Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Komunizmi e çeli derën më 7 prill të 1939


(Botuar nè “Shqiptarja.com” nè 7 prill 2013)

Duke qenë personalisht i bindur se pushtimi fashist italian jo
vetëm i rrëmbeu sovranitetin shtetit 27 vjeçar shqiptar dhe i këputi në
mes, me një goditje të rëndë e kriminale, krejt zhvillimin e tij normal,
por u shndërrua edhe në gjeneratorin kryesor të ushqimit, rritjes dhe
fuqizimit të lëvizjes komuniste prosovjetike në vendin tonë.

Ishte Roma fashiste ajo që po e ndihte, edhe pse në mënyrë të
pavetëdijshme e duke kujtuar se po e luftonte, ardhjen e shpejtë të
Moskës në Shqipëri. Përpara asaj shtyse që i dha pushtimi këtij procesi,
roli për të njëjtin qëllim i grupeve komuniste në Korçë, Shkodër apo
Tiranë, e kudo gjetkë nëpër qytetet tona, përbën një faktor fare të
pallogaritshëm.

Në këtë aksion paradoksal u gjend edhe Ahmet Zogu, politikani që
antikomunizmin e kishte shndërruar jo vetëm në ideologji të mbretërimit,
por edhe në instrument aktiv të pushtetushtrimit. Një aksion i shpejtë
arrestimesh i radikalëve të majtë, në gjysmën e dytë të muajit dhjetor
1938 dhe që mori formë publike në 14 janar 1939 me botimin në shtypin e
Tiranës e dekretit të porsafirmosur nga monarku mbi emërimin e trupit
gjykues të Gjyqit të Posaçëm për Faje Politike, bëri bujë dhe po aq jehonë.

Çuditërisht kjo pati ngjarë vetëm tetë ditë më vonë nga çasti kur Benito
Musolini hodhi mbi letër një firmë tjetër, kobzezë: miratoi planin e
ministrit të Jashtëm dhe dhëndrit të tij Gaetano Çiano për pushtimin e
Shqipërisë.

Gjyqi spektakël kundër komunistëve u përpoq të mbulonte atë që në të
vërtetë ziente brenda raporteve të mbretit jo me Bashkimin Sovjetik, i
cili në këto raste për Shqipërinë nuk tregonte ndonjë interes të
veçantë, por me Italinë. Lexuesi e di fare mirë që këtë kohë, si
administratë e qeveri, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të
mëdyshuar e gjer pasivë ndaj fatit të vendit tonë.

Pikërisht në këtë pikë të ulët të interesit të dy fuqive të mëdha, por
edhe të dy mënyrave të kundërta të jetesës dhe të organizimit të
shoqërisë dhe të shtetit, totalitarizmit dhe demokracisë, është fashisti
Benito Musolini që i fut duart, duke i përzierë e deformuar ngjarjet
shqiptare, përmbysur tërësisht kahen e tyre. Ai e kishte vendosur me
kohë pushtimin, edhe pse e pëlqen që kjo të jetë sa më e
pazhurmshme,“paqësore”, e tipit të përfshirjes, të gëlltitjes, të
“peshkut të madh që ha të voglin”. Në arkivat italiane thuhet se “Drejt
fundit të vitit 1937 nisi të punohet në Shtatmadhori hipoteza e një
pushtimi të Shqipërisë.

Në 30 shtator 1937 atasheu ushtarak në Tiranë, nënkoloneli Mario
Bombagli, hartoi një raport mjaft interesant mbi kushtet shumë të këqija
të ushtrisë shqiptare dhe të oficerëve të saj. Gjithnjë në 1937 u emërua
ministër i Italisë në Tiranë Françesko Jakomoni di San Sovino, arkitekt
i Anschluss-it (përfshirjes bashkuese. YP) ala italian”. Ndërsa në 6
janar Musolini firmosi planin zyrtar të pushtimit të Shqipërisë dhe në
ditën e katërmbëdhjetë të atij muaji Ahmet Zogu, të cilit rreziku real
dhe më imediat i vinte nga fashizmi dhe jo nga komunizmi, e nisi
publikisht akuzën kundër këtyre të fundit.

Në vijim të operacionit policor të nisur në fund të dhjetorit, më 15
janar Ministria e Brendshme nxori urdhrin për arrestimin e Qemal Stafës,
personit që pas disa javësh e deri sa në 5 maj 1942 u vra në një
përleshje me karabinierët, do të jetë komunisti më i njohur dhe popullor
i vendit. Pasi u vu nën përgjim arrestimi i Qemal Stafës u krye natën e
24 janarit, atje ku jetonte, në Tiranë.

Fillimisht e çuan në zyrat e Xhandarmërisë, të cilat ndodheshin në
rrugën e Dibrës. Këtu e futën në një dhomë të vogël, ndërsa bënte shumë
ftohtë. Dimri i atij viti qe shumë i egër. Ngjitur me kthinën, ku e
përplasën, gjendej dhoma e torturave. Sipas njërit prej biografëve të
tij, shkrimtarit dhe studiuesit Nasho Jorgaqi, këtë prani të qëllimshme
Qemali e kuptoi kur nisi të zbardhte dhe filluan të dëgjoheshin goditjet
e rrahësve si edhe ndonjë rënkim.

Pas këtij presioni psikologjik në mëngjes qe radha e tij për të hyrë në
atë dhomë, ku një rreshter profesionist dhe tre xhandarë, duke e mbajtur
të lidhur me pranga, nisën ta rrahin sapo hyri. E vijuan masakrimin e
tij fizik edhe ku ra përdhe. Pasi njëri nga xhandarët i hodhi një kovë
me ujë, i nisën torturat mbi shpullat e këmbëve. Ia shpuan me bajonetë,
majat e thonjve të gishtave të tyre po ashtu ia goditën me kondak
pushke. Qemal Stafës fytyra iu enjt që atë ditë. U sollën kështu me të
për një javë rresht. “Më kujtohet akoma rënkimi i një të sëmuri që mezi
merrte frymë”, kujton një dëshmitar.

Pastaj vijon “Pyetëm rojen që rrinte pas nesh, dhe ai na u përgjigj:
“Nji derr komunist si ju. E rrahën sa e vdiqën dhe nuk hapi gojë fare.
Tre shkopinj janë thye në kokën dhe shpinën e tij, po nuk bzanë, nxihet
në fytyrë e shtrëngon dhambët. E quajnë Qemal, prandaj në rast se s’doni
ta pësoni si ai, të rriheni si kafshë, tregoni menjëherë”.

Ne i shtimë një vështrim rojes dhe nuk i folëm. ....Qemalin, pasi e
patën rrahur gjithë natën, e kishin ngjitur lart në terracë, në një si
birucë, për të mos ardhur në kontakt me të arrestuarit e tjerë. Nga të
rrahurit i kishte rënë tri herë të fikët...Herën e tretë u trembën, se
Qemali nuk jepte shenja jete dhe prandaj e lanë të qetë, por pa ndjenja.

Të nesërmen Qemali, dikur i kuq e i shëndoshë, ishte zverdhur, nxirë e
ajtur. U thirr doktori, i cili, pasi e vizitoi, e ndaloi rrahjen”. Ishte
dita e tetë e arrestimit. Që prej këtij çasti e çuan në Burgun e Vjetër
dhe e mori një kapiten për të filluar procesin e hetimit. Në tri salla
këtu qenë grumbulluar, ngjeshur me njëri-tjetrin, të gjithë komunistët e
prangosur në zbatim të dekretit mbretëror të 14 janarit. Qenë 73 të akuzuar.

Gjyqi i tyre publik, në fakt një shfaqje politike, do të niste në
mëngjesin e 4 shkurtit. Datënisjen po e bëjmë të ditur për të shfaqur të
dukshme lojën e Ahmet Zogut në sajimin e një rreziku, i cili ato çaste
as ekzistonte dhe as qe për t’u spikatur, ca më shumë propaganduar aq
fort në shtypin zyrtar, ku formulohej fraza bombastike “Shqipëria nuk e
pranon propagandën komuniste shkatërrimtare”. Aq e stisur, e manipuluar
dhe e shtrembëruar qe, në favor të një pushtimi fashist, pamja e vërtetë
e kanosjeve ndaj jetës personale dhe regjimit të tij, sa shpresojmë të
jenë sado pak bindës faktet që do të paraqitim më poshtë.

Ndërsa në 4 shkurt fillon me bujë gjyqi special politik kundër 73
komunistëve dhe Qemal Stafa do të nisë të bëhet një emër i famshëm me
deklaratën e tij publike “Jam komunist i bindun dhe deklaroj se vetëm
komunizmi do ta shpëtojë masën e punëtorisë që sot ndodhet e shtypun;
jam i sigurt se çfarëdo që të ndodhë, ne komunistët do ta shpëtojmë
Shqipërinë”.

Bashkëshortja e Ahmet Zogut, Geraldina Apponyi, dekada më pas, në
kujtimet e saj, do të përshkruante edhe tre orvatje të fashistëve
italianë për vrasjen e të shoqit, që të tre të kryera në shkurt 1939.
Pra paralelisht me zhvillimin e gjyqit politik kundër komunistëve. Ky u
mbyll pasditen e 11 shkurtit, moment kur gjykata dha vendimet e
dënimeve. Më i spikaturi qe ai për Qemal Stafën.

Studenti në drejtësi dhe që kishte ndjekur universitetin në Firence, i
vetmi i cili kishte deklaruar se qe komunist i bindur dhe sipas
dokumenteve gjyqësore “e pranon gjith akuzën që i bëhet”, u propozua nga
prokurori të dënohej me 15 vite. Gjykata i dha gjashtë, por duke qenë se
nuk kishte mbushur as tetëmbëdhjetë vjeç iu zbrit në vetëm 3.

Nga 73 të arrestuarit të dënuar qenë 56. Menjëherë pas shpalljes së
viteve të burgimit komunistët nisën të këndonin internacionalen në mes
të sallës së bashkisë. Ngjarja bëri jehonë që atë ditë. Kështu
shqiptarët u kujtuan për ideologjinë dhe modelin e organizimit të
shoqërisë dhe të shtetit, që vinte nga Moska.

Në 11 shkurt kishte ndodhur edhe një ngjarje tjetër: pati ndërruar jetë
në Paris stalinisti Ali Kelmendi. Tentativa për ta vrarë Zogun ndodhi të
nesërmen dhe sigurisht që në të nuk kishin dorë fare të pasionuarit pas
bolshevizmit. Në 12 shkurt, në orën 16.00, gjatë shëtitjes me
mbretëreshën në kopshtin e Pallatit, Ahmet Zogu dalloi midis shkurreve
grykën e një arme të drejtuar kundër tyre.

Çifti u kthye me të shpejtë në pallat dhe aty ai i pohoi të shoqes “Sapo
shpëtuam nga një atentat”. Qe dita, kur me porosi të tij të drejt për
drejtë shtypi zyrtar shpërtheu një fushatë antikomuniste, duke e
djallëzuar atë sa më fort e ngulur këmbë se ajo ideologji nuk pajtohej
me konstitucionin shpirtëror të shqiptarëve si edhe dhe “me shpirtin
arbëror”.

Përpjekjen tjetër në kujtimet e saj Geraldina e vendos në mes të të
njëjtit muaj. Më 14 shkurt Jak Koçi, i cili shpallej si besniku i Zogut
dhe vetëbesohej si “njeri i shtëpisë”, u thirr posaçërisht prej mbretit
për drekë. Ky e dinte që ai kishte hyrë në shërbim të Kontit Çiano dhe
kishte marrë përsipër për ta vrarë me shpërblimin e 10 milion liretave.

E dinte po ashtu se vepra do të kryhej në bashkëpunim me Xhovani Xhiron.
Ky me planin për përmbysjen nga brenda të Ahmet Zogut, pati hyrë në
Shqipëri ende pa dalë muaji janar. Xhiro qe specialist i lëvizjes rinore
fashiste. Mbreti shqiptar i kishte të dhëna të mjaftueshme sa për ta
pranuar formalisht, por edhe që t’i jepte të kuptonte se nuk do ta
mbështeste.

Por Xhiros aq i bënte. Ai qe një arrogant dhe nuk ia falte Zogut të
gjitha pengesat që krijonte për të mos u strukturuar ndonjëherë në
vendin e tij ndonjë lëvizje fashiste. Ai kishte vendosur ta rrëzonte me
çdo kusht dhe për këtë nuk kishte vetëm nxitjen dhe mbështetjen e
hierarkëve më të lartë partiakë e qeveritarë të Romës, por edhe shuma më
mëdha parash. Xhovani Xhiro nuk bëri asnjëherë praptazi në detyrën e tij
kryesore.

Për këtë qëllim ai jo vetëm mobilizoi “grupet e sulmit”, njësi
profashistësh që do të merrnin pjesë drejt për së drejti në kryengritjen
e armatosur, por takoi vazhdimisht krerë lokalë, në veri të vendit si
edhe në jug. Ethet e përkushtimit të tij për realizimin e grushtit të
shtetit kundër Zogut shtoheshin vazhdimisht edhe me një fushatë
intensive për organizimin e rinisë shqiptare sipas modelit të vendit të
tij, duke përfshirë edhe llojet e formacioneve më ekstremiste të saj,
famëkeqet grupe fashiste “Ujqit e Romës”.

Por ditët kalonin dhe fashizmi nuk po i zgjeronte dot radhët në
Shqipëri, strukturat e tij nuk po bëheshin masive dhe popullore. Sidomos
në Tiranë dhe në Korçë, ku nga specialisti i diversionit u mëshua më
shumë, ato nuk funksionuan. Shqiptarët treguan se nuk josheshin prej
kësaj ideologjie, çfarë deri ato çaste e kishin dëshmuar edhe për
antagonisten e saj, komunizmin.

Ndërkohë dinakërisht edhe vetë Ahmet Zogu iu kundërvu këtij procesi. Për
ta rivalizuar dhe penguar ai ngriti Organizatën e Rinisë “Zogu I”.
Konkurrenca mes dy palëve jo rrallë u pasua nga ndeshje fizike dhe
rrahje kolektive. Xhandarmëria zogiste, kur ndërhynte për t’i ndarë
njerëzit e Xhovani Xhiros dhe simpatizantët e mbretit, nuk kujdesej fare
të qe e paanshme, por dilte në mbështetje të të rinjve monarkistë.

Pikërisht midis skuadristit të pafre Xhiro dhe mikut të afërt të
familjes së Ahmet Zogut, Jak Koçit, i cili e kishte pranuar misionin e
tij vrasës në një takim të fshehtë në Romë me kontin Çiano, në dhjetor
të vitit 1938, u ndanë punët. I pari do të nxiste trazirat në vend,
kurse i dyti do të kryente vrasjen.

Sipas Geraldina Apponyi në atë drekë-kurth të Ahmet Zogut u zbulua se
Koçi qe përpjekur të komprometonte të dy kuzhinierët, njërin shqiptar
dhe tjetrin hungarez, “për të helmuar gjellët e çiftit mbretëror”. Pasi
ia tha në sy të vërtetën Zogu “e dëboi mysafirin, e zuri për veshi dhe e
hodhi me një shkelm në fund të shkallëve”.

Të nesërmen, më 15 shkurt, ai u ankua tek shefi i legatës italiane në
Tiranë, Jakomoni, për një komplot që po i organizohej kundër dhe se
subversioni kishte nxitjen e vetë Romës. Ahmet Zogu e vuri në dijeni se
do të urdhëronte arrestimin e disa elementëve diversionistë, shumica e
të cilëve katolikë.

I bëri të ditur Jakomonit se Xhovani Xhiro dhe Jak Koçi do të dëboheshin
nga Shqipëria për në Itali. Pas këtij veprimi ai e informoi Legatën
Britanike për çfarë po përgatisnin italianët kundër tij dhe menjëherë
një raport i përfaqësisë diplomatike angleze në Tiranë u nis drejt
Foreign Office-it në Londër.

Në të njoftohej se Zogu qe mjaft i sigurt se Musolini po bëhej gati të
jepte urdhrin për pushtimin e Shqipërisë dhe se para kësaj do të
provokohej një trazirë e çfarëdoshme, mbi bazën e të cilës do të
justifikohej mbërritja e ushtrisë dhe gjoja rivendosja e rendit publik.
Ky turbullim publik parashikonte edhe “një komplot për të rrëzuar
qeverinë dhe për të vrarë mbretin”.

Në raportin për eprorët Legata Britanike saktësonte se Ahmet Zogu e
kishte zbuluar edhe personin që merrej me organizimin e grushtit të
shtetit. Londra duhej ta dinte dhe mundësisht t’i ishte në krah për të
gjitha veprimet që do të ndërmerrte më pas.

Mbreti shqiptar, i cili ndërkohë kishte organizuar spektaklin gjyqësor
dhe politik kundër komunistëve, duke i shpallur ata si rrezik i parë për
vendin, ndërsa këtu gabonte, nuk i ndodhte kjo në rastin e fashistëve.
Planin që Ahmet Zogu me mjaft vendosmëri dhe inteligjencë e denoncoi
pabujshëm, larg syve të opinionit publik, e pohon në ditarin e tij edhe
vetë Çiano kur shkruan se “Veprimi është i qartë, të vritet mbreti,
shqiptarët do të bënin thirrje për ndërhyrjen e Italisë, kurora do t’i
kalonte Viktor Emanuelit III dhe në një fazë të dytë – aneksim i thjeshtë”.

Sidoqoftë në 18 shkurt komploti italian për ta rrëzuar regjimin dhe
vrarë Zogun kishte dështuar. Kjo qe edhe dita kur në Romë pranojnë se
vazhdimi i heqjes qafe me atentat i mbretit shqiptar do t’u krijonte
telashe diplomatike ose zhurmë të panevojshme gazetash, prandaj do të
ndryshonin kurs. Do ta pushtonin ushtarakisht Shqipërinë, madje shumë
shpejt, por këtë qëllim do ta mbanin sa të mundnin fshehur.

Ahmet Zogu po jepte shenja dëshire për t’i lënë pas gjërat e hidhura dhe
me këtë rast le t’i shprehnin atij miqësi formale. Kështu një çast u duk
se betejën e vogël me Italinë fashiste mbreti shqiptar e kishte fituar
dhe zhvendosur në një kohë tjetër çastin kur do ta shfronësonin, siç
edhe në Romë e patën vendosur që në 27 tetor 1938.

Xhovani Xhiro u arrestua dhe menjëherë, në 22 shkurt, me një avion
special, u dëbua nga Tirana për në Itali. Një ditë më parë qenë
arrestuar për veprimtari diversioniste edhe katër fashistë e italofilë,
por për të cilët më pas Françesko Jakomoni, me porosi të Musolinit, do
t’i kërkonte qeverisë së Tiranës të liroheshin.

Ndërsa filofashistët e burgosur dolën nga qelitë, në 5 mars nga Tirana
Jakomoni i nisi Romës njoftimin se në Shqipëri rendi i mëparshëm i
gjërave qe rivendosur dhe“se mbreti, pasi kishte provuar frikën më të
madhe të jetës së tij, shkon në ekstrem duke demonstruar miqësinë e tij
për ne. Ai më dërgoi përshëndetjen e tij “vëllazërore”. Fakti është se
asnjë nga aktorët nuk ka folur dhe se loja vetëm po shtyhet”.

Tashmë, në fillim të muajit mars 1939, mund të thuhet se më në fund qe
bërë e kuptueshme loja politike, të cilën, që prej gjysmës së dytë të
dhjetorit 1938 deri në fund të shkurtit 1939, e pati kryer Ahmet Zogu.
Ajo megjithatë nuk do të ndryshonte asgjë në fatin e tij. Qe me rezultat
fiasko, pse jo edhe me efekt bumerang.

Goditjen e shpejtuar dhe masive kundër komunistëve ai e pati shpikur për
të mbuluar atë që i duhej patjetër ta eliminonte si rrezik i vërtetë dhe
imediat: skuadristët e Xhovani Xhiros. I humbi që të dyja sipërmarrjet
jo vetëm se përballë kishte një shtet mjaft të madh, të fuqishëm dhe
arrogant, i cili ia kishte vënë thonjtë në fyt, por edhe sepse për
nevoja politike Zogu u shtirr.

Zogut nuk i duhej thelbi, por sipërfaqja. Arrestimeve të komunistëve dhe
sidomos gjyqit të madh ai i dha aq shumë pompë sa e gjitha u kthye
kundër tij. Gjer në çastin kur këta rrinin në tre sallat e izoluara të
Burgut të Vjetër punët shkonin disi mirë për planin mbretëror, por kur
të akuzuarit dolën në sallën e madhe të godinës së bashkisë së
kryeqytetit dhe sidomos kur Qemal Stafa shqiptoi të padëgjuarën deri
atëherë“Jam komunist i bindun dhe deklaroj se vetëm komunizmi do ta
shpëtojë masën e punëtorisë së sot ndodhet e shtypun; jam i sigurt se
çfarëdo që të ndodhë, ne komunistët do ta shpëtojmë Shqipninë...”, idetë
e tyre u bënë shumë popullore. Në vetëm pak ditë komunizmi bolshevik
kishte fituar terren politik sa për dekada të tëra pune ilegale.

Kështu Ahmet Zogu, duke bërë të kundërtën e saj që në të vërtetë
dëshironte, e ndihmoi mjaft përhapjen e tij.Kjo shtysë e madhe
propagandistike për depërtimin e shpejtë, të mëvonshëm, të komunizmit në
Shqipëri, do të ndihmohej edhe nga pushtimi fashist italian, i cili u
kryer nga 7 deri në 9 prill, kur e vuri kontrollin në të gjithë
territorin. Në frontin e rezistencës me armë, tepër i zbehtë dhe
qëllimisht i çorganizuar, asnjë komunist nuk do të ndodhej.

As në arkivat e Shtetit dhe as në kujtimet e njerëzve nuk ndesh në
gjurmë të tyre. Historiografia e gjysmëshekullit diktatorial citon vetëm
rolin e Hamit Shijakut në një demonstratë në Tiranë, por edhe kjo e
zhvilluar në mbrëmjen e 3 prillit në kinemanë “Gloria”. Në 5 prill disa
simpatizantë të komunizmit në gjimnazin e Tiranës i kërkuan qeverisë
lirimin e të burgosurve të Gjyqit Special.

Qemal Stafa, njeriu që edhe për tre vite të tjera do të bëhet një nga
figurat më karizmatike të stalinistëve shqiptarë, ndërkohë ndodhej në
një qeli të Burgut të Vjetër dhe mundi të dalë prej andej vetëm në fund
të ditës së 7 prillit, pasi në të shpërtheu revolta. Gjatë ikjes u
plagos dhe pushtimin e përjetoi në pamundësi të ngrihej në këmbë.

Në mbrojtjen me armë, në portin e Durrësit apo në tre drejtimet e tjera
të sulmit pushtues, Shëngjin, Vlorë dhe Sarandë, ishin të tjerë ata që
luftuan, popull i thjeshtë shumica, disa reparte ushtrie apo
xhandarmërie si edhe një emër i madh patrioti, Mujo Ulqinaku. Por edhe
oficeri të lartë: Abaz Kupi.

Që komunistët shqiptarë nuk e kanë dhënë dëshminë e tyre të vetëmohimit,
përveç fajit të tyre para historisë, ka ndodhur edhe sepse shumë nga ata
ndodheshin në gjendje burgimi dhe internimi. Ahmet Zogu, vetëdijshëm apo
jo, i kishte paralizuar. Me këtë rast pati dobësuar edhe mbrojtjen e
vendit të vet, prej të cilit, po të humbiste fronin, kishte gjykuar me
kohë të zgjidhte shpëtimin e vetvetes, ikjen.

Në 7 prill 1939 në Shqipëri hyri me dhunë fashizmi, i cili tërthorazi do
të ndihmonte që po me forcë të vërshonte edhe komunizmi. Këtij kobi i
dha dorë atë pranverë të trishtë edhe vetë Zogu. Pse jo edhe disa nga
shtetet e demokracive perëndimore. Vendi ynë i vogël ra nën zgjedhë dhe
pavarësia e tij i likuidua mes heshtjes apo vetëm mërmëritjes së
Parisit, të Londrës apo Uashingtonit.

“Për momentin opinioni publik ndërkombëtar është i qetë”, shkruante në
ditarin e tij Konti Çiano. Më pas ai gërvishi mbi letrën e bardhë të
radhoit të shënimeve edhe këto fjalé: “E takova Duçen disa herë. Ai
është i qetë, frikshëm i qetë dhe më shumë se kurrë i bindur se askush
nuk do të dojë të ndërhyjë në punët tona me Shqipërinë”.

Në 10 qershor në Legatën Shqiptare në Uashington erdhi nga Departamenti
Amerikan i Shtetit urdhri për mbylljen e saj, ndërsa një ditë më pas
drejt Tiranës qe nisur porosia që sa më shpejt t’i vihej kyçi edhe
përfaqësisë së tyre diplomatike. Në 14 korrik numri një i Legatës
Franceze në kryeqytet, Louis Mercier, bashkë me të shoqen, u larguan nga
Shqipëria. Shefi i asaj Britanike, Konsulli i Përgjithshëm Andrew Ryan,
edhe ai me në krah me bashkëshorten, u larguan nga Shqipëria më 17
korrik. Kështu fashizmi dhe komunizmi do të hynin dhe rrinin në viset
tona njëri pas tjetrit, madje të dy së bashku, në të njëjtën kohë. Nga 7
prilli 1939 deri në funddhjetor 1990 ata vetëm do të alternoheshin.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com