|
SHQIPTARËT BËJNË HISTORI QË E SHKRUAJNË KEQ
(Botuar në gazetën “Shqip” më 25 korrik 2013)
Ne, shqiptarët, nuk çmohemi shumë për mënyrën se si sillemi me pasuritë tona të përbashkëta, publike siç i thonë. Në të vërtetë ato, duke mos qenë fort të bollshme, siç ndonjëherë besojmë dhe e deklarojmë me shprehje të ngrefosura, nuk janë as fare të vogla. Madje mund të ishin edhe dy herë më pak, por mjaft më të dobishme për jetën e prestigjin tonë sikur të dinim e dëshironim më shumë për t’i mirëpërdorur. Prej këtyre pasurive të shfrytëzuara përcipësisht dy janë thesare. I pari pozicioni ynë gjeostrategjik, në Ballkan dhe në eurokontinent. Pas vitit nëntëdhjetë të shekullit të shkuar, shpesh kjo edhe për meritë e të huajve, të cilët i bëjnë llogaritë shumë më mirë nga ne, janë shtuar përfitimet nga kjo vlerë që ta fal natyra. Dy kulmime gjenden në të: hyrja në NATO dhe kërshëria e shumë vendeve të botës për të bërë turizëm në Shqipëri. Ndërkohë asnjëherë ne, me ofertën tonë, nuk qemë në lartësinë e kësaj kërkese. Jeta jonë e rrëmujshme, me një trafik dhe rend të gjërave që i bën të zgurdullojnë sytë nga habia gjithë të huajt, gjithsesi tërheqëse sepse është “allasoj”, mbetet e tronditur rëndë nga përmasat ekstreme të një lufte të brendshme për pushtet politik. Ky në të gjithë njëqind vitet e shtetit tonë ka dëshmuar kanosje të përhershme, të vazhduar.
Por jo i mirëpërdorur me largpamësi është edhe një thesar tjetër yni: historia jonë.
Të tjerë mund të gjykojnë se në nivelin e thesarit kombëtar hyjnë edhe toleranca ndërfetare, kultura apo folklori, Skënderbeu apo edhe të tjera veçanti, veç autori i këtyre radhëve frenohet në vetëm dy.
Historia e shqiptarëve, duke qenë edhe ca si ndryshe prej të tjerëve, e mbushur plot me potere individësh të fortë, por ku gjen akte fisnikërie dhe përgjegjësie të mahnitshme (si edhe marrina po aq madhështore), në të cilin vend po ashtu, për hir të protagonizmit të mbitheksuar të individit, fisit, fshatit, krahinës apo qytetit, ka larmi të gjallë që shkon deri përtej fantazisë, përbën krijimin tonë më të jashtëzakonshëm e tërheqës. Historia që kemi prodhuar është kryevepra jonë. Atje është fiksuar gjithë identiteti ynë dhe bota jashtë nesh, e cila përditë e më shumë po bëhet një “fshat i madh”, ka mjaft interes të na kontaktojë dhe për pasojë të na njohë, të na dojë dhe vlerësojë. Ja pse shkrimi i historisë së shqiptarëve nëpër libra apo pasqyrimi në median me pamje, kinematografi dhe televizion e deri në pikturë apo vepra skulpturore, duhet të jetë pika e parë e programit të një Rilindjeje Shqiptare, të filluar në shtetin tonë njëzetë e më tepër vite të shkuara, me fillimin e shoqërisë së hapur dhe në Kosovë në 1999, me çlirimin dhe mëvetësimin e saj.
Mirëpo e trishtueshmja rezulton që edhe në këtë thesar të madh kombëtar është shkaktuar një rrëmujë tipike si e mendësisë sonë. Duke shpëtuar nga regjimi ku prodhohej vetëm historiografi zyrtare, është kaluar në skajin tjetër, ku kjo, për njëmijë arsye e rrethana, nuk ja del do të përballojë sistemimin e të vërtetave. Nga që tani shkruhet shumë dhe secilit çfarë i pëlqen, dhe askush nuk verifikon e përdor ndonjë kriter shkencor apo moral, për fat ndërsa janë shtuar gëzueshëm rrëfimtarët dhe interpretuesit seriozë, po derdhet si lum i turbullt e përmbytës ai i të papërgjegjshmëve. Të pajisur me mjete financiare dhe duke e zbuluar urinë e shtypit për sensacione, shtrembërimi i historisë sonë tashmë nuk është aspak më i vogël se gjatë diktaturës së para nëntëdhjetës apo periudhës autoritare të Ahmet Zogut.
Vala e madhe e deformuesve vjen prej mburravecëve, “racë“ e përhapur mes nesh. Shumohet nga amatorët, të cilët si çdo diletant, janë punëtorë të mëdhenj dhe nuk ndjejnë lodhje, nuk flejnë gjumë, shkarravisin ditë-natë. Këtyre u shtohen bashkëkombës, ish-eksponentë të shtetit të dikurshëm apo edhe nëpunës të zyrave më të ulëta, të cilët pastrojnë biografitë e tyre, duke gënjyer për ngjarje apo persona të rëndësishëm të kohës. Disidenca false vijon të mbetet deformuesja më e madhe, në liri, e historisë sonë.
Kohët e fundit pata një bisedë me Nezihe Alizotin, mbesën e politikanit të akuzuar si kolaboracionist dhe të pushkatuar në të quajturin Gjyq Special, më 13 prill 1945. Pjesëtarë të familjes me shpenzimet e tyre i kanë botuar librin “Kujtimet e Jetës sime politike, 1891-1921”. Ato shënime patën shpëtuar, sepse shumica u botuan në gazetat “Demokratia” dhe “Besa” gjatë viteve tridhjetë. Ndërkohë nuk e gëzuan dot këtë fat kujtime të tjera të tij për vitet 1922-44, sepse të frikësuar nga dy pushkatime (përveç Fejziut, në 1947 u vra nga shteti i kohës edhe i biri i tij, Rizai) ato pjesëtarët e familjes i dogjën.
Gjatë shkëmbimit të mendimeve mbesa e Fejziut, mjaft bashkëpunuese me arkivat, tha se po përgatisnin një libër të dytë të gjyshit dhe se ne të do të vendoseshin të gjitha fjalimet e tij në parlamentet e kohës, si deputet i disa legjislaturave që ishte. Siç patën bërë edhe tek Kujtimet, edhe në këtë botim nuk do të ndërhynin. Do t’i paraqisnin fjalimet e tij ashtu siç i kishte shqiptuar. Nuk do t’i hiqnin apo rrumbullakosnin asnjë fjalë. “Lexuesit le t’i gjykojnë vetë!”, shtoi Neziheja.
Sjellje e admirueshme. Maksimalisht paanësi. Korrektesë e madhe ndaj historisë. Fejzi Alizoti ka qenë, edhe gjatë pushtimit, në qeveritë bashkëpunuese, një ministër finance. Ndërkohë jeta e tij, e mbushur me gjeste atdhedashurie, ka edhe një fragment shkëlqimtar. Pas dorëheqjes së detyruar të Ismail Qemalit, në administratën e të cilit bënte pjesë, u caktua nga bashkësia ndërkombëtare, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, si “drejtor”, që donte të thoshte kryeministri i ri i qeverisë së Vlorës. Pra Fejzi Alizoti është kryeministri i dytë i shtetit shqiptar dhe për këtë është heshtur.
Për një simbolikë, përcjellje kuptimi se sa e paudhë është shprishja e historisë dhe sa e bukur e vërteta e saj, kur shkruhet pa ndërhyrë, sa dinjitet i jep ajo në këtë mënyrë identitetit shqiptar, po citojmë nga libri “Kujtimet e Jetës sime politike, 1891-1921)” këtë fragment: “Në këtë qytet (Vlorë-shënimi ynë) mbeta në Shtëpinë e Ismail beut në Skelë. E para punë që më ngarkoi Ismail beu ishte studimi i situatës së refugjatëve kosovarë dhe atyre të viseve të Gjirokastrës. Midis Esat Pashës, Myfit beut dhe Ismail beut mbretëronte një ftohtësi e cila për mua vinte nga egoizmi, ashtu edhe mosheqja e reputacionit të Ismail beut si formues i shtetit shqiptar. Situatën e keqësonte dhe Syrja bej Vlora nga provokacionet që bënte për të shtuar moskënaqësinë e popullit. Shqipëri i thuhej kësaj cope që nga Llogaraja afër Sevasterit, në kufi të Tepelenës dhe Vlorës. Afër ndodheshin fuqitë greke në Vjosë. Ushtria turke ndodhej akoma në viset të tjera të shkelura nga serbët dhe malazezët. Fuqitë e interesuara për Shqipërinë Austro-Hungaria dhe Italia duke përfituar nga gjendja bënin politikat e tyre.
Për të shpëtuar nga intrigat, Isa Boletini, Sali Gjuka dhe Luigj Gurakuqi kishin vendosur që kur Esat Pasha (Toptani) të shëtiste në skelën me urë mbi det ta shtinin dhe ta mbysnin. Po për këtë duhej të merrnin miratimin e Ismail beut. Të tre këta më drejtohen mua për t’ia referuar dhe për t’i marrë miratimin. Unë Ismail beun dhe Esat Pashën i kisha kushëri. Mbroja gjithmonë pikëpamjen e Ismail beut, por nuk isha i mendimit për vrasje. Megjithatë mendimin e këtyre zotërinjve ia referova beut. Ai mu përgjigj se në rast do të veprohej me vrasje të njëri-tjetrit për formimin e shtetit shqiptar do merrte valixhet dhe do ikte”.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|