Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

SI HISTORIA E PULLAVE TREGON SHQIPËRINË


(Botuar në “Shqiptarja.com” në 10 nëntor 2013)

Librat kanë fatin e tyre, si njerëzit. Ka që lindin në kohën e duhur, të tjerë kur, për fat të keq, nuk ka vëmendje për ta.
“Historia e Filatelisë Shqiptare” është një i shkruar në kohën e vet. Autori, Thimi Nika, një jetë e tërë si gazetar, koleksionist dhe punonjës i Shërbimit të Jashtëm Shqiptar, tek 418 faqet e tij ka mbrujtur maturinë, mprehtësinë dhe kulturën e historishkruesit, të publicistit dhe të diplomatit.
Ja pse librin e tij diti edhe ta botojë në çastin e duhur.
Pse është pikërisht kështu do t’i përkushtohemi, me këtë shkrim, kësaj dukurie, pra rrëfimit të historisë së Shqipërisë, identitetit dhe simboleve të saj kombëtare, nëpërmjet pullave.
Ky do të jetë filli që do të ndjekim, fjongoja që e zbukuron këtë libër.


“E dashura Thimija”, letra që erdhi nga Radio Moska

Mund të lindësh bashkë me një pasion ose hoby, por të drejtën e ekzistencës dhe të ruajtjes, të zhvillimit të tij, e vendos jeta. Dëshirën për të koleksionuar pulla Thimi Nikës ia dha i ati, Konstandini. Në të vërtetë thjesht ia bëri të dukshme, ia spikati. Ia bëri të komunikueshme dhe kështu, menjëherë, ndodhi transmetimi: kalimi nga një trup tek tjetri. Nuk u përdorën fare fjalët, punuan vetëm mendjet, zemrat e të dyve.
Kështu Thimi Nika, tashmë gjashtëdhjetë e katër vjeç, e ka të atin brenda vetes. Të pandashëm e të pashkëputshëm. Zemra e atij prindi të mirë, me kulturë të thellë filatelisti, rreh me të vetën. Janë pikërisht ato pulla që i mbajnë të ngjashëm jo vetëm në gjak, por edhe në pasionin e koleksionistit. Dyfish lidhur me njëri-tjetrin.
Por Nika i vogël, Thimi, në këtë mënyrë mban gjallë edhe Nikën e madh, të atin. Sepse ky ndërroi jetë fare i ri, 52 vjeç. Madje, për shkak të një sëmundjeje të beftë në gjak, Konstandini u bë invalid që në moshën 35 vjeçare. U mbyll brenda në shtëpi, mes shtratit dhe ndonjë ecejake të shkurtër. Kështu nisi të thellohej në koleksionimin e pullave. Atëherë, brenda diktaturës shqiptare, të paktën ekzistonte i quajturi “kampi socialist” dhe shqiptarët udhëtonin nëpër eurolindje. Kur nuk e kishin këtë fat, u shkruanin bullgarëve, çekëve, hungarezëve, rusëve, dhe këta bënin të njëjtën gjë, duke sjellë drejt Tiranës me qindra e qindra letra.
Pullat e tyre, atë kohë që nuk e kapërceu dot vitin 1961, ranë në duart e koleksionistëve shqiptarë, mes tyre edhe të Konstandin Nikës, sa qe mirë me shëndet ende drejtor banke në qytetin e Beratit. Këtu kishte fat Ymer Dishnicën, këtë personalitet jo vetëm si politikan, por edhe si mjek inteligjent. Ky ia doli t’ia shndërronte sëmundjen e rëndë, me kriza të shpeshta e mjaft të rrezikshme, në një gjendje kronike, të shtruar e të përmbajtur, kështu edhe ta shpëtonte nga ndonjë goditje e shpejtë fatale. Kështu jeta iu zgjat edhe shtatëmbëdhjetë mote të tjera, një rast mjaft i rrallë.
Zotërues i tri gjuhëve të huaja, mes tyre edhe i frëngjishtes, tregon Thimi Nika, kur flet për të, kishte një korrespondencë të gjerë me një koleksioniste zvicerane dhe, përveç pullave dhe opinioneve që shkëmbenin, ajo e ndihmonte, kundrejt pagesës, me ilaçet që mungonin aso kohe në Shqipëri. Nika rrëfen, por vetëm po ta pyesësh, se Konstandini, jetim që tre vjeç, në Strehën Varfnore të Tiranës për disa kohë, gjatë Luftës së Dytë Botërore bashkënxënës në gjimnazet e Gjirokastrës, të Shkodrës dhe të kryeqytetit me Kristo Frashërin, Tahir Demin apo Frederik Papariston, qe dukshëm antifashist. Më pas u bë pjesëmarrës në luftën për çlirimin e vendit.
Kur ndërroi jetë në 1971, tashmë e kishte lënë trashëgimtarin e virtytit të tij si filatelist. Ato kohë koleksionimi i pullave ishte pasion tepër i larguar nga zelli i sotëm për ta shndërruar në biznes. Kështu Nika i madh nuk jetonte më, por ishte i biri që ia vazhdonte punën e lënë përgjysmë. Madje, siç tregon tek libri “Historia e Filatelisë Shqiptare”, kur qe 10 vjeç, falë nxitjes së vazhdueshme të të atit, “por edhe pasionit e vullnetit tim, organizova në shkollën “7 Nëntori”, në lagjen Mangalem të qytetit të Beratit, ku vijoja mësimet, një ekspozitë filatelike modeste, me pulla postare nga rreth 100 e ca shtete të botës. E kujtoj mirë atë ngjarje, pasi, si asnjëherë tjetër, mora shumë përgëzime nga mësuesit, shokët dhe bashkënxënësit e mi. Të habitur ata më pyesnin: “ku i ke gjetur gjithë këto pulla?” Dhe unë, jo pa mburrje, u përgjigjesha: “kam babanë filatelist”.”
Këtë çast nis një nga historitë e veçanta të jetës si Thimi Nikës si koleksionist dhe studiues i filatelisë shqiptare. Tregon në libër: “Pak kohë më vonë, duke dëgjuar një emision të Radio Moskës në gjuhën shqipe, im atë kishte mbajtur shënim pyetjet e një konkursi për filatelinë, që kishte shpallur kjo radio. M’i dha dhe më kërkoi që të gjeja përgjigjet. Sigurisht që u vura para një “provimi”, ndaj dhe nuk e pata të lehtë. Por, si gjithnjë, ndihma e tij më nxori faqebardhë: formulova përgjigjet dhe i dërgova në adresën e Radio Moskës. S’kaluan pak kohë dhe në emisionin e radhës në gjuhën shqipe u dhanë rezultatet. Fitues isha shpallur unë (Të kuptohemi: de facto fitues isha unë, de jure “çmimi” i takonte tim eti, pasi pa të nuk do kisha mundur të jepja përgjigje të sakta). Sidoqoftë kënaqësia ishte e jashtëzakonshme. Ajo u shumëfishua kur erdhi zarfi me “çmimin” e vendit të parë: brenda tij, midis të tjerave, ishte edhe një foto e rrallë e anës tjetër të Hënës, marrë me anë të stacionit automatik ndërplanetar. Atë e ruaj në koleksionin tim si relike me shumë vlerë, së bashku me autografin e zëvendëspresidentit të Bashkimit Ndërkombëtar të Astronomëve, shkencëtarit të shquar, profesorit Boris Kukarkin dhe me letrën shoqëruese, që daton më 22 dhjetor 1959, nënshkruar nga shefi i redaksisë së emisioneve në gjuhën shqipe, N. Dragunov. Letra fillonte me frazën e çuditshme: “E dashura Thimija”, (më kishin marrë për vajzë(!)).

Osmanët zemërohen me italianët

Pulla e parë postare u vu në funksionim në Angli, në vitin 1840. Ato turke pothuaj një çerek shekulli më pas, në 1863. Perandoria osmane ecte ngadalë, ishte rënduar nga pesha e vet. Porse, në mungesë të pullave, ajo i përdorte mirë vulat, përfshi edhe ato postare. Sipas Thimi Nikës “Nga studimet e deritanishme ka rezultuar se vula postare osmane më e vjetër në Shqipëri datohet në vitin 1849. Ajo është përdorur në vilajetin e Shkodrës dhe ka pasur mbishkrimin “Ishkodra” (osmanisht); “Scutari d’Albanie” (frëngjisht)-).
Kjo u bë shkak që ta pyesja nëse osmanët gjatë gjithë kohës së qeverimit të Shqipërisë në vulat apo pullat e tyre përdornin edhe ndonjë shenjë, qoftë edhe të vogël, të identitetit të popullit tonë. Përgjigja qe Jo. Mungonte edhe vetë emri Shqipëri, në çdo formë që mund të shkruhej. Osmanët na kishin fshirë nga kujtesa e tyre shtetërore dhe kjo shkaktonte edhe dobësimin e në mos zhdukjen e identitetit tonë në memorien e gadishullit dhe të kontinentit.
Ndërsa në botime të ndryshme, në gazeta dhe në luftën politike të shteteve të mëdha të Evropës në perëndim përdorej masivisht fjala “Albania” e gjithë historia e filatelisë së tyre para 28 nëntorit 1912 nuk ka as edhe vetëm një rast, kur të jetë prodhuar dhe shpërndarë një pullë me citimin e Shqipërisë, as të qyteteve të saj, të historisë apo kështjellave, të porteve detare apo ngjarjeve. Përjashtim bën Italia. Përballë totalitarizmit filatelik osman, por edhe shpërfilljes evropiane italianët hapën zyra postare në territorin tonë që në fillim të shekullit të shkuar (në Shkodër më 1.11.1901), në Durrës më 25.06.1902 dhe në Vlorë (më 5.05.1908).
Duke qenë se përdorën pulla të tyre, sipër e mbishtypën me fjalën “ALBANIA”. Sipas Thimi Nikës “...të paktën në një rast Perandoria Osmane ka kundërshtuar Italinë për mbishtypjen e emrit ALBANIA mbi pulla postare italiane që do të përdoreshin në Shqipëri. Kjo bëri që të hiqet emri dhe pullat të mbeten vetëm me mbishtypjen e vlerës në para”.
Nga kjo mendësi diktatoriale e osmanëve shpëtuam që në çastin e ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë. Kështu të gjitha zyrat postare turke në Shqipëri pushuan së funksionuari. “Duke filluar nga fundi i vitit 1912 dhe gjatë vitit 1913”, saktëson Nika. “Por me se u zëvendësuan ato?”, pyet ai në librin e tij dhe informon se në punë, me ritëm të plotë, hynë zyrat e postës austriake dhe ato italiane. Të dy palët e përfshinin shumicën e territorit, por bashkëjetonin mirë në Shkodër, në Durrës dhe në Vlorë.
Ndërkohë në librin e vet Thimi Nika saktëson: “Dëshmitë dokumentare dhe koleksionet e filatelistëve të ndryshëm qartësojnë më së miri faktin se, ndonëse postat osmane në Shqipëri pushuan së funksionuari, me shpalljen e pavarësisë, më 28 nëntor 1912, vulat e tyre vazhduan të përdoren edhe për disa muaj, deri nga fundi i prillit 1913, kohë kur ato u zëvendësuan me vula shqiptare.
“Të humbtë vula” thotë një fjalë e urtë e popullit tonë. Vetëm kur ia mbathi vula postare osmane mund ta quajmë të plotë dhe përfundimtare pavarësimin prej saj.

Otto Bickel: “Ble pulla shqiptare me shqiponjë”

Është e jashtëzakonshme, vërtetë mahnitëse se si Ismail Qemal Vlora dhe qeveria e tij e vogël, e cila ato çaste kontrollonte një territor edhe më të paktë kombëtar, vendosi që njëri prej dhjetë anëtarëve të saj të qe ministër i Postë Telegrafë-Telefonëvet. Si person u gjet më i përshtatshmi i mundshëm: Lef Nosi. Ai ishte, përveç se me kulturë të spikatur albanologjike, edhe “i vetmi zyrtar i postës së mëparshme osmane”. Thimi Nika, në librin e tij, thekson se “Nën drejtimin e tij, brenda një periudhe kohore relativisht të shkurtër, vetëm në 7 muaj, maj-dhjetor 1913, u emetuan gjashtë emisione pullash postare. Ministri Lef Nosi “ishte ideatori kryesor i këtyre emisioneve, sidomos në formulimin grafik të tyre”.
Kështu nisi edhe historia e filatelisë shqiptare. Duhej të ngrihej flamuri kombëtar që të ndodhte ky shpërthim i vullnetit për të ruajtur e zhvilluar identitetin nacional edhe nëpërmjet pullës, ato kohë por edhe përherë, shenjë shumë e rëndësishme e ekzistencës së një shteti dhe populli.
Sipas “Historia e filatelisë shqiptare” mësojmë se pulla e parë u emetua afro pesë muaj pas shpalljes së pavarësisë, më 5 maj 1913. Për prodhimin e saj u përdorën shpenzime fare të vogla. Qe një pullë-vulë, në formë rrethore. Brenda saj, midis dy rrathëve koncentrikë, u vu mbishkrimi: “MINISTERIA E POST. TELEG. E TELEFONEVET”. Në mes gjendej shqiponja dykrenare e vendosur në një shqytë.
Ende pa u hequr nga qarkullimi pulla e parë, u emetua emisioni i dytë. Kjo ndodhi më 1 qershor 1913. Sërish mbi të shqiponja. Me poshtë fjalën Shqipëria dhe siluetën e shqiponjës u krijua emisioni i tretë. Përsëri me shqipen dykrerëshe dhe fjalën e anashkaluar për shekuj me radhë, por këtë herë mbi pulla osmane të viteve 1908-1911.
I gjithë ky lulëzim i shenjave identitare të shqiptarëve “ngjallën kërshëri të jashtëzakonshme, por edhe një pështjellim të madh, prandaj dhe u vlerësuan së tepërmi nga tregtarët e koleksionistët. Shumë nga ata mbërritën në Vlorë që në ditët e para të daljes në qarkullim të kësaj serie. Këtë fakt, p.sh., e ka fiksuar qartë gazeta “Përlindja e Shqipëniës“. Ajo ka botuar ofertën e tregtarit gjerman Oto Bikel: “Paguaj çmime të lartëra për pulla Turqie me shqiponjën e Shqipërisë përsipër. Ble të reja e të vulosura dhe karta poste e pliko me vulën rrumbullake me shqiponjë e pa të. Otto Bickel nga Munchen. Do të rri vetëm disa ditë në Vlorë. Shtëpia Sieberz, afër konsullatës austriake”.
Emisioni i katërt i pullave të shtetit të porsamëvetësuar u vu në qarkullim më 25 tetor 1913. Doemos që nuk mungonte shqiponja dykrenore. I pesti hyri në veprim pa u vonuar, në ditën e 28 nëntorit të po atij viti. Doli posaçërisht me rastin e përvjetorit të parë të shpalljes së pavarësisë. “Pullat, shkruan Thimi Nika, kanë formë të drejtçiptë, me shqiponjë në mes e vleftën nën të. Shqiponja e vlefta kanë ngjyrë të zezë e mblata ngjyra të ndryshme... Në mblatë shkruhet përqark: Postat e Qeveriës së Përkohëshme të Shqipëniës.”
Ndërkohë kjo qeveri e bekuar, me shumë frymë kombëtare dhe tepër punëtore, mjaft largpamëse, kishte porositur me kohë në Torino të Italisë një emision me gjashtë vlera me portretin e Heroit Kombëtar, Skënderbeut. Edhe pse prodhimi i tij pati një vonesë tej parashikimit dhe pritmënisë së qeverisë Qemali, ai hyri në veprim rrufeshëm. Siç edhe i kishte hije simbolit që pati zgjedhur: Gjergj Kastriotit: 1 dhjetor 1913.
Sipas Nikës, “Ky është i pari emision i koleksionit filatelik shqiptar i prodhuar sipas standardeve ndërkombëtare Paraqitja grafike e këtij emisioni është kompozuar duke vënë në qendër të pullave, brenda një medalioni, portretin e Heroit Kombëtar... Si bocet për këtë u përdor një punim i piktorit nga Praga Hainc Kauç (Heinz Kautschç). Në pjesën e sipërme, mbi portret, futur në një drejtkëndësh, shkruhet: “SHQIPËNIA E LIRË”. Portreti rrethohet nga teksti “SKANDERBERGU MBRETI I SHQIPTARËVET”, kurse poshtë tij, në një katërkëndësh tjetër të harkuar, shkruhet: “GJERGJ KASTRIOTI”.
Por, siç e shihni, tek fjala Skënderbe, ka një gabim, i cili nuk shfaqet për herë të parë këtë herë, por ka qarkulluar për shekuj me radhë, sidomos në Itali dhe disa vende të Evropës. Ka një “r” të tepërt, pasojë e shkrimit të emrit të tij sipas gjuhëve gjermanike.
Gjashtë emisione pullash në vetëm shtatë muaj, pra një në 35 ditë, dëshmon, mes të tjerash, ngulëkëmbjen e qeverisë së Ismail Qemal Vlorës për njohje sa më të shpejtë ndërkombëtare. Edhe pse kishte ardhur për vetëm tregti e jo politikë, këtë e kuptoi shumë shpejt gjermani nga Mynihu, Otto Bickel.
Në rrethana, të cilat të gjithë bashkëkombësit i dinë, kabineti Qemali në 24 janar 1914 do të jepte dorëheqje.
Por, si për shumë gjeste atdhetare, ai do të mbetet i pari që do të promovojë në një pullë shteti shqiptar pamjen e Skënderbeut, çfarë do të nismojë edhe statusin e heroit tonë kombëtar si më i paraqituri në të gjithë historinë e filatelisë tonë. Për të dhe simbolet e tij filatelia shqiptare ka rreth 145 pamje.
Kurse për vetë themeluesin e shtetit shqiptar do të kujtohet jo Ahmet Zogu, i cili dëshironte të vlerësohej si themelues e “baba i kombit”, por vetëm komunizmi dhe Enver Hoxha. Për herë të parë një pullë me pamjen e Ismail Qemalit u emetua më 1962.
Shënojmë për lexuesin se pas festimeve të 100-vjetorit të pavarësimit, 2013, portreti i tij bëri hopin më të madh: prej qeverisë së dalë nga votimet e 23 qershorit ai gjendet në të gjitha zyrat kryesore të Shtetit Shqiptar.

Pulla misterioze Z ose shqiponja me një kokë

Sipas Thimi Nikës, bëhet fjalë për emisionin që ka hyrë në historinë e filatelisë shqiptare si “Pullat e Modianos”. Në librin e tij ai shkruan se “Ndonëse është një seri e pavënë në qarkullim, në qendër të tyre është vendosur një shqiponjë me një kokë, në ngjyrë të zezë, brenda dy rrathëve koncentrikë, ku shkruhet në gjuhën frënge: “INDEPENDANCE ALBANAISE” (Pavarësia Shqipërisë). Rrathët ndajnë në mes vitin 1912, që nënkupton vitin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Sfondi pas shqiponjës është në ngjyrë të kuqe. Në pjesën e sipërme të pullave shkruhet: “POSTA E SHQYPËRISË”, kurse në pjesën e poshtme jepet vlera në cts. e fr. dhe në mes është shkrimi, po në frëngjisht, “POSTES”. Emisioni ishte konceptuar me pesë pulla.
Ai pak informacion që ka qarkulluar rreth këtij edicioni lidhet kryesisht me emrin e Gustav Frejzes (Gustav Freyse), tregtar pullash. Sipas tij, kjo seri u botua, por nuk u emetua. Ai ka theksuar se “në Kongresin e 3-të shqiptar, në Trieste, në fund të shkurtit 1913, u vendos që Shqipëria duhej të emetonte pullat e saj. Detyra për të plotësuar këtë iu dha një personi ... me inicialin “Z”. Këto pulla u dërguan në Vlorë, por që nuk u përdorën. Flamuri i shtetit të ri shqiponjën e kishte si të Gjergj Kastriotit, me dy kokë dhe jo me një. Kështu kjo pullë, e bërë me dëshirë të mirë, por gabim, humbi në Vlorë pa lënë asnjë gjurmë.
Po sepse u quajtën “Pullat e Modianos”? Sepse u prodhuan në firmën “S. Modiano” të qytetit të Triestes. Përse autori i këtij shkrimi i quan “Pulla Z”? Sepse sponsorizuesi i tyre financiar qe një tregtar nga Berati, i cili jetonte e punonte në Trieste: Xhumyrteka. Italianët, për arsye thjesht fonetike, gërmën “xh” ia shkruajtën “z”.

Vilhelm Vidi që zbarkon bashkë me pullën

Intervali nga dorëheqja e Ismail Qemalit e marrja e pushtetit nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (pas 22 janarit 1914) dhe deri në ardhjen e princ Vidit në Shqipëri (më 7 mars 1914) ishte një periudhë e shkurtër kalimtare. Si mund të prisje një pullë prej kësaj periudhe të një porsashteti pa qeveri të vetën.
Kjo u rishfaq me ardhjen e të dërguarit të Fuqive të Mëdha, Princit Vilhelm Vid. Ky zbarkoi në portin e Durrësit jo vetëm i pritur prej një grupi politikanësh vendas si edhe pjesëmarrës nga populli, por edhe nga një pullë. Është i vetmi me këtë privilegj në të gjithë historinë e shqiptarëve.
Qenë gjashtë vlerat e emisionit të pullave të qeverisë Qemali me portretin e Skënderbeut, të cilat u mbishtypën me fjalët “7 Mars, 1467 RROFTË MBRETI 1914”.
Kështu gjermani Vid u ndje dhe, tërthorazi, u vetquajt Gjergj Kastrioti.
Ndërkohë e llastonin të tjerë, por edhe ai e përkëdhelte veten edhe më shumë se kaq. “Qysh në muajin shkurt, shkruan Thimi Nika, vetëm pak ditë pasi u vendos që në Shqipëri do të vinte princ Vidi, u hodh ideja e emetimit të një serie pullash me portretin e tij. Lidhur me këtë në gazetën Ushtimi i Krujës shkruhej se “Senati i dha fund t’i lutet E. T. Princit tonë të dërgojë fytyrën e vet për ta venë në timbrat që u vendos të porositen”. Ky emision u porosit për t’u prodhuar në Vjenë, ku me sa duket u shtyp falas nga qeveria austriake. Ky emision, sigurisht i prodhuar teknikisht me nivelin më të mirë se të gjitha pullat e mëparshme shqiptare, mbeti pa u vënë në qarkullim. Arsyeja ishte e thjeshtë: pullat (nga vlera 1 qintar dhe deri te 1 frank) mbërritën në Durrës shumë vonë, vetëm pak kohë para se princ Vidi të largohej përfundimisht nga Shqipëria. Në këto rrethana ishte pa kuptim vënia në përdorim e tyre”.
Shtojmë se kjo pullë kishte vetëm portretin e Vilhelm Vidit, fjalën SHQIPENIE dhe asgjë tjetër.

(Vijon numrin e ardhshëm të gazetës, të dielën, 17 nëntor 2013)

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com