Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

MEHMET SHEHU ISHTE DËNUAR ME VDEKJE


(Intervistë e botuar në “Shqiptarja.com” më 27 janar 2013, dhënë gazetarit Armand Plaka)

Pjesa e dytë

TIRANE- Shqiptarja.com vazhdon sot publikimin e intervistës së
studiuesit dhe publicistit Ylli Polovina. Ai rrëfen detaje të panjohura
e interesante mbi misteret që shoqëruan vrasjen e ish-kryeministrit më
jetëgjatë shqiptar. Polovina vijon me rrëfimin e tij, duke na sjellë
pikëpamje shumë interesante dhe individuale. Fut në lojë tashmë edhe
..Nexhmije Hoxhën e Fiqerete Shehun, por rritet edhe prezenca e Alisë.


AUTOLIKUIDIMI I SHEHUT, TRIUMF PERSONAL I \"SPRINTIERIT\" ALIA
Në numrin e shkuar nisëm këtë intervistë të gjatë me studiuesin Ylli
Polovina, i cili pikësëpari u përqëndrua tek kritika ndaj përpjekjeve
aktuale për rivlerësimin e figurave kryesore të ish-diktaturës, duke e
parë atë edhe si moment të papërshtatshëm në aspektin politik. Sigurisht
se dosja \"Shehu\" dhe njëkohësisht \"personazhi\" i tij kryesor në librin
me titull: \"Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia\", (Shtëpia botuese:
EMAL, 2011) nisën të analizohen gjerësisht qysh në këtë numër dhe
kësisoj arritëm në përfundime të tilla si: Mehmet Shehu nuk është as
kriminel dhe as shtetar i madh, apo edhe se: Shehu u vetëvra në mënyrë
të ndërgjegjshme, dhe aspak në një moment krize apo humbje të vetëdijes.
Gjithashtu, studiuesi Polovina ndalet gjatë në krahasimet që bën me të
ngjashmit e Mehmet Shehut në ish-Jugosllavi e ish-BRSS, përkatësisht
ish-shefi i Shtatmadhorisë Jugosllave, Koça Popoviç dhe Tukaçevski (
Marshalli viktimë e \'purgës\' staliniste të viteve \'30), ndërsa rikthehet
sërish në terrenin fillestar e pretenduar se: Është shumë e trishtueshme
se si vazhdon e tirret vazhdimisht pëlhura e gjoja një vrasjeje, dhe
paralajmëron se: Ky cikël telenovelash ..do të vazhdojë.
Tregon një fakt interesant, sipas të cilit, Mehmet Shehu vetë kishte
lënë porosi qysh në mesvitet \'70 që shprehja: \"Vetëvrasja e një
ushtaraku, të gjykohet si tradhëti\", të zinte rrënjë në \"legjislacionin\"
ushtarak, duke pohuar në të të njejtën kohë paditurinë e Hoxhës rreth
këtij detaji, i cili, do t\'a kishte ndryshuar me shumë gjasa, edhe
\"tablonë\" e tij të famshme sinoptike rreth veprimtarisë së
\"poliagjentit\" Mehmet Shehu.
Më pas trajton hollësisht letrën e Shehut, që sipas Polovinës, përbën
edhe testamentin e tij ( jo vetëm politik). Ndalet në domethënien e saj,
gjë me të cilën do të merret edhe në pjesën e dytë të intervistës. Në
numrin e sotëm, do të vijojmë me sjelljen e disa pikëpamjeve shumë
interesante dhe shumë individuale nga ana e z. Polovina. Ai fut në lojë
tashmë edhe bashkëshortet e dy ish-udhëheqësve më të lartë të regjimit
komunist në Shqipëri, Nexhmije Hoxha e Fiqerete Shehu, por rritet
ndjeshëm edhe prezenca e Ramiz Alisë. Në fund të pjesës së dytë, ai
arrin në përfundimin se: një rehabilitim politik i Enver Hoxhës dhe i
Mehmet Shehut do të qe e kundërta e nevojës historike. Gjithsesi, kjo
pjesë e përmbledhur në pika të veçanta, vërtitet tek këto linja orientuese:
1. Ish-Kryeministri Shehu u vetësakrifikua për ego pushteti.
2. Autolikuidimi i kryeministrit qe në të vërtetë triumf personal i
vrapuesit \"sprintier\" Ramiz Alia.
3. Mehmet Shehu qe kokënxehtë, i paqëndrueshëm dhe i pakontrollueshëm, i
ashpër dhe pa aftësi komunikuese.
4. Shehu sinqerisht i lutet Enver Hoxhës ta mbrojë atë Shqipëri siç ajo
qe, pra që ajo të mos ndryshonte.
5. Mehmet Shehu qe dogmatik i pandreqshëm stalinist, edhe pse duhet
thënë që intelektualisht ishte personalitet i një niveli të lartë,
kapacitet organizativ dhe ekzekutiv i pazakonshëm.
6. Mehmet Shehu nuk e kuptoi se për Enver Hoxhën ishte dhe kishte qenë
përherë, një kartë e djegur.
7. Ky nuk donte të linte pas një figurë të fortë politike, një që të
krijonte, qoftë edhe duke e pasuruar \"marksizmin\", një doktrinë të vetën.
8. Vendit... përzgjedhja e detyruar e Ramiz Alisë dhe plotësimi i etjes
së tij për të qenë për ca kohë i pari, i solli më pak të këqija.
Në vijim, pjesa e dytë e intervistës me studiuesin Ylli Polovina:

* * *
Nga ana e vet, Hoxha nuk e ka pritur këtë vetëvrasje, ajo e kapi në
befasi dhe ai menjëherë e interpretoi si sfidë. Tek \"Jeta ime\" Ramiz
Alia shkruan \"...kur po shkonim në këmbë për në shtëpi, Enveri më tha:
\"Edhe unë jam dakord me propozimin që bëre ti, për \"Vërejtje në kartën e
regjistrimit\". Këtë do ta them në diskutimin tim nesër\'\", kur do të
mbahej edhe seanca e fundit e mbledhjes së Byrosë Politike\".
Alisë, siç është mirë kjo të ndodhë me çdo politikan, i duhet vënë një
\"brez sigurie\" për të pasur më mirë mundësinë të kuptosh ku thonë të
vërtetën, gjysmën e saj dhe po ashtu gënjeshtrën. Enver Hoxhës, në
ekuilibrin e brendshëm mes tij dhe dy kandidatëve për ta pasuar, Mehmet
Shehut dhe Ramiz Alisë (Hysni Kapo pati ndërruar jetë me kohë, kurse
Kadri Hazbiu lakmonte vetëm postin e kryeministrit), në atë dhjetor 1981
nuk i duhej asnjë tronditje. Të kujtojmë se që nga marsi i demonstratave
në Kosovë ai vit qe i mbushur me tensione rajonale, por edhe më tej.
Partia e tij dhe Shqipëria duhej të shfaqeshin në \"unitet të çeliktë\".
Mehmet Shehu do ta kishte radhën e likuidimit më pas...

-Ju mendoni se gjithsesi kryeministri do të hiqej qafe?

-Po. Ai ishte dënuar me vdekje.

-Çdo me thënë kjo: \"Ishte dënuar me vdekje?\"

-Që kur kishte nisur, pas infarktit të rëndë të zemrës së Enver Hoxhës,
në 16 tetor 1973, lufta e brendshme për pasardhësin, gjithçka qe bërë me
heqje koke. Likuidimi fizik ka qenë tipari themelor i kësaj beteje të
brendshme, pamja e saj më mizore, më çnjerëzore, më tmerruese dhe më
\"shqiptare\", sepse në përmasa të tilla nuk gjendet jo vetëm në vendet e
tjera ish-socialiste, as në motet më të egra të qeverisjes së Stalinit.
Shpesh them me vete dhe dua ta besoj, se kjo kasaphanë brenda
njëri-tjetrit, ka qenë në një farë mënyre edhe marrja hak, shpagimi për
krimet që ideologjia e kohës dhe veçanërisht grupi politik bolshevik
rreth Enver Hoxhës, u shkaktuan padrejtësisht rivalëve, sidomos të
djathtës moderne shqiptare, e cila, duke qenë në fillimet e veta, qe
fare e brishtë. Shkatërrimi i saj ka qenë një krim i madh social. Mehmet
Shehu u vetëvra, sepse në mbrëmjen e vonë të 17 dhjetorit, qoftë edhe me
vetëm vërejtjen në kartën e regjistrimit të partisë e jo më me
nënvleftësimin e hapët që i bënë në kritika shpërfillëse anëtarët e
Politbyrosë, këta ushtarë prej plumbi të Enver Hoxhës, ai nuk mund të
ishte më kandidati i parë zëvendësues i tij. Nuk kishte asnjë arsye
tjetër, as politike, as ideologjike, as morale. As se u fye në sedër.
Kryeministri, komunisti dhe partizani i vjetër u vetësakrifikua për ego
pushteti. Hoxha e kishte bërë zgjedhjen dhe Shehu nuk gabonte në
pashpresën e tij. Kryebolsheviku shqiptar kishte paracaktuar si
pasardhës Ramiz Alinë. Më shumë se e pëlqyer, kjo qe e detyruar.
Po të ishte për Enver Hoxhën, trashëguesi më i mirë ishte Hysni Kapo.
Por ky e la, me vdekjen e tij për shkaqe natyrale dhe aspak sepse ishte
njëri prej të likuiduarve në luftën e brendshme. Madje në këtë dyshim që
fërgëllon edhe sot, ka qenë triumfi i mëvonshëm, befasues dhe
spektakolar i Ramiz Alisë, i cili gjallëroi shqetësimin se jo Enveri,
por ndonjë agjenturë e huaj ia ka hapur rrugën me fillimisht heqjen qafe
të Kapos, vdekur në 23 shtator 1979 në klinikën e Pol Miliezit në Paris
dhe të Mehmet Shehut nëpër mesnatën e trazuar të 17-18 dhjetorit 1981,
ndërsa është provuar që në qoshet gjysmë të errëta në afërsi të korpusit
të Komitetit Qendror, Kryeministrisë dhe Bllokut, lëviznin informatorë,
zbulues dhe deri një mjet i ambasadës jugosllave.
Autolikuidimi i kryeministrit qe në të vërtetë triumf personal i
vrapuesit sprintier Ramiz Alia. Mjafton të depërtosh në mjaft hollësi të
jetës së tij për t\'ia zbuluar talentin e rrallë që kishte për të dalë i
pari: vënien e tjerëve në lëvizje, pa e kuptuar ata, tamam si nën një
hipnozë, për të punuar për të.
Duhet të ketë pasur një sy që e ka parë jo shumë kohë pas vdekjes. Ajo
apo ai, i cili nuk u kërkua kurrë, e ka hapur dhe e ka mbyllur derën
vetëm sa për të parë që Mehmet Shehu nuk qe më gjallë. Pastaj ka
informuar \"ustain\" apo qendrën e vet. Kur lajmi shkoi tek Enveri, ky,
mendoj, nuk ishte më as i pari dhe as i dyti. Megjithatë, si konspirator
i madh, dhunti që e kishte bollshëm, Hoxha dy ditë rresht ka përpirë të
dhëna dhe foto të trupit pa jetë të Shehut, vetëm e vetëm për të pikasur
nëse, për ta sfiduar e lënë qyqar, të rrethuar në vetmi dhe pafuqi, ia
kishin vrarë.

-Mendoni se zgjedhja e Alisë si pasardhës ishte e imponuar nga rrethanat
apo qe e kundërta, ishte vetë ky i fundit që i krijoi këto rrethana?

-U bashkuan të gjitha. Ramiz Alia ishte njeri me fat. Në të vërtetë kjo
ndodh me të gjithë trashëgimtarët e pushtetit. U duhet njëmijë herë më
pak mund se ata që e kanë krijuar atë. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, dy
shtyllat më energjike të atij regjimi, kishin punuar dhe rrezikuar shumë
për ta marrë pushtetin dhe mbajtur.

-Atëherë i bie që me Alinë, Enver Hoxha bëri zgjedhjen më të keqe.

-Çuditërisht më të mirën. Ose më saktë, Ramiz Alia qe e keqja më e mirë.
Ta shpjegojmë pak këtë që të mos keqkuptohet. Për të ardhmen më të mbarë
të Shqipërisë, nuk duhej të ishte as ajo ideologji dhe as ajo klasë
politike, por ne interpretimin po e kryejmë në kushtet kur diktatura qe
ende e fortë dhe impononte të ardhmen e vendit. Që të shpjegojmë sado
pak se si pasardhës i Enver Hoxhës më i pranueshëm se Mehmet Shehu ishte
Ramiz Alia, na duhet të rikthehemi tek letra e pragmesnatës së 17-18
dhjetorit. Kjo dëshmi e anashkaluar, jo vetëm për ta pëlqyer këtë
histori si triller apo film \"action\", por mbi të gjitha, e përsëris, mbi
të gjitha, për ta ëngjëllizuar Shehun, provon se ai është po aq
stalinist sa shefi i tij. Me shkrim dhe në të vërtetë sinqerisht, ai i
lutet Enver Hoxhës ta mbrojë atë Shqipëri siç ajo qe, pra që ajo të mos
ndryshonte. Përveç se në brendësi të letrës-testament, në mbyllje të saj
Shehu brohoret \"Rroftë Partia jonë e lavdishme, me vijën e saj kurdoherë
të drejtë, marksiste leniniste!\", \"Poshtë imperializmi...!\"

Pra Shehu ishte një dogmatik?

I tillë qe Mehmet Shehu, dogmatik i pandreqshëm stalinist, edhe pse
duhet thënë që intelektualisht ishte personalitet i një niveli të lartë,
kapacitet organizativ dhe ekzekutiv i pazakonshëm, me një dhunti
teknokratike që ndonjëherë, ndryshe prej kapos së tij, ia frenonte
zellin e politizimit. Ishte mendje që e pranonte zgjidhjen alternative
dhe nuk i hakmerrej kritikës. Atdhetar po ashtu, e vëmë në dukje, sepse
shumë shpejt do të vijmë tek çështja e raporteve të tij me Kosovën.
Midis Mehmet Shehut dhe Ramiz Alisë, pra dy pasuesve të detyruar, Enver
Hoxha doemos do të zgjidhte të dytin. I pari ishte i humbur nga ky
shans, sepse jo vetëm të dytin ia donte familja e mbi të gjitha
bashkëshortja e njëkohësisht bashkëpunëtorja e ngushtë. Alia dinak, para
se të fitonte Enver Hoxhën, zotëroi të shoqen e tij, pastaj edhe
familjen. Mehmet Shehu, kryelartë së koti, parimor dogmatist, jo vetëm i
rrinte larg shtëpisë Hoxha, por edhe i bënte karshillëk me sqimë për të
mos pranuar ndonjë ofertë lidhjeje kurore. Ndërkohë, interesat e
familjes për Enver Hoxhën qenë përparësi jo për të trashëguar dengun me
para, apo ndonjë pasuri tjetër kolosale, sepse ai ishte asket bashkë me
regjimin e tij dhe kurrë nuk kanë për t\'i gjetur se ka vjedhur shtetin
dhe hequr mënjanë flori. Familjen i duhej ta mbronte prej një rreziku
real. Në rast se me ambiciozin Mehmet, për sa qe gjallë, shpresonte të
bënte një pakt, nuk mund të ndodhte kjo me superambiciozen, por edhe të
zgjuarën, Fiqirete. Këto dy gra, Nexhmije dhe Fiqirete, nuk shkonin fare
me njëra-tjetrën. Ndërkohë paranoja, por edhe instikti i vetëmbrojtjes,
e shtynte Hoxhën drejt hamendjes se Mehmet Shehu, si pasardhës, jo vetëm
do të sillej keq me të tijtë, por edhe më zi se aq. Mund t\'i zhdukte.
Siç e dini, në atë stinë të parë të një dekade purge, 1973-1982, Enver
Hoxha e mbrojti Alinë dhe ky, si \"atlet\" që ishte, ia shkarkoi
politikisht të gjithë barrën e akuzës për liberalizëm
borgjezo-revizionist në sektorin e vet, Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës.
Mehmet Shehu qe kokënxehtë, i paqëndrueshëm dhe i pakontrollueshëm, i
ashpër dhe pa aftësi komunikuese. Të gjithë anëtarët e tjerë të Byrosë
dhe jo vetëm Enveri, ia njihnin dhe ia mosaprovonin këto të meta. Shehu
po ashtu e pati kaluar negativisht \"provën në ngarkesë të plotë\" që i
kishte bërë shefi i tij qëllimisht, duke e caktuar për ca kohë edhe
sekretar të Komitetit Qendror dhe u shastisën kur panë se ky nisi të
botojë, njëlloj si Hoxha, serinë e veprave të zgjedhura. Madje pothuaj
me kapakë shumë të përafërt në ngjyrë. Vetëm për luftën i dolën dy
vëllime, merreni me mend për periudhën \"socialiste\" sa \"tulla\" të tjera
do të na shtoheshin nëpër biblioteka! Po ashtu në Çorrush, muzeu për të
u bë i madh, megaloman. Ai nisi ta stërhollonte dhe përsëriste shumë
historinë e viteve të qenies komunist që në shkollën ushtarake në
Napoli, pastaj atë të pjesëmarrjes në luftën e Spanjës...
Edhe Hoxha pohon se ai kishte qenë qysh atëherë një komunist?!
Enver Hoxha gjer në muajt e parë të vitit 1940, nuk ka qenë kurrë
komunist dhe gjithçka tjetër të mëparshme si militant i kësaj
ideologjie, madje jashtë vendit, në Francë dhe në Belgjikë, e ka sajuar.
Prandaj që gjatë luftës e sidomos kur e hodhi pushtetin të gjithë në
duart e veta, ata që kishin një të kaluar komuniste më të madhe se të
tij, apo ia dinin mirë këtë mangësi, i hoqi qafe pa pasur asnjë lloj
mëshire. Fali, vetëm duke i internuar, kush e mbylli gojën dhe e
garantoi se sa të qe gjallë nuk do të bëzante.
Me një fjalë pavarësisht si u zhvilluan ngjarjet që kur u shpall fejesa
e të birit e deri tek nata e vetëvrasjes, Mehmet Shehu nuk e kuptoi se
për Enver Hoxhën ishte dhe kishte qenë përherë, një kartë e djegur. Ky
nuk donte të linte pas një figurë të fortë politike, një që të krijonte,
qoftë edhe duke e pasuruar \"marksizmin\", një doktrinë të vetën. Hoxha as
e çante kokën për \"marksizëm-leninizmin\". Ai i duhej për pushtet
totalitar e të përjetshëm, për \"mbretërim\", siç edhe bëri. I nevojitej
po ashtu edhe për të krijuar enverizmin, platformën e tij mësimdhënëse
jo vetëm për bashkështetasit e bashkëkombësit, por për të gjithë botën.
Enverizëm donte të thoshte që Shqipëria dhe shqiptarët duhej që në mot
të motit të kishin si kah drejtimi dhe zhvillimi vetëm çfarë jepte
direktivë ai.
Po ashtu pasardhësi, pas Hoxha, duhej të ishte qenie amorfe, as ashtu
dhe as kështu, i pazoti të formulonte ide dhe kurs të vetin, i
paguximshëm të ndërmerrte ndonjë ndryshim. Ai duhej vetëm të përhapte
doktrinën e Enverit, të qe zëdhënësi e altoparlanti i tij. Ja pse më të
mirë se Ramiz Alia ai nuk gjente tjetër në të gjithë faqen e rruzullit.
Ky, siç dihet, ia mbajti besën, edhe pse po t\'i lexosh me vëmendje çfarë
ka lënë të shkruar dhe të folur, nuk ka përtuar t\'ia lërë në përgjegjësi
të gjitha hatatë e gjysmëshekullit të shkuar. Megjithatë, në vijat
kryesore, ai veproi siç e kishte menduar dhe dëshiruar shefi i madh. Në
këtë kuptim mes Mehmet Shehut dhe Ramiz Alisë, që të dy stalinistë të
thekur, por i pari fare i paparashikueshëm dhe i dyti i telekomanduar,
për llogaritë e tij, që e çuan Shqipërinë në katastrofë, Enver Hoxha
ishte i saktë.
Mendoj se edhe vendit, i cili gjithsesi do të dëshironte ndërrim të
sistemit shoqëror, përzgjedhja e detyruar e Ramiz Alisë dhe plotësimi i
etjes së tij për të qenë për ca kohë i pari ynë, i solli më pak të
këqija. Ngul këmbë në idenë se tipari më i rrezikshëm i grupit më të
madh numerik që për gjysmë shekulli kishim në krye, qe prirja pa cak e
pa fre ndaj përdorimit të dhunës. Mehmet Shehu bënte pjesë në këtë
kategori. Ramiz Alia i druhej kësaj mënyre ushtrimi pushteti dhe për sa
ishte në krye të makinës së tërbuar të diktaturës së proletariatit dhe
deri sa lëvizja demokratike e dhjetorit 1990 e largoi nga timoni i saj,
edhe pse qe pa kurajë dhe i mosmundur ta ndalte dot, nuk e egërsoi më
shumë. Me një fjalë nuk e gjakosi si më parë.
Tani duket si fantazi, sepse kanë dalë ca \"trimosha\" që mburren se ia
kishin futur frikën asaj goxille shtetërore në ngordhje. Por kjo
gjakderdhje mund të ndodhte pikërisht sepse, duke dhënë shpirt, ajo
rrangallë nuk komandohej dot dhe rrotat nuk i bindeshin. Në rast se
bataretë e automatikëve do të shtinin mbi turmat e demonstruesve do të
qe krimi i fundit, më i tmerrshmi. Në ikje e sipër, për të mos u kthyer
më, Alia dhe ndjekësit e tij, e shmangën këtë parandjenjë të kobshme dhe
asgjë e tillë nuk ndodhi. Ishte gjesti i parë i reflektimit dhe i
korrigjimit, i cili më pas ka edhe të tjerë, por gjithsesi ka mbetur
fare i pamjaftueshëm.
Sigurisht në këtë atmosferë, ku borxhi i diktaturës ndaj kombit akoma
është i madh, një rehabilitim politik i Enver Hoxhës dhe i Mehmet Shehut
do të qe e kundërta e nevojës historike.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com