 10 korrik 1992, kur sipas kalendarit komunist duhej të festohej Dita e Ushtrisë Popullore, u shpërnda emisioni “Drejt Europës”. Siç duket, për të mos i marrë mësysh ndryshimet pozitive që po ndodhnin, “Kjo pullë, shkruan Thimi Nika, ka një gabim flagrant: flamuri i Bashkimit Evropian, i vendosur në sfondin ngjyrë blu të pullës është bërë me 23 yje nga 12 që ka në fakt(!)”.
Pas nëntëdhjeta ose siç e quajtëm “Koha e Evropës” tashmë ka në historinë e saj rreth 250 emisione pullash. Ndër të fundit, dy të 100-vjetorit, shpërndarë në 28 nëntor 2012, fillojnë me simbolin e kësaj feste gjithëkombëtare (një shqiponjë e stilizuar), vijojnë me pamjen e Ismail Qemalit në ditën e pavarësisë, pastaj, nëpërmjet flamujve poshtë pullave të tjera dëshmohet rruga 100-vjeçare e Shqipërisë deri në futjen e saj në Këshillin e Evropës dhe në NATO.
Njëzetë e tre vitet e kësaj periudhe kanë edhe një ngjarje tepër të veçantë. Pas Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhës, për së gjalli, vendoset në pullë edhe një njeri i thjeshtë: Mjeshtri i Merituar i Sportit, ngritësi i shquar i peshave, Ymer Pampuri.
Kjo ngjarje e bukur që theu despotizmin në filateli të politikanëve, ndodhi më 3 qershor 2002.
Tani që librin e tij për historinë e filatelisë shqiptare Thimi Nika e ka shpërndarë nëpër libraritë e kryeqytetit dhe ndërkohë ai po shkon të shkojë edhe drejt qyteteve të tjera, po ashtu duke kaluar kufirin edhe për në Kosovë, njëkohësisht nëpërmjet webfaqeve të specializuara internetike edhe në botë (ditët e fundit blerës i tij qe holandezi Kris Koch) një merak nuk i shuhet. Dëshiron që pasionin e filatelistit ta lerë, të paktën, tek nipi i tij, Erini, i cili jep herë pas here, ndonjë shenjë vëmendjeje. Por vetëm kaq.
Por i gjyshi është këmbëngulës dhe ka përcaktuar një strategji të tërë. Shumë më të sofistikuar se ajo e të atit të tij të paharruar, Konstandinit.
Mbase kështu, shpreson, brenda shpirtit mban tri gjenerata filatelistësh Nika. Kjo do të qe mirë për familjen, por edhe për vendin. Sepse pulla mbi të gjitha është shenjë atdheu.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|