Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI


Foto:
Ardhja në Durrës e luftanijeve italiane


Ministri i Jashtëm Jugosllav, Jeftiç: Në rast nevoje, mund të llogarisni ndihmën e Jugosllavisë

(Gazeta “Metropol”, 5-6 qershor 2013)

Fragment nga libri i fundit i Ylli Polovinës, “Zog, pse ike”

Kur në orën 07.10 të mëngjesit të 25 qershorit mbërriti prej Uashingtonit ai radiogram i çuditshëm i Faik Konicës, mes diplomatëve që patën bërë gjithë natën grupin e gatishmërisë, askush nuk u gjet i dëshiruar të bënte humor. Ministri i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkruante jo pa ironi: “Mora sot 24 qershor 1934 një shifër, e cila nis me fjalën selim dhe mbaron me Nr.195 villa stop sekretari shifrës ose telegrafi kanë shkëmbyer këtë telegram me telegramin e një legate tjetër sepse telegrami që mora nuk zgjidhet aspak me shifrën e kësaj legate”.
Disa minuta më pas nga ky absurd u pa në prag të zyrës së tij Xhafer Vila, por asnjërit prej të pagjumëve të atyshëm nuk iu duk se shefi i tyre qe larguar ndopak atë natë. Dukej sikur e pati kaluar aty. Thuhej se edhe vetë Ahmet Zogu në pallatin mbretëror nuk i qe afruar shtratit.
Kur në paradhomën e ministrit të Jashtëm u shfaq shefi i Legatës së Greqisë, ora për fare pak sekonda do të bëhej 08.30. Kur ai doli, akrepat e kishin kapërcyer nëntën. Shkëmbeu një çast takime duarsh me ministrin e Francës, Baronin de Grand, i cili po priste radhën. Ishte hera e dytë që në pak më shumë se një gjysmë dite, kërkonte të bisedonte me Vilën. Ky doli nga zyra e këtij të fundit vetëm kur sahati i madh i murit në paradhomë tregoi numrin dhjetë. Me ta përcjellë ministri i Jashtëm shqiptar i tha ndihmësit të tij se për një orë nuk duhej ta bezdisnin. Do të përgatiste një raport për Mbretin.
Kur mbi letrën e bardhë, pas fjalës Naltmadhni, e mbështeti majën e stilografit, nisi ta informojë Zogun për bisedën me francezin. Ky e kishte uruar edhe njëherë tjetër për taktin diplomatik të qeverisë shqiptare dhe i pati përmendur me respekt qëndrimin e Mbretit. Pastaj e kishte pyetur për natyrën e sqarimeve që pala italiane kishte dhënë mbi qëllimin e vizitës së flotës luftarake. Baron de Grand i qe përgjigjur hapët edhe këmbënguljes së Xhafer Vilës për të ditur nëse Legata Franceze, rreth kësaj pranie të papritur të skuadrës detare italiane për Mesdheun, pati marrë ndonjë informim nga Parisi. De Grand pati thënë se i kishte dërguar një komunikim telegrafik qendrës dhe, në pritje të një reagimi të tyre, i kujtonte ministrit të Jashtëm shqiptar se ai demonstrim mund të qe bërë për të sfiduar ministrin e tyre Barthou, që ende ndodhej në Beograd.
Pastaj e vuri në dijeni për një hollësi. Gazeta e njohur italiane “Corriere della Sera” pati botuar një lajmërim të shkurtër, në të cilin shkruante se skuadra e Adriatikut do të qëndronte në Otranto deri ditën e sotshme, pra 25 qershor. Lëvizjen e saj të ngutshme drejt Durrësit që në fundditën e 22 qershorit dhe mbërritje këtu të nesërmen, e kishte nxitur një urdhër nga lart, prej Romës, patjetër nga Musolini. Ministri francez në Tiranë qe i palëkundur se ky udhëtim me kaq shpejtësi i flotës luftarake dëshmonte se pati ndjekur dy qëllime: njërin kundër Shqipërisë dhe tjetrin më i përgjithshëm. “Këtë fjali të zotit Baron De Grand, i shkroi Xhafer Vila Ahmet Zogut, e plotësova duke i thënë “Prej kësaj merret vesh se Italia nuk rri indiferente kur zoti Barthou në Beograd bisedon relatat interballkanike. De Grand duke qeshur m’u përgjigj “Do ta marrim shënim në një qoshe të defterit tonë”.
Në raport Vila i bënte të ditur shefit të vet se në mbyllje të takimit diplomati francez i qe lutur për të siguruar një audiencë me Naltmadhninë e Tij, mundësisht para fundit të korrikut, kur do të nisej për në Paris. Më vonë biseda ishte përqendruar dashamirësisht në çështje të marrëveshjeve kulturore dhe shkëmbimeve tregtare, në shitje bagëtish dhe artikujsh ushqimorë.
Për takimin me ministrin grek në Tiranë Xhafer Vila i shënoi Ahmet Zogut vetëm këto radhë: “Më shfaqi simpatinë dhe kënaqësinë e tij që ngjarja mbaroi me dinjitet, uroi për gjakftohtësinë”.
E kishte dhënë për daktilografim raportin kur e lajmëruan se shumica e luftanijeve italiane qenë larguar nga ujërat e Gjirit të Durrësit dhe karvani i tyre pati marrë drejtimin e Italisë. Kishin mbetur pa ikur vetëm katër. “Deri tash nuk kemi lajmërim mbi datën e largimit edhe të këtyre”, shënohej në fund.
Rauf Fico në Beograd po atë prag mesdite të 25 qershorit po hartonte një informim të gjerë për Xhafer Vilën. Një ditë më parë, në pasdrekë, për nder të pranisë në Beograd të ministrit të Jashtëm francez Louis Barthou, legata e këtij vendi pati dhënë një pritje të madhe. Të dhënat e mbledhura prej kësaj ngjarjeje nuk qenë pak. Fico i rreshtoi sipas rëndësisë. Ministri i Jashtëm Jugosllav, Jeftiç, të cilit i pati dërguar një telegram të shifruar mbi sjelljen e flotës luftarake italiane, e vlerësoi qëndrimin e Shqipërisë burrëror dhe të denjë me parimet e një shteti të pavarur. Ndërkohë pati shtuar se shpresonte që çështja të kishte një përfundim të paprovokuar prej ndonjë incidenti të papëlqyeshëm, sepse ndryshe do të cenonte paqen në botë. Pak çaste më vonë Jeftiç i theksoi diplomatit shqiptar, se në rast nevoje, mund të llogaritnin edhe ndihmën e Jugosllavisë.
Rauf Fico shkroi në raportin e tij informativ se pas kësaj bisede, në po atë pritje, qe njohur edhe me zotin Barthou. Takimi i tyre pati qenë i shkurtër, por i mjaftueshëm që njeriu i Tiranës të kuptonte se deklaratat e Jevtiç ishin në bazë të ndonjë vendimi që duhej të kishte marrë së bashku me kolegun e tij të Francës. Fico theksoi për Xhafer Vilën se ministri i Jashtëm francez qe treguar shumë i sjellshëm.
Në mbrëmje të po kësaj dite, vijoi diplomati hartimin e letrës së tij të mbyllur për shefin në Tiranë, zonja dhe zoti Jevtiç kishin dhënë në mbrëmje një darkë për nder të ministrit të Jashtëm francez. Atje qenë ftuar të gjithë shefat e misioneve diplomatik në Jugosllavi. Mbas darke Louis Barthou e pati tërhequr mënjanë ministrin fuqiplotë të Shqipërisë në Beograd dhe e kishte pyetur se si qëndronte çështja e ardhjes së papritur në Durrës të luftanijeve italiane. Rauf Fico i pati bërë shpjegimin e duhur, ndërkohë i kërkoi edhe një mendim. Barthou qe përgjigjur se veprimi i qeverisë shqiptare ishte korrekt dhe i përshtatshëm për një shtet indipendent. Shtoi se kjo sjellje e pati kënaqur. Po ashtu e këshilloi Ficon që në ngjarje të tilla gjithmonë të silleshin me rezervë për të mos i dhënë shkak ndonjë konflikti me italianët. Më pas ministri i Jashtëm francez e pati hedhur temën e bisedës tek vlerat e kombit shqiptar, sidomos për shpirtin e tij të pavarësimit. “Kështu vërtetohet edhe një herë se rëndësinë kryesore e ka cilësia dhe karakteri i njerëzve, që formojnë një komb, e jo sasia”, spikati fjalët Barthou.
Rauf Fico, pas kësaj fraze, deklaratën tjetër të ministrit të Jashtëm të Francës e shkroi në raport ashtu siç ai e shqiptoi në gjuhën e vet: “L’Albanie peut s’appyyer au concours de la France”. Kjo donte të thoshte se Shqipëria mund të mbështetej, në rast nevoje, tek Franca.
Në minutat e fundit të bisedës Louis Barthou pati thënë se do të qe mirë që Fico të lajmëronte kolegun e tij në Paris, Eqerem Libohovën, të vinte e ta takonte, sepse dëshironte edhe atij t’ia përsëriste po këto fjalë mbështetëse. “Në rast se e gjeni të nevojshme, shqiptoi plot mirësjellje ministri i Jashtëm francez, ngarkoheni zotin Libohova për të vazhduar këtë bisedim të filluar në Beograd”.
Në kohën e pakët që i mbeti nga biseda, në fund, bashkë me falënderimin, Rauf Fico i qe lutur ministrit Barthou ta ndihmonte Shqipërinë në fushën e ekonomisë, ku nga kriza botërore i qenë krijuar jo pak vështirësi. I tha se Parisi mund të përkrahte një traktat tregtar mes dy vendeve. Tjetri u përgjigj se atë çështje do ta merrte parasysh dhe, në shenjë ndarjeje miqësore, i zgjati pëllëmbën e butë të dorës.
Duke e mbyllur informacionin për Xhafer Vilën dhe jo pak i ngazëllyer, Fico shënoi në letër se nënministri jugosllav i Punëve të Jashtme, Pouriç, i pati thënë se qeveria e Tiranës i kishte bërë një qëndresë shkëlqimtare presionit të Romës. Prova që ai, për të argumentuar mendimin e vet, pati vënë re, kishte të bënte me kohën e konsumuar gjatë ankthit që niste me dukjen e papritur të njëzetë e dy anijeve lufte e deri sa autoritetet e Tiranës patën pranuar t’i përfillnin ardhësit e padëshiruar. Ishin plot njëzetë e nëntë orë.
26 qershori qe ditë e martë. Nga çasti i shfaqjes së papritur të anijeve italiane të luftës kishin kaluar mbi gjashtëdhjetë orë, kur ngjarja përfshiu vrullshëm vëmendjen e shtypit botëror. Në buzë të Detit të Zi bullgarja “Mir” botonte vetëm tre rreshta neutralë, porse “Vero” shkonte deri afër komentit. Ajo komunikonte drejtpërsëdrejti se “Gazeta ‘Petit Parisien’ bën të ditur se qeveria e Beogradit është tepër e zemëruar nga manovrat detare italiane në Durrës. Italia dashka të tregojë se në Adriatik, veç Francës, ka të tjera fuqi detare”.
Në shtetin neutral, ku ndodhej Lidhja e Kombeve, Zvicër, shtypi i asaj dite lajmit i hapte vend në tri prej të përditshmeve: “Journal des Nations”, “Journale de Geneve” dhe “Tribune de Geneve”. Por që Britania e Madhe vendi, ku çfarë pati ndodhur me shqiptarët gjeti pasionin për ta bërë lajmin të bujshëm dhe të njohur kudo. Atë mëngjes të 26 qershorit 1934 “Manchester Guardian” ishte shpërndarë në faqet e saj artikullin “Italia dhe Shqipëria, një incident i habitshëm në Durrës”. Korrespondenti, i cili nuk e përcaktonte as vendndodhjen dhe as burimin e të dhënave, i raportonte lexuesit anglishtfolës se “Hipoteza në Tiranë rreth çështjes është se Musolini deshi që ky demonstrim detar t’i shërbejë si përgjigje vizitës së Z. Barthou në Beograd”. Bashkë me shkrimin, madje në trupin e tij, “Manchester Guardian” thurte një shënim të posaçëm. Thuhej në të se Italia dhe Shqipëria janë lidhur me anë të një Traktati të Aleancës Mbrojtëse, të nënshkruar më 1927, për një periudhë prej 20 vitesh. Po ashtu, shpjegonte gazeta britanike, “në 1926 qe nënshkruar një traktat i mëparshëm. Ky garantonte “status quo-n” politike, juridike dhe tokësore të Shqipërisë. Por afati i këtij mbaroi në 1931, dhe nuk u përsërit, me gjithë që italianët bënë presione. Shqipëria ka pranuar hua të mëdha si nga Shoqëria Italiane e Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë, ashtu edhe nga shteti italian. Qysh nga viti 1932 nuk ka mundur të paguajë kamatën, si edhe pagesat e tjera të rrjedhura nga këto. Ka qenë e detyruar t’u japë koncesione me rëndësi në miniera dhe pyje shoqërive italiane. Në dhjetor 1932 kundërshtoi një kërkesë të Italisë që të kishte një bashkim doganor. Në këta muaj Shqipëria është afruar më tepër nga ana e Jugosllavisë. Ishte e përfaqësuar në Beograd, kur u nënshkrua Pakti Ballkanik në shkurtin e kaluar, por influenca e Italisë e ndaloi pjesëmarrjen e saj në të”.
E përditshmja tjetër britanike, “Daily Telegraph”, atë mëngjes të 26 qershorit, në një shkrim vet, që në titull dhe nëntitullin e saj i zbrazte fjalët si prej një gryke topi: “Vizita misterioze e luftanijeve italiane. Në portin shqiptar pa paralajmërim. Manifestim fuqie”. Informimin e pati dhënë korrespondenti i saj nga Parisi. Sipas tij “vizita e jashtëzakonshme e luftanijeve italiane u shpjegua në këtë mënyrë: Qeveria italiane dëshiron të dëftejë moskënaqësinë e vet për shkak të pengimeve që i janë sjellë misionit ushtarak të kryesuar prej gjeneralit Pariani, të cilin mision tash vonë iu desh që ta thërresë të kthehet, si edhe për shkak të Traktatit të ri të Tregtisë midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Në qarqet jugosllave theksohet se ky demonstrim u bë bash në atë ditë kur Z. Barthou, ministri i Punëve të Jashtme të Francës, arriti në Beograd”. Ndërkaq “Daily Telegraph”-it nuk i rrihej pa thënë arsyen e vërtetë përse gazetat angleze po bënin potere: “Është për t’u vënë re që incidenti i tërë mbeti në heshtje deri më sot”.
Në Britaninë e Madhe po afrohej mesdita, kur matanë brigjeve të Atlantikut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte “New York Times” që i hapte faqet e saj me një artikull të posaçëm. Qe marrë një ditë më parë prej korrespodentit të saj në Londër. Çfarë dëshironte t’i kumtonte e t’i nguliste në mendje opinionit publik, dilte në pah që në titull: “Sjellja e Italisë e shqetëson Shqipërinë. Flota e Adriatikut arrin në Durrës dhe i kërkohet të iki”. Shkrimi më pas nxitonte t’u rrëfente me një frymë amerikanëve sa më shumë hollësi: “U zbulua nga lajmet e ardhura këtu se papritur, nëpërmjet detit, nga Italia erdhi një shfaqje ushtarake, me qëllim, siç duket, t’u tregojë fuqive të tjera, që ajo, Italia, ka interesa të posaçme në Shqipëri. E para flotë italiane, e përbërë prej nëntëmbëdhjetë anijesh, nën komandën e Admiralit Cantu dhe tre Nën-Admiralëve, arriti në Durrës, papritur, të shtunën e shkuar…. Durrësi është tepër me rëndësi për arsye strategjike me që është gryka kryesore e hyrjes së Adriatikut dhe Italia vitet e fundit është akuzuar për planet e saj që ta zaptojë…Thuhet se Admirali Cantu urdhrin për të shkuar në Durrës e mori të shtunën”.
Por ndërsa në dy vendet e mëdha anglishtfolës shtypi gumëzhinte, Xhafer Vila nxitoi që legatave shqiptare në Beograd, Athinë, Sofje, Romë, Paris, Gjenevë dhe në Uashington t’u dërgohej sa më shpejt telegrami me dinamikën më të fundit të ngjarjes: largimin e pjesës më të madhe të luftanijeve dhe mbetjen e përkohshme të vetëm katër prej tyre. Pastaj në orën nëntë priti, sipas kërkesës së tij, Armando Koch.
Sapo hyri, ministri Fuqiplotë i Italisë në Tiranë vari mbi skajet e buzëve një si moskënaqësi. Një zemërim i fshehur me finesë i përshkëndijonte herë pas here në bebëza. Sapo u ulën në këndin e kolltukëve i tha Vilës se tashmë e gjithë flota, për të cilën u bënë kaq shumë paragjykime dhe u hodhën akuza të panevojshme, qe larguar. Në gjirin e Durrësit patën mbetur vetëm katër. Këtë thënie të fundit e theksoi edhe me një shkundje të lehtë të kokës. Kur dalloi që ministri shqiptar nuk po reagonte me një falënderim, shtoi se me kaq pak luftanije Shqipëria as mund të sulmohej dhe as të pushtohej dot.
Xhafer Vila vuri buzën në gaz. Nuk shqiptoi asnjë fjalë. Koch priti edhe për disa sekonda mos bashkëbiseduesi do të shprehte një mirënjohje për të personalisht, por kur u pa se buzagazi i mjegullt dhe i heshtur ishte përgjigja e qartë e ministrit të Jashtëm shqiptar, e ngriti tonin. Shqiptoi thekshëm “Kanë mbetur vetëm katër të cilat, natyrisht, do të shkojnë”. Frazën e porsa nxjerrë nga goja, si të qe flluskë pështyme, për një çast e mbajti pezull. Më pas, si me të qeshur, e hodhi atë në drejtim të Vilës: “Por kryqëzorët mund të kthejnë rishtas në një liman mik”.
Ministri shqiptar u nguros në fytyrë. Sytë iu bënë si dy copëra akulli. Vendosi në çast që atë batutë të fundit të Koch të mos e linte të ikte pa e ndëshkuar. Pasi mezi nxori një buzëqeshje tek anëbuzët, tha gjithë nëntekst të kundërt: “Po ju ndjek me vëmendje”. Kështu e kishte shpërfillur çfarë sapo pati dëgjuar. Më tepër fjalë se kaq do të qenë tërësisht ngatërrestare. Benito Musolinin nuk lypej ta zemëroje, as Italinë e fuqishme ta provokoje. Atyre që kërkonin një pretekst për t’u sjellë keq, nuk duhej t’ua jepje. Xhafer Vila ishte diplomat i vjetër dhe e kishte nisur atë profesion që kur pas përfundimit, në 1911, të studimeve në Shkollën e Lartë Administrative (Mekteb-i-Mylkije) të Stambollit dhe pak kohë pune në Ministrinë e Financave të Perandorisë Osmane, u transferua në Ministrinë e Punëve të Jashtme të saj. Qe mobilizuar në shërbimin diplomatik shqiptar nga Kryeministri Sulejman Delvina më 19 janar 1920, si Sekretar i Përgjithshëm. Më 12 dhjetor 1921, por në një qeveri që zgjati vetëm 12 ditë, u caktua edhe ministër i Jashtëm. Më pas u rikthye në postin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe u zgjodh edhe deputet. Me dështimin e qeverisë së Fan Nolit dhe rikthimin në pushtet të Ahmet Zogut drejtoi legatat në Paris, Londër dhe Ankara. Nga janari i vitit 1926 deri në qershor 1929, i rikthyer në Tiranë, punoi sërish si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë. Më pas për tre vjet shkoi në drejtim të Legatës në Beograd, për t’u zhvendosur në të njëjtin funksion në Athinë në fund të janarit 1932. Aty qëndroi deri më 11 janar 1933. U rikthye në Tiranë me detyrën e ministrit të Jashtëm. Qe ulur në atë karrige, kur ajo të përvëlonte të ndenjurat. Tensioni me Italinë ishte në kulmim. Dhe të pareshtura debatet e tij me Armando Koch.
Ky, në atë paradite të 26 qershorit 1934 i ulur përballë, ndihej i ngazëllyer nga fuqia e vetes dhe tundimi ta ushtronte pushtetin mbi ministrin shqiptar. Nisi t’i thoshte se qe e pakuptueshme sjellja e rojës në kodrat e Durrësit, ku ndodhej materiali i luftës. Pastaj pothuaj thirri: “Ose do t’i kthejmë armët dhe municionet në Itali, sepse janë tonat, ose të lihet i lirë, si kohë më parë, organizatori ynë i Marinës me të drejtën për t’i vëzhguar dhe kontrolluar!”
Xhafer Vila e përmbajti përgjigjen. Armando Koch ia kuptonte më mirë heshtjen se të folurën. Këtë të fundit ia pati njohur mirë kur në 24 janar të atij viti, tamam në atë zyrë, e kishte akuzuar se qe një diplomat i akredituar pranë shtetit shqiptar për të ushtruar profesionin e vet dhe jo që të merrej me spiunazh. Atëherë Koch ishte nemitur për minuta të tëra dhe Vila sërish, pa u mjaftuar me aq, ia vuri në dukje cenin, duke e “këshilluar” që, për të dalë kundër Ahmet Zogut, në presionin, komprometimin dhe blerjen e disa krerëve fisesh, të tregohej më i kujdesshëm dhe shumë më profesional.
Me gjithë këtë kujtim të keq, Armando Koch atë paradite të 26 qershorit e vazhdoi revanshin e vet, për një çast duke e ulur tonin e zërit dhe spikatur ngazëllimin mbi tulin e mishtë të buzëve. Tha se “andej e këtej po konstatohet se qeveria juaj po merr masa ushtarake dhe në popull është përhapur lajmi se ishin mitralozat shqiptarë ata që e detyruan flotën italiane të linte Durrësin”.
“Jo, shqiptoi prerë Xhafer Vila, ne i injorojmë krejt këto masa!” Pastaj shtoi: “Por një pikë nuk duhet harruar. Forca e popujve të vegjël është fuqia e tij morale”.
Papritmas zëri i Armando Koch u zbut, gati-gati u qullos. Të njëjtën skenë Vila e pati parë kur po atë fillim viti, në një takim tjetër, ky nguli këmbë se “Italia ka investuar deri tani në Shqipëri rreth dy miliardë stërlina. Jemi të lodhur me aktet tuaja të kundërshtimit dhe të armiqësisë. Deri sa të mos jepni prova konkrete të besnikërisë dhe të predispozicionit të mirë ndaj nesh, nuk do t’u japim më ndihma të reja”. Xhafer Vila i qe përgjigjur menjëherë: “Shqipëria njeh 240 mijë stërlina të shpenzuara për punë me dobi publike. Diferenca është harxhuar për baza ushtarake detare e ajrore, rrugë e fortifikime strategjike për qëllimet italiane”.
Koch, tashmë, pas disa muajsh, me fjalë të rrumbullakosura, po i thoshte se vendi i tij kurdoherë kishte pasur qëllime të mira, pati synuar si qëllim të përhershëm konsolidimin e Shqipërisë. Veçse qeveria e Tiranës nuk manifestonte një sjellje në përputhje me realitetin e punëve. “Brenda një viti e gjysmë nuk ka bërë asnjë përpjekje për të zgjidhur çështje”, mëshoi. Vijimin e opinionit të tij e formuloi me shprehjet e lëmuara: “Shqipëria vetvetiu i ka elementët për të krijuar një shtet të fortë dhe të lumtur, por, në fillim, pa përkrahjen e një fuqie të madhe, e cila nuk mund të jetë tjetër veç Italisë, është e pamundur të organizohet dhe të sigurojë fizionominë e një shteti të qytetëruar. Qeveria shqiptare mund të mbajë orientimin e vet në politikën e jashtme, por edhe Italia nuk mundet të rrijë indiferente përpara këtij orientimi”.
Xhafer Vila këtë herë tundi kokën me pohim.
“Kur fqinjët e Shqipërisë do të kenë përshtypjen se aleanca midis saj dhe Italisë është duke u prishur, ju siguroj se plasja e trazirave do të jetë e pashmangshme. Këto turbullira i ka ndaluar vetëm frika e aleancës sonë. Studioheni çështjen me gjakftohtësi! Nuk kemi as më të voglin prapamendim kundër pavarësisë suaj. Nga ana e jonë nuk do të gjenit përveç se një kuptim dhe një mirëdashje”. Zëri i Armando Koch tashmë dukej si këshillues, madje qe bërë pothuaj lutës. Një Shqipëri që po shkonte përherë e më shumë në krahun e francezëve dhe të jugosllavëve do të ishte një humbje fatale për Italinë. Ai duhej t’i bëhej barrikadë asaj ikjeje pa kthim.
“Unë do të vij t’ju takoj edhe nesër në mëngjes, shqiptoi fjalët e fundit ministri fuqiplotë i Romës, dhe do të konkludojmë si për ikjen e luftanijeve, ashtu edhe për të kuptuar mendimin e qeverisë shqiptare për sa i përket çështjeve të mbetura varur, si edhe të eventualitetit të rinisjes së bashkëpunimit politik shqiptaro-italian”.
Një minutë më pas Xhafer Vila e përcolli Koch deri tek dera dalëse e paradhomës së zyrës së tij dhe u rikthye menjëherë në tryezën e punës. Mori një fletë të bardhë dhe nisi të hartonte për Ahmet Zogun raportin e asaj bisede. Kur e përfundoi, shënoi në fund: “Mua personalisht më duket se dëshira e italianëve është për të siguruar sa më shpejt një rifillim bashkëpunimi me të gjitha degët e aktivitetit. Nesër ai pret që t’i them se qeveria shqiptare është e gatshme për rregullimin e të gjitha çështjeve”.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com