|
Ekskluzive/ Si u zhyt Mbreti Zog mes narkotikëve pas sulmit në Vjenë
Pjesa e katërt dhe fundit e sagës
(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 23 korrik 2013)
Të nesërmen, më 14 qershor 1934, ajo e përditshme, e cila në të gjithë atë muaj të ndezur me përfolje rreth të vetëvrarës kishte mbajtur një lloj baraspeshe mes të vërtetës së mundshme dhe lojës së thashethemeve, “Kathimerini”, nën titullin “Kavalieri”, njoftonte opinionin publik se “Ministri i Shqipërisë që dashuroi kalorësisht gruan fatkeqe, e cila vrau veten për atë, përshëndeti dje Athinën dhe iku”. Fjalia e dytë dhe e fundit e lajmit bënte ironi: “Nëse edhe ne ndihmuam për këtë, i drejtojmë veten sonë përgëzime”.
Bashkëngjitur e përditshmja athinase rishfaqte fjalët pyetëse “Cila ka qenë kalorësja bionde që vrau veten” dhe poshtë tyre, me germa të mëdha, bënte të dallueshme titullin “Mbreti Zog kishte frikë se mos baronesha De Ropp komplotonte kundër tij”. Rreshtat që vendoste më poshtë përmbanin më shumë përfolje se deri ato çaste patën bërë të gjitha gazetat e kryeqytetit grek.
Pjesën e parë të shkrimit “Kathimerini” e mbërthente në fjalët “Tronditja e shëndetit të Mbretit dhe sëmundja e të dashurës së tij”. Pastaj e shpjegonte çfarë deshi të thoshte me to: “Por Ahmet Zogu i I-rë, që pësoi atentatin në Vjenë, jashtë Operës, ku ra i vrarë edhe adjutanti i tij, ndërroi krejtësisht jetesën në Tiranë. Mikesha e tij letone Baronesha Dorothea de Ropp, mikeshë besnike dhe e përkushtuar, bënte çmos për ta dëfryer melankolinë e tij, por nuk mundi asgjë. Mbreti shqiptar kishte filluar të dyshojë edhe mbi atë.
Nuk entuziazmohet me asgjë, nuk dashuron më asgjë, as që flet më për martesën e tij, për asnjë grua, edhe ka vendosur që të caktojë si trashëgimtar të fronit nipin e vet të vogël, djalin e së motrës të Ceno Beut, atë që Zogu e ka vrarë dikur.
Miku i ngushtë i Mbretit, fisniku i ri Qemal Mesareja, Ministri i Pallatit të tij, u largua nga Tirana, edhe për të mos u kuptuar fatkeqësia, u emërua Ministër në Athinë. Ai atentati i mallkuar i Vjenës i ndryshoi dhe i ndërroi në shkallë të pabesuar drejtimin e karakterit. Zogu nuk e thërret më Dorothénë “Mbretëreshën e tij”, as që e thotë, as që e mendon. Ai vetëm e duron në afëri të tij, por, ai ruhet prej saj, me një mënyrë të pashpjeguar”.
“Kathimerini” këtu bënte një pauzë dhe nxirrte titullin e kapitullit tjetër: “Narkotikët”. Çfarë shkruhej më pas ishte befasuese për lexuesin: “Kjo ka qenë gjendja e punëve kur Mbreti filloi t’u jepej narkotikëve. Në fillim mosfjetjet dhe fantazmat e ëndrrave të trazuara e shtynë të përdorë disa barna, si qetësonjëse për nervat. Me kohë kjo iu kthye në një zakon dhe e bëri të përditshme marrjen e kokainës dhe heroinës, pastaj edhe të morfinohej. Ai, Mbreti i bukur dhe i hijshëm, me shikimin e Tij impozant dhe pamjen e Tij malësore kryelart, humbte vazhdimisht shëndetin nga këto abuzime.
Dorothea që e shoqëronte, mori pjesë në zakonet e reja të tij. E dëshpëruar nga shkatërrimi i papritur i ëndrrave të saj të arta, duke parë se kurora po i largohej nga kryet, të cilës po sa e kishte ndjerë që nuk ja mbështetnin, filloi të kuptonte momentet dramatike të jetës së vet dhe të dridhej nga makthet e peripecive të reja të pashmangshme.
Kështu që të dy ishin bërë morfinomanë të pashërueshëm.
Frikësime u shprehën, bile edhe në shtypin ndërkombëtar, për mbi shëndetin e Ahmetit dhe nuk u zhdukën aspak as me komunikatën zyrtare, e cila përgënjeshtronte sepse në këtë kohë e sipër Mbreti i Shqipërisë qe bërë krejtësisht i padukshëm për shtetasit e tij dhe tretej pak nga pak në Pallatin e vet.
U përhapën fjalë se gjoja e sulmoi tuberkolozi i grykës.
Pinte duhan me rreptësi, me teprim dhe pa pushim. Por cigaret nuk përmbanin vetëm duhan (edhe një hollësi karakteristike që është shumë e vërtetë: në fillim Mbreti Zog pëlqente cigaret greke, veç që kur nisi dëfrimet helmonjëse pushoi së dërguari besnikun e vet në Athinë për t’i blerë. Të afërmit, disa deputetë dhe senatorë, të njohur si këshilltarë të tij të fshehtë, qenë mjaft të shqetësuar, edhe megjithëse jashtë Pallatit nuk thoshin gjësendi, ajo pamja e tyre e rënë thoshte mjaft.
Por edhe Dorothea me fytyrën e saj të qeshur filloi të zverdhet tmerrisht dhe dita ditës po fishkej. Pagjumësia, lotët, mërzia dhe dëshpërimi, së bashku me abuzimet narkotike, e kishin marrë çdo të ndritur nga fytyra e saj, dikur e qeshur.
Të gjithë thoshin se Baronesha qe bërë me shëndet lëngonjës, madje edhe mendërisht. Edhe ky ishte shkaku që Mbreti e lejoi të largohej. Kësaj i duhet shtuar frika që po ndjente Zogu, se baronesha letone do ta vriste përse ai e largoi. Ajo mund të qe e shtyrë prej armiqve të tij, veçanërisht nga serbët, për të cilët ai beson se ata zotërojnë kundër tij shuma të mëdha me para. Sidoqoftë fakti është se kalorësja bionde, në një gjendje shpirtërore të keqe, mblodhi një ditë valixhet e saj dhe mori një pasaportë diplomatike. Lamtumira me Zogun ka qenë dramatike. Kishte përshtypjen se nuk do të kthehej më, se nuk do ta shihte më. Ai e puthi në ballë dhe e uroi “të shkuara”. E këshilloi të jetojë e qetë, të ushqehet mirë, të mos mërzitet dhe të flejë shumë herët.
Dhe i premtoi se shpejt do të shiheshin përsëri, në mes të lumturisë siç të dy e projektonin. Por ajo e shihte me kthjelltësi se fjalitë e tij qenë të gënjeshtërta”.
Në vazhdim kapitulli i tretë i shkrimit befasues të “Kathimerini” titullohej “Dashuria tjetër”. “Dorothéa, niste ai me një frymë, nuk vajti në Durrës për të marrë vaporin për në Venedik. Ajo preferoi të përçapë Shqipërinë e Jugut me automobil përmes fushës së pasur të Myzeqesë, kaloi nga Berati dhe të zbriti në limanin e Sarandës. Nga këtu iku me larg. Me barkë, brenda dy orëve, u hodh në Korfuz. Kryetari i policisë së limanit, një besnik i Zogut, e lajmëroi telefonisht Pallatin në Tiranë mbi ardhjen e papritur të baroneshës dhe nisjen e saj të nxituar.
Ahmet Zogu e kuptoi përse Dorothea do të vinte në Athinë: për të pjekur Qemalin. Nga Korfuzi ajo i shkroi Mbretit se qe e entuziazmuar nga klima e ishullit, nga viset e tij të bukura, i dërgoi shumë fotografi të saj dhe atje ndenji disa kohë në hotelin “Bella Venezia”, me qëllimin e fshehtë ose me shpresën se mos dashnori i saj me kurorë mbreti, i penduar, e ftonte të kthehej me të shpejtë, gjë e cila do të ndryshonte çështjet menjëherë.
Më në fund, e dërmuar nga dëshpërimi, mori vaporin e parë për Piré. Ku po shkonte? Diçka i thoshte nga brenda se ajo po ecte në drejtim të vdekjes”.
Në 14 qershor 1934, i katërti kapitull i shkrimit hutonjës të “Kathimerini” bashkonte fjalët “Qemali është i mirë”. Pastaj vijonte: “I gjysmë internuari në Athinë, Ministri Qemal Mesaré, s’është një djalë i keq. Ai ka një kulturë perëndimore të plotë (ka mbaruar në Universitetet e Zvicrës) dhe një edukatë të rafinuar. Ai i përket djalit të gjeneralit të pasur dhe me famë të perandorisë turke, Tahsin Pasha. Shpirti i tij është djalërisht i kthjelltë, edhe ndjenjat e tij kundrejt Dorothesë qenë të flakta, prej një dashurie të kulluar. Ai nuk kishte dashuruar vetëm trupin e saj. Ai e donte të tërë.
Kur e pa atë mesditë të tetorit që bëri të hyjë në zyrën e Legatës në Athinë, ai mbeti i tronditur. U ngrit prej edukate më këmbë, por realisht nga frika. Nuk kishte asgjë më të bukur dhe njëkohësisht asgjë më të tmerrshme nga ajo vizitë e papritur. Deshi të pyeste se çfarë po ndodhte, por asnjë fjalë s’i delte nga goja. Ai vuante nga padurimi t’i mësonte të gjitha, vetëm me një fjalë të saj të zgjidhte misterin e asaj ardhjeje, por nuk shqiptoi asgjë.
E lehtësoi Dorothenë të vendosej diku, por ajo në fillim e refuzoi. Teshat e saj i kishte lënë në një vend të panjohur, por të sigurt. Heshtja e saj qe si e një Sphinx-i. Sytë e bukur do t’i mbusheshin me lot, po të mos i mbante me një sforcim të imponuar.
E ftoi për drekë. Vajtën në Glifadhë me automobilin e Legatës. E pyeti mbi shëndetin e Mbretit:
-Mirë-iu përgjigj ajo.
E pyeti mbi shëndetin e saj.
-Shumë mirë-tha me një kënaqësi të rremë.
Qemali i dashuronte me forcë. Ajo e shihte në sy. Por megjithatë që të dy shëtitën Athinën në heshtje”.
Titulli i kapitullit të pestë të shkrimit të “Kathimerini” vinte ankthshëm: “Edhe vrasje të tjera”. Pastaj i lëshonte në vrap fjalët e tjera të rrëfimit: “Qemali në mbrëmje e humbi. Njëmijë dyshime i kalonin nga mendja.
Mos kishte ardhur edhe Mbreti në Athinë, incognito? Mos kishte ngjarë ndonjë gjë e tmerrshme në Pallatin e Shqipërisë?
Gjithë natën mbeti i ngrirë, pa gjumë, i veshur, në zyrën e tij, në Legatë, duke pritur të papriturën. Por u gdhi pa e kërkuar njeri. Atëherë kuptoi se puna më e mirë ishte të lajmëronte Mbretin mbi këtë ardhje misterioze. Edhe e bëri. Dërgoi një telegram shifër me të cilin lajmëronte se Baronesha arriti në Athinë, fare mirë nga shëndeti, se e vizitoi, pa i thënë asgjë mbi qëllimin e udhëtimit.
Kështu ai gjendej në rregull përpara mikut dhe zotit të tij, të cilin e njihte më mirë se kush tjetër, si të rrezikshëm dhe të tmerrshëm.
Por Ahmet Zogu, duke marrë lajmin, u shqetësua. Frika e tij se Dorothea ishte e dyshimtë, po vërtetoheshin. Mendimi se Dorothea donte Qemalin po ashtu u vërtetua. Dhe një krizë e re nervash, e kapi. E kuptoi haptazi ekzistencën e një komploti kundër tij, të organizuar së jashtmi.
Vrasje të përsëritura, në i mbani mend, shqiptarësh armiq të Zogut, u bënë prej refugjatëve që gjendeshin në tokën greke. Pikërisht po në atë kohë...”
Në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë shkrimi i “Kathimerini” i 14 qershorit 1934, i përkthyer atë kohë nga Vasfi Xhomo dhe për lexuesin e këtij libri nga autori thjesht i përshtatur gjuhësisht më mirë, këtu ndërpritet. Pjesa tjetër nuk gjendet. Me siguri e përditshmja greke duhet të ketë cituar, prej këtyre vrasjeve, edhe atë të Hasan Prishtinës.
Ajo pati ngjarë në Selanik një vit më parë. Studiuesi Azis Gjergji ka bërë të ditur se në të kishte rol edhe Qemal Mesaré, ato kohë konsull në atë qytet. “Maqedonia e Re” e datës 14 gusht, shoqëruar me një foto tronditëse të trupit të pajetë të Hasan Prishtinës dhe një tjetre bust nga ato që bën policia, i jetëmarrësit, shkruante: “Një tjetër vrasje që u bë në rrugën Çimisqi, tronditi Selanikun. Politikani shqiptar Hasan Prishtina u vra në qoshen Çimisqi në Vogaxhiku, përpara bakallhanes “IVI”. Shqiptari Ibrahim Çelo, 38 vjeçar, i papunë, qëlloi pesë herë ish-kryeministrin shqiptar Hasan bej Prishtinën. Vrasja u krye në orën 2 mbasdite më datë 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhane “IVI” dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J. Janopullo. Njeriu me pamje të zymtë nxori rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurt për përfundimin e aktit të vrasjes. Fill pas krimit të tij vrasësi, që t’i ikë rrezikut prej turmës së mbledhur, e cila iu vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku.
Nga tronditja ai ra në vitrinën e tregtores “Beharnae” të cilës ia dëmtoi tendën, por rimori veten, për t’u turrur drejt rrugës “Paleon Patron”, ku u rrethua nga turma, që e ndiqte me synime të errëta. Vrasësi hyri në banesën e mjekut z. Dukidhis, ku dhe ju dorëzua rojës së policisë. Por nuk mundi t’i shpëtojë egërsimit të turmës. Kalimtarët që e ndoqën dhe banuesit fqinjë të çdo moshe, shtrese, pa ditur identitetin e tij dhe as motivet e vrasjes, të indinjuar nga egërsia që tregoi vrasësi ndaj viktimës, sa panë të vijë skuadra e policisë, u turrën dhe ata duke thirrur “Shqyheni, shqyheni, vrasësin!” Ndërsa polici më kot përpiqej të shpëtonte atentatorin, turmat u turrën drejt tij dhe nisën ta grushtojnë, duke i shkaktuar mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit. Do ta kishin çarë përgjysmë vërtet, nëse nuk do ia mbërrinte të hynte në një tjetër shtëpi, në rrugën “Paleon Patron”, ku u strehua nga i zoti i shtëpisë, i cili nxitoi tu mbyllte derën e jashtme turmave të zemëruara. Pas pak mbërriti sekretari i policisë, nëntogeri z. Zografo, dhe vrasësin e transferuan me motoçikletë në Seksionin e tretë të policisë. Hasan Prishtina, i mposhtur nga plagët, u dërgua ndërkohë në Spitalin Popullor, ku trupit të tij iu bë autopsia. Në orën 2.50 minuta pasdite oficeri Sotiriu nisi hetimet me përkthyes, pyeti vrasësin nëse e njihte gjuhën greke, ky u përgjigj se njihte gjuhën shqipe, frënge dhe gjuhën turke. Vrasësi nënvizoi se akti i tij u dedikohet motiveve politike. Ndërkaq pretendoi se ish-kryeministri i atdheut të tij qe komit dhe bashkëpunonte me komitetin bullgaromaqedonas me qëllim që të vrisnin mbretin e Shqipërisë Ahmet Zogun. Planet, thotë atentatori, m’i tregoi Hasan Prishtina përpara pesëmbëdhjetë ditëve, kur po vinim prej Vjene (Austri) dhe më bënte presion që të bëhesha unë kryetar i bandës komite dhe të shkoja në Tiranë ku të vrisja mbretin Ahmet Zogu. Prishtina, vijon vrasësi, më premtoi shpërblim mujor dhe një shpërblim dhuratë mbas aktit të vrasjes, por unë i kundërshtova këto propozime të tij, sepse jam pro regjimit të mbretit Ahmet Zogu dhe nuk dëshiroja të bëhem vegël e Hasan Prishtinës, të cilin në Shqipëri e quajnë tradhtar. Ibrahim Çelo jetonte në Nikea të Francës dhe ishte tregtar frutash, qe i martuar me një spanjolle, me të cilën kishte dhe fëmijë. Atje u njoh përpara disa vitesh me Hasan Prishtinën, që ish shpërngulur në Nikea për hir të çlodhjes dhe kishin lidhur marrëdhënie familjare. Gjatë njohjes midis tyre Hasan Prishtina i kishte treguar për rininë, vështirësitë që kishte kaluar pas largimit nga Shqipëria në Turqi dhe Bullgari. Në Turqi pat gjetur miq të vjetër dhe bashkëluftëtarë kundër xhonturqve. Mori pjesë në një shoqatë të fshehtë me bashkatdhetarët e vet për çështjen shqiptare”.
Shkrimi i hollësishëm i “Maqedonia e Re” mbyllej këtu, tepër i qartë jo vetëm në detajet e vrasjes, por edhe në pohimin e drejtpërdrejtë të autorit për motivet që e patën shtyrë. Ish-kryeministrin Prishtina e pati qëlluar për vdekje sepse ky do të vriste Ahmet Zogun. Kjo donte të thoshte se në rrethana të tjera, kur ai nuk do të përbënte asnjë rrezik ndaj kryetarit të shtetit shqiptar, atentatorit as do t’i kishte shkuar ndërmend një veprim i tillë.
Megjithatë edhe të nesërmen, më 15 gusht, deklaratës politike të vrasësit gazetat nuk i dhanë spikatje, por mbetën të mbërthyera në dinamikën tronditëse të atentatit. “Spiros” e Janinës ngulte këmbë se “Vrasësi shtiu kundër viktimës shtatë herë, prej të cilave katër plumba e goditën këtë në figurë dhe e lanë në vend të vdekur“. Tashmë të përditshmet greke shkruanin me bindje se vrasja qe kryer nga agjentura shqiptare e bashkërenduar me atë jugosllave. Nuk e përjashtoi këtë interpretim edhe “Apogjevmatini” e Selanikut. Përpjekja që kish bërë Ibrahim Çelo për ta shpallur si veprim individual, e vetëm një admiruesi të Ahmet Zogut, nuk funksionoi.
Të ndodhur nën këtë sulm, që nga Tirana ministri i Punëve të Brendshme, Musa Juka, më 16 gusht, i dërgoi Qemal Mesaresë këtë udhëzim veprimi: “Disa fletore greke, për vrasjen e Hasan Prishtinës, duan të thonë, gjoja, se ka qenë e shtytur prej Shqipërisë…Fletorja e atjeshme mbi çështjen duhet të botojë artikuj tue deklarue se vrasësi i Hasan Prishtinës, Ibrahim Sheloja, i lindur në Resnjë të Jugosllavisë, nuk është shtetas shqiptar dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me Shqipërinë… Shkaku i vrasjes mund të ketë rrjedhur për arsye personale, pasi Ibrahim Shelo ishte mik i vjetër i Hasan Prishtinës, rritur e ndihmuar prej tij…“. Pastaj Juka përcillte hipotezën e tij: “Vrasja mund të jetë organizuar nga refugjatët revolucionarë shqiptarë që kanë qenë në lidhje me Moskën“. Një rresht më poshtë i jepte një shpjegim dyshimit të tij: “Hasan Prishtina ka qenë kryetar i grupit konservator dhe kundërshtar i grupit revolucionar…”
Por të nesërmen, më 17 gusht, “Tahidhromos” botoi këto radhë, që tërhoqën menjëherë kërshërinë e lexuesve: “Ja dhe një element, i cili dëshmon se medoemos ndonjë dorë e huaj ka marrë pjesë në vrasje. Vrasësi Çelo që nga burgu i ka dërguar një telegram zonjës Xhemile, e cila banon në Resnjë të Jugosllavisë: “Hasan Prishtina u rregullua, unë jam mirë, mos u shqetësoni. Ibrahim\". Korrespondenti shprehet se “marrësi i telegramit nuk është grua” dhe hedh hipotezën se ishte fjala “për një agjent të organizatës, e cila interesohej për vrasjen e Prishtinës”.
Në përpjekje për të bërë dritë mbi terrin e ngjarjes, por mbase edhe për ta devijuar qëllimshëm atë, në 18 gusht, referuar shtypit grek, “Jugoslavinska Poshta” botoi lajmin: “Selanik, 17 gusht. Në varrimin e Hasan Prishtinës morën pjesë një shumicë e madhe emigrantësh shqiptarë, kundërshtarët e regjimit të sotëm. Tani kuptohet qartë se u vra për intriga politike. Si mik i Fan Nolit, Hasan Beu luante një rol kundër regjimit të Shqipërisë. Prej emigrantët shqiptarë besohet se atentati është bërë nga ana e qeverisë shqiptare. Emigrantët thonë se Ibrahimi (atentatori) ka ardhur në Selanik nga Shqipëria (Korçë)...”
Ndërkohë gazeta greke “To Fos”, e po kësaj dite, duke mbajtur një qëndrim të kundërt nga simotra jugosllave, shkruante “Në Beograd asnjë gazetë dhe asnjë parti nuk mungoi të theksojë se në personin e të vrarit u zhduk njëri prej armiqve më me rëndësi të politikës serbe në Shqipëri, bile edhe një prijës i rrezikshëm i minoriteteve shqiptare në Serbinë e Jugut… Ndjenja e papërmbajtur e kënaqësisë për këtë vrasje domosdo nuk është mjaft që të tregojë se serbët e organizuan...Me gjithë që hetimet mund të sjellin në dritë gjëra të habitshme, prapë Beogradi është i qetë. Askush nuk do të mundë të shkoqitë ç’janë gatuar rreth kësaj vrasjeje. Askush! Se drama e Selanikut është nga ato dramat misterioze që mbyllen brenda në korridoret e errëta të Ministrisë së Jashtme ose janë objekte të marrëveshjeve të fshehta dhe intrigave të pazbuluara. Shumë janë shkruar për Çelon, por askush nuk ka për ta zbuluar dorën misterioze, e cila i dha revolverin dhe arkën që përmbante mjetet e bollshme. Çeloja, i ashtuquajturi pemëshitësi i Resnjës, me pasurinë e tij reale apo të fantazuar, do të mbetet një personalitet i errët me fund të paditur. Askush s’ka për ta marrë vesh kurrë se oborri i Tiranës e lajkatoi apo Beogradi e fanatizoi. Diplomacia ballkanike është një labirint!”
Kështu gjykohej apo hamendësohej vrasja e Hasan Prishtinës në atë gusht të vitit 1933, por në dekadat e mëpasshme koha bëri të vetën dhe u dha mundësi zhbiruesve të arkivave t’i afrohen sadopak të vërtetës. Më së pari i bëjmë të ditur lexuesit se Resnja jo vetëm këtë kohë, por edhe shumë më pas, ka qenë në territorin jugosllav një qendër spiunazhi dhe zbulimi. Ndërkohë sipas studiuesit Azis Gjergji në ditarin e shërbimeve konsullore të Mbretërisë Shqiptare të vitit 1933 janë shënuar të gjitha lëvizjet e Hasan Prishtinës: më 10 janar qe në Vjenë, më 16 mars në Bukuresht, më 1 prill në Sofje, më 11 prill në Selanik, më 1 maj në Stamboll, më 1 qershor në Vjenë, më 6 qershor në Budapest, më 23 qershor në Vjenë, më 30 qershor në Stamboll dhe më 1 korrik 1933 në Selanik. Sipas tij vrasësi i paguar Ibrahim Çelo kishte gjashtë muaj që po e ndiqte viktimën e vet. Në gjurmët e Hasan Prishtinës ai pati udhëtuar nga Franca në Vjenë dhe nga Vjena në Athinë. Bileta e prerë në një agjenci italiane në Piré për vaporin “Tevere” mban datën 24 korrik 1933. Nga Brindisi, shkruan studiuesi Gjergji, gjurmët e tij ishin gjetur në Durrës e Korçë. Më 3 dhe 4 gusht Ibrahim Çeloja qëndroi në shtëpinë e tij në Resnjë dhe prej aty u nis drejt Selanikut, ku do të kryente edhe vrasjen.
Gjithnjë sipas Azis Gjergjit njoftimin mbi mbërritjen e Hasan Prishtinës në Selanik e dërgoi në Tiranë vetë kryekonsulli Qemal bej Mesareja me telegramin e tij të datës 3 korrik 1933. Ai e informonte qendrën se nuk e dinte arsyen e vërtetë përse i ndjekuri prej tyre qe transferuar nga shtëpia e të vëllait Ymer Prishtina për në Hotelin “Astoria”. “Sado që vëzhgohet me kujdes, shkruante me kod Mesaré, Prishtina nuk shihet veçse me të vëllanë e tij”.
Studiuesi në argumentim të idesë së vet se në këtë vrasje politike ka një kombinim agjenturor të Tiranës me Beogradin, ku me përparësi mbetet ajo shqiptare, thotë se pas kësaj Qemal bej Mesaré nga kryekonsull në Selanik u transferua në Athinë me detyrën e Ministrit të Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë të Mbretërisë Shqiptare në Mbretërinë e Greqisë.
Koha që rrodhi më pas shpërndau, por edhe përhapi më shumë, mjegullën e dendur mbi motivet e vërteta të vrasjes së politikanit shqiptar nga Kosova. Sepse në të misteri nuk pushonte kurrë ajo u kujtua prej shtypit grek në ditët kur ai bënte hamendje dhe thashetheme mbi motivet e vërteta të vetëvrasjes në Athinë të baroneshës De Ropp.
Burime që nuk e treguan sinqerisht vetveten dhe kështu nuk u identifikuan kurrë, kanë përfolur se lituania e bukur u shfaq në Tiranë vetëm për mision agjenturor. Ato ngulin këmbë se biondja e bukur qe vënë në shërbim të spiunazhit italian, por në rol të dyfishtë bashkëpunonte edhe me atë jugosllav. Kur Ahmet Zogu nisi të dyshonte, ajo mori urdhrin të ikte. Kështu u largua nga Shqipëria dhe shkoi në Athinë.
Në kryeqytetin grek u rekrutua edhe nga shërbimi i fshehtë sovjetik.
Nën këtë strehë nuk ndenji shumë. Mbase prej asaj agjenture iku edhe për mospërputhje bindjesh politike apo se nuk u ndjente veten të gatshme të rrinte në një krah me ata që familjes së saj i kishin sekuestruar pasurinë.
Pasi u shkëput prej bolshevikëve De Ropp u rilidh me spiunazhin italian dhe jugosllav.
Sipas legjendës së përhapur nga burimet anonime baronesha ia rrëfeu Qemal Mesaresë gjithçka dinte rreth shërbimeve të fshehta italo-jugosllave. Porse edhe Roma, po ashtu edhe Beogradi, e diktuan tradhtinë e saj. Të dy rrjetet agjenturore e kërcënuan Dorothea De Ropp se do ta vinin në dijeni Ahmet Zogun për aktivitetin e saj të mëparshëm kundër tij dhe Shqipërisë. Kështu baronesha u fut në gjendje të vështirë, pa asnjë rrugëdalje.
Gjithnjë sipas atyre vrimave nga ku shpërndahej kjo enigmë, Mesaré pati kohë që e kishte braktisur spiunen e shumëfishtë. Ja pse ajo, në krizë të plotë ekzistence, vrau veten.
Gjithsesi pamja e agjenturore e vetëvrasjes nuk tërhoqi kurrë vëmendjen e athinasve. Qe më joshës profili i saj rozë, të qenit dashnore. Grekët u mësuan me këtë pamje të saj, madje e shndërruan në kult e model flirti.
Në 15 qershor, madje, “Eleftheros Anthropos”, “Athinaika Nea” dhe “Proia” përshkruan vetëvrasjen e një djaloshi grek pikërisht tek vendi ku ia mori vetes jetën baronesha von Der Ropp.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|