|
Ekskluzive/Baronesha që rrëmbeu zemrën e Zogut, një spiune?
Pjesa e tretë e sagës
(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 21 korrik 2013)
Por ishte gazeta tjetër turke “Aksham” e 25 majit, e cila në faqen shtatë të saj, shtylla e parë, ekspozonte bujshëm titullin “Mos qe spiune gruaja që u gjend e vdekur në Athinë?” Nën të gazeta rreshtonte fjalët misterioze “Aventura e gruas ruse që njihej me Mbretin Zog në Tiranë dhe që dashuroi një diplomat shqiptar”.
Në pjesën e parë të artikullit “Aksham” përshkruante, me një stilistikë të ndezur, bukurinë magjike të De Ropp, edukatën e lartë dhe kulturën e saj, pozitën shoqërore të plotë, origjinën si bijë dere fisnike dhe që në krye të emrit mbante titullin Baron. Shtonte se e vetëvrara i pati siguruar vetes një pozitë të lartë ndër ambientet e rrethet e Athinës, se i hapeshin të gjitha dyert e salloneve, se qe një sportiste e nxehtë dhe se çdo ditë, sapo ngrihej nga shtrati, ndodhej ose në ndonjë automobil luksi ose mbi kalë duke shëtitur buzë detit. Kush e shihte ndalej, sugjestiononte lexuesin “Aksham”. Pastaj vazhdonte rrëfimin për trupin e saj gjigand dhe pamjen e bukur. Në fund fliste për “plumbin në tëmth”.
Duke e ngutur më tej tregimin e asaj historie intriguese, në pjesën e dytë, të paraqitur me fjalët “Hetimet e para”, gazeta i përshkruante lexuesit se De Ropp edhe në ditën e saj fatale qe ngritur si zakonisht, në ora 7.00. Pasi kishte ngrënë mëngjesin në pensionin ku rrinte, pati dalë nga shtëpia me uniformën si Amazonë dhe i hipi kalit duke zbritur në breg. Pasi i dorëzoi kalin garsonit, u tërhoq nëpër shkëmbinjtë e atyre anëve. Vdekja pati qenë misterioze, hetimet me përfundime mjaft të çuditshme.
Në pjesën e tretë, “Prej Vladivostokut në Riga”, gazeta “Aksham” shpjegonte se baronesha kishte lindur në vitin 1900 në Vladivostok. Pas revolucionit bolshevik iu konfiskua i gjithë pasuria, malli dhe pronat. Kështu u shtrëngua të shkojë në Riga, Letoni. Aty u martua me një oficer të vjetër rus dhe lindën dy fëmijë. Më pas prej të shoqit u ftoh, për shkak të sjelljeve të rënda të tij. E la. Shkoi në Gjermani për të kërkuar fatin.
Pjesa e katërt, e titulluar “Një dashuri në Tiranë”, e thurte rrëfimin me historinë e disa aventurave të saj në Gjermani dhe në shtetet e Perëndimit, ndërsa vetëm para dy vitesh pati shkuar në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë. “E shkuemja e saj në këtë qytet të vogël ku jeta shoqërore është shumë e ngushtë dhe lojërat moderne tepër të rralla, konsiderohej nga kjo grua një ngjarje. Siç i ka thënë disa shoqeve të veta, kjo grua paska qenë njohur me Mbretin Zog dhe bile ky i ka propozuar që të bëhej mbretëreshë. Por gruaja e re, porsa paska parë Qemal Bej Mesarenë, ministër në Pallatin e Ahmet Zogut dhe tani ministër i Shqipërisë në Athinë, ra në dashuri marrisht me të. Qemal Beu duke pranuar këtë dashuri, ka dashur të martohej me të. Mbreti Zogu, duke ndaluar martesën e nëpunësve diplomatë jashtë vendit, ua vështirësoi bashkimin...Por ajo u nis për në Korfuz. Tha se do të shkonte të ndërronte ajrin...”
Paragrafi i fundit i asaj pjese të katërt të shkrimit në “Aksham” thoshte se në dhomën e pensionit, ku De Ropp rrinte, ishin parë disa fotografi të Ahmet Zogut, “mbasi ministri shqiptar në Athinë nuk i mori dy letrat. Ato rrinë në dosje të mbyllur tek Prokurori i Përgjithshëm”.
“Mos qe spiune?” kushtronte pjesa e pestë e shkrimit të gazetës turke. Pastaj vijonte pa e mbajtur frymën: “Kjo tragjedi misterioze ka zgjuar këtu një përshtypje të thellë. Në të gjitha sallonet vazhdojnë thashethemet rreth kësaj ngjarjeje. Edhe shtypi i këtushëm shkruan duke mbushur shtyllat e Fletoreve me komente. Ka që thonë edhe se kjo grua e re dhe e bukur është një ndër gratë spiune që ndonjë nga Mbretëritë e Mëdha e ka përdorur për të mbledhur fshehtësira në emër dhe në llogari të saj”.
Siç duket 25 maji 1934 do të qe dita e mbingopjes me akuza kundër Ahmet Zogut, prandaj pasdite nga Ministria e Punëve të Jashtme u nis një telegram urgjent për legatat shqiptare në Beograd, Londër dhe Paris: “Ju autorizoj të përgënjeshtroni kategorikisht lajmet se gjoja Baronesha De Ropp ka pasur relacione me Mbretin e Shqiptarëvet. Baronesha është e njohur në Tiranë vetëm me lidhjet që ka pasur me Tenis Klub, me botën diplomatike dhe me disa shqiptarë pa rëndësi”.
Po atë ditë Qemal Mesarè që nga Athina i dërgonte ministrit Xhaferr Vila raportin e tij me numër 232/II. Thoshte se në vijim të shkresës së mëparshme, në të cilin e kishte informuar për takimin me kryeministrin grek Caldaris dhe se ky, me gjithë premtimin, nuk pati bërë asnjë deklaratë zyrtare, qe ankuar tashmë tek dekani i trupit diplomatik, rumuni Raskanao. Sipas Mesarè-s ky i fundit i pati shfaqur simpatinë dhe mbrojtjen. I kishte thënë po ashtu se qeveria greke duhej të ndërhynte. Vetë Masarè, siç shkruante në raport, arsyetonte se qeveria greke këtë qëndrim e kishte të paramenduar dhe se ai ua pati shprehur hapur gjykimin e vet. Kjo që po ndodhte nuk ishte në përputhje me ndjenjat miqësore mes dy shteteve.
Në mbyllje të raportimit diplomati i parë i Shqipërisë në Athinë shtonte se “Eletheros Anthropos” vijonte rrëfimin e saj romanesk.
E nesërmja, 26 maj, do ta gjente fjalënajën e vetëvrasjes së baroneshës De Ropp dhe të lidhjeve të saj dashurore në faqet e gazetës “Journal des Nations”, brenda në Gjenevë. Kjo donte të thoshte në vetë Lidhjen e Kombeve. Në Stamboll, ndërkohë, gazeta “Aksham” shkruante “Idhnimi në mes të Shqipërisë dhe Italisë ka gjetur gradën më të lartë”.
Por ndërkohë në Tiranë kishin vendosur për t’i shkuar gjer në fund të gjitha përpjekjeve për të ndalur këtë përmbytje fjalësh, të cilat po përbaltnin të parin e shtetit dhe vetë Shqipërisë. Ministri Xhaferr Vila e priti me ankth aksionin e përgënjeshtrimit të shpërthyer një ditë më parë nga legatat vartëse. Londra ia kishte dalë. Ajo në Beograd, me firmën e drejtuesit të saj Rauf Fico, njoftonte se “Në përgjegje t’urdhërit shifruer N. 145/III e datë 25.V.934, kam nderin t’ju parashtroj se me që shtypi i këtushëm nuk ka bërë as pak fjalë mbi çështjen e Baroneshës de Rop, nuk e gjeta t’arsyeshëm të bëjë përgënjeshtrimin e porositur mbi këtë lajm të pa njohur prej publikut të këtushëm”.
Ethem Libohova nga Legata e Parisit, në orën 15.00, me vetëm 16 fjalë, e telegrafonte Ministrinë e Jashtme se “Përgënjeshtrimi asht bërë me kohë. Datë 22 maj”.
Po atë ditë të 26 majit drejt Ahmet Zogut ministri Vila dërgoi një letër, e cila niste me “Lart Madhëri...” Që në fillim i tregonte mbretit se qe takuar paraprakisht edhe me kryeministrin dhe të dy patën rënë dakord të thërritnin në Ministrinë e Punëve të Jashtme Ministrin e Greqisë në Tiranë. Këtij do t’i kërkonin realizimin e këtyre dy pikave: “1) Qeveria greke të botonte një deklaratë ku të dezaprovonte botimet fyese dhe shpifëse kundër Personit August të Mbretit tonë dhe 2) Në bazë të ligjit mbi shtypin, Qeveria Greke të ngarkojë prokurorin të çelë padi kundër drejtorit të gazetës “Eleftheros Anthropos”.
Më pas Xhafer Vila raportonte: “Zotin Dimandopullos e thirra, i kërkova satisfaksion dhe i shfaqa hidhërimin dhe indinjatën e Qeverisë Shqiptare për botimet e paturpshme, sa unë ndjej një turp t’i parashtroj Mbretit t’im përkthimin e tyre”.
Në raportimin me shkrim ministri i Jashtëm e informonte Zogun se diplomati i parë grek në Tiranë i kishte premtuar se deri të hënën do të qe në gjendje t’i kthente një përgjigje. Po ashtu se pati pohuar që ai që në fillim të asaj historie, e kishte bërë përpjekjen e vet dhe i pati telegrafuar Athinës.
“Nga këndimi i shkresës së z-it Messaré, vijonte letrën e tij Xhaferr Vila, kuptohet se ay po përpiqet t’i japë ngjarjes një ngjyrë tjetër. Dhe unë personalisht, nuk e gjeçë oportune që ay të kërkojë, siç e bëri, ndërhyrjen e Dekanit të Trupit Diplomatik në këtë çështje, për të mbrojtur veten e tij.
Në lajmet e shtypit pamë një kundrështim me ato që na ka shkruar përfaqësuesi ynë për çështjen e dy letrave të vulosura që paska lënë Baronesha në drejtim të z-it Qemal Messaré. Ky i fundit thotë se ka intervenuar pranë Kryeministrit që t’i dorëzohen letrat, kurse gjyqtari pyetës u ka deklaruar gazetarëve se këto letra që përmbajnë zgjidhjen e misterit nuku dashka t’i marr në dorësim përfaqësuesi i Shqipërisë.
Hetuesi thotë se nuk i çel dot letrat, në bazë të ligjës mbi inviolabilitetin e korespondencës.
Në rast se Lart Madhëria e Juaj e gjykon të arësyeshme, do të mundim t’i telegrafojmë përfaqësuesit, z-it Qemal Messaré, t’i marrë këto letra në dorëzim dhe pa i çelur, të na i dërgojë në Ministri”.
Më pas në raportimin e Vilës për Ahmet Zogun gjenden edhe këto fjalë: “....Me pjesën sensacionale të ngjarjes që e ka vënë në lidhje me Personin August të Mbretit, ka qenë vetëm gazeta “Eleftheros Anthropos, e cila është një fletë e paturpëshme, mjeshtëria e së cilës është të fyej dhe të diffamojë për të tërhequr të holla. Përkundrazi, gazeta “Kathimerini”, qeveritare dhe serioze, boton se gjithë lajmet që e vënë Personën e Mbretit në lidhje me këtë ngjarje, janë imagjinare dhe fantastike.
Jam i mendimit që, për të ndriçuar çështjen, si edhe deri në ç’pikë është fajtor z-i Messaré, do të jetë mirë të dërgojmë.....”
Vila i propozonte mbretit një grup inspektimi.
Dy ditë më pas, në 28, i dërgoi Qemal Mesarè-s në Athinë një telegram të shifruar, në të cilin i bënte të ditur se nuk ia miratonte përpjekjen për t’i kërkuar ndërhyrjen dekanit të trupit diplomatik të Athinës. I komunikonte po ashtu se e ndalonte të bënte të njëjtën gjë edhe pranë qeverisë greke. Shtypi shkruan se ju nuk kini dashur të merrni dy letrat në fjalë, i tendoste fjalët Xhafer Vila. Ju autorizoj të merrni të dy letrat, e urdhëronte, dhe pa i çelur t’i dërgoni sa të shpejt në sekretarinë Laçi në Tiranë.
Sapo e lexoi mesazhin e qendrës, brenda ditës, Messaré i nisi ministrit të tij në Tiranë telegramin e vet të shifruar. Brenda në tekst i ngjeshi fjalët fort. I lutej shefit që t’i parashtronte Madhështisë Tij Mbretit të Shqiptarëve se ishte kategorikisht gënjeshtër dhe se nuk pati dashur t’i merrte letrat. Përkundrazi, ngulte këmbë, i kishte kërkuar që në fillim Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë t’i jepeshin në dorëzim. Vijonte: “Efektivisht letrat më janë dorëzuar nga Sekretari i Përgjithshme të Ministrisë P. Jashtme më njëzetë e gjashtë të muajt vazhdues, mbasi njëna dhe tjetra janë absolutisht personale dhe s’kanë asnjë lidhje me interesat kombëtare ose interesat politike”. Në fund i thoshte se ato dy letra i pati djegur qysh ditën e parë. Njëzetë e nëntë maji, për çështjen De Ropp, regjistroi dy ngjarje të tjera. Njëra qe shkresa rezervate numër 232/IV, me të cilën Mesarë i bënte të ditur Xhafer Vilës se e kishte marrë telegramin e shifruar të tij. Tjetra ishte një shkrim në “Kathimerini”. Këtu ndodhej një letër e Safet Bej Dinos, deputet në Greqi i Çamërisë dhe i Janinës. E pati dorëzuar në gazetë që në 27 maj. Në të ai kritikonte sjelljen e shtypit të Athinës si spekullues për çështjen e të vetëvrarës, duke shkaktuar kështu dëm në miqësinë greko-shqiptare.
Zemërim, por të fshehur, kishte edhe në telegramin e përgjigjes, të cilin Qemal Mesarë i dërgonte Xhaferr Vilës: “Mbasi letrat ishin drejtuar në emrin tem dhe ishin personale dhe nuk përmbajeshin kur gjë për të tërhequr një interesim të veçantë-çdo lloj të jetë-duke përdorur të drejtën t’eme, i dogja me një herë; d.m.th. ditën e marrjes në dorëzim.
Faza e fundit të kësaj ngjarje u-mbyll në këtë mënyrë. Për dijeni shtoj se dhe shtypi, pa përjashtim, ka pushuar botimet e tij fantastike.
Sa për mos aprovimin nga ana e Ekselencës s’Uaj e demarshes seme pranë Dekanit, detyrohem të Ju jap shkoqitjet e nevojshme që vijojnë”. Më pas Mesare shkruante se ishte rregull që edhe për çështje personale, për të ruajtur figurën e të tjera probleme, t’i drejtohej dekanit të trupit diplomatik në Athinë. Sipas tij ai qe një komunitet i organizuar posaçërisht për këtë gjë. Në fund të telegramit Mesarë thoshte se gjithçka që pati bërë, ishte kryer për të mos e dëmtuar shtetin, por për ta mbrojtur atë dhe Sovranin.
Veç tashmë në Tiranë gjykonin se diplomati i tyre i parë në Athinë e kishte mbushur kupën. Në 30 maj ministri Vila i nisi telegramin e koduar “Mbassi ngjarja e fundit bëri të vështirëshme vazhdimin e misionit tuej Athinë, lutemi nisuni definitivisht për Tiranë dhe dorëzoni zyrën sekretarit si charge affaires në interim”.
Me telegramin tjetër të shifruar, numër 232/V, Mesarë iu përgjigj: “Jam gati të ekzekutoj urdhërin qeveritar që nuk jam fajtor dhe kam shërbyer me nder dhe besnikisht. Por, mbassi kam punë vetiake me rëndësi për të mbaruar, ju lutem të më akordoni leje. Gjith’ashtu, lutemi dërgomëni telegrafisht rrogë dhe shpenzime udhëtimi që të mundem të nisem me një herë dhe të dorëzoj legatën. Lejen do ta përdor në Janinë”.
Në 30 maj Konsullata e Selanikut i dërgoi ministrit Vila, të mbyllur në shifër, këtë raport të gjatë: “Një nga fletoret e këtushme “Maqedhonia” hodhi lajmin se për së shpejti do të botojë një romancë sensacionale me titullin “Dorothea”. Fletorja në fjalë do të mblidhte një shkurtim të fletoreve t’Athinës, veçanërisht të gazetave “Eleftheos Anthropos” dhe “Ellenikon Mellon”.
Drejtorin e fletores “Maqedhonia” e thërritmë drejt për drejt dhe i komunikuamë se në rast se gazetë e tija boton një roman kësisoj, neve nga ana jonë, do të demarshojmë energjikisht për aplikimin e nenit që dënon fletoret deri në 6 muaj burg kur zënë në gojë në mënyrë të ekzagjerueme Sovranët e huaj.
Mbas dy ditëve, Drejtori i gazetës në fjalë, na tha se nuk do të merret me shtypjen e këtij romani.
Siç ju kam parashtruarë dhe me shkresën t’ime të mëparshme, që të gjithë fletoret e këtushme, rreth vetë-vrasjes së Baroneshës Dorothea, heshtnë, dhe ato që shkruanë diçka, gjithmonë mbajtnë një stylë tepër të respektueshmë kundrejt Sovranit t’onë, duke i dhënë ngjyrën e vërtetë vetëvrasjes, kurse ato të Athinës, veçanërisht “Ellenikon Mellon” dhe “Eleftheos Anthropos” nuk munguan të shkruajnë rreth kësaj çështjeje lajme fantastike, dhe dje këtyre lajmeve iu dhanë funt, me pyetje tepër të çuditshme, mbi mos-marrjen e dy letrave në dorëzim, nga ana e Zotit Qemal Mesaresë, të cilat ishin destinuar nga ana e Beroneshës Zotrisë tija. Këto fletore habiten përse Përfaqësuesi Diplomatik Shqiptar nuk i merr përsipër dhe dëshiron të mohojë edhe marrëdhënjet me Baroneshën vetëvrasëse.
Në këtë shkurtim, fletoret e Athinës, tregojnë marrëdhënjet e ngushta të Baroneshës (të vërtetuara nga anturazhi i baroneshës) me Zotin Mesarenë, dhe mu në funt po këto fletore mbarojnë shkurtimin e tyre dhe episodin dramatik, me pikë pyetje mbi qëndrimin edhe në Përfaqësin e Athinës të Zotit Qemal Mesarea...Në këtë Përfaqësi, këtu e disa kohë më parë, kemi njohur gazetarin Zotin Allalluf, korespodentin e shumë fletoreve evropiane. Duke menduar se gazetat e huaja veçanërisht ajo e Parisit “Paris-soir”, e cila është spekulluese e lajmeve sensacionale, munt të shkruante duke i dhënë çështjes një karakter të gabuashmë, iu lutëm të njohurit t’onë, Zotit Allalluf, që t’i japë lajme telefonike fletores në fjalë, si dhe të tjerave, mbi realitetin e vrasjes së baroneshës, d.m.th. duke theksuarë se e përmendura nuk ka qënë e njohur nga Nalt-Mahëni e Tij Mbreti.
Zoti Allalluf, mbas dy ditëve, me një gëzim të sinqertë, na solli disa prej këtyre fletoreve të huaja, me lajmet që konfirmonin shërbimin e tij. Rreth këtij personi i cili dëshiron një shpërblim moral, do t’iu paraqisim një raport të veçantë...”
Në atë maj që po fironte tërë telashe, në Tiranë qenë të bindur se mënyra më e sigurt për të ndihmuar fikjen e ngadaltë të vatrës së nëpërgojimit ndaj Ahmet Zogut qe largimi sa më i shpejtë nga Greqia i Qemal Mesaresë. Në 2 qershor Xhafer Vila i telegrafonte diplomatit të dytë në legatën e Athinës, Sotir Laçi: “Merrni në dorëzim zyrën, llogaritë dhe dorëzoni katër qind franga prej t’ardhurave zotit Messaré për shpenzime udhëtimi”. Në 6 qershor, pasi e kishte lënë pezull urdhrin e Tiranës për plot katër ditë, i shkarkuari ia kthente ministrit të tij: “Me habitje marr njoftim për telegramin shifër adresuar sekretarit (literalisht?). Do t’ju lajmëroj nisjen me marrjen e të hollave që më postuat”. Më 8 qershor Qemal Mesaré i dërgoi Xhafer Vilës një letër, ku thuhej se vendimi i shkurtër i ardhur nga Ministria e diskretitonte para qeverisë greke dhe kolegëve të tij nga tërë vendet e botës, se ai do t’i ngjitej me pamëshirë jetëshkrimit dhe karrierës së tij diplomatike, se nuk pati besuar kurrë që qeveria mbretërore do të mund të vepronte kështu. Pastaj thoshte se nuk e meritonte këtë sjellje, se nuk e kishte diskretituar aspak prestigjin qeveritar dhe se gjithçka që ra mbi të ishte pasojë e një fataliteti, duke u gjetur si viktima e vetme e kësaj historie.
Në fund Mesarë i shkruante shefit të tij se pati punuar me një vetëmohim të madh dhe se të paktën, pas kësaj që ndodhi, që të ndahej normalisht me kolegët, të merrej në mbrojte duke e emëruar në një post dhe përfaqësi tjetër paralele. “Ja paraqitni Mbretit këtë shkresë!”, i lutej.
Por nga Tirana mbërriti në legatë vetëm ky telegram-shifër. I drejtohej Sotir Laçit: “Merrni dorëzim zyrën dhe llogaritë!Vila”.
Ndërkaq në mëngjesin e 12 qershorit e përditshmja turke “Millijet”, e cila dilte në Stamboll, pasi pohonte se e kishte marrë nga gazeta “La Popoulaire”, botonte papritur një lajm që nuk kishte asnjë lidhje me ato rreth baroneshës. E titullonte “Musolini e humbi lojën në Shqipëri”. Teksti i shkurtër thoshte se ajo e pësuar në Shqipëri qe një nga dështimet më të mëdha për një gjysmë shekulli të politikës së jashtme të Italisë.
Në Tiranë kjo prirje e re e shtypit të huaj për t’u marrë me veprimet pavarësuese të vendit të tyre, e ndërprerë në kulmin e vet nga ngjarja e Athinës pothuaj një muaj më parë, në 17 maj, krijoi gjallëri. Kishin nevojë për këtë atmosferë. Që po i rezistonin Benito Musolinit dëshironin dijeni, por edhe përkrahje ndërkombëtare.
Çështja De Ropp kështu, mendonin, do të shuhej edhe më lehtë, fare përfundimisht.
Ishin trishtuar kur në 31 maj shefi i legatës në Beograd, Rauf Fico, u kishte telegrafuar se një ditë më parë pati marrë vesh se pas heshtjes këmbëngulëse të jugosllavëve për të mos i kushtuar asnjë rresht asaj potereje rozë të ardhur nga fundjugu i gadishullit, në 27 maj ishte ndjerë e përditshmja e Zagrebit “Morgenblatt”. Në shkrimin e gjatë për historinë e të vetëvrarës De Ropp, në qendër ishte goditja e Ahmet Zogut. Nuk mungonte asnjë hollësi e nëpërgojuar më parë për lidhjet intime të mbretit shqiptar me lituanen e bukur, se ishte ky që e pati ftuar në Tiranë dhe i vinte nga pas, se në kryeqytetin shqiptar De Ropp qe bërë e fuqishme dhe legjendë dhe se në dhomën e saj në Athinë nga policia greke “u gjend një fotografi e mirë-dhurata e Mbretit Zog”.
Rauf Fico e njoftonte Xhafer Vilën se pas kësaj menjëherë i kishte nisur Zyrës së Shtypit të Jugosllavisë përgënjeshtrimin e ardhur me kohë që nga ministria dhe pikërisht atë ditë, që po e telegrafonte me kod, 31 maj 1934, i tërë shtypi i vendit e botonte deklaratën zyrtare të Tiranës. Rrezikun e një vale të re të thashethemnajës diplomati Fico e konsideronte të mbyllur.
Dhe në Jugosllavi, ku qeveria dhe opinioni, të dëshiruar që influenca e Italisë fashiste në Shqipëri të mpakej e tretej e kështu kufirin jugor dhe bashkë me të edhe trojet e Kosovës, t’i kishin të qeta, temën e baroneshës dashnore të Zogut, nuk e prekën më.
Mirëpo ishte Greqia që nuk jepej. Mes të tjerash një arsye e kishte: lajmin për heqjen nga detyra dhe thirrjen në Tiranë të shefit të legatës shqiptare në Athinë. “Athinaika Nea” e 13 qershorit vinte në dukje se Qemal Mesarë ishte takuar dhe përshëndetur, në shenjë lamtumire, me kryeministrin grek Caldaris. Shkruante se ai do të kthehej në vendin e vet “për arsye të vrasjes së baroneshësh von der Ropp”.
Po atë ditë edhe edicioni i 1276-të i “Eleftheros Anthropos” bënte të ditur se drejtuesi i legatës shqiptare në Athinë do të ikte. Me këtë rast ajo ribotonte përshkrimet rreth vetëvrasjes së baroneshës. Por nuk mungonte të hidhte në ujërat e fryra të fjalënajës edhe një emër tjetër nga të rëndësishmit e Tiranës. Ky ishte Myqerem bej Janina. Sipas gazetës dy letrat misterioze të lëna posaçërisht nga e vetëvrara pati qenë ky që fillimisht i kishte marrë nga autoritetet greke. Pastaj ia kishte dhënë Mesaresë. “Eleftheros Anthropos” ngutej të thoshte se udhëtimi dhe ardhja në Athinë e beut të lartë nga Tirana qe një histori tjetër misterioze. Ajo shkruante se për aq sa ishte informuar Myqerem bej Janina ishte parë duke vënë një tufë me lule mbi varrin e De Ropp dhe me këtë rast u bindën se qenë të vërteta fjalët se edhe ky pati gëzuar privilegjin të ishte dashnor i lituanes së hijshme.
(Vijon)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|