Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Bjondja që çmendi Ahmet Zogun, braktisi familjen


Pjesa e dytë e sagës

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 20 korrik 2013)

Në ditën e 19 majit, ndërsa dy raportimet urgjente të Ministrit Fuqiplotë të Mbretërisë së Shqipërisë në Athinë, Qemal Mesaresë, ende nuk kishin mbërritur deri në zyrën e ministrit të Jashtëm, me statusin “Rezervat”, numrin 42/2 dhe objektin “Mbi botime rreth vet-vrasjes së Baroneshës Ropp”, diplomati i parë i Tiranës në kryeqytetin britanik pati nisur drejt shefit të tij problemin e dalë papritur:
“Zoti Ministër
Dje një përfaqësues i fletores “Daily Mail” u drejtua kësaj përfaqësie duke lypur një pjekje urgjente me Sekretarin e Legatës. Pra, duke kryer edhe këtë detyrë personalisht, e pranova redaktorin e fletores në fjalë, i cili, ndënë përshtypjen se fliste me njërin nga sekretarët, më paraqiti pa shumë ceremoni, një kopje të një lajmërimi telegraphik, dërguar nga Athina prej Agenciës Telegrafike Lajmesh. Landa e këtij lajmërimi përmbahet po thua integralisht në botimin, më datën e sothme, në Daily Express, i cili, raportit që boton, i ka shtuar tituj plot insinuasione. Gjith më këtë mënyrë ka vepëruar edhe “Daily Herald”-i, që nuk lën rast pa atakuar dhe pa disktretituar Vendin dhe N.M, e Tij Mbretin t’onë”.
Pasi saktëson se bashkë me atë raport qenë bashkëngjitur edhe artikujt e prerë prej të përditshmeve të mësipërme, diplomati shqiptar në Londër vijon: “Në rastin e botimeve të fundit denigruese kundër Shqipëriës, pata pasur një bashkëfjalim me krye-redaktorin (Editor) të Daily Mail-it, dhe asi kohe, duke u ankuar nga botimet e pakontrolluara, i kishja suggeruar që në raste analoge të më drejtohej për vërtetimin dhe kontrollimin e lajmeve që mirrte...Përfitova nga rasti t’i shpjegoj përfaqësuesit të fletores se sa absurde ishin lidhjet që përfytyrohen midis vetëvrasjes së një gruaje të dëshpëruar, votimit nga ana e Parlamentit të një ligje të përgjithshme dhe Sovranit të një Shteti. Shpjegimet e mia patën një kaq sukses që “Daily Mail”-it lajmin me terma krejt moderate dhe pa allusione direkte dhe insinuata, e boton në një nga faqet e mesit, dhe jo në faqe të jashtme me tituj e shkronja të trasha dhe fjalë fyese si dy fletoret e tjera. Shtoj se në këtë raportim të Daily Mail-it, ç’ka bje në sy është prapë titulli..
Ndërkohë “Daily Express” shkrimin mbi ngjarjen e Athinës e titullonte “Përbuzi dashurinë e një mbreti. Ai thoshte: “Venus-i blonde” vret vetveten për shkakun e burrit që e dashuron”, Athinë, e premte. Një tragjedi ka shkurtuar romancën e Baronesës së bukur Dorothee von Ropp, njohur si “Venus-i Blonde”. Përbuzi dashuriën e një Mbreti dhe preferoi të shpojë trutë e veta me një plumb revolveri se sa të shkatërojë karierin e burrit që dashuronte, i cili është një nga Ministrat e po t‘atij Mbreti. ....
Marrëzisht në dashuri
Baronesa von Ropp, një Latviane, 28 vjeçe, u njojt me Mbretin Zog të Shqipëriës kur ky ndodhej në Vjenë. Para një vjeti la burrin dhe dy fëmijët e saj dhe ndoqi Mbretin në Tiranë, kryeqytet i Shqipëriës. Mbreti ra marrëzisht në dashuri me Baronesën e bukur dhe ndërtoi një villa charmante për të pranë Pallatit Mbretëror. Pastaj takoi Qemal Bejn e hijshëm, një zyrtar i lartë i ceremoniës në Pallatin e Mbretit. Ra krejtësisht në dashuri me të. Mbreti Zog mësoi mbi këtë romancë. E zëmërua me tepri dhe dha urdhëra që rivali i tij të dërgohej larg nga Tirana. Qemal Beu u emërua Ministër në Athinë. Një ditë baronesa e përmallur për Qemal Beun, mundi të marrë lejen e Mbretit për të bërë një udhëtim deri në Korfus. Nuk u kthye. Në vend që të kthehej shkoi në Athinë dhe për të mundur që të qëndrojë afër Qemal Beut, gjeti një punë si daktilografiste stenografe dhe dha mësime gjermanisht. Kur Mbreti digjoi se ku ndodhej ajo, u trondit prej tërbimi dhe zilie. Për t’a ndaluar martesën e tyre, menjëherë dekretoi ndalimin e martesave të mijseve të Trupit Diplomatik Shqipëtar me të huaja. Baronesa duke u trëmbur për karierin e atij që dashuronte, vendosi t’i japë fund vet-vetes së saj”.
Më 19 maj “Daily Herald”, nga ana e vet, shkruante: “Një mbret shtyn një grua të vrasë vet-veten. E ndaloi nga martesa. Dramë zilie në oborrin e Zogut”, Athinë, e premte. “Një letër e mbyllur e drejtuar Mbretit Zog të Shqipëriës që ka qenë i dehur prej bukuriës së saj, u gjend sonte në odën e baronesës Dorothea von Ropp...Baronesa e ndoqi prapa... Kjo ndalesë e martesës, bashkë me ngushticë të hollash, e shtyjtën baronesën të vrasë vet-hen. Për disa ditë të kaluara ajo kishte marë me qera një kal dhe kishte shkuar kaluar në bregdetin. Sot i hipi kalit për herën e fundit. Shkoi nga ana e detit dhe kur erdhi në një kand të vetmuar të bregdetit zbriti nga kali dhe u ul mbi një shkëmb duke shikuar nga horizonti. Papritur nxorri një revolver nga xhepi i saj. Një minutë ma von ishte e vdekur. Në hotel në odën e saj u gjendën letra nga Legata Shqiptare dhe një fotografi e autografuar e Zogut. Mbi tokë ishin copa të dy fotografive të tjera....piktura të zotit Mesaré. E kishte shkyer para se të nisej në shëtitjen e saj të fundit”.
“Daily Mail” sërish: “Baronessa e vdekur dhe mbreti Zog. Vetvrasje për dashuri?”, Athinë, e premte. Dashuri e pa kthye dhe pa përgjigje kundrejt Mbretit të Shqipëriës thuhet se ka qënë shkakëtare e fatit të Baronessë....Baronessa që ishte një kalorëse e shquar, bënte një jetë me ekstravagancë të madhe dhe vepra e saj e vet-vrasjes në disa qarke u atribuohet vështirësivet financiare, në të cilat ndodhej. Porse disa miq të saj deklarojnë se kur rronte në Shqipëri kishte rënë në dashuri me mbretin Zog, por ma von ishte e disillusionuar...Letra të vulosura. Dy letra të vulosura të drejtuara Ministrit të Shqipërisë në Athinë u gjendën në çantën e saj, por përmbajtja e tyne edhe nuk dihet.
Legata Shqipëtare e këtushme ka bërë një deklaratë duke përgënjeshtruar çfarëdo relate dashurie midis Mbretit Zog dhe Baronessës.
Mbreti Zog, që është i pamartuar, ka okupuar fronin e Shqipëriës qysh shtatorit 1928. Për 11 vjet para kësaj date Shteti ka qenë një republikë, por Zogu kishte shumë dëshmi të talentit të tij administratif kaqë mirë, sa që më 1920, kur ishte vetëm 24 vjeç, ishte emëruar Ministër i Brendshëm. Në dhetuer 1922 u bë kryeministër dhe në shkurt 1925 u zgjodh president”.
Raporti i gjatë dhe i alarmuar, ku qenë rreshtuar çfarë më 19 maj kishin shkruar të përditshmet britanike, i nisur me shpejtësi nga Londra, e vinte në dijeni Xhafer Vilën se “Me të kënduar këto botime denigruese, veçanërisht të dy gazetave të para, u drejtova....nga një letër përgënjeshtrimi...Letra ime drejtuar Daily Herald-it, kësaj fletoreje shpifarake dhe të dobët, është e shkurtër, ku kërkoj përgënjeshtrimin kategorik të lajmit reth relatës imagjinare të N.M. së Tij me gruan në fjalë...
Është rasti, zoti Ministër, që t’ju lutem me kamb-ngulje për të më autorizuar për të marë masa ligjore kundra së paku dy fletoreve Daily Express dhe Herald...
Përfaqësuesit e Daily Mail-it i përgënjeshtrova edhe ndodhjen e Baronessës në Shqipëri, kurse, më vonë mësova nga Zoti Çatin Saraçi se këjo me të vërtetë pakish qënë, në vjetin e kaluar për ca kohë ose ca javë, në Durrës dhe Tiranë. Me këtë rast ka pas njohje me së paku një zyrtar jo pa randësie. Marr liriën të regretoj se fushata difamatore kundrejt Mbretit dhe Vendit t’onë mjerisht rastin ua japim na vetë. Është gjithashtu për t’u regretuar që persona me pozitë të lartë bien lehtësisht në gracka që rënojnë jo vetëm vet-hen e tyre që s’ka rëndësië, porse dëmtojnë interesat e Shtetit në një epokë kaq kritike të jetës sonë kombëtare. E quanj për detyrë t’a cilësoj si abusë që emri i N.M. tij të shoqërohet prej personash që gëzojnë mirëdashjen dhe favoret e nalta të Tij. Shpresoj se do të interpretohet prej Excellencës s’uaj në shpirtrën e zellit t’im për mprojtjen e interesave kombëtare....Duke pritur instruksionet...”
Në 20 maj lajmi e kishte kapërcyer fare lehtësisht jo vetëm ngushticën detare La Mansh, por edhe tërë oqeanin Atllantik. “Paris Midi” e botonte që në faqen e parë: “Fundi tragjik i “Venusit Bjonde” të Ballkanit”. Një ditë më pas, në 21 maj, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte “Chicago Daily Tribune” ajo që i hapte vend. Ajo e vijoi edhe të nesërmen, por me një hapësirë shumë më të vogël. Në 22 maj Ethem Libohova, i cili qe në krye të Legatës shqiptare në Paris, i shkruante ministrit Vila një raport, në të cilin thuhej se “disa fletore të shtypit frëng kanë relatuar me hollësi vetvrasjen e një baroneshe letone në Athinë, duke përmendur se kishte gjoja marrëdhënie në Shqipëri. Natyrisht menjëherë e përgënjeshtruam...”
Komunikata kundërvepruese e Zyrës së Shtypit të Legatës shqiptare në Paris mban datën 23 maj 1934 dhe bën të ditur se është transmetuar nga Radio P.T.T e Qeverisë Franceze tre herë: në orët 12.15, 16.19 dhe 20.30. Përgënjeshtrimi u botua fare shkurt jo vetëm nga “Paris Midi”, por edhe prej “Chicago Daily Tribune”.
Megjithatë shtypi i Athinës nuk kishte ndërmend të heshte. Në 20 maj kishte qenë “Athinaika Nea”, sipas të cilës “Zonja Garsin në deklarimet e saj tha se Ministri i Shqipëris vazhdonte ta mashtonte me premtime e fjalë deri, siç duket, minutën e fundit...Baronesha De Ropp u vetvra sepse kuptoi që njeriu me të cilin pati rënë në dashuri e kishte tradhëtuar...Kjo vërtetohet edhe nga qëndrimi që mbajti diplomati dashnor kundrejt trupit të vdekur të së dashurës së tij. S’u interesua ai, që para pak ditësh e mbante të pushtuar në gjirët e tij, të shohë fytyrën e embël dhe të zbehtë nga gjurma e vdekjes që ai vetë e provokoi”. Ndërkohë “Athinaika Nea” në artikullin e 20 majit pati shprehur një shqetësim, i cili dilte përtej kufijve rozë të ngjarjes. “Taktikë të keqe ndjekin disa nga pjesëtarët e kolonisë shqiptare të këtushme, shkruante, që përzjejnë marrëdhëniet greko-shqiptare me marrëdhëniet sentimentale të një diplomati...Por kolonia shqiptare duke dashur të lidhë një pësim personal të një diplomati me marrëdhëniet e të dy shteteve, u bën një shërbim të keq atyre pa patur për shpërblim kënaqësinë se kështu përmirëson pozitën e ministrit të pafat”. Eleftheron Vima”: “Sa për letrat ato janë edhe në prokurori, mbasi Massareja refuzon t’i marrë”.
Në 21 maj Konsullata shqiptare në Selanik, me raportimin sekret nr. 23, i thoshte Xhafer Vilës se “Fletoret e Athinës që mritën këtu kishin edhe fotografinë e Lart-Madhniës Tij Mbretit. Po këto fletore midis gjithë këtyre lajmeve sensasionale shënonin jetën të vetëvrasëses, spiunazhet e saj dhe marrëdhëniet dashurore që kishte me të Ngarkuarin në Punë në Athinë, Zotin Qemal Mesarea”. Më pas e informonte shefin e Ministrisë së Jashtme në Tiranë se ajo kishte ndërhyrë dhe Zyra e Shtypit e Selanikut qe treguar shumë e sjellshme. Duke filluar nga 20 maji të përditshmet e atij qyteti patën heshtur çështjen e të vetvrarës, kurse ato të Athinës, për fat të keq, vazhdonin ta zgjatnin në mënyrë romantike, “si për shembëll fletorja “Ellenikon Mellon”, e cila këtë çështje tragjike e ka bërë roman feuilleton, tue botuarë dit për dit biografinë e Baroneshës tragjike...”.
Legata e Selanikut me sa dukej e njihte mirë mendësinë e Athinës dhe lojërat që bëheshin atje. Në 22 maj “Eleftheros Anthropos” vijonte të rrëfente në mënyrë romaneske jetën e të vetvrarës de Ropp. Ndërkohë e përditshmja e rëndësishme “Kathimerini” botonte një letër të një ish nënprefekti shqiptar të Tepelenës dhe Libohovës. Ajo, marrë në Tiranë, nga personi i mësipërm qe nënshkruar me emër dhe mbiemër. Gazeta e titullonte “Një bujë pa vend”. Teksti thoshte: “Zoti Drejtor, Lejoini nji qytetari Shqiptar, nënshtetas të N.M. së Tij, Mbretit Zog I. Dhe mik i Greqisë, të protestojë për sa shkruhen në formë romance nga shkaku i vetëvrasjes së baroneshës prej Letonie. Edhe them “në formë romance” pse, ata q’i shkruajnë nuk e njohin karakterin moral e të ndershëm të Mbretit të Shqipëris.
Zogu I ësht njeriu që nga asgjë krijoj Shqipërinë, njeriu që erdhi prej gjirit të popullit Shqiptar, njeriu i cili përmbledh gjithë virtutet e tij dhe i bazuar në dashurin e tij, ecën përpara në formasjonin e një shteti modern të qytetëruar, në gjirët e të cilit elementi grek gjen çdo përkrahje.
Një suveren i tillë që ka parasysh vetëm lumturinë e Shqipëris, nuk ka ngeh për peripeti romantike si ato që përshkruhen në shtypin e Athinës. Por edhe si person Mbreti Zog I me parime morale nga të cilat as për një minutë nuk u largue në gjithë vazhdimin e veprimeve të tij, nuk do të ish kurrë e mundur të bëhesh heroj i sa shkruhen në përshkrimet e dramës së hidhur të baroneshës.
Këto, i ndjej si detyrë, t’i trumbetoj si Shqiptar dhe si mik i Greqisë dhe të theksoj se një shërbim i keq i sjellin miqësisë greko-shqiptare ata qi merren me këtë literaturë romantike të lehtë”.
Megjithatë të nesërmen, më 23 maj “Eleftheros Anthropos” vazhdonte tërë ngazëllim rrëfimin e saj në stil romanesk. Po këtë ditë Qemal Mesare i dërgoi ministrit të Jashtëm Vila raportin sekret me numër 232/I, “Mbi disa botime: Çështja Baronne de Ropp”. Në brendësi shtrihej gjërë e gjatë kjo përmbajtje: “Ju vë në dijeni se gazetat e këtushme-për veç “Eleftjeros Anthropos”, kanë pushuar botimet rreth vetvrasjes së Baoneshës de Ropp. ....por megjithë përpjekjet...gazeta “Eleftheros Anthropos”, gazeta më e ndryshkur e Greqisë dhe e drejtuar prej një njeriu të njohtur (Athanatos) vazhdonte me një poshtërsi të jashtzakonshme të botojë një roman krejt imagjinar dhe të çuditshëm, ku bëjesh fjalë për personin e NM. së Tij, Mbretit si dhe personin t’im, u detyrova të demarshoj, por këtë herë, direktivisht pranë Kryeministrit, Zotit Tsaldari.
Zotit Kryeministër, i cili më priti me një fisnikëri të thellë, i çfaqa mos kënaqësinë dhe hidhërimin teme me të gjitha premtimet zyrtare të Z.Maksimos, Ministër i P. të Jashtme, një pjesë e shtypit vazhdonte të botojë pralla të ndryshme që nuk pajtoheshn as me dijitetin, as me parimet e taktit më elementar që lipet të ruajën kundrejt personit e një Suvrani të nji Shteti mik si dhe përfaqësuesit të Tij.
I përsërita të gjitha provat e pakontestueshme që rrëzojnë në mënyrën më kategorike lajmet të pjellura prej imagjinatës së poshtër të një njeriu si Athanatos, dhe habitjen e hidhërueshme t’eme se qysh Z. Ministër i P. të Jashtme....Zoti Kryeministër, shumë i impresionuar nga fjalët e mia dhe duke çfaqur gjith indinjacionin e tij për botimet në fjalë, më tha se do të telefononte me një herë Prokurorit që të më dorëzohen pa vonesë letrat që ishin gjetur mbi trupin e vetëvrasëses.
Më shtoj se Athanatos është një gazetar i poshtër që kishte atakuar në mënyrën më të qelbur dhe personin e tij dhe shumë persona të tjerë të ndershëm të partisë së tij, por mbasi shtypi kishte një liri të plotë dhe Qeverija nuk kishte asnjë të drejtë të kufizojë këtë liri, e vetmja mënyrë praktike qëndronte në se e shifeshim t’arsyeshme të ngrehim një padije në gjyq pranë Prokurorisë për difamacion kundër gazetës së fjalë.
Në minutën që po Ju shkruaj këto radhë situata qëndron kështu”.
Pasi i kishte bashkëngjitur raportit të tij “Rezervat” copërat e gazetës, diplomati i parë i Shqipërisë në Athinë hidhte në letër lutjen e tij që çfarë pati shkruar “t’i parashtrohen Naltmadhnis së Tij Mbretit”. Në vijim shtonte se “Nga ana tjetër, ju lutem të bëni të ditur me ngutësi në se Legata autorizohet të ngrejë gjyq kundër fletores në fjalë mbasi këtë pikë e gjykova jashtë kompetencës së Legatës pa patur një autorizim nga ana e Qeverisë Mbretnore.
Për veç kësaj jam i bindur se Legata ka mbushur detyrën e saj në këtë rast, dhe në konformitet me zakonet diplomatike ashtu dhe siç na diktonte mprojtja e dinjitetit të lartër të Suvranit t’onë August dhe të Qeverisë Mbretnore”.
Pranë këtij raportimi në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë gjendet edhe një telegram, i bërë nga Mesaré më 23 maj, në orën 19.00. Ka tekst fjalët “Pritni nesër vijimin letrës 232 me avion!” Megjithatë çfarë është dërguar një ditë më pas, mungon. Nuk ndodhet e ruajtur.
Vetëvrasja e lituanes De Ropp, me në sfond përherë fjalënajën se kishte qënë e dashura e Ahmet Zogut, në 20 maj 1934 u shfaq e botuar edhe në Bukuresht, në faqet e gazetës rumune “Universul”. Katër ditë më vonë u kap fort e rrëmbeu vend në kolonat e të përditshmeve algjeriane “La Depeche Algeriene”, “La Presse Libre” dhe “L’Echo d’Oran”. Të dy kryeqytetet, gjeografikisht por edhe në mendësi shumë larg njëri-tjetrit, botë e krishterë njëra dhe myslimane tjetra, gjykonin se tridhjetëvjeçarja ishte ndarë prej të shoqit, të ndodhur në Letoni, që prej një viti. Po ashtu ngulnin këmbë se baronesha De Ropp pati bërë një jetë të çrregullt dhe se, sipas tregimeve të policisë, shkaku i vetëvrasjes ishte mungesa e të hollave.
Ndërkohë, sikur për këtë çështje që po kërshëronte kontinentin dhe i përhapte fjalët deri në brigjet amerikane, të ishte jo në mes të kontinentit por thjesht një ishull i largët, shtypi jugosllav nuk bëzante. Nuk shkruante asnjë fjalë dhe vetëm heshte. Nga dita e krijimit të atij lajmi të bujshëm, por, po ta synoje, edhe mjaft të përdorshëm kundër Shqipërisë dhe Ahmet Zogut, pati kaluar një javë e plotë. Tashmë po hynte e dyta.
Ndërkaq ishte edhe një medie e zgjuar tepër vonë, por e cila e mori menjëherë seriozisht pasqyrimin e asaj vetëvrasjeje. Qe shtypi turk. Ky nuk tërhiqej e joshej nga pamja rozë e kronikës së saj. Kërkonte të zbulonte atë të fshehtë, merak që e kapte përherë për çdo gjë që kishte shtysë në Athinë, në atë udhëkryq ecejakesh të spiunëve prej të paktën tre kontinenteve. Turqia e dinte që nga ai krah gjeografik priste përherë telashe.
E para që reagoi ishte “Apojamatini”, gazetë e minoritetit grek në Stamboll. Qe 20 maj. Lajmin e vrasjes së Madame Dorothesë e publikoi në fare pak rreshta. Ajo që në atë botim binte më tepër në sy, ishte një njoftim tjetër. Bënte fjalë “për oficerët italianë që e kanë lënë Shqipërinë dhe vendin e tyre e kanë zënë oficerët shqiptarë”.
Më 22 maj edicioni 2973 i të përdishmes popullore “Milliyet”, me shkrimin e titulluar “Shqipëria po përpiqet të marrë një hua nga Franca” dhe duke bërë të ditur se burimin e informacionit e kishte në Beograd, i bënte të ditur lexuesit e vet se “Një Ministër i Shqipërisë gjendet në Paris për të bërë të mundur sigurimin e një huaje nga Franca. Shqipëria me një pjesë të kësaj huaje do të blejë nëndetëse nga fabrikat franceze”.
Po atë ditë “Aksham”, me burim Ankaranë, shkruante se “Sipas lajmeve të përhapura Ministri Rushen Eshref bej do të transferohet nga Tirana në Vjenë, dhe i Ngarkuari me Punë në Vjenë Xhevat bej, i emëruar tani rishtas aty, do të transferohet në Tiranë”.
Ishte vetëm gazeta “Son Posta” që tregohej indiferente për veprimet ushtarake dhe diplomatike të Tiranës dhe Stambollit. Ajo pëlqente historinë e ngatërruar me dashuri të tradhtuar nga një diplomat, madje edhe prej një monarku. Në 22 maj spikaste fjalët “Kjo Zonjë për një kohë të gjatë paska qenë në Pallatin Mbretëror në Tiranë dhe për arsye të paditura paska lënë Tiranën për të shkuar në Athinë, ku me Ministrin Qemal Mesaré paska pas marrëdhënie të imta”. Çuditërisht në një paragraf të dukshëm “Son Posta” shkruante se baroneshës lituane mbreti i Shqipërisë i kishte dhënë një detyrë të posaçme. Pa e çuar më tej këtë hipotezë gjithsesi linte të kuptoje se misioni ishte agjenturor.
Një ditë më pas, në 23 maj, ndërsa lexuesit prisnin me një frymë që gazeta të zhbironte edhe më në të fshehtat spiune të De Ropp, ajo botoi, me germa me madhësi modeste dhe pa kurrfarë theksimi në faqosje, tridhjetë radhë përgënjeshtruese: “Sipas njoftimeve që na u dhanë nga ana e Konsullatës Shqiptare këtu, rezulton se kësaj gruaje nuk i është dhënë asnjë detyrë nga ana e Mbretit Zog dhe se, në mes të saj e Mbretit nuk ka ekzistuar asnjë marrëdhënie”.


(Vijon)


Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com