|
Foto: .jpg | DRITË DHE HIJE TË REJA MBI AHMET ZOGUN
(Botuar në “Gazeta Shqiptare”, 30 maj 2013, nën titullin “Ylli Polovina: Zogu e dënoi me burg Qemal Stafën, e shtynë italianët”)
Nga Fatmira Nikolli
“Zog, pse ike\". Kështu titullo het libri i ri studimor i Ylli Polovinës. Dokumente të panjohura që sjellin risi për këtë figurë komplekse të historisë shqiptare, shpalosen në faqet e tij.
Një sulm i panjohur i vitit 1934, një gjyq kundra komunistëve më 1939, një dënim për Qemal Stafën, janë vetëm disa prej temave më të diskutuara në të. Në një intervistë për \"Gazeta Shqiptare\" jepen detajet e librit të ri. me studiuesin Ylli Polovina, autor i librit të sapo dalë, “Zog, pse ike”
-Porsa keni botuar librin \"Zog, pse ike\". Çfarë përmbledh ky botim?
-Në 226 faqe jam përpjekur të kryej një rivështrim të plotë të bëmës së tij. Për këtë qëllim kam vënë në qendër pikën më të debatueshme të karrierës së Ahmet Zogut: 7 prillin 1939. Diskutimi i kësaj teme do të jetë në historinë tonë të shkruar, por edhe në jetën e vendit një “perpetum mobile”. Nuk do të rreshtë kurrë. Madje përherë do të mbetemi të ndarë më dysh, pro dhe kundër. Ndërkohë shtatë prilli qe testimi, prova “në ngarkesë“, që iu bë modelit të shtetit të ngritur nga ai për pothuaj katërmbëdhjetë vite. Kjo ditë e premte 1939 nuk ka të gdhendur vetëm fytyrën fashiste musoliane të një pushtimi të pabesë, por edhe atë të qëndrimit të diskutueshëm të kryetarit të shtetit shqiptar. Sa janë në përmasa njëra dhe tjetra, si edhe sa faktorë të tjerë kanë vend, është edhe objektivi kryesor i këtij libri.
-Pse i keni vënë këtë titull?
-Për të marrë pjesë në debat, për ta shpallur këtë gjë që në fillim, fare hapur e drejtpërsëdrejti. Siç mund ta shihni në kopertinë titulli “Zog, pse ike” nuk ka asnjë shenjë përmbyllëse pikësimi. Që këtu nis pozicionimi im si autor. Edhe pse shumica e njerëzve këtë formulim e lexon në mënyrë pyetëse, si qortim apo kërkesë llogarie, të tjerë, edhe pse rezultojnë më pak, e deshifrojnë ndryshe. E lexojnë në mënyrë neutrale, si një mesazh i idesë se autori ka për qëllim shpjegimin e të gjitha rrethanave dhe arsyeve përse Ahmet Zogu e la vendin, kur pritej ta ndante fatin e tij personal me popullin në gjendje të plotë zemërimi sa që me qindra e qindra civilë kërkonin armë. Titulli pak a shumë universal “Zog, pse ike” paraqet atë qëllim, të cilin e kam mbajtur gjatë gjithë librit: të jetë i lexueshëm dhe i dobishëm prej sa më shumë bashkëkombësish që nuk mendojnë njëlloj. Ai nuk vë asnjërin kundër tjetrit. Të gjitha palët gjejnë prova të reja të kauzave të tyre. Kjo nuk do të thotë aspak se është libër “oportunist”. Është i vërtetë.
-Dhe besoni se ja kini dalë kësaj pune shumë të vështirë?
-Shpresoj se po. Ata pak që e kanë lexuar deri tani, kur janë prej atyre që dëshirojnë mëshim më të dukshëm të anëve pozitive të Ahmet Zogut, kanë ndeshur në libër dritë më të madhe për kontributin e tij politik. Për shembull, në këtë botim do të gjeni për herë të parë se si ai vetë dhe administrata e tij, përfshi edhe ushtrinë e xhandarmërinë, po ashtu inteligjencën dhe popullin e thjeshtë, kryen qëndresën ndaj një akti kërcënimi të ngjashëm me 7 prillin. Kjo ndodhi të shtunën e 23 qershorit 1934, kur ndërsa dita po thyhej, në gjirin e Durrësit u shfaq, pa asnjë lajmërim, një flotë e madhe luftarake italiane. Qenë 22 anije lufte, gjashtë prej të cilëve kryqëzorë. Askush nuk ka shkruar për këtë ngjarje që, siç ka ndodhur realisht, na nderon të gjithëve, larton kombin, emrin e shqiptarit. Ajo mund të barazohet, për nga heroizmi, me ndeshjen në bazën detare të Pasha Limanit, kur Shqipëria në 1961 u prish me sovjetikët. E pajisur me dokumente krejt të reja jo vetëm të Tiranës, por edhe të Romës, Beogradit, Athinës, Parisit, Londrës si edhe të fragmenteve nga shtypi perëndimor, rrëfimi i rezistencës përballë kësaj “prove gjenerale” të agresionit të pesë viteve më pas, në libër përfshin 53 faqet e fillimit. Ndihem i lumtur që, me këtë rast, i kam gjetur vend pasqyrimit të vlerës profesionale dhe atdhetare të ministrit të Jashtëm të këtyre çasteve, një të harruari e të mohuari padrejtësisht, Xhaferr Vilës. Polemikat e tij të pareshtura me shefin e Legatës Italiane, kokëfortin dhe arrogantin Armando Odatino Kok, janë simfoni bet’hoviane. Ministri Vila pati një fund shumë tragjik, sepse në 1 maj 1938, avioni ku ndodhej, në rrugën e kthimit për në Romë, ku qe tashmë drejtuesi i Legatës sonë, nëpër mjegull, u përplas me një mal në afërsi të qytetit të Formia-s, Pulia. Për pasojë u shkrumbua. Xhaferr Vila ato ditë kishte qenë në Tiranë si shoqërues i ministrit të Jashtëm italian, kontit Galeaco Çiano, në ceremoninë e martesës së Zogut me Geraldinën. Nga faqja 73 deri në 77 e rrëfej këtë tragjedi të pathënë ndonjëherë, madje edhe me një gjest tjetër të mbrapsht, fshehje nga zyrat e monarkut shqiptar. Me vete Xhaferr Vila kishte edhe një sasi gurësh të çmuar, diamante tepër të shtrenjtë, të marrë hua për zbukurimet martesore të mbretëreshës së re dhe po i rikthente, ku i kishte pajtuar përkohësisht. Këtij fakti nga Tirana zyrtare iu bë censurë e menjëhershme. Ai nuk citohet në asnjë prej raporteve që ndodhen në arkivin e Ministrisë tonë të Jashtme. E pikasa të fshehtën nga kërkimi në internet i një koleksioni të së përditshmes amerikane “Pittsburgh Post-Gazette”.
-Përfshihen ngjarje të tjera të panjohura në subjektin e librit?
-“Zot, pse ike” operon edhe me fakte të njohura, sepse ajo që ndodhi në 7 prill 1939 është hetuar nga mjaft historianë dhe studiues. Karakteristikja në botimin tim është se i këndvështroj ndryshe dhe i interpretoj aspak sipas mënyrave të njohura deri tani. Kjo nuk do të thotë se kam patjetër të drejtën me vete, por të paktën kam bërë gjithçka për t’i shpëtuar manipulimit apo shantazhit që ka bërë politika e mëpasshme mbi Ahmet Zogun. Këtë njëqind vjetor ne qemë dëshmitar të një rasti të ri shpërdorimi, rikthim i vrullshëm i mllefit ideologjik kundër tij si edhe sulmi i palës tjetër për ta glorifikuar e, ca më keq, shndërruar në një model politikani, në një shembull. “Zog, pse ike”, me disa fakte të ditura dhe shumicën dërmuese të reja, provon se nxirrja totale e tij dhe po ashtu himnizimi, janë të shumë të dëmshme për të vërtetën historike. Ahmet Zogu është një protagonist tepër bardhë e zi, shumë i thyer nga dritë-hijet. Kujtimi i tij jeton e do të mbijetojë mes një urrejtjeje të pashuar dhe nostalgjie apo admirimi që nga viti në vit nuk duket se po pakësohet.
-Shfletova disa faqe dhe pashë se në libër i hapni vend gjyqit special politik kundër komunistëve, shkurt 1939, vetëm dy muaj para agresionit.
-Edhe ky episod, bashkë me të gjithë kompleksin i tentativave të italianëve dhe jugosllavëve për ta likuiduar fizikisht monarkun shqiptar, e sidomos burimet e reja që sjell në këtë drejtim, përfshi edhe librin e autorit italian për shërbimet e fshehta, Andrea Vento, “In silenzio gioite e soffrite” (“Në heshtje gëzoni dhe vuani”), botuar në Romë në 2010, hyjnë në risitë e librit.
-Sipas jush cilat janë meritat e mëkatet e Ahmet Zogut?
-Po të thosha këtë në një intervistë nuk do të qe i nevojshëm të bëja një libër të tërë dhe t’i përkushtohesha gjashtë muaj të pandërprerë pune.
-Të paktën mund të na thoni nëse jeni pro apo kundër gjykimit se Zogu qe një politikan, i cili në 7 prill e tradhtoi vendin e tij.
-Për këtë akuzë që është mjaft e përhapur dhe këmbëngulëse unë e kam një opinion timin, të cilin lexuesi mund ta pikasë kur të mbarojë 225 faqet e librit. Kur qortohet, kritikohet apo akuzohet një nga qeverisësit më kohëgjatë të Shqipërisë (këta deri tani janë tre: Ahmet Zogu, Enver Hoxha dhe po merr formë të plotë Sali Berisha), në momenti, kur t’u themi se janë tradhtarë kombëtarë duhet të mendohemi mirë. Qeverisësit dhe të gjithë politikanët duhet të mbahen nën trysninë e përditshme që të mos t’u jepen pa fre plotësimit të interesave të tyre personale, duke lënë si të dytat ato të popullit. Për këtë mund të lejohet t’u thuhen, me dashamirësi apo keqdashje, “të nëntëdhjetë e nëntat”. Akuza “tradhtar” është e njëqindta, e fundit. Pas saj nuk ka asnjë tjetër. Prandaj le të mendohemi mirë para se ta shqiptojmë.
-Vërtet nuk do të thoni asnjë të mirë dhe të metë të tij?!
-E mira dihet dhe po pranohet masivisht: vuri themelet e shtetit tonë dhe qe i pranishëm në këtë vepër që nga Kongresi i Lushnjës deri kur Shqipëria u pushtua me dhunë. Janë gati dy dekada. Por pikërisht këtu libri “Zog, pse ike” shtron edhe këtë shqetësim: Përse ky shtet i sendërtuar sipas modelit të tij në 7 prill 1939 ra brenda njëzetë e katër orëve? Kjo ndodhi se qe shtet personal apo i të gjithëve, i vogël dhe u thye para një fuqie të madhe ushtarake apo fortesë e qëndrueshme që u braktis? Në rast se dëshironi të prononcohem për një të metë të Ahmet Zogut, këtë e bëj pa asnjë pengim për një ves të tij: qe dorëgjatë.
-Me këtë doni të thoni hajdut?
-Merreni si ta dëshironi! Në libër kam paraqitur prova, sipas të cilave Ahmet Zogu ka përzierë qëllimshëm Thesarin e Kurorës me atë të Shtetit Shqiptar, duke e përvetësuar padrejtësisht të gjithin.
-Pashë se në librin tuaj ka faqe të shumta me mbretër fqinj.
-Në libër janë disa histori paralele me Zogun, pra dëshmi si u sollën me fatin e vendit të tyre gjatë rrethanave të njëjta, pushtimit fashist, monarkët apo regjentët në Hungari, Jugosllavi, Greqi dhe Itali. Do të mahniteni me trimërinë e mbretit grek Jorgos II (Georgios II) apo me sedrën atdhetare të kryeministrit Alexandros Koryzis, i cili qe arvanitas. Ose do t’ju lejë mbresa mbreti jugosllav. Ky qe djalë i ri, Pjetri II. Thesarin e Kurorës jo vetëm e mbante të ndarë nga ai i Shtetit, por kur e pushtuan Beogradin nga që mbajtja e llogarive të tij qe shumë transparente, gjermanët arritën të zbulojnë ku qe strehuar në prag të ikjes për në Britani. Por historia e gjuetisë për thesaret mbretërorë dhe të shtetit, atij italian, grek dhe jugosllav, në libër është marramendëse, plot operacione trupash speciale, parashutime, agjentë, nëndetëse që shfaqen nëpër prag mesnatash. Mes tyre është e implikuar edhe Shqipëria, prej të cilës, nga ajri dhe nga deti, kryhen transportimi arkash me florinj.
-Si mendoni se libri juaj do të pritet nga familja mbretërore?
-Kjo është çështja e saj. Librin e kam paguar, siç veproj të shumtën e herëve, me ardhurat e mia financiare, të cilat janë vetëm paga e një nëpunësi shteti. Nuk i ndihem borxh kurrkujt. Saktësoj se ky botim në fund të vitit të shkuar nuk ishte as në projektet e mia të largëta. Në nëntor 2012 mbarova librin “Revolucioni me arkivol”, i cili ka në qendër atë që është quajtur Revolucion Demokratiko-Borgjez i Qershorit. Edhe atje mbaj një këndvështrim tjetër. Por duke qenë se po afronte fushata elektorale dhe botimi në këtë kohë do të keqkuptohej ose mund të shfrytëzohej nga politika e ditës sepse ka mjaft ngjashmëri me çfarë ndodhi tek ne në vitit 1997-1998, fillova të paplanifikuarin “Zog, pse ike”. Arsyeja shtytëse fillimisht qe emotive: përurimi i monumentit të Ahmet Zogut në Tiranë në 24 dhjetor, ditën e hyrjes së tij në kryeqytet në 1924. Po të ishte gjallë ai nuk do ta kishte pranuar dhe lejuar. Sa për kaq gjë të thjeshtë mjafton të dish hollësi se si Fan Noli me Faik Konicën në vitin 1942 luftonin, që për të çliruar Shqipërinë, të ngrinin një qeveri me lider Ahmet Zogun. Është shumë i ndërlikuar dhe interesant ky politikan për t’i rënë shkurt: ose bardhë ose zi.
Fragment nga libri “Zog, pse ike”
Enë kristali mes ashpërsisë karakteristike të viseve tona Geraldinë Apponyi ishte një e huaj e brishtë dhe nuk kishte mbrojtje tjetër veç tij. E nisi jashtë kufirit që në prag të zbardhjes së ditës së 7 prillit, por dashuria dhe detyrimi bashkëshortor e donte ta kishte afër, në sy dhe nën kujdes. Veç nuk i pati mbetur rrugë tjetër veç ndarjes. Ajo mund të qe e përkohshme, në vetëm pak orë apo ditë, por edhe e kërcënuar papritur të bëhej e gjatë pa fund, deri në mostakim. Do të mjaftonte që italianët t’i hidhnin parashutistë nëpër rrugën e ikjes apo ta bombardonin autokolonën, për ta kapur rob patjetër ose vrarë. Në 25 mars, kur ai u takua me të dërguarin e kryeministrit britanik, Thomas Hohler, ky më pas shkroi se “Qëndrimi i tij ishte krejt i shkujdesur dhe i vetmi shqetësimin ishte bashkëshortja, e cila priste një fëmijë“. Gjinekologu vjenez, profesori Eibel, kishte paralajmëruar se lindja mund të ishte e avashtë dhe e dhimbshme, pra një problem më vete mes shqetësimit të madh të sulmit ushtarak italian. Ja pse Zogu, vetëm e vetëm që mbi të shoqen të mos rëndonte stresi politik i atyre ditëve, luante njeriun e sigurt. Në të vërtetë, edhe pse hodhi 101 topa dhe nderi flamuj kombëtar, bëri në Pallat edhe një ceremoni të fryrë, monarku shqiptar nuk iu gëzua dot asaj lindjeje trashëgimtari dhe fatit që prej lindjes së vështirë Geraldinës nuk i ndodhi ndonjë ndërlikim. Në dëshirën që, për të nënshtruar Ahmet Zogun, të thyenin më parë gruan e tij shtatzënë apo lehonë, duken shumë cinike këto fjalë që Galeaco Çiano gërvishti në ditar: “Ka diçka tek e cila mbaj shpresë: lindja e fëmijës së Zogut. Zogu e do shumë gruan dhe gjithë familjen e tij. Besoj se ai do preferonte të siguronte një të ardhme të qetë për të afërmit. Dhe të them të drejtën nuk e imagjinoj dot Geraldinën duke vrapuar nëpër malet e Matit apo Mirditë në muajin e nëntë të shtatzënisë“.
Më shumë se tek atmosfera hutuese e festës së Pashkëve, tek moskokëçarja tipike e një fundjave, strategjia e sulmit ushtarak fashist e kishte llogaritur suksesin e vet tek orët e vështira të praglindjes së Geraldina Apponyi apo në ditët e saj të lehonisë. Aty shpresonin ta kishin kapur peng, njëherë e mirë, përfundimisht, monarkun shqiptar dhe kjo patjetër ka ndodhur. Kontesha hungareze i kaloi orët e fundit të barrës me ankthin e përditshëm të sulmit italian dhe tensionin e protestave popullore nëpër rrugët e kryeqytetit. Patjetër edhe në pasigurinë e merakut se, në bashkëveprim me agresionin fashist, kundërshtarë të paepur e të shumtë të të shoqit do të shpërthenin një kryengritje nga brenda. Të gjitha këto shqetësime nuk duhet të kenë qenë aq të këshilluara nga mjekët. Ca më tepër pasi lindi, tek ishte vetëm tridhjetë orë lehonë dhe mbi qiellin e Tiranës vërtitej tufa e avionëve, ndërsa shumë kryeqytetas, nga frika e ndonjë bombardimi të papritur, u larguan për në periferi ose fshatrat përreth. E munguar prej rregullave më elementare të kujdesit ndaj një gruaje të porsalindur qe edhe ajo ikje e ngutshme drejt kufirit grek, me një veturë të përshtatur si gjoja ambulancë, kur nga çasti në çast mund të merrte infeksion, ta godiste një bronkopneumoni fatale apo prej mosndërprerjes së gjakderdhjes të vdiste. Populli thotë se lehona në dyzetë ditët e saj të para e ka të hapur varrin. Në Larisa, në 11 prill, pra në fund të javës së parë të paslindjes, Geraldinës iu shfaqën në trup njolla të mëdha të kuqe dhe u shtrua menjëherë në spital. E kishin goditur ethet e lehonës dhe për ditë të tëra bëri një terapi intensive. Këto çaste, për ironi, disa gazeta greke, duke mos munguar edhe ato t’ia shtonin lodhjen dërmuese, hapën fjalë se do të divorcohej me Ahmet Zogun. Atëherë një zëdhënës i saj doli shpejt para thashethemexhinjve të shtypit vendas për ta përgënjeshtruar vendosmërisht.
Ahmet Zogu kishte rënë në dashuri me të pikërisht prej këtij virtyti besnikërie në kohë të vështirë, kur nuk e kishte më as fronin dhe as pushtetin. Sepse në ceremoninë zyrtare të martesës i kishte dhënë një besë të tillë edhe ai, betim për të mos u ndarë në kohë të mirë apo të keqe, rendi pas saj.
Kjo sjellje nuk ia lehtëson monarkut shqiptar, për 7 prillin, përgjegjësinë publike para popullit dhe vendit të tij, por në rastin kur ai do të sillej me mbrapshti me një zonjë të huaj, e cila kishte nevojë për t’i qëndruar afër, populli ynë dhe jo vetëm hungarezët, nuk do të ja kishin falur edhe një kritikë tjetër të rreptë.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|