Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

STAFFAN DE MISTURA, DIPLOMATI SUEDEZ QË ZGJIDHI “KRIZËN E AMBASADAVE” DHE GJETI MOTRËN SHQIPTARE


(Botuar në “Gazeta Shqiptare”, në 8 korrik 2013)

Dhjetëditëshi i parë i korrikut 1990, pesë muaj para se të niste ajo ngjarje e madhe që në historinë e vendit tonë do të quhej Revolucioni i Dhjetorit, mbarti kryengjarjen “Hyrja nëpër ambasada”. Kaq e ka emrin deri tani. Duket emërtim i bërë shpejt e shpejt, i nxjerrë si prej ndonjë shkrese zyre protokollare. Jo vetëm letërsia apo ndonjë fushë tjetër e artit, shpesh aq të zonja për ta përcaktuar me fjalët e duhura një dukuri shoqërore, por as historiografia nuk e ka bërë këtë shërbim të thjeshtë: një emër më shprehës, më mbresëlënës, fjalë që i meriton si të zgjedhur nga vargjet e himnit kombëtar.
Prej Shqipërisë që po rrëzonte regjimin e shkuar, kontinenti dhe bota kanë të fiksuar në arkivat dhe kujtesën e tyre pamjet e ikjeve biblike të marsit 1991, mijëra të ngarkuar fytas mbi shpina vaporësh, por aspak korrikun e një viti më parë. Globi pa largimin e shqiptarëve duke u kacavjerrë nëpër anijet e portit të Durrësit, por jo protestën në kryeqytet, në zemër të diktaturës, në mes të Tiranës. Popuj të Evropës dhe më tej u bënë dëshmitarë të një refuzimi ndaj një regjimi që tashmë e kishte marrë të tatëpjetën, por nuk panë dot kur ai ende dukej i fortë dhe mund të jepte kundërgoditje shpaguese.
Nuk ka sigurisht asnjë film me këtë temë, madje as edhe një këngë. Libra të veçantë po ashtu. Kontribuues, të paktën për kronikën e ngjarjes, por edhe për të fshehtat e saj, është një njëqind e pesëdhjetë faqesh i Dilaver Bengasit, drejtorit të përgjithshëm Policisë së atëhershme. U botua në 2003 dhe titullohet intrigueshëm “Enigmat e 2 korrikut ‘90”.
Prej tij opinioni vendas mësoi se hyrjet masive të shqiptarëve në territoret e brendshme të ambasadave të huaja kishin nisur që në fillim të 1990-tës. Menjëherë pas fundvitit përmbysës të komunizmit global, 1989-tës. Deri tani, në moskuptim të kësaj të vërtete dhe të zënë rob nën idenë se jemi një popull tepër i vonuar, aksionin kundër bolshevizmit tonë e kemi datuar vetëm si të pas një viti. Mirëpo protesta me futje në ambasada, e nismuar fillimisht me familjen durrsake Popaj, në dhjetor 1985, në 4 mars 1990, pra vetëm pesë muaj nga rënia e Murit të Berlinit, pa regjistronte tek përfaqësia diplomatike greke disa dhjetëra të refuzues të vendosur të sistemit shoqëror në Shqipëri. Në 25 maj refugjatët për azil politik dhe largim nga vendi në ambasadën italiane qenë njëzetë. Të parët refugjatë shqiptarë në ambasadën franceze u shënuan në 5 qershor.
Deri këto çaste kjo ndodhte me kapërcime muresh apo hyrje të shpejta nëpër hapësirat e ngushta të portave të porsahapura, por shumë shpejt aksioni u ngrit në një shkallë më të lartë. Filloi përdorimi i makinave të mëdha në një sulm frontal ndaj mureve rrethues të ambasadave. I pari ndodhi në 20 qershor, kur siç tregon Bengasi, “dy djem të rinj me një autobus, që e drejtonte njëri prej tyre, hynë me shpejtësi” në përfaqësinë diplomatike greke. Në “23 qershor 1990, ora 21.50, një makinë “Saurrel” çau derën e mbyllur në anën e Fakultetit Filologjik dhe me 7 të rinj brenda, hyri në territorin e ambasadës italiane”. Në 2 korrik, ora 7.15 e mëngjesit, një makinë e plehrave të Ndërmarrjes Komunale, me gjashtë persona, hyri në ambasadën turke. Tek përfaqësia diplomatike italiane qe një kamion “Tatra” që po atë ditë, në orën 11.50, pasi theu kangjellat e dyfishta rrethuese nga ana lindore e saj, depërtoi furishëm brenda. Qe me gjashtë vetë. Sulmi tjetër me makinë ngjau po asaj dite, por këtë herë në ambasadën gjermane. Ishte ora 19.30 e pragmbrëmjes. Sipas librit “Enigmat e 2 korrikut ‘90” kamioni mbante brenda 34 persona. Sulmoi “me shpejtësi nga ana e murit perëndimor në drejtim të policit. Polici kur pa se makina po shkonte drejt tij gati për ta shtypur shtiu me pistoletë. Por ndërkohë goditet me pjesën anësore të makinës dhe bie i dëmtuar rëndë përtokë”.
Çfarë ndodhi nga 2 deri në 12 korrik, kur pesë mijë e dyqind mospajtuesit me regjimin dhe sidomos jetën e vështirë ekonomike, ikën drejt Perëndimit, këtë herë do ta rrëfejmë nga një burim që deri tani nuk ka folur. Është prej diplomatëve të kohës. Ndonjë prej tyre, për arsye profesionale, nuk do ta identifikojmë, porse njërin po. Ky është Vladimir Pulaj.

ooo

Në orën shtatë e gjysmë të mbrëmjes së 2 korrikut ai ndodhej në apartamentin e tij, në një pallat ngjitur me ambasadën gjermane. Dielli i asaj dite me zheg sapo kishte rënë në anën tjetër të godinës dhe në ballkonin që shihte përfaqësinë e Republikës Federale bënte më fresk. Papritmas u dëgjua një zhurmë e pazakonshme, gjëmim i menjëhershëm dhe në të njëjtën kohë uturimë e zgjatur. Atë çast Pulaj pa kamionin që kishte çarë murin rrethues të ambasadës dhe kishte hyrë në territorin e saj. Pastaj me shpejtësi, thua qenë të përgatitur me kohë, ndërsa kërkuesit e strehimit politik zbrisnin nga makina, një grup civilësh të stërvitur të përfaqësisë diplomatike gjermane u rreshtuan dhe bllokuan murin e shembur për të mos lejuar asnjë nga njerëzit e rendit publik shqiptar të depërtonin brenda. Mes refugjatëve tashmë të mbrojtur të mos i kapte asnjë autoritet vendas, një i ri tërhiqte me vete një qengj.
Vladimir Pulaj hyri me shpejtësi në apartament dhe telefonoi shefin e vet, ministrin e Jashtëm Reis Malile. Ky shqiptoi një “Faleminderit!”, por edhe pse qe vetëm një fjalë ishte e mjaftueshme që nëpër rrokjet e saj shqetësimi të shfaqej dukshëm. Në kronikën e kësaj ngjarjeje të bujshme me siguri kjo ishte informata e parë, që i shkonte qeverisë. Për shkak të një sërë procedurash teknike në Ministrinë e Brendshme informimi eprorëve të lartë për ngjarjen e rëndë në ambasadën gjermane do të ketë ngjarë pak çaste më vonë.
Pulaj qe diplomat karriere. Kishte shërbyer me një mision tetëmbëdhjetë mujor në Romë dhe në Tiranë qe rikthyer ndërsa kulmimi i përleshjes së brendshme në Byronë Politike të Partisë së Punës, në dhjetor 1981, do të përfundonte me likuidimin fizik të Mehmet Shehut. E ngarkuan me misionin e dytë diplomatik në Turqi, ku punoi katër vite. Çështja Popaj e gjeti në Tiranë, në zyrën që mbulonte Italinë dhe tërë kohës së zhvillimit të saj, deri në 16 maj 1990, kur gjashtë vëllezërit dhe motrat e familjes së persekutuar durrsake, të hipur në një furgon të bardhë të Kryqit të Kuq Italian e të shoqëruar nga dy vetura, ku në njërën ndodhej ambasadori Xhorxho De Andreis, ikën drejt aeroportit të Rinasit, ai qe marrë drejtpërsëdrejti me këtë problem të ngatërruar pesëvjeçar. Tani, një muaj e gjysmë më pas, i duhej të merrej me një tjetër shumë më kompleks.
Në 3 korrik Reis Malile i mblodhi në një nga sallat e Ministrisë të gjithë diplomatët më kryesorë dhe më të përgatitur për të ndjekur e zgjidhur, pa shkaktuar pasoja, zhvillimin e ri. Ministria e Punëve të Jashtme ato orë gjendej nën breshërinë e kritikave të “skifterëve” në Komitetin Qendror si edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Akuzohej se, duke bërë një kompromis me Ambasadën Turke, gjashtë personat e makinës komunale i pati lejuar të strehoheshin përkohësisht në bujtinën “Arbëria”. Rrugëtimi i tyre drejt hotelit, i ndodhur pasdite, kur azilkërkuesit politikë ecnin në mes të Tiranës të shoqëruar prej disa diplomatëve turq dhe një grumbulli përherë e më të madh të rinjsh, para “Arbërisë“ qe shndërruar në manifestim entuziast për të ndjekur shembullin e tyre.
“Situata është kritike”, u shpreh Reis Malile. Në mbledhjen e radhës, të 4 korrikut, ministrit të Jashtëm Malile iu propozua nga diplomatët të mund të jepeshin ndihma minimale jetike për turmën e pazakonshme të të strehuarve, sidomos në oborrin e ngushtë të ambasadës gjermane. Tashmë qenë afro tremijë frymë dhe ende shtoheshin. Nga mbipopullimi dhe papastërtia kishte filluar edhe një mizë e madhe. Malile ra dakord: bashkëkombësit duheshin ndihmuar për t’i shpëtuar sadopak atij mundimi ngushtice.
Në 5 korrik Vladimir Pulajn e thirrën papritur të jepte një shpjegim. Mes të ikurve me kamionin që pati çarë murin rrethues të përfaqësisë gjermane dy kishin mbiemrin e tij. Në të vërtetë njëri ishte djali i xhaxhait dhe i dyti qe kushëri i rrethit të ngushtë. Pastaj u zbulua se mes 34 personave të kamionit ndodhej edhe një pinjoll tjetër i fisit të tij të afërt. Të tre banonin në Tiranë.
Ngjarja tjetër e re ishte ardhja e Staffan De Misturës. I dërguari special i kryetarit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ishte diplomat profesionist suedez. I gjatë, elegant, serioz, i përpiktë. I specializuar në menaxhimin e situatave më të rënda botërore, që shkaktonin masa të mëdha refugjatësh. Ishte bërë i famshëm pothuaj një dekadë më parë, me operacionin “San Bernardo”, Etiopia e destabilizuar prej një thatësire të pazakonshme. Ato kohë, kur e thirrën për të ndërhyrë në Shqipëri, gjendej në Gjenevë dhe prej andej po drejtonte operacionin “Salam”, çështjen e sistemimit të dhjetëra mijëra ikësve afganë.
Sapo kreu takimet e para dhe pa gjendjen nëpër oborret e ambasadave perëndimore ai e kuptoi se regjimi shqiptar ishte thyer. Që në 3 korrik jo vetëm nuk i pengonin më arratisësit të kapërcenin muret e ambasadave perëndimore, por ndodhte që policët u hapnin edhe portën. Tek Ramiz Alia qe imponuar tashmë rrugëzgjidhja e vetme: refugjatët duhej të iknin sa më shpejt, pa ndezur ndonjë revoltë të brendshme. Kështu De Mistura ia nisi punës së ndërmjetësimit dhe organizimit të ikjes jashtë vendit të pesëmijë e dyqind shqiptarëve të revoltuar me qeverinë e tyre dhe sistemin politik komunist.
Shoqërues dhe përkthyes i tij nga Ministria e Jashtme u caktua Zef Mazi dhe pas tërheqjes së tij me një punë tjetër, këtë rol e kreu Vladimir Pulaj. Tre-katër ditët e fundit të para nisjes punonjës të Shërbimit të Jashtëm Shqiptar punonin nëpër ambasada, duke i pajisur refugjatët me pasaporta. Në historinë e diktaturës ato jepeshin për herë të parë për qytetarët e thjeshtë. Populli kishte pasur vetëm letra-njoftimi. Qenë në të vërtetë karta identifikimi, numërimi, kontrollimi. Nuk kanë asgjë të ngjashme me kartat e sotme të identitetit. Në ato pasaporta që për herë të parë u ndanë në 6-7 korrik 1990 kishte të shkruar edhe një pyetje të paimagjinueshme për çdo dokument të njëjtë në botë: Në cilin shtet do të ikësh?
Staffan De Mistura në 11 dhe 12 korrik, me megafon në dorë, foli në oborret e ambasadave gjermane, italiane dhe franceze, para të gjithë refugjatëve. Pulaj përkthente. Porosia e njeriut të Kombeve të Bashkuara ishte gjithkund e njëjtë: Mos kini frikë, Sigurimi nuk do t’ju prekë, do të shkoni jashtë vendit, atje ku dëshironi! Po ashtu në asnjë rast nuk harroi të kumtonte edhe këtë mesazh: Kur do të zbarkoni në vendet e Perëndimit gazeta dhe televizione të shumta do t’ju kërkojnë të flisni për vendin tuaj. Përpiquni të përgjigjeni me një “no coment”. Po folët mos e shani Shqipërinë! Edhe pse e varfër, është nëna juaj.
Hipja nëpër autobusë në mbrëmjen e 12 korrikut dhe nisja në mesnatë, nëpër rrugën e Durrësit, drejt portit, qe festë dhe frikë bashkë. Një ndalim teknik i autokolonës afër Vorës, u përjetua me ankth. Dikush klithi me panik se u kishin hedhur brenda autobusit gaz helmues. Në të vërtetë nga regjimi asgjë nuk luhej në prapaskenë. Tre tragetet që i prisnin në port, u mbushën plot dhe u nisën. Shumë nga refugjatët, në ikje, hodhën pasaportat. Edhe pse gabim që do ta vuanin në çastet e para të strehimit politik në Perëndim, ky ishte gjesti i fundit i zemërimit me regjimin ideologjik të vendit të tyre. Në orën pesë të praggdhirjes Staffan De Mistura dhe Vladimir Pulaj përfunduan në zyrën e kapitenerisë së portit. Komandanti i qerasi me nga një gotë “Campari”.
Tani diplomati profesionist suedez, por ndërkohë ndër më të shquarit zgjidhësh krizash botërore i OKB-së, qe i lirë të gëzonte realizimin e dy kërkesave private. Donte t’i bënte vizitë Petro Markos, sepse e kishte shok të ngushtë të të atit. Të dy qenë miqësuar, si antifashistë, ndërsa ishin internuar në Ustika. Kur shpejt e shpejt, sepse De Mistura do të ikte, i shkuan në apartamentin e shkrimtarit të madh, pamja e la të shtangur edhe diplomatin shqiptar Pulaj. Qe fare kthinë e vogël dhe e varfër. Marko ato çaste nuk ndodhej aty, qe i sëmurë, i shtruar në spital. Staffan De Mistura më pas do të kujdesej t’i dërgonte ilaçe dhe ta kuronte jashtë vendit.
Por ajo që ishte më befasuesja pati të bënte me kërkesën tjetër. De Mistura kishte mall shumë për thjeshtrën e tij, gruan e parë të të atit. Ajo qe shqiptare dhe jetonte në Shkodër. Nuk e kishte parë kurrë, sepse i ati i tij italian ishte ndarë me të ende pa u mbyllur lufta, pastaj ra Perdja e Hekurt dhe komunikimi mes dy botëve të kundërta u vështirësua. Gruaja e dytë e të atit ishte suedeze dhe vetë Staffan kishte lindur në Stokholm në vitin 1947.
Takimi me thjeshtrën u krye në Tiranë dhe, siç pritej, qe tepër emocionues. Përveç shumë arsyeve të kuptueshme, njëra ishte më magjepësja: shkodrania kishte sjellë edhe të bijën e vetme, fryt të martesës me të atin e De Misturës.
Kështu Staffan pa dhe u takua për herë të parë me të motrën.
Zgjidhjen me kaq shumë dashuri të krizës shqiptare të korrikut 1990 (sepse diplomati suedez dhe italian bashkë do të rishfaqet tek ne edhe më pas) e kreu me dinjitetin e një nëpunësi të shquar ndërkombëtar. Askujt nuk i tha se brenda vetes, në zemër, kishte edhe këtë lidhje të pandashme me Shqipërinë. Ishte detyra jonë t’ia kujtonim këtë lexuesit bashkëkombës

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com