|
QYTETET NUK KANË VETËM HISTORI ZGJEDHJESH
(Botuar në gazetën “Shqip” më 15 qershor 2913)
Jemi si të gjithë ballkanasit: prodhojmë histori më shumë nga sa kemi nevojë të konsumojmë. Por ndërkaq ne shqiptarët jemi ndryshe. Ndërsa fqinjët tanë e ruajnë atë, e sistemojnë, e shkruajnë në kujtesën kombëtare, ne përgjithësisht e lëmë si punë të dorës së dytë. Një i tillë qëndrim vjen prej zakonkeqit se e sotmja dhe e ardhmja janë të gdhendura vetëm me emrin personal. Për pasojë nuk ka “dje”. Ka vetëm sot. Mirëpo historia është tek ajo “Dje”, ende nuk ka zënë vend tek e sotmja. Ndërkohë ka një të nesërme vetëm ai që ka një të “djeshme”. Pikërisht këtu, në këtë mënyrë të konceptuari, ndahet rreptë politika me historinë. E para i duhet një individi apo grupi të caktuar pushteti, e dyta gjithë kombit.
Mund ta vësh re këtë mendësi nënvleftësimi ndaj regjistrimit sa më të plotë të historisë shqiptare edhe gjatë kësaj fushate zgjedhore, ku mobilizimi për të ardhmen, çështjen si do jetë ajo, prej secilës parti apo kandidat, është total. Energjitë e ballafaqimit dhe harxhimet financiare, si përherë, janë shumë më tepër nga sa, po të reduktoheshin modestisht një pjesë e tyre, përfshi jo vetëm koncertet muzikore, por edhe hedhjen e fishekzjarreve, do të mjaftonin të botoheshin të paktën historia e dhjetë qyteteve shqiptare. Po pse marrim si nevojë shkrimin e biografisë së qyteteve? Sepse ajo është një nga pasuritë tona më të çmuara, po ashtu më e harruara. Ta shkruash atë në botime serioze kushton financiarisht tepër më pak se çdo mënyrë tjetër ruajtjeje dhe zhvillimi e kujtesës kolektive. Për shembull kërkon financim shumë më pak se një film historik, i cili do të ishte megjithatë mjaft i dëshiruar të realizohej.
Gjatë viteve tridhjetë të shekullit të shkuar mund të ndeshni të botuar nga shteti i kohës deri edhe një album luksoz për Ahmet Zogun dhe mbretërimin e tij, por nuk gjen të publikuar, qoftë edhe për nevojat e shkollës, një libër historie të Shqipërisë. Për herë të parë një tekst i tillë u shkrua në vitin 1959, i dyti në 1965, të tjerët më pas, vargan njëri pas tjetrit. Në çdo vit e më shumë përshkrimet dhe interpretimet e periudhave më kyçe të tij, sidomos të pas pavarësisë, u fiksuan si të pronësuara prej një partie dhe personi të vetëm. Pas vitit 1990 janë kryer disa ripasqyrime dhe interpretime të reja të kësaj historie, përgjithësisht botime më të çliruara nga defektet e mëparshme, por gjithsesi e meta transversale e të gjithë njëqind e një viteve të jetës së shtetit tonë, gropa e krijuar me mosshkrimin e historisë së qyteteve shqiptare, nuk u mbush dot. Gjysmëshekulli komunist, i cili bëri mjaft investime për ta fiksuar biografinë kombëtare, nuk u kujdes kurrë dhe asnjëherë nuk mori sipër botime për historinë e Shkodrës apo të Elbasanit, të Gjirokastrës ose Beratit, të Korçës apo Durrësit, të Lezhës apo Përmetit, të Fierit ose Tropojës, të Kukësit dhe Pukës. Kjo sjellje jokonstruktive vazhdon edhe sot. Kur vite të shkuara profesor Kristo Frashëri botoi librin e tij mjaft interesant për historinë e qytetit të Tiranës, bashkia nuk i përkushtoi asnjë qindarkë. Sikur ky, me një redaktim dhe mpakje të nevojshme, të bëhej sot një “libër xhepi”, do të pritej me dashuri nga afro një milion tashmë banorë të metropolit tonë. Një rrugë e asfaltuar, një vazhdim bulevardi nga qendra deri në breg të lumit, përfshi edhe tramvajin e ardhshëm, nuk kanë asnjë të drejtë të mbahen si më të nevojshëm, më urgjentë dhe më të rëndësishëm se një libër popullor mbi historinë e qytetit më të madh të shqiptarëve.
Pak javë më parë një çift studiuesish seriozë, burrë e grua, Hava dhe Sali Hidri, botuan librin e tyre të njëzetë. Është një histori e plotë e Durrësit, kësaj perle të qytetërimit tonë mbi dymijëvjeçar. Këta dy dijetarë (durrsakë), arkeologe Havaja dhe shkrues i ngjarjeve sociale dhe politike Saliu, të pajisur me dhuntinë profesionale të njohjes së shenjave të historisë në nëndhe dhe mbitokë, dhjetë prej librave të tyre i kanë drejtpërsëdrejti me këtë temë dhe pjesën tjetër me figura e ngjarje të veçanta të jetës së vjetër dhe moderne të qytetit. Asnjë kacidhe nuk u kanë dhënë, në këtë vepër kolosale, autoritetet dhe forumet drejtuese lokale. Historiani mjaft kontribues për mesjetën, Pëllumb Xhufi, dy vite të shkuara, tek nxori në dritë librin e tij novator për Voskopojën, një nga nyjet më kuptimplote të historisë së shqiptarëve, për hartimin e botimin e të cilit mund të investonin edhe dhjetë akademi njëherësh, e përballoi publikimin me përkrahjen financiare të një sipërmarrësi ekonomik dashamirës. Në Berat nisma e individëve, pa ja dalë dot të sigurojë harmonizim dhe përkrahje nga autoritetet vendore dhe fondet publike, ka arritur të botojë një gjë të rrallë, një enciklopedi të qytetit dhe rrethinave të tij, bashkë edhe me të krahinës së Skraparit. Në vlerat e saj më të mira, përpos botuesit që ishte nismëtari dhe realizuesi i vendosur i librit, ndikuan edhe historiani Hysen Kordha apo publicisti studiues Zylyftar Hoxha. Doemos në pozicionin e qëndrimit të ç’interesuar është edhe bashkia e Korçës apo institucione të tjera qeverisi lokal, kur mëson se qyteti i njohur në historinë tonë si “Parisi i vogël”, një nga trevat më të pasura të dëshmive tona të lashta, territori që shekullin e shkuar për katër dekada u bë bartësja e disa mijërave emigrantë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qe “koka e diamantë“ e zhvillimit modern të Shqipërisë, nuk ka asnjë botim të plotë për historinë e vet. Është një gjë fare e paimagjinueshme, veç këtë hata mund ta përfytyrosh fare lehtë kur merr vesh dhe sheh si si, mes mosveprimit dhe pajtimit nënshtrues, u rrëzua dhe pastaj u shfaros deri edhe çdo gur i shtëpisë së Themistokli Germenjit, u quajtura prej të gjithëve si Shtëpia e Republikës së Korçës, krijesë mjaft shkëlqimtare e bashkëjetesës me francezët. Tani në Korçë ka merak të madh se mos të njëjtin fat do ta ketë edhe godina e Mësonjëtores apo e Shkollës së Vashave.
Në rast se qytetet tona do të jenë të pajisura detyrimisht me të paktën një botim publik për historinë e tyre, i madh dhe i vogël banor, duke e mësuar vlerat dhe njohur dëshmitë jetike të identitetit të qytetit të tyre, nuk do t’i lejonin kurrë as dhunuesit dhe as indiferentët. Ata do të qenë protestues dhe ndalues të veprimeve të tilla.
Vesi i harrimit nuk duhet përhapur. Ai është si vemja, e shumon harrimin. I venit dhe i thanë degët e kombit dhe të shtetit, të krejt etnisë.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|