|
PËR SKËNDERBEUN NJË ZBULIM I MADH NË PULIA
(Botuar në Gazeta Shqiptare më 10 prill 2013)
Një muaj më parë Prof. Xhankarlo Valone ëGiancarlo Vallone] më dërgoi këtë mesazh: Dua të të jap një lajm: një miku im i mirë gjeti në një muze vizatime të shekullit të tetëmbëdhjetë, të bëra mbi bazën e pikturave antike, për fat të keq të humbura, të cilat ruajnë pamjet e dy dukëve të Galatinës të familjes Kastrioti Skënderbeu, fytyrat e të cilëve deri tani nuk njiheshin. Bëhet fjalë për Gjon Kastriot Skënderbeun, djali i heroit, dhe ai i Ferrante Kastriot Skënderbeut, i biri i Gjonit dhe nipi i Gjergjit.
Profesor Valone është një studiues shumë i përkorë me faktet historikë. Duke qenë vetë edhe me një kulturë juridike të thellë ai i ka ato të shenjtë. Pa dyshim që gjithçka qe saktësisht dhe në mënyrë të sigurt ashtu siç bënte të ditur ai. Kështu e para gjë që të shkonte ndërmend ishte nevoja për ta botuar dhe bërë të njohur para të gjithë shqiptarëve. Ishte një zbulim i madh në fushën e studimeve për Skënderbeun e sidomos për vazhdimësinë e jetës së familjes së tij në emigrim politik në Itali menjëherë pas vdekjes së heroit tonë kombëtar. Për të birin e vetëm, Gjonin, i cili në fillim të majit 1448, bashkë me të ëmën dhe shumë të veja princash të rënë si luftëtarë, kapërceu detin dhe shkoi në Mbretërinë e Napolit, ku mbreti Alfons i kishte dhënë dy qyteza prona, nuk kishte asnjë imazh të pamjes së tij. Duka Gjon, martuar me një bijë nga familje mbretërore serbe e njëkohësisht me prejardhje perandorake bizantine, ka qenë protagonist i njohur në jetën e Mbretërisë së Napolit e sidomos në mbrojtjen e saj dhe të trojeve të krishtera italiane nga ushtria osmano-myslimane e kohës. Ai duhej patjetër ta kishte një portret të pikturuar. Ja, më në fund u gjet.
Ishte po kaq e panatyrshme, madje edhe më tepër, mungesa e pamjes së Dukës Ferrante, birit trashëgimtar të Gjonit. Ky qe shumë më tepër i zëshëm se i ati, fort më i pushtetshëm se ai. Një portret për të në kohën e tij ka qenë pak. Megjithatë më në fund u gjet njëri prej tyre.
Miku i Prof. Valones, studiuesi i ri Luixhi Galante (Luigi Galante), i ka bërë të ditur edhe një vizatim të pamjes së Gjergj Kastriotit, me siguri skicuar prej një portreti të pikturuar të tij, të cilin e duhet ta ketë pasur familja, të transportuar me anijen e ikjes drejt Italisë ose, më pak e besueshmja, e bërë këtu. Edhe ky është një zbulim i madh, edhe pse imazhi i vërtetë, në moshën 62 vjeçare, një vit para vdekjes, ruhet në zemër të Romës, në mbiportikun e hyrjes së një pallati antik me emrin e tij, në një rrugicë pranë Presidencës Italiane që mban po atë emër dhe në krye të një sheshi që po ashtu quhet Skënderbeu.
Por përveç Romës me këtë kompleks dhe me sheshin Albania me në qendër një përmendore të Gjergj Kastriotit mbi kalë, Vjenës ku ruhen armët e tij fitimtare, Venecies, ku po shkëlqen me punë kërkuese dhe mjaft rezultative albanologia Luçia Nadin, është Pulia vendi, hapësira dhe vatra e katërt ku ruhen visare të jetës dhe veprës së Skënderbeut, si edhe të pasardhësve të tij, përfshirë familjet kryesore fisnike shqiptare, që kryen rezistencën legjendare kundër pushtimit osman.
Pikërisht këtu, në këtë rezervë të madhe dokumentare, për fat, jeton, studjon e zbulon, Profesori i Universitetit të Salentos, autor i mjaft librave për mesjetën italiane, mes tyre edhe i Aspekte juridikë dhe socialë në periudhën e qeverisjes aragoneze. Kastriotët në Tokën e Otrantos, të prezantuar vite më parë në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë.
Një muaj kohë, që nga lajmi i parë i tij, kaloi sepse Valone duhej të nxirrte leje zyrtare nga muzeu për ti publikuar të katër portretet. Pastaj lypej edhe ca kohë që shkrimi i tij në italisht të përkthehej nga i talentuari shqipërues dhe pedagog në katedrën e Albanologjisë së Universitetin e Salentos, Genci, i biri i dijetarit Emil Lafe.
Por të gjitha kaluan pa u ndjerë, siç përherë ndodh në prag të një gëzimi.
Ylli Polovina
Tre portrete të vjetra të Skënderbejve
Lexuesi shqiptar ndoshta e njeh, ose të paktën ka dëgjuar të flitet, për Galatinën, një qytezë sot në provincën e Lecces, në tokën e lashtë të Otrantos, edhe për faktin se Galatina ka qenë për një kohë të gjatë, që nga 1484 deri më 1565,, nën zotërimin e dukëve Castriota Scanderbeg, pasardhës të drejtpërdrejtë të Gjergjit të madh; pra të birit të tij Gjon (Giovanni), e më pas birit të këtij të fundit Ferrante, më pas bija e ligjshme e Ferrantes, Erina e bukur, e cila vdes më 1565, duke ia lënë Galatinën dhe zotërime të tjera të birit të vet, Nicolò Sanseverino, i cili ishte ndoshta baroni më i pasur i Mbretërisë së Napolit në shekullin e 16-të. Kur vdiq, Erina ndodhej në Kalabri, ku qëndronin Sanseverinot, dhe prej shumë vitesh nuk kishte qenë më në Galatinë. Mund të themi pra që Kastrioti (Castriota) i fundit që jetoi në Galatinë ishte duka Ferrante, i cili vdiq atje, më 1562, në kështjellën e tij që ekziston edhe sot, në sheshin përballë Kishës. Në këtë pikë historia bëhet interesante, sepse trashëgimtarët e Kastriotëve, pra Sanseverinot, deri kur qenë zotër të Galatinës (deri më 1606), nuk shkelën kurrë në Galatinë; dhe as zotërit e mëpasmë, Spinolat nga Gjenova, nuk erdhën pothuajse kurrë në Galatinë gjatë gjithë periudhës së zotërimit të tyre, i cili zgjati deri në heqjen e feudalizmit, nga francezët më 1806. Kjo mungesë e vazhdueshme e zotërve, përreth tre shekuj, i ndihu së tepërmi Galatinës për të rritur autonominë dhe për të shtuar pasurinë e vet; dhe vetë kështjella, ose pallati dukal mbeti i pabanuar, edhe pse, siç del nga disa burime, orenditë dhe pikturat kishin mbetur të njëjtat të kohës së zotërimit të Kastriotëve. Në këtë mënyrë arkipeshkvët e Otrantos, në dioqezën e të cilit ndodhej Galatina, filluan të vendoseshin në pallatin dukal, duke përfituar nga mungesa e pronarëve, për shkak të përparësisë që paraqiste një vend më i madh e më i sigurt dhe i lidhur më mirë me rrugët e komunikimit se Otrantoja. Tejet e rëndësishme ka qenë periudha e ipeshkvit spanjoll Gabriele Adarzo de Santander, i cili qëndroi gjithmonë në Galatinë (1657-1674), në pallatin dukal, që u bë kryeqendra e vërtetë e dioqezës, duke i dhënë jetë këtu një rrethi intelektualësh dhe studiuesish, ndër të cilët vlen të përmendet dijetari dominikan galatinas Alessandro Tommaso Arcudi. Sot ne nuk mund të shohim më pjesën më të madhe të strukturës së lashtë të kështjellës së Kastriotëve, mbi të cilën u vu dorë mjaft rëndë në fund të shekullit të 19-të, por mund të krijojmë një përshtypje mbi të falë një artisti të njohur galatinas, Pietro Cavoti (1819-1890), i cili realizoi një sërë vizatimesh dhe akuarelesh të pasura me pjesë dhe vende të Galatinës, Otrantos dhe mbarë provincës së Lecces, të cilat sot nuk i shohim më, për shkak se janë shkatërruar ose cenuar, por që gjenden në vizatimet e ruajtura, për aq sa mbetet prej tyre, në muzeun e qytetit (Museo Civico di Galatina), i cili mban pikërisht emrin e Cavotit. Por askujt nuk i kishte rënë në sy kjo pasuri përveç një studiuesi të ri, Luigi Galante, i cili prej vitesh po boton skicat e Cavotit, të cilat risjellin në jetë Salenton e zhdukur. Kështu, falë Luigi Galantes, që i rizbuloi, dhe falë Cavotit, i cili rreth një shekull e gjysmë më parë i vizatoi, mund të shohim portretet e dukëve Kastriotë Skënderbej (Castriota Scanderbeg) të Galatinës të cilat gjendeshin në kështjellën e tyre dhe natyrisht do të kenë qenë pronë e tyre, pra, mund të hamendësojmë, mjaft të besueshëm, dhe pra mjaft të ngjashëm me personat e përvijuar në to. Duka i parë i zbuluar nga Galante në skicat e Cavotit është Ferrante, nipi i Gjergjit të madh, i ruajtur në një akuarel shumë të bukur të Cavotit, të riprodhuar këtu. Në shënimet që për fat shoqërojnë skicën, Cavoti thotë se piktura origjinale ndodhej në kështjellën e Galatinës dhe iu dhurua nga ipeshkvi Santander një pjesëtari të familjes Calofilippi të Galatinës, ku Cavoti e vizatoi më 1871. Piktura origjinale sot ka humbur. Ndërsa për dukën Giovanni (Gjon), ati i Ferrantes dhe biri i Gjergjit, Cavoti (dhe Galante) na kanë ruajtur dy skica: të parën Cavoti e vizatoi më 1851 në pallatin Arcudi, sot i rrënuar, duke e marrë nga një gravurë (ai thotë nga një stampë e lashtë), për të cilën nuk dimë asgjë; këtu Gjoni është vizatuar me shqiponjën dykrenore (stema e Skënderbeut) përbri. Ndokush mund të hamendësonte se të paktën kjo stampë paraqet Gjonin, atin e Skënderbeut, në vend të Gjonit (Giovannit) birit të tij; por besoj se kjo hamendje është e gabuar. Më pas Cavoti na ka lënë një skicë tjetër, e cila paraqet Gjonin tonë; nuk na e jep datën e vizatimit, por thotë se e ka riprodhuar sipas një pikture të vogël (quadretto) që ndodhej në sakrestinë e kishës mëmë të Galatinës (ku nuk ndodhet më), së cilës ia kishte dhuruar Santanderi (që natyrisht e kishte marrë nga kështjella). Dhe befasia e fundit: një vizatim, me intensitet të jashtëzakonshëm, i zbuluar po nga Galante, të cilin Cavoti e përshkruan Giorgio Castrioto. Pikturë në kështjellën e Galatinës. Cavoti nuk na thotë se në çvit e ka vizatuar, por natyrisht gjatë shekullit të 19-të ai kuadër ndodhej në kështjellë (ku sot nuk ndodhet më). Pyetja është: A ka qenë gjithnjë në kështjellë ajo pikturë? Ishte portreti i Gjergjit të madh, që kishin biri dhe nipi i tij? Nëse është kështu, do të gjendeshim përballë relikës së portretit më të rëndësishëm të Skënderbeut. Por duhet të jemi të kujdesshëm, ajo pikturë mund të jetë sjellë në kështjellë në një kohë të mëvonshme, në shekullin e 17-të ose të 18-të ose edhe më pas, dhe të jetë njëra nga kopjet e shumta të prejardhura nga ikonografia e Skënderbeut, edhe pse kjo nuk duket hipoteza më e besueshme. Natyrisht mund të pohohet të paktën një gjë: këto vizatime nuk janë shpikje të Cavotit, i cili është një autor me ndershmëri dhe përpikëri abolute. Edhe për këtë i jemi mirënjohës.
Giancarlo Vallone
(Përktheu: Genc Lafe)
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|