Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

DISIDENTI I HARESHËM, JAK SERREQI!


(Botuar në gazetën “Shqip” më 31 tetor 2013)

U bë 84 vjeç dhe shpresoi se jeta mund të qe edhe pak më e gjatë. Edhe pse ishte shumë i mbajtur fizikisht e natyrë sportive, madje edhe pse në kopshtin e shtëpisë së tij në West King Edward Ave, në Vankuver të Kanadasë, pranë pyllit Angus Park, i vinin ketra lozonjarë, zemra një ditë i bëri rrahjet e fundit dhe pushoi.
Mbylli sytë Jak Serreqi, larg, atje ku vështrimi sheh drejt Oqeanit Paqësor, gjysmësferës së globit që shtrihet në të anasjellë të hapësirës, ku rri Evropa. Por ai me shpirt dhe mendje shihte këtej, nga kontinenti ku qe e bukura e tij, Shqipëria.
Historia e Jak Serreqit është e thjeshtë, por edhe tepër e rrallë: kur ishte tek të shtatëdhjetat e kishte dalë në pension, kulmoi në artin e të pikturuarit. Kur u bë tetëdhjetë vjeç iu vu mësimit profesional të gjuhës shqipe, gjysmë të harruar prej një mërgimi dhe izolimi gjysmë shekullor.
Në të vërtetë dy sipërmarrjet e tij të mëdha patën nisur në të mbramë të jetës, kur ajo e ka rregull të fiket nëpër muzg. Si për çdo njeri ajo qe e vetmja edhe për Jakun, por ky papritmas guxoi të përballej me ligjet e rrepta të natyrës: për hir të pikturën dhe të gjuhës shqipe rinisi një jetë tjetër, të dytën e tij.
Sigurisht e dinte që kjo do të qe e shkurtër, por rëndësi pati që ndihej tërësisht i rilindur. Rilindja i pati ndodhur në ditë të shënuar, kur Shqipëria hapi kufijtë dhe ai, në 1993, bëri ardhjen e parë. Pas kësaj ngjarjeje përmalluese e rimori penelin në dorë, deri ato çaste vetëm një hoby, dhe nisi të pikturojë si profesionist i vërtetë. Pastaj bleu një shtëpi në Tiranë dhe vinte çdo verë nga një muaj. Kështu filloi të rikujtojë dhe mësojë gjuhën letrare shqipe, gjithëkombëtaren. As të gegëve, prej nga vinte, as të toskëve, që i kishte miq për kokë. Atë të gjithë shqiptarëve.
Jeta e parë e Jak Serreqit, në pak fjalë, do të ishte kjo: Lindi në Shkodër në 1929. Ngjalli emrin e të gjyshit, i cili pati ndërruar jetë në 11 prill 1922, në orën 3 të pasdrekes, duke u varrosur atje, ku e pati lënë amanet, tek Kisha Zoja e Shkodrës. Jak Serreqi, i Vjetri, në 29 prill 1910 qe caktuar prej Vatikanit si Arqipeshkvi Metropolit i qytetit. Pati qenë një prift luftëtar, prijës në mbrojtjen me armë të Shkodrës nga pushtimi malazez. I mbetur shkëlqimtar edhe për një thënie të tij, përhapur atëherë prej një gazete të njohur të botës, se në Shqipëri të krishterët dhe myslimanët janë vëllezër.
Jak Serreqi, i Riu, vetëm tre vjeç, bashkë me familjen e tij u vendos në Austri, por, kur i qe afruar moshës së gjashtë viteve, u rikthyen për të jetuar në Tiranë. Kur mbushi nëntë mote prindërit e dërguan në Itali, në qytezën Fraskati, afër Romës, në një kolegj të drejtuar prej jezuitëve. Duhej të ndiqte modelin e jetës së gjyshit, karrierën e një kleriku katolik.
Mirëpo kjo alternativë nuk ia tundoi të ardhmen. Kishte shpirt tepër të lirë dhe që nuk i nënshtrohej dot rregullave tepër shtrënguese, as doktrinave dhe dogmave. Ndërsa vijonte shkollën, në 1939 ndodhi pushtimi i Shqipërisë. Për dhjetëvjeçarin e vogël gjithçka tjetër qe luftë dhe, sapo atdheu i tij u çlirua, iu bë ndalimi. Në Serreq as mund të hynte dhe as të dilte. Rreptësisht blokim. Për regjimin e ri ata kishin mjaft mëkate, sidomos njëri prej të shumtëve të familjes pati bashkëpunuar vërtet, gjatë pushtimit, me fashistët italianë.
Në vendlindje tashmë të tijtë, kudo ku ndodheshin, në Shkodër apo Tiranë, ranë gradualisht nën goditje politike. Gjyshit ia zhvarrosën eshtrat dhe ia hodhën në lumin Drin. Kështu matanë detit Jak Serreqit të ri i duhej ta vazhdonte jetën si një jetim, edhe pse kish nënë dhe babë. Mes detit të italishtfolësve dhe rrotull pa familje dhe pa prindër, pak nga pak e humbi zotërimin mbi gjuhën shqipe.
I diplomuar për kimi dhe profesor i kësaj lënde në Fakultetin e Inxhinierisë në Universitetin “La Sapienza” të Romës, i martuar me piktoren e talentuar Anna Serena, të familjes së njohur nga Peruxha, Kukurulo (Cucurullo), në 1967 emigroi në Kanada.
Jeta e dytë: Përjetime të mëdha, mbi të gjitha udhëtimi pothuaj i përvitshëm nga Vankuveri në Tiranë: shtatë mijë kilometra. Mësim i shkëlqyer i shqipes. Njëmbëdhjetë ekspozita nëpër botë: Kanada (në universitetin e Kolumbisë Britanike, në Qendrën Kulturore Italiane, në Galerinë e Aleancës Franceze), Emiratet e Bashkuara Arabe, Itali (Romë, Peruxha, Modena), Australi, Gjermani, Austri. Në atdheun e vet i çeli në Tiranë (Galeria Kombëtare e Arteve si edhe në qytetin e UNESKO-s, në Berat (Galeria “Edward Lear”). Pastaj botoi albumin “Metamorphosis: a printer emerges” (Metamorfozë:shfaqet një piktor”, “Arti i Jak Serreqit”.
Piktura e tij vlerësohet nga specialistët si krejtësisht e veçantë, me gjetje te papritura dhe të çuditshme, me ndjeshmëri të lartë artistike, me ide dhe qëndrime filozofike që burojnë prej një kulture të thellë dhe të gjerë, nga një mendje e shkëlqyer.
Jak Sereqi duhet të jetë një ndër piktorët më të mëdhenj shqiptarë, por le ta quajmë këtë opinion fare personal dhe përcaktimin e saktë tua lëmë njohësve profesionistë si edhe vetë kohës. Madje këtë shkrim nuk e nisëm për të bërë biografinë artistike, por atë të atdhedashjes.
Sepse Jak Sereqi në 1999, që nga Vankuveri, ndihmoi edhe për çlirimin e Kosovës. Dha dhe mblodhi fonde.
Ka një pikturë të tij të titulluar “Boshllëku i djalit”. Të vendosur në sfondin e një qilimi shqiptar, të dy prindërit e Jakut të mërguar qëndrojnë në këmbë pas një karrigeje bosh, mbi ndenjësen e të cilës rrinë një palë këpucë të vetmuara, mbase të lëna nga i biri që i vogël apo të paveshura kurrë prej tij.
Kur u rikthye në Shqipëri, në 1993, Jak Serreqi mbushi pikërisht atë boshllëk që ishte krijuar nga mungesa e tij e gjatë. Në të vërtetë rigjeti hapësirën e vet të zbrazur forcërisht nga politika, ritakoi vetveten. Tani që nuk jeton më, pra kur fizikisht një boshllëk e ka krijuar, ky gjithsesi nuk përse të jetë zbrazëti. Serreqit, të Riut, kujtimin mund t’ia ruajnë familja dhe miqtë, porse veprat Shqipëria, Kosova, dy shtetet tona, gjithë trojet amtare.
Sepse Jaku qe edhe simbol demokracie. Ai ishte një rebel i hareshëm. Qe një disident shpirtgëzuar.
Nuk kishte brenda zemrës dhe mendjes asnjë lloj mllefi. Urrejtja është një despote tjetër e lirisë. Ajo rikrijon diktaturë.
Këtë frymë mospajtimi të hareshëm me tiraninë, me të gjitha padrejtësitë, Jak Serreqi e ka mishëruar më mirë se kudo tek piktura “Klubi i Laçit”. Ajo vizaton disa disidentë shqiptarë të para nëntëdhjetës tek rrinë ulur rreth një tryeze. Pijnë shumë duhan, flasin e shprehen me të gjithë gjymtyrët, por nuk këlthasin. As mburren me koka të ngrefosura dhe as i ulin ato, duke heshtur.
Jak Serreqi mbetet siç ishte: përherë i rilindur.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com