Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

GJASHTË DITË NË SARAJEVË DHE NJË DËSHMI BEFASUESE MBI MYSLIMANIZMIN


(Publicisti Ylli Polovina në një bisedë me një nga gurutë boshnjakë të besimit islam, Fuat Shehbajraktareviç)

(Botuar në “Metropol” më 22 gusht 2013)

Një parandjenjë e trazuar, ndërsa ende nuk pata hyrë në Sarajevë dhe pas një lugine mes malesh më në fund ia dallova siluetën, më kish munduar për katërqind kilometra, që nga Shqipëria deri aty. Në një libër timin për luftën e Kosovës, 1999, titulluar “Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës”, pata rrëfyer historinë e një grupi muxhahedinësh, të cilët kishin luftuar në qytet kundër agresionit serb dhe tashmë, me të njëjtin armik përpara, por në troje shqiptare, ia propozuan ndihmën e tyre të njëjtë edhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prej komandës së saj politike u caktua një oficer i lartë i shtabit, i cili pati marrë pjesë në katër vitet e përgjakura të mbrojtjes së Sarajevës, (1992-1995), dhe, me që ua njihte mendësinë, i bindi fare butësisht se një veprim i tillë në rastin e Kosovës do të qe krejt i padobishëm. Madje me kanosje për imazhin e luftës çlirimtare jashtëfetare, laike, që ata po bënin.
Vullnetarët muxhahedinë, të cilët njihen për trimëri e vetësakrifikime të pashoqe në betejat me armë zjarri dhe bajoneta e kama, u tërhoqën menjëherë. Ata, në faqet e librit, hynë dhe dolën shumë njerëzisht, por mua, autorit, më qe fiksuar ideja, falë edhe disa emisioneve televizive të huaja, por edhe shkrimeve të ndryshëm nëpër gjuhët e kontinentit, se Bosnja ishte në Ballkan streha e një besimi mysliman më kokëfortë, më radikal, më fanatik, më të doktrinuar, më konservator, se ai në trojet shqiptare të Kosovës dhe sidomos të Maqedonisë, ku ky besim fetar është më thellësisht e më masivisht i praktikuar.
Pas gjashtë ditëve punë njohëse në Sarajevë, këtë fundkorrik, mu desh të kthej mendje.

Sarajeva, kështjella islame në mbrojtje të Evropës

Në rast se bashkë me armatën e madhe osmane për tre e më tepër shekuj me radhë, besimi islam mundi, mes hapësirës gadishullore të krishtërizuar ngjeshur, me ortodoksë bizantinë dhe katolikë romanë, të depërtojë e ngrejë një bazë të madhe të tij në zemër të siujdhesës, kjo është meritë e tyre. Sarajeva është kërthiza gjeostrategjike e siujdhesës sonë. Në Stamboll, prej ku ka lindur dhe është realizuar kjo “pararojë“, nuk e kanë reshtur interesimin për të. Dje dhe sot ajo është një konstante, e përshtatur, pa u ndryshuar, me kohën e rrethanat ndërkombëtare.
E megjithatë kjo pararojë e një besimi që i është shtuar gadishullit gjashtë shekuj të shkuara, pas atij tradicional e shumë të vjetër, të krishterë, po ta njohësh nga afër nuk duket fare si plasdarm gjeopolitiki i turqve, ca më shumë e një kursi të ri që kanë sipërmarrë në marrëdhëniet diplomatike me vendet e Ballkanit. Nuk ngjan as Sarajeva dhe as Bosnjë-Hercegovina si transheja e një sulmi islamik më në thellësi të siujdhesës e sidomos brendësisë së Evropës, për t’u shtrirë në perëndim apo në lindje të tij, ku më lehtas mund të gjente forcën e depërtimit dhe të rekrutimit të ndjekësve.
Disa detaje: Sarajeva është binjakëzuar me qytetin turk Bursa në 1979, me Ankaranë në vitin 1994 dhe me Stambollin 1997. Ndërkohë me Napolin e krishterë që në 1976. Me Venecian në 1994. Me Budapestin katolik në 1995. Me Tiranën dhe Barcelonën në 1996. Me Stokholmin në 1997, me qytetin amerikan Dayton (Ohio) në 1999.
Sarajeva mbetet një avangardë e shumëfetarizmit ose më saktë e pluralizmit fetar.
Shqipëria si edhe Bosnja janë vatra të mëdha të shumëfetarizmit ballkanik dhe shkurajues të psikologjive, doktrinave dhe platformave të vjetra, ku shteti dhe feja bëhen një, madje ndodh e përçudshmja për një botë moderne: feja komandon shtetin, garantin e lirisë së gjithsecilit. Shoqëria moderne, ajo që e mban të ndarë shtetin nga feja, në gadishullin tonë me shumë etni pranë njëra-tjetrës, strehë më të sigurt kanë Sarajevën dhe Tiranën.
Pas afro katër shekujve pushtim osman, ku shumica e popullsisë u shndërrua në myslimane, e gjithë periudha tjetër e historisë së Bosnjës, ajo e pas çlirimit nga turqit, nuk e ka vrazhdësuar frymën e islamizmit boshnjak, ca më pak e orientalizuar atë. Në një bashkëjetesë të bukur me qytetërimin austro-hungarez (në Sarajevë pjesa osmane me atë austriake, tepër kufinjprerë në relievin e qytetit, kalohet fare butësisht, këndshëm, me vetëm një hap, tamam si të ecësh mbi një pentagram muzikor). Këtu, në Sarajevë, përshëndetjen “Salam aleikum” dhe “Aleikum salam” e dëgjon gjithkund. “Paqe për ty!” do të thotë shprehja e parë dhe “Paqe edhe për ty”, e dyta.
Mëkat që në Bosnjë apo edhe në Tiranë, në Londër apo në Paris, në Vjenë apo Berlin, këtë përshëndetje të bukur nuk e shqiptojnë në gjuhën e vendit. Shumë njerëz mosbesues për frymën e vërtetë të fesë myslimane do të çliroheshin prej ankthit dyshues se ajo ka ndonjë raport të fshehtë me përdorimin e forcës.
Ja pse në Sarajevë dhe në vendin e boshnjakëve feja myslimane është bërë përherë e më shumë perëndimore, më evropiane, më e përshtatshme për të bashkëjetuar dhe punuar së bashku me popullsinë e feve të tjera, sidomos me Krishtërimin.
Kur ekstremistë serbë si Millosheviçi, Karaxhixhi e Mlladiçi, me zjarr e hekur deshën ta shfarosin Sarajevën, këtë e bënë që të zhdukej nga faqja e dheut jo thjesht shembulli i bashkëjetesës dhe i tolerancës ndërfetare, por mbi të gjitha modeli i një islamizmi bashkëjetues me paqen, me vëllazërimin ndaj besimeve të tjera. Ata, kjo treshe tinëzare, në emër të urrejtjes etnike, duke mashtruar se po likuidonin një myslimanizëm anti të krishterë dhe duke klithur se këtë po e kryenin në emër të mbrojtjes së Evropës, në të vërtetë përgjakën në Sarajevë myslimanizmin evropian. Pra Millosheviç, Karaxhiç e Mlladiç luftuan Evropën.
Ne që jemi shqiptarë, e dimë fare mirë se një i tillë myslimanizëm evropian jo vetëm ekziston në të gjitha trojet tona, që nga Tirana deri në Shkup, nga Gostivari në Prishtinë dhe Prizren, por për ruajtjen dhe zhvillimin e tij duhet të përkujdesemi edhe më shumë nga sa, për rutinë, bëjmë. Për fat të keq, pa bërë asnjë krahasim me tri kriminelët e sipërcituar, një doktrinë spastrimi të butë të trojeve autoktone shqiptare nga feja myslimane dhe rikthimi në gjendjen e vjetër historike, kur qemë tërësisht etni e krishterë, ka vagëlluar edhe në Tiranë. Në përhapje dhe legjitimim, në mbështetje, kësaj teorie nuk i kanë munguar edhe emra tepër të dëgjuar, të mençur dhe ndikues. E përsëritim: kjo ka ngjarë, për fat të keq!
Por në Sarajevë mund të gjeje lehtësisht një arsye më shumë për ta refuzuar këtë logjikë, në mos marrëzi apo paudhësi, naivitet sigurisht
Si edhe në Shqipëri, në Bosnjë, çfarë qe tepër e gëzueshme tek e ndeshje në çdo hap, ajo që mund t’i kundërvihej me sukses dogmës binladiste apo çdo korrenti tjetër radikal, antievropian apo kundër perëndimor, qe pikërisht ky myslimanizëm. Një studiues i njohur italian, mosbesues ndaj një fryme të tillë të islamizmit boshnjak, shkruante këto kohë se Bosnja ishte vendi më kërcënues për stabilitetin e qytetërimit evropian. Pse? Sepse këtu “praktikisht shkojnë për vit në Mekë një në çdo 10.957 banorë”.
Kjo pamje është e shtrembëruar posaçërisht, madje e shumë keqinterpretuar. Ajo bie ndesh edhe me sjelljen, qëndrimin apo strategjinë e Vatikanit. Selia e Shenjtë, siç edhe Papa Françesko deklaroi në urimin e tij të sinqertë për të gjithë myslimanët, ditën e festës së Bajramit, mendon dhe zbaton të kundërtën e mendësisë së njeriut që numëron sa vetë shkojnë në Mekë. Po sikur një mendje tjetër e mbrapsht të mbante një listë regjistrimi të atyre që shkojnë në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë dhe çdo të diel dëgjojnë fjalimet e Papës dhe e përshëndesin atë me gëzim?
Bosnja dhe Sarajeva nuk janë llogore të hapura lufte kundër Evropës, por kështjella më e madhe e tanishme për mbrojtjen e saj dhe të qytetërimit perëndimor.
Këto kala nuk ndodhen në Francë e Paris, ku në mes të 8 për qind të popullsisë me besim islam gjenden edhe afro dyqind xhami. As në Gjermani, ku 8 milion banorë janë të fesë myslimane dhe xhami të ngritura ka mbi njëqind. As në Holandë, ku edhe pse është një vend i vogël, funksionojnë një qindëshe tjetër e këtyre institucioneve. As në Britaninë e Madhe, ku mes 1.500 vendeve për lutje islame, njëzetë për qind janë xhami të vërteta. Sigurisht kështjella myslimane e mbrojtjes së Evropës nuk mund të gjendet në Itali, në vendin e Biblës, edhe pse këtu, tashmë me katër milionë banorë që besojnë në doktrinën e Muhametit dhe çfarë është shkruar në Kuran, ka mbi tetëqind vende për të kryer ritet islame dhe numri i xhamive po shkon drejt shifrës dhjetë.
Në Evropën ku në vetëm katërmbëdhjetë vendet e saj anëtare të BE-së jetojnë mbi njëzetë milionë besimtarë myslimanë, ndodhen dymbëdhjetë mijë vende lutjeje. Nga një merak i kotë se mos kontinenti me traditë të krishterë gdhihet një ditë islamik dikush ka bërë edhe këtë hesap: Evropa ka një vend lutjeje myslimane për çdo 1600 muhamedanë.
Përgjigjen ua jep Bosnja dhe veçanërisht Sarajeva. Ajo ka 150 xhami. Shumë janë të famshme: Careva xhamia, Begova xhamija, Ferhadija...Gjithsesi duket një numër i shumtë, i tepërt, që në pamje të parë të shqetëson. Sepse rreth e rrotull përherë gjenden mendje të mbrapshta që përpiqen ta shfrytëzojnë të butën, paqësoren e të bukurën Sarajevë, për ta hedhur një palë kundër tjetrës. Ajo e pafajshme në historinë e vet nuk ka vetëm historinë e dhimbshme të përgjakjes së fundit, 1992-1995, por edhe të një lufte të tërë botërore, të parës. Këtu u krye atentati ndaj perandorit austrohungarez, çfarë shkaktoi menjëherë përplasjen masive me armë.
Por Sarajeva ka edhe kisha me shumë emër (ortodokset Crkva Sv.Ante, Crkva Svetog Ćirila i Metoda, Stara Pravoslavna Crkva Svetih Arhanđela Mihaila i Gavrila, katoliken Cattedrale Cattolica del Cuore di Gesù...).
Ka edhe sinagoga: Jevrejski, Aškenazi...
Ajo që dua të rrëfej në këtë shkrim është një mundësi që mu dha. Në gjashtë ditë të qëndrimit tim në Sarajevë, i ndihmuar maksimalisht prej ambasadorit tonë atje, zotit Flamur Gashi, një eksperti të vërtetë të shumëfetarizmit shqiptar, por edhe të atij ballkanik, boshnjak po e po, njoha dhe kreva dy takime me një përfaqësues me mjaft autoritet të myslimanizmit vendas: Fuad Shehbajraktereviç.


Xhamia “Bakije” dhe Fuad Shehbajraktareviç

Do të ishte dritëshkurtësi që ultranacionalistë apo ekstremistë fetarë të ndryshëm të shkojnë me mendimin se një ditë feja islame do të ngushtojë hapësirën e ndikimit të saj. Pra që do të mpaket, do të bjerret dhe bota do të kthehet si në fillimet e erës së re, kur gjithkund përhapej vetëm fryma dhe besimi i krishterë. Ndryshe nga Tirana, ku myslimanizmi praktikohet qetësisht, me mirësi shpirtërore dhe aspak agresivisht, por doktrina e saj nuk përditësohet mjaftueshëm dhe përshtatet me zhvillimet modernizuese të shoqërisë shqiptare, në Sarajevë ndodh e anasjella. Këtu mendimi islamik përpunohet, lëvizet përpara. Përveç dy medreseve, të djemve dhe të vajzave, në Sarajevë ka edhe një Fakultet të Shkencave Islame.
Për pak minuta, sepse ato ditë të Ramazanit ishte me ngut, bashkë me ambasadorin Gashi takuam klerikun e lartë hafiz Sulejman Bugari, shqiptar nga Rahoveci i Kosovës. Qe profesor, teolog, dhe një gojëtar mahnitës. Xhamitë apo sallat ku mbante fjalime ai, mbusheshin plot dhe shumë të tjerë rrinin të grumbulluar jashtë. Objekti kryesor i veprimtarisë së hafiz Sulejmanit qe shpëtimi i të rinjve nga droga dhe çdo ves tjetër. Me një fjalë ishte një humanist, iluminist madje. Një të tillë veprimtar nuk e ndesh kurrë në Tiranë. Në kryeqytetin boshnjak xhamitë janë pothuaj katedra filozofie apo studimi të mendimit mysliman, siç në njërën prej tyre mu dha rasti të hyja dy herë.
Qe xhamia me emrin “Bakije”, selia e Fuad Shehbajraktareviç.
Në njërin rast atje gjetëm edhe kryetarin e bashkisë së Bashçarshinë, pjesës me traditë arkitekturore osmane të Sarajevës, më tërheqësen për turistët. Ajo përbën një të tretën e banorëve të qytetit. Quhej Ibrahim Haxhibajriç. Të gjithë të pranishmit e thërritnin përkëdhelshëm me emrin Obama. Në të vërtetë Haxhibajriç ishte shumë lëkurëbardhë, por me emrin e presidentit amerikan me siguri e thërritnin për raportet e ngrohta që kishte me myslimanët.
Por, le të kthehemi tek Fuad Shehbajraktareviç. Pse ishte ai një surprizë?
Shtatëdhjetë e pesë vjeçari që në rini kishte luajtur shumë futboll dhe pati qenë i dashuruar deri edhe prej aktoresh, celularin e përdorte me hobin e një djali të ri. Po ashtu, si djelmosh, i fuste apo i nxirrte duart nga xhepat. Në të vërtetë lëvizjen e tyre e kishte ndihmë për t’u shprehur me sa më shumë dhunti oratorike. Shehbajraktereviç edhe vështrimin e kishte të mbushur plot me mendim e ndjenja, herë det në furtunë e herë breg i qetë. Ishte shikim ngulmues dhe njëkohësisht i çlirët, qe vëzhgues dhe po aq mos mosbezdisës, kontrollues dhe verifikues dhe po ashtu plot ndjenjë besimi dhe miqësie. Thellësia e tij e mendimit ngjizej me tonin e zërit si rrallë mund të gjeje një kombinim të tillë të harmonishëm. Por Fuad Shehbajraktereviç nuk qe “aktor”. Ishte i natyrshëm, i sinqertë, i drejt për drejtë. Forca e tij e komunikimit dhe e magjisë për të të bindur, qe se nuk shtirrej.
Të linte mbresa pikëpamja e tij se feja islame duhet të bashkëjetojë me një shoqëri të të drejtave të njeriut. Kjo donte të thoshte se ekzistenca e saj normale nuk mund të ishte në asnjë shoqëri të mbyllur apo jo pluraliste. Rritej e forcohej vetëm në demokraci.
Shehbajraktereviç ishte me të vërtetë një guru. Nuk ia thamë këtë përshtypje të parë, sepse do ta refuzonte. Këmbëngulshëm, në të dy bisedat, përsëriti me modesti se nuk qe një teolog, por thjesht praktikant i fesë myslimane. Megjithatë, në të vërtetë, ishte një udhëheqës shpirtëror. Si edhe politik, edhe pse me këtë zanat nuk merrej. Politikën e pëlqente ta kishte në shenje të qortimit dhe kritikës. Pse jo edhe të inkurajimit, kur bëhej e dobishme. Për shembull nuk ia falte asaj të vendit të vet që nuk po ja delte dot të njihte si shtet të pavarur Republikën e Kosovës. Por kur në një rast tjetër ambasadori Flamur Gashi ia pati dalë të sillte miqësisht në Tiranë një delegacion të madh të parlamentit të Republikës Serbe (Serbska Republika bën pjesë në shtetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe për pasojë të presionit të saj po pengohet njohja nga BH e Kosovës), Shehbajraktareviçit këtë gjest diplomatik e vlerësoi me një fjalë: Mudrost. Kjo donte të thoshte “Urtësi e madhe”.
Aftësia e gjykimit politik ishte tek ai “sensi i gjashtë”, pas atyre që njeriu i ka nga natyra: vështrimin, dëgjimin, instiktin e mbrojtjes....Nuk kishte ngjarje të rëndësishme politike në Sarajevë dhe BH që të mos nxiste shumë prej shtetarëve vendas të këshilloheshin me të. Veçanërisht kur kishte zgjedhje qe aq i kërkuar sa ishte e vështirë, edhe për politikanë të rëndësishëm, një audiencë e menjëhershme. Do të priste në radhë.
Duke mos u përzierë, Shehbajraktareviç ndikonte në mbarësinë e punëve të shtetit të vet. Në identitetin e tij aftësia politike dëshmonte fare qartë se një klerik i suksesshëm, i çdo besimi fetar, këtë dhunti duhet ta ketë për t’u orientuar pozitivisht në problemet më kryesore të shoqërisë, ku bën pjesë. Një udhëheqës mysliman apo i krishterë pa aftësi politike e dënon me lënien mbrapa masën e besimtarëve. Besimet fetare, siç ndodh edhe me ideologjitë, janë në thelb doktrina. Si të tilla, duke qenë udhëzime të përjetshme, pra edhe citate, ato kthehen lehtësisht në dogma. Dhe pikërisht në këtë çast mbeten prapa. Por tjetër gjë janë parimet themelore të një besimi dhe tjetër gjë mënyrat e komunikimit të tyre me shoqëritë në zhvillim dhe ndryshim të përhershëm. Ndërsa Krishtërimi, edhe pse me ngadalësi, kryen një lloj rendje pas kohës, Myslimanizmi përton më shumë. Papa Vojtila, për shembull, realizoi edhe kuvende të mëdha botërore të të rinjve. Gjithsecili prej nesh i mban mend si i grumbulluan në Romë, në verën e vitit 2000 “Papaboys”-it, djemtë apo të rinjtë e Papës. Do të qe tepri që Fuad Shehbajraktareviçit i xhamisë “Bakije” në Sarajevë t’i jepnin një imazh të njëjtë, por në thelb qe një hoxhë i rinisë. E quajta, në një përpjekje për ta tipizuar, si “hoxha e diskotekave”. Ai jo vetëm e pëlqente poetin persian Omar Khajam, po ashtu e deklamonte, por nuk gjente asgjë me herezi tek vargjet me kënaqësi jete si “hidh kupa dhe puth çupa”. Sheh Fuadi nuk qe aspak për jetë të shthurur, por as që ajo të ishte askete, e futur ngushtas vetëm nëpër faqe librash, madje edhe sikur ky të qe vetë Kurani.
Besimi mysliman dhe rinia e ajfoneve dhe e diskove tek ky klerik i pajisur me shpejtësinë dhe forcën e të menduarit të vitit dymijë, patën gjetur shprehësin e tyre.
Por në jetën e tij ky liberal kishte edhe momente “radikale”. Në vitet 1972-73, kur regjimi komunist titist (me Rankoviçin në krye) deshi t’i shkatërrojë fare institucionet fetare islame, në shenjë proteste, vuri në kokë kapelën tipike myslimane (të cilën, pohoi, nuk e kishte aspak qejf) dhe me nallane druri në këmbë (çfarë si tip modern që ishte, nuk ia kish ënda) dhe shkonte çdo ditë në xhami.
Fryma e rinovimit të besimit mysliman, përsëriti disa herë Shehbajraktareviç, ndodhte edhe sepse baza e ideve të tij qe ajo, e cila njihet si themel i besimeve fetare, mes tyre edhe e myslimanëve: përdorimi i paqes dhe asnjëherë i dhunës (Thoshte: “Kjo është liria, kushdo të besojë apo të mos besojë. Nuk ka me dhunë. Zoti të ndalon për dhunën. Atë që nuk e pushton me mirësi, nuk e bën dot me forcë).
Refuzimit ndaj forcës dhe imponimit të fesë myslimane Fuad Shehbajrakareviç i përkushtohej me aq shumë zjarr sa dukej sikur ajo qe për të, njëzetë e katër orë për njëzetë e katër, kredoja më e parë. Me siguri këtë e bënte jo vetëm për t’i mbyllur çdo shteg dogmës vrastare pseudoislame të binladenizmit, por edhe për të bërë të nënkuptohej se i tillë qe agresioni serb i viteve 1992-1995, kur Sarajevën dhe shembullin e saj të bashkëjetesës së etnive dhe feve u përpoqën ta vrisnin në emër gjoja të besimit të krishterë.
Këtë të diel, 19 gusht, edhe Papa Françesko e përsëriti para gjithë botës: “Feja dhe dhuna janë të papajtueshme. Bibla nuk autorizon përdorimin e dhunës për të mbrojtur fenë. Është krejtësisht e kundërta. Forca e vërtetë e të krishterit është forca e të vërtetës dhe e dashurisë, e cila të largon prej çdo përdorimi dhune”.

“I dua shqiptarët”

Fuad Shehbajraktareviç i donte shumë shqiptarët dhe u shpreh disa herë për vlerat e tyre, madje edhe për epërsitë që gjykonte se ata i kishin edhe mbi vetë boshnjakët. Por këtë temë, e cila është mjaft interesante, për shkak të mosteprimit të përmasave të gjata të këtij shkrimi, nuk po e ngasim.
Dashuria e tij për shqiptarët kishte një pikë të ngrohtë. Qe një emër, një hoxhë nga Gjakova. E përsëriste pa u lodhur: Hafiz Fahri Efendi Iljazi. Ngulte këmbë: “Nuk e merrni dot me mend sa njeri i ditur ka qenë ai. Në fushën e legjislacionit islam qe më i miri në Ballkan”. Pastaj shtonte “Më ka pritur, sa herë kam shkuar, me shumë dashuri. Atëherë kur nuk isha askush”.
Shehbajraktereviç mbase kishte qenë nxënës i klerikut të madh shqiptar, ndërruar jetë në 1985, por ithtar i tij qe me siguri. Nuk e fshehte. “Studjoje atë njeri, mu lut një çast, e do të shihni se është një nga krenaritë më të mëdha të diturisë shqiptare!”
Kur për Hafiz Fahri Efendi Iljazin kërkova të dhëna në internet, gjeta edhe tri nga urtësitë e tij, tek të cilat besonte më shumë:“Nuk na mbetet tjetër veçse ta duam, ta ndërtojmë dhe ta çmojmë njani-tjetrin”, ”Të zhvillohemi në pikëpamje shpirtnore, intelektuale dhe atdhetare.”, ”Ditunija asht arma ma e fortë kundër anmikut”.
Kronikat shkruanin po ashtu se kur i pari i Kosovës në kohën e ish-Jugosllavisë, Fadil Hoxha, takoi në Marok mbretin Hasani i Dytë, ky një moment e pyeti “A e njeh Hafiz Fahri Efendiun, është nga vendi i juaj?” “Po, iu përgjigj tjetri, bile jemi nga i njëjti qytet, nga Gjakova”. Atëherë monarku i qe shprehur: “Një kokë si e tij, plotë urtësi, i mjafton vendit tuaj!”


Shënimi i fundit

Në fillim më qe dukur se shtysa për këtë shkrim të gjatë (dhe për këtë i kërkoj ndjesë lexuesit të “Metropol”) qe personaliteti i fuqishëm i Fuad Shehbajraktareviçit, por e vërteta është se i sugjestionuar fort prej tij, gjeta edhe një arsye tjetër për ta hedhur në letër. Ishte një mesazh në face book, që një mik, por nga ata të shumtë me të cilët nuk njihesh nga afër, më shkroi pak ditë më parë. Ishte mospajtues me një mendim timin për rolin pozitiv të besimeve fetare në një shoqëri të hapur pluraliste. Shkruante: “Zoti Polovina, e lexova komentin tuaj dhe me gjithë respektin mendoj që jeni gabim”. Më pas duke shpjeguar mendimin e vet për dallimet mes besimtarëve (teistëve) dhe mosbesimtarëve që i kundërvihen feve dhe duan shoqëri “të pastruara” prej tyre (ateistëve), më tërhiqte vëmendjen: “Ateizmi e stimulon shkollën, ndërsa teizmi krimin”. Pastaj: “Mendoj qe e kemi obligim qytetar si intelektualë t\\\\\\\'u bëhemi digë qytetëruese ndikimeve fetare, jo vetëm në rrethe intime, por botërisht. Të fala!”
Jo, i dashur bashkatdhetar e bashkëkombës! Unë nuk besoj se Zoti ekziston vërtet fizikisht. Ndihem laik. Veç kam një kënaqësi të madhe tek ata që sinqerisht besojnë tek prania e tij, sidomos tek parimet e edukimit dhe të sjelljes që i ka shkruar në Bibël apo Kuran.
Sepse janë vlera dhe pasuri të mëdha njerëzore demokracitë i ruajtën dhe i pasuruan, diktaturat, që prej fashizmit deri tek komunizmi, i luftuan.

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com