Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

ÇETA E MYSLIM PEZËS ISHTE E KOMUNISTËVE APO E BRITANIKËVE?


(Botuar në “Gazeta Shqiptare” më 3 maj 2013)

Tek “Kur lindi Partia” Enver Hoxha pati thënë se “Në mars të vitit 1941 Myslimi goditi italianët në rrugën e Pezës dhe doli ilegal me gjithë çetë”, kurse ky në kujtimet e tij “Kur dhashë besën” e shtyn ilegalitetin e vet edhe dhjetë muaj të tjerë më parë (fillimi i qershorit 1940). Përse Babë Myslimi, duke e treguar dhe e pranuar, pra pa e fshehur, i bën një distancim kronologjik asaj që ndodhi në 13 mars 1941? Megjithatë, që të mos ngutemi në sprovën tonë, po e tregojmë 13 marsin siç vetë protagonisti e rrëfen. Kapitulli në librin e tij titullohet “Pushkët e para”. Fillimi ka këto fjalë: “E ndava mendjen ta filloj luftën. Ato ditë kishte ardhur vetë Duçja për t’u dhënë zemër ushtarëve të vet që po thyheshin në frontin grek. Vendosa që aksionin ta kryej ditën e enjte, më 13 mars. Zgjodha shtatë shokët ma të fortë: Sadi Sinanin, Kajan Karafilin...”
Myslim Peza thotë të vërtetën se ai çast u përzgjodh për të kryer të kundërtën e misionit të Benito Musolinit, pra shkurajimin e trupave të tij në frontin e luftës italo-greke. Në këtë kuptim aksioni i tij i parë i armatosur ka largpamje strategjike. Veç një pyetje të vjen vetvetiu në kokë: thua të jetë personalisht Baba ai që e ka parë kaq thellë veprimin apo këtë aftësi vizionare e kanë pasur të tjerë në njësinë e tij dhe ia kanë propozuar? Mos shtytësi, nxitësi, ka qenë agjenti britanik K/76, për të cilin na ka tërhequr vëmendjen studiuesi Auron Tare. Mes dokumenteve britanike të zbuluara së fundmi ai ka bërë publike edhe këtë: “Në dimrin e 1940, SIS sipas një dokumentacioni të rezervuar, dërgon nëpërmjet një agjenti të saj shumën prej 500 paund në flori në Pezë. Nga dokumenti që regjistron këtë dërgesë me firmën e Petër Boughey financieri i SD/SOE për Ballkanin, thuhet se: “K/ 76, një person i njohur i kësaj zone, i cili ishte tashmë në listën e SIS/SOE si një prej rekrutëve të ardhur nga Jugosllavia, e mori shumën e dërguar në adresë të tij”.
Që aksioni i 13 marsit 1941 është më tepër nga sa Baba shkruan me një “e ndava mendjen të filloj luftën”, mund të kuptohet edhe prej një arsyeje tjetër. Ai nuk është kryer me porosi të komunistëve. Në idenë e tij jo vetëm nuk kanë dorë ata të Grupit të Korçës, por as të Shkodrës. Nuk duket se ka as Enver Hoxha, i cili zotohet, pa dhënë asnjë provë, se i ka pasur lidhjet e njohjes dhe të bashkëpunimit me Myslim Pezën që sapo ky kaloi kufirin në fillim të korrikut 1939 dhe u rikthye, menjëherë pas amnistisë që dhanë italianët, në atdhe. Ngulim këmbë në këtë profil të ngjarjes, sepse historiografia zyrtare e gjysmëshekullit realkomunist, për inerci kjo ndodhi edhe pas vitit 1990, ka bërë gjithçka ta interpretojë këtë njësi si të prirë përherë dhe që në fillim nga komunistët. Madje nuk është mjaftuar vetëm me këtë përvetësim të saj, por edhe e ka shumëthënë se çeta e Pezës qe e para në Ballkan, e cila kreu një veprim ushtarak të organizuar kundër pushtuesve fashistë. Shënojmë se këtë kohë Moska po flirtonte me fashistët gjermanë në një pakt zyrtar Molotov-Ribentrop.Në 13 mars 1941, pra, të gjithë llojet e stalinistëve janë larg asaj që ndodhi. Afër, si edhe autorë të saj, janë anglezët dhe pas tyre, edhe jugosllavët. Çeta e Myslim Pezës fillimisht është edhe krijesë e tyre. Me këtë pohim nuk duam aspak të themi se ajo njësi qe një sajesë artificiale, një grup i armatosur i desantuar apo i eksportuar dhe Baba një vartës i thjeshtë apo agjent. Myslim Peza është një atdhetar, siç të tillë qenë edhe njerëzit që ai mblodhi në çetë. Aksioni i 13 marsit ishte një bashkëpunim, ku rolin kryesor dhe ekskluziv nuk mund t’ia japim asnjërës: as patriotëve shqiptarë, por as të dërguarve të Londrës dhe interesave të Beogradit. Rëndësi ka të vëmë në dukje se në këtë ngjarje të madhe dhe të nderuar, të regjistruar në kronikat e rezistencës tonë antifashiste, në veprimin e parë të rëndësishëm luftarak kundër pushtuesve, komunistët nuk kanë asnjë rol. Në këtë episod ata duhet të zbythen. I kanë peshuar me shumë bezdisje legjendës se janë ata krijuesit e frymëzuesit e çetës së Pezës, njësi trime dhe që i jep mjaft prestigj historisë tonë kombëtare. Duhet të pranojmë se në fillimet e luftës sonë të armatosur kundër fashistëve janë shtysë dhe frymëzim interesa të Perëndimit.
Me pak fjalë ne, shqiptarët, në Luftën e Dytë Botërore, jemi rreshtuar me demokracitë e zhvilluara jo kur kjo aleancë u krijua zyrtarisht dhe do të jetë njëkohësisht kjo epokë, kur batalionet e brigadat partizane, të drejtuara nga komunistët, do të bashkohen me forcat dhe vendet e mëdha antifashiste, mes tyre edhe me Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kemi qenë në krah të tyre mjaft më përpara, që në 13 mars 1941. Historiografia realkomuniste, po të ishte korrekte me të vërtetën, ngjarje kryesore të kësaj periudhe nuk do të ravijëzonte vjeshtën e 8 nëntorit 1941, kur u themelua PKSh, edhe ky një moment i spikatshëm, por atë që ndodhi në fillim të pranverës.
Kjo lidhje me anglezët dhe jugosllavët si edhe kjo autorësi e tyre që u mbajt fshehur, nuk mund të rezistojë gjatë, sepse mjafton ta çojmë edhe ca më tej rrëfimin e historisë së këtij aksioni të parë të çetës së Pezës. Ai nuk është veprim ushtarak i një grupi territorial të rëndomtë, por mirëfilli si i një njësie komando të ngarkuar për sabotime në prapavijë. Tregon Babë Myslimi: “Shokët u armatosën me pushkë, bomba e revolverë, u pajisën me litarë, sharra e sopata dhe mbasdarke u nisën drejt Pezës së Vogël...Njësiti arriti...afër mesit të natës dhe filloi menjëherë nga puna...” Pasi prenë disa shtylla telefonike që lidhnin Tiranën me Romën si edhe brenda vendit Tiranën me qytetet e tjera, “Në Qafën e Çeljes njësiti goditi dy vetura me oficerë fashistë brenda”.
Në këtë element të dytë të aksionit ne kemi të drejtë t’i themi Babës “Të paktën këtu mos na e fsheh të gjithë të vërtetën!” Sepse prerja e shtyllave dhe e lidhjeve telefonike mund të kryhej edhe në mesnatën e 14 apo 15 prillit, por goditja e dy veturave nuk mund të jetë bërë rastësisht, me që u dolën përpara. Ajo ka qenë e planifikuar, e parapërgatitur. Për ta realizuar atë pritë me siguri që më parë është mbledhur informacion. Nga cilat burime? Myslim Peza këtë të fshehtë e ka marrë me vete, por aksioni i 13 i marsit i njësitit të tij, që në këtë rast ka vepruar si komando, ka qenë tepër i sofistikuar dhe për ta realizuar nuk ka shërbyer ajo “e ndava mendjen”, por një rrjet i mirë organizuar informatorësh. Në “Kur dhashë besën”, pasi i gjithë atentati ndaj dy veturave me oficerë italianë rrëfehet në vetëm një rresht, pa dëshmuar asnjë hollësi tjetër, vijohet rrëfimi me këtë skenë: “Shokët e aksionit u kthyen në të gdhirë. –“Babë, e pat edhe kjo punë!-foli i pari Sadiu. –Hej lum baba! Për hajr e me nder!-I përqafova të gjithë me radhë dhe u thashë të shtriheshin për të fjetë”.
Ky dialog i shkëmbyer nuk mund të dyshohet, por ajo që pati ngjarë nuk qe aspak kaq folklorike. Ajo nuk ishte planifikuar nga ai grup fshatarësh, por prej ushtarakësh ekspertë dhe urdhëruar prej një qendre të specializuar veprimesh diversioniste. Për goditjen e dy veturave, siç shpjegohet në shënimet shoqëruese nga vetë botuesi i “Kur dhashë besën”, gjeneral Agostinuçi, nënkomandant i përgjithshëm i Karabinierisë, ka informuar eprorët se “Nga ora 1.00 më 14 vazhdues, të panjohur në pritë gjatë autorrugës Durrës-Tiranë, në afërsi të urës mbi përruan Pezë (Komuna Ndroq) zbraznin gjithsej nga 30 sërë pushkë kundër dy veturave...duke patur brenda kapitenin Guido Bencini, i zyrës së punimeve të xhenios në njërën dhe kontin Kampello në tjetrën, i cili mbeti i plagosur shumë lehtë”. Ky kont po ashtu dëshmon: “Unë isha përpara, ndërsa pas meje në të majtë presidenti i Institutit Nacional “Luçe”, Augusto Fanteki...Një nga të shtënat e para hyri në karroceri nga pjesa e sipërme e saj, majtas, dhe çau dërrasën, duke gërvishtur lehtë Fantekin dhe mua. Edhe pas largimit, zjarri i pushkëve na ndoqi nga pas...” Nënkolonel Karlo Garlo, komandant i Karabinierisë Durrës, po ashtu shkruan: “Sapo u njoftuam për këtë fakt të rëndë, unë vajta në vend me personelin tim dhe së bashku me oficerët e ushtarët e dërguar nga Tirana kreva një kontroll të lehtë në zonë pa gjetur asnjë gjurmë të autorëve, përveç një dyzine gëzhojash pushkësh italiane, austriake e turke në një ngritje terreni rreth 250 m larg urës mbi përroin e Pezës. Gjithashtu u konstatua se linja telefonike e aviacionit mbretëror ishte prerë në të njëjtin lokalitet në disa pika, me të prera të shkaktuara nga një sopatë. Ndërprerja e komunikimeve u vërtetua rreth orës 1.30-2.00 të së njëjtës natë të datës 14. Prandaj u mendua ...se autorët e dy episodeve ishin të arratisurit e zonës së Pezës së Madhe”.
Mund ta gjykoni tani sa e pabesueshme është që aksioni i 13 marsit 1941, mbase këtë kohë vërtet i pari i kësaj natyre dhe përmase në Ballkan kundër italianëve, ka qenë vendosur me një të ndarë mendjeje në dushqet e Pezës! Në njërën nga veturat ka qenë jo kushdo, por vetë numri i një i makinës më të madhe propagandistike fashiste të Benito Musolinit, i fabrikës së prodhimit të filmave dhe dokumentarëve zyrtarë, kinostudios “Luçe”. Mëkat që vazhdojmë edhe tani të heshtim për këtë ngjarje të madhe rezistence dhe ajo të mungojë me dimensionin e saj real në të gjitha librat shkollorë!
Ajo çetë do të bëhet më pas e komunistëve, madje do t’i bashkëngjitet edhe një komisar, por kjo do të ndodhë në një kohë tjetër, pas pothuaj një muaji prej superaksionit të 13 marsit, kur Jugosllavia do të pushtohet nga gjermanët dhe bazat e agjenturës angleze në Beograd dhe në të gjithë kufirin me Shqipërinë, e pushtuar nga italianët, do të shuhen, për t’u transferuar në Stamboll.

Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com