Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PATRIOTJA VOGËLUSHE, VETËM 8 VJEÇ


(Botuar në gazetën “Shqip” më 10 mars 2013)

Ka një këngë shqiptare, e cila është parë dhe dëgjuar në botë mbi 6 milion herë. Këtë mund ta verifikosh në internet, në shërbimin youtube. Vetëm në një nga shumë variante interpretimi ajo zotëron 764502 shikues. Sigurisht një shifër e tillë nuk përfshin fare numrin qindramijësh të fëmijëve që e kanë kënduar dhe dëgjuar masivisht në Shqipëri në dyzetë e pesë vite të ekzistencës së saj, pasi në 1967, në një festival kombëtar në Shkodër, fitoi vendin e dytë.
Kjo mrekulli quhet “Qengji i vogël”. Kompozitor është Zef Leka. Ai ndërroi jetë në vitin 1999. Nën një mllef ideologjik absurd, tre ditë para se të dilte në pension, më 4 korrik 1979, në një sallë konferencash të atëherë Qytetit Stalin, ndërsa në mbyllje të asaj mbledhjeje të Frontit Demokratik do të jepte një koncert të vogël i biri, Sokoli, këngëtari i parë i “Qengjit të vogël”, befasisht e akuzojnë për armik të “Pushtetit Popullor”. Pastaj e arrestuan po aty, para turmës dhe syve të lebetitur të fëmijës. Që prej asaj dite ajo këngë, që ishte bërë shumë popullore, gjer në fillim të viteve nëntëdhjetë, e vijoi jetën e saj të suksesshme si anonime, pa autor. Për një inerci të hidhur jo rrallë Zef Leka moskujtohet edhe tani, kur krijesa e tij tashmë është një superstar.
Por asgjë nuk jeton në këtë botë se i hyn në zemër apo jo një pushteti. Iluzion, dredhi dhe grackë e mbrapshtë kush e beson këtë gjë. Sidomos kur ajo që ke sendërtuar është art, pra punë e kryer me talent. Që prej këtij çasti jetë e mos harrim i jep populli. Dhe ky sot nuk është ai që futej dje në salla e dëgjonte propagandë. Është krejt tjetër. Ca më pak është turmë. Ai ka brenda elitë. Dhe kjo nuk është vetëm këtu, brenda kufijve tanë shtetërorë, ku e lirë, në ndonjë rast gjithsesi mund ta kushtëzosh. Elita e popullit tonë ndodhet kudo nëpër glob, e paimponueshme prej askujt. Ajo është edhe kontribuesja më e madhe e imazhit mjaft normal e plot dhunti karakteristike të shqiptarëve. Një prej këtyre qelizave vitale të elitës kombëtare ndodhet në Norvegji. Është një familje. Përbëhet nga shqiptarja Lindita, prej islandezit Thorkell Ágúst Óttarsson dhe tre vajzave të tyre Emma, Mirjami dhe Hulda Elira. Lindita është mësuese kantoje dhe po ashtu këngëtare krijimesh klasike. Mirjami gjithashtu këndon. Këtë fundjavë ishte, me korin e shkollës së vet, në Oslo, tek interpretuan \"Gloria\" të Vivaldit. Hulda Elira qe në shkollën e saj me provat e
mjuzikhollit \"Fiddler on the roof\" (“Violinisti mbi çati”). Por ajo tashmë është e famshme për njërën nga interpretimet e “Qengjit të vogël”. Deri tani ka mbi shtatëmbëdhjetë mijë shikues, shumë janë islandezë dhe norvegjezë. Hulda e këndon me një shqipe aq të bukur, tingëlluese dhe të pastër sa mjaft bashkëkombës në këto dy shtete e konsiderojnë një model për mësimin e gjuhës shqipe. Pra vlerësohet si një abetare me tinguj. Ishte vetëm tetë vjeçe kur e këndoi. Banonin atëherë në Islandë. Një ditë njëra prej këngëtareve të dëgjuara të vendit e telefonoi Linditën dhe i tha se pati marrë përsipër që së bashku me Kryqin e Kuq të bënte një cd me këngë për fëmijë nga vende të ndryshme të botës. Do të qenë gjithsej dymbëdhjetë krijime muzikore nga Danimarka, Kina, Lindja e Mesme, Bosnja, Islanda, Irlanda. USA... Me përfitimet e diskut do të ndihmonin bashkëmoshatarët e tyre në Afrikë. Pasi e kishte pëlqyer shumë “Qengjin e vogël” të Huldës, e vendosi edhe atë në cd. Këtë kohë familja Óttarsson u zhvendos në Norvegji dhe gjer fund të tetorit 2004 nuk morën vesh gjë për diskun. Në fund të dhjetorit dëgjuan rastësisht se radio islandeze do të transmetonte një këngë të Hulda Elirës. Gazetarja Sigridur Petursdottir, e cila qe edhe mike e familjes, nuk e dinte që ishte vajza e tyre. Nga i gjithë disku pati zgjedhur vetëm dy: “Qengji i vogël”, e cila ishte në krye të listës dhe një angleze. Pas këtij emisioni cd u shit dhe tani gjendet pothuajse në të gjitha kopshtet e Reykjavikut.
Në youtube, ndërsa nga 19 korriku 2011, kur Thorkell Ágúst Óttarsson e vendosi aty dhe kënga po hyn në mijëshen e tetëmbëdhjetë të shikuesve, Hulda Elira e ka të shoqëruar nga i ati biografinë e saj të shkurtër artistike me fjalët se ajo është “gjysmë islandeze dhe gjysmë shqiptare”.
Ndërkaq Lindita po bëhet gati këto ditë të japë një koncert. Kënga e parë e saj është himni i arbëreshëve, “Moj e bukura Moré”. Miqtë e saj bashkëkombës, kur u kërkoi një mendim si ta interpretonte më mirë, e këshilluan “Thuaj që është këngë malli, e që në vendin tënd, sot që shqiptarët janë shpërndarë në të katër anët e botës, malli është kënga e parë”. Dhe ajo u përgjigj “Kënga merr përmasa kohe dhe vendi. Do të mundohem tua përcjell këtë gjë norvegjezëve”.
Dhe përmasat reale të atdheut, do të shtonim. Që tetë vjeç këtë dëshmi e kishte dhënë vogëlushja dhe bija e saj Hulda.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com