|
POLOVINA: SHEHUN SPIUN FOKLORIK E PËRSHKROI VETËM ENVERI
(Intervistë e botuar në Shqiptarja.com më 29 janar 2013, dhënë gazetarit Armand Plaka)
Pjesa e tretë
Në pjesën e tretë të rrëfimit të tij ekskluziv për Shqiptarja.com,
studiuesi Ylli Polovina thellohet edhe më shumë në analizën e tij rreth
\"misterit\" Shehu, dhe ndërthur shumë mendime e dyshime, të pohuara e të
papohuara, nga të cilat të bëjnë përshtypje sidomos përfundime si: Enver
Hoxhën duhej ta pyesje edhe kur duhej e si të vdisje. Apo edhe si:
...spiun folklorik me radiomarrëse-dhënëse në shtëpi dhe antenë të futur
në oxhak, si në filmat për pesë lekë, Shehun e përshkroi vetëm Enveri.
Por me një siguri matematikore, Polovina pohon edhe se takimi mes Titos
dhe Mehmet Shehut në bordin e transoqeanikut \"Queen Elisabeth\", në vitin
vitin 1960, nuk ka ndodhur kurrë dhe se asgjë nuk e justifikon akuzën e
rëndë të përftuar nga \"tabloja sinoptike\" e Hoxhës në 1982, se
ish-kryeministri shqiptar kishte qenë një \"poliagjent\". Gjithçka e bazon
në fakte e dëshmi historike, por edhe në instiktin e tij analitik, si
njohës shumë i stërholluar i karaktereve, kohës dhe çështjes për të
cilën ka marrë përsipër të flasë.
Ndërsa e mbyll me planet e tij të ardhshme letrare e publicistiske, një
pjesë e të cilave do të njohin shumë shpejt dritën e botimit, pohon më
parë mendimin e tij në lidhje me çështjen e Kosovës( demonstratat e
1981), pohimet e ish-ministrit të jashtëm Nesti Nase, atij të
Shëndetësisë, Llambi Ziçishti etj, sigurisht në kontekstin e dosjes
\"Shehu\", dhe dekonstrukton me forcë edhe mendime e pohime që janë marrë
të mirëqena për realitetin e djeshëm e të sotëm, duke na sjellë edhe
detaje rrënqethëse mbi fundin e disa ish-pushtetarëve që i ngërtheu me
vete dosja \"Shehu\". Trajtuar në pika të veçanta, ky numër përpiqet të
shtjellojë këto çështje:
1. Cila do të ishte Shqipëria \"ndryshe\" me Mehmet Shehun?
2. A u takua vërtetë me Titon Shehu në në \"Queen Elisabeth\", në 1960?
3. A kishte gjasa që Shehu të ketë qenë agjent apo poliagjent?
4. Cila ishte domethënia e shprehjes\" \"Po vdes i pafajshëm\" në letrën e
Shehut për Hoxhën?
5. Cili ishte roli i Shehut dhe Alisë në lidhje me çështjen e Kosovës?
6. Përse u eliminua Llambi Ziçishti dhe çfarë ishte i detyruar të
thoshte Nesti Nase?
* * *
-Pra, ju jeni i bindur se me Mehmet Shehun në krye nuk do të kishte
kurrë një Shqipëri \"ndryshe\".
-Që me të në krye do të kishte një Shqipëri \"ndryshe\" i pari në
historinë tonë, pra shumë më herët se gazetat dhe ekranet e pas vitit
1990 të mbusheshin me rrëfime dhe interpretime personale se të paktën
Shehu ishte njeri i amerikanëve dhe do të bënte siç do ta urdhëronin
ata, ka qenë vetë Enver Hoxha. \"Tabloja sinoptike\" vetëm këtë mision ka
pasur, djallëzimin e tij në atë kohë. Për pasojë, kur ai regjim u
përmbys, kjo shkaktoi, si në çdo bumerang, efektin e kundërt:
ëngëllizimin e Mehmet Shehut.
Por më lejoni të mos ndalem këtu, jo vetëm se lexuesi di shumë, por edhe
sepse unë vetë jam i ngopur me zbrazësinë e kësaj loje dritëshkurtër
politike, pra që Shehu ishte njeri i SHBA-së dhe do ta shndërronte
Shqipërinë në një demokraci. Siç citova më lart një librin tim të para
tri viteve, \"Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia\", aty përshkruaj dhe
hetoj 42 ditë të kryeministrit, të pabëra kurrë publike, gjatë udhëtimit
dhe pjesëmarrjes së tij, në shtator-tetor 1960, në mbledhjen vjetore të
OKB-së. Tek \"Tabloja....\" Hoxha e akuzon se pikërisht gjatë udhëtimit
detar për në Nju Jork, Shehu ishte takuar me Titon në transoqeanikun
britanik \"Queen Elisabeth\".
Po ashtu, një i quajtur dokument tepër sekret i CIA-s, i gjetur, sipas
versionit zyrtar punist të tetor-nëntorit 1986, në arkivin e ambasadës
së SHBA në Buones Ajres, kërkon të provojë një takim agjenturor të tij
në Nju Jork me këtë shërbim të fshehtë. Në libër paraqes dokumente
arkivorë dhe dëshmi të shumta mbi atë se çfarë bëri në kryeqytetin
amerikan, përditë e pothuaj orë pas ore, Mehmet Shehu, por nuk mbaj një
qëndrim timin.
Tani po e them: Shehu jo vetëm nuk ka pasur asnjë kontakt agjenturor në
Nju Jork dhe asnjë afrim me Titon në vapor apo gjatë mbledhjes së
Kombeve të Bashkuara, por nuk ka asnjë gjasë të jetë agjent dhe ca më
pak poliagjent. Politikanët e rëndësishëm nuk kanë nevojë të jenë
spiunë. Ata janë tepër të vetëstërvitur që të mos i kenë këto \"skelete
në dollap\". Ata janë mjaftueshëm inteligjentë, që pa u kompromentuar,
pra pa lënë firma, të bashkëpunojnë përkohshëm me interesa shtetesh të
tjerë.
Ja pse spiun folklorik me radiomarrëse-dhënëse në shtëpi dhe antenë të
futur në oxhak, si në filmat për pesë lekë, e përshkroi vetëm Enveri. Të
tillë ai e bëri jo se qe njeri i paditur, por për të përballuar nevojat
imediate të efektit të vetëvrasjes së papritur të Mehmet Shehut. Me
vetëdhënien e jetës për partinë dhe marksizëm-leninizmin, për të
vërtetën e tij, ky e kishte sfiduar, mospyetur, mosbindur, anashkaluar,
shpërfillur. Deri në mbyllje të asaj letre-testament, përherë duke iu
drejtuar me \"ju\", Shehu vendos, si gurë të rëndë, lutjen e tij të
fundit: \"Amanet familjen time, Fiqiretin, djemtë (përfshi dhe Skënderin
dhe Bashkimin), fëmijët e nuset e djemve! Po të shihni se është interesi
i Partisë thoni se \"Mehmeti vdiq aksidentalisht, duke manipuluar
armët!\", ose si të doni. Edhe armik po më quajtët, kam besim se asgjë
s\'mbetet pa u zbuluar nga koha, e vërteta s\'vdes kurrë. Po vdes i
pafajshëm\".
\"Po vdes i pafajshëm\"!? Kujt ia thoshte ai këtë? Enver Hoxhën duhej ta
pyesje edhe kur duhej e si të vdisje. Prandaj, i fyer që nuk i mori leje
as për të ikur në atë botë, kundërveproi për ta përbaltur. I kishte bërë
presion të pandërprerë për tre muaj me radhë dhe e dinte fare mirë që
një gjendje e tillë mund të shkaktonte depresion tek ai. Qe akoma i
gjallë rasti i Nako Spiros, kur agjentët jugosllavë ia programuan
presionin me një dokument antienverist që ky pati lënë në Beograd dhe i
drejtuan, pa i përlyer duart drejtpërdrejtë, vetëvrasjen. Njëri prej
tyre, madje, prej një dritareje përballë zyrës së Nakos, ndoqi dhe pa
edhe vetështirjen me armë. Pastaj u largua dhe raportoi. Në spital, më
pas, ndërsa qenë mundësitë t\'ia shpëtonin jetën, jo vetëm
telekomanduesit sllavë, por edhe jo pak politikanëve shqiptarë, me në
krye Hoxhën, ia deshën interesat që i tejzgjuari dhe cmirëmadhi Nako
Spiro, të jepte shpirt.
Enver Hoxha, mendoj, ia bëri presionin shtypës Mehmet Shehut, mbase jo
për ta shtrënguar të vetëvritej, por që ta ulte përfundimisht kokën e
tij kryelartë dhe të hiqte dorë nga pretendimi se gjallë apo vdekur i
takonte vendi i pasardhësit. Duket, prej teprisë së presionit, gjendja i
doli nga duart. Hoxha, po ashtu, e dinte se që në vitet e para të
pasluftës Mehmet Shehu pati shkuar ndërmend dhe tentuar edhe dy
vetëvrasje të tjera. Si është e mundur, vërtet, që në mbrëmjen e vonë të
17 dhjetorit, megjithëse autokritika e fundit e kryeministrit qe plot 39
faqe dhe me pranim të plotë të fajit politik, ia quajti atë \"alibi\"? Kjo
fjalë nënkuptonte më e pakta se gjithçka Shehu e kishte bërë qëllimisht
për të krijuar një vijë politike paralele, çfarë do të thoshte dënim me
vdekje. Këtë mesazh mori, vërtet, kryeministri atë natë? Kjo iu dha
posaçëisht, siç të qe, për të vendosur si të vepronte, dhënia e një
ampule helmi apo doreze pistolete? Në letrën e tij Shehu përgjegjësinë e
vetëvrasjes ia lë shefit të tij (\"Unë po lë jetën për Partinë pa hezitim
dhe gjakftohtësi, se s\' më latë rrugë tjetër për të mbrojtur Partinë\").
-A kanë mbetur elementë dyshimi për të cilat ia vlen akoma të
diskutojmë, se Mehmet Shehu u vra edhe për këmbënguljen tij për të
çliruar Kosovën, siç lakohet sot këndej e matanë kufirit?
-Prej disa vitesh kam mbledhur materialin e mjaftueshëm, ku përpiqem ta
provoj këtë, por radha e shkrimit të këtij libri ende nuk ka ardhur. Pa
e zbuluar lëndën, ju deklaroj se Shehu u shty në vetëvrasje edhe për
çështjen e Kosovës. Ju kujtoj se për demonstratat e Kosovës të marsit
1981, është prononcuar disa herë edhe dëshmitarja e vetme ekstra që ka
mbetur, Nexhmije Hoxha. Po të dëshmonte gjithçka di dhe pa fshehur gjë,
do të qe një kontribut. Mirëpo së fundi ajo shprehu habinë për disa
gjëra që po dëgjonte dhe nuk i kishte ditur më parë. Bëhet fjalë për një
rol të qartë të Tiranës në përgatitjen e asaj gjendjeje që u manifestua
me demonstratat e marsit.
Në materialin që kam mbledhur, Mehmet Shehu (bashkë me Kadri Hazbiun),
kanë protagonizëm të dukshëm. Mirëpo, njëlloj si zonja Hoxha, edhe Ramiz
Alia në librin e tij \"Jeta ime\" nuk e pranon këtë ndikim apo, po e
quajmë \"organizim nga brenda\". Fillimisht të bën përshtypje se në 510
faqe të librit, kësaj ngjarje tepër të rëndësishme në historinë e
shqiptarëve, Alia i kushton vetëm më pak se dy të tilla. Sidoqoftë,
pohon se \"Udhëheqja shqiptare i vlerësoi së tepërmi demonstratat
kosovare dhe i trajtoi me shumë kujdes e përgjegjësi zhvillimet dhe
pasojat eventuale që mund të shfaqeshin më tej...Kishte mundësi që
autoritetet serbe, të fillonin ndonjë aksion hakmarrës kundër
kosovarëve, një terrorizëm shtetëror kundër shqiptarëve. Por gjithashtu,
kishte mundësi që ky terror të shndërrohej edhe në një sulm të
organizuar kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Të dyja këto
mundësi, udhëheqja e Partisë i diskutoi dhe, për të dyja rastet, mori
masat përkatëse duke vënë në lëvizje forcat e armatosura. Sepse vendi
ynë nuk do të qëndronte indiferent nëse në Kosovë plaste terrori serb
dhe kosovarët do të rrëmbenin armët për t\'u mbrojtur, ashtu siç do të
ishte kurdoherë i gatshëm, për të ruajtur me vendosmëri paprekshmërinë e
kufijve të atdheut tonë\".
Siç e shihni, Ramiz Alia deklaron për një rol shqiptar për të mos u
përzierë më parë, por thjesht më pas. E siguroj lexuesin se Mehmet Shehu
\"ka dorë\" edhe më parë. Si dhe pse, nuk po shkoj më tej, por po kthehemi
tek akuza për këtë çështje që iu montua në mungesë, në gjyqin kundër
Kadri Hazbiut. Qe ish-ministri i Jashtëm Nesti Nase, i burgosur tashmë,
që ia bëri. Ai shqiptoi para trupës gjykuese: \"Në vitin 1981, kur
ndodhën ngjarjet tragjike në Kosovë, kur tanket dhe forcat serbomadhe
ushtarake, me topa e avionë, shtypën, gjakosën, vranë e prenë vëllezërit
tanë në Kosovë, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu e Feçor Shehu, përpiqeshin me
këtë mënyrë, që jo vetëm ta pengonin këtë lëvizje, këtë revoltë të
gjithë popullit të Kosovës, por donin që nëpërmjet formave të ndryshme,
të arrinin të ndryshonin edhe ngjarjen në Shqipëri, gjë që pikërisht,
është dhe qëllimi final i organizatës kundërrevolucionare. Pra, marrja e
udhëheqjes, rrëzimi i pushtetit dhe ndërrimi i kursit të politikës në
vendin tonë\". Po ashtu Nase, nën pranga, tha: \"Në vitin 1981, në
qershor, më thërret Mehmet Shehu në zyrë. Vajta për disa çështje që
kishin të bënin me disa ndryshime që do të bëheshin në ambasadorët tanë
jashtë vendit.
Se, sipas rregullit, duhej të merrej edhe mendimi im. I them: \'Kemi
ndërmend që të bëjmë këto ndryshime?! Jo, ndryshime tani nuk do të
bëjmë, ndryshime të mëdha do të bëjmë pas kongresit thotë - dhe ti e
shikon, thotë, që gjendja tek ne është bërë e padurueshme me qëndrimin
që po mban Sekretari i Parë (Enver Hoxha) lidhur me ngjarjet në Kosovë.
Më pas vazhdoi: Është vënë në rrezik ekzistenca e Shqipërisë, prandaj
duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që të ndryshojë kjo gjendje. Dhe
filloi të më shpjegojë, domethënë, si të thuash, për gjendjen që ishte
krijuar dhe problemet që kishin dalë dhe si bëhej e domosdoshme, që me
hir ose me pahir, kjo gjendje duhet të ndryshojë. Këtë Mehmeti ma tha në
qershor të vitit 1981, duke më theksuar në mënyrë të veçantë, që, \"për
këto probleme që po flas me ty tani, kam biseduar gjerë e gjatë me Kadri
Hazbiun dhe Feçor Shehun\".
Nesti Nase ka gënjyer nën shtrëngim. Një të njohuri të tij, kur doli nga
burgu, i pati thënë se nën pranga nuk mund të qe hero. Në Ministrinë e
Jashtme e mbajnë akoma mend si burrë të qytetëruar, korçar fin, por edhe
diplomat të saktë. Ndërkohë, po të shohësh arkivin e këtij institucioni,
kupton se ai qe edhe shumë i dhënë pas Partisë së Punës, ndonjëherë duke
anashkaluar raportin me profesionin. Sigurisht, atë kohë Nase e donte
Enver Hoxhën dhe u arrestua vetëm për ta dhunuar që ta akuzonte Mehmet
Shehun se kishte sabotuar përpjekjet e PPSH-së për të shpëtuar nga
zgjedha shqiptarët e Kosovës.
Është një përdorim i pacipë i çështjes kombëtare. Informojmë lexuesin se
pasi e hoqën, nën sulm kritikash, nga detyra e Ministrit të Jashtëm, e
mbajtën pak kohë aty, në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare. Pinte
cigare pa fund në zyrën e vet në katin e parë dhe priste ta arrestonin.
Tufa e pranguesve erdhi një mëngjes, u thanë të gjithë diplomatëve të
atij kati të futeshin nëpër zyra e të mos dilnin, i hodhën batanijen në
kokë dhe e futën në \"Gaz\". Nuk kishte fëmijë. E shoqja, prej tronditjes,
fillimisht u përpoq të vetëdigjej. Kur nuk ia doli me këtë mënyrë, u
vetëvar në dhomë. Pas viteve të gjata të burgut, Nesti Nase jetoi tek
një nipi i tij, sepse edhe shtëpinë e jo më veshjet e trupit, ia kishin
marrë.
Kështu romaneskja \"Tabloja sinoptike\" kushtoi shumë jetë. Ishte masakra
më e madhe e dekadës së purgës enveriane.
-Në të vërtetë, sipas jush, cilat qenë arsyet e këtij \"spastrimi\" të
pamëshirshëm mes të vetëve?
-Pushteti personal, asnjë arsye tjetër. Kjo pyetje është bërë
vazhdimisht edhe për të njëllojtin veprim nga Stalini. Purga e madhe
shqiptare me vrasje fizike nuk ndodhi kur ngjau i ashtuquajturi Plenumi
i Katërt, dënimi i \"shfaqjeve borgjezo-revizioniste\" në fushën e
kulturës, pranverë 1973, por pas dhjetorit të atij viti, kur Enver
Hoxhës i ra, krejt papritur, infarkti i rëndë i zemrës. \"Pastrimin\" pas
kësaj e kreu për të shfarosur të gjithë emrat e grupet e mundshme, që në
një rast tjetër të ngjashëm, do ta bënin të pafuqishëm dhe rrëzonin, në
mos edhe ta vrisnin. I zhduku më pëpara. Duhet thënë se në këtë
kasaphanë ishte tepër metodik dhe gjithçka e kreu në kohën e duhur.
-Mihallaq Ziçishti, më premtuat të jepni një mendim.
-Do të vritej patjetër edhe ai, jo thjesht se pati shqiptuar në morg,
kur pa kufomën e Mehmet Shehut, se e kishin vrarë. Ai u likuidua jo për
këtë, por sepse në gjyqin kundër Kadri Hazbiut formuloi akuzat
(gënjeshtrat) kryesore për të \"provuar\" se ky ishte spiun jugosllav dhe
sovjetik, si edhe krahu i djathtë i \"poliagjentit\" Mehmet Shehu. Tregoi
dhe \"ngjarje\" konkrete, si të thuash paraqiti \"dokumente\". Ato ia kishin
imponuar. Që të mos e tregonte më pas të vërtetën, e shfarosën. Pjesë
tepër e rëndësishme e skemës së falsifikuar të \"Tablosë...\" ishte edhe
Fiqirete Shehu. Çfarë nuk tha ajo kundër të shoqit, me gjoja data,
persona, vendtakime. Në burg u helmua dhe vdiq.
Llambi Peçini, njeriu i parë i sigurisë së Mehmet Shehut gjatë
udhëtimit të tij me \"Queen Elisabeth\", ku ky gjoja u takua me Titon, u
vra po ashtu. Mund ta dini se edhe Kadri Hazbiu nuk u likuidua fizikisht
thjesht se duhej zhdukur si ngatërrestar i nesërm në punët e trashëgimit
të pushtetit, por sepse më shumë se të gjithë dinte përmasat e
mashtrimit të \"Tablosë...\" Atë, jo vetëm e torturuan egërsisht, por kur
e vranë, oficeri i lartë që e qëlloi në zverk, pa se arma e tij i hapi
një gropë të madhe sikur ta kish qëlluar me antitank.
-Pas kaq vitesh reflektime të shprehura në shumë libra e dëshmi të
shkruara nga ju në formën e frymëzimeve letrare, të shtyra nga realitete
historike të jetuara aktivisht, cilat janë planet tuaja të afërta e ato
të mesme në këtë aspekt?
-Krijimtaria ime modeste në fushën e kronikës, të rrëfimit dhe analizës,
është prirë gjithnjë nga pasqyrimi i ngjarjeve më kryesore të historisë
shqiptare. Tashmë kjo përpjekje ka marrë një formë dhe mozaiku i thurur
vetëm po plotësohet dhe mbushet. Deri tani janë 21 libra. Nga pas
nëntëdhjeta janë librat \"Skafistët në top sekret\", \"Nano dhe Berisha\",
\"Mig 19\'97\", \"Kush e vrau Azem Hajdarin\", \"Ditari i Romës\" e disa të
tjerë. Për luftën çlirimtare në Kosovë në italisht kam publikuar \"Homo
balcanicus\" si edhe në shqip \"Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës\"
dhe \"Lamtumirë kallashnikov\". Këtë prill do të botoj \"7 prilli i Ahmet
Zogut\" dhe në vjeshtë një libër për të quajturin Revolucion i Qershorit,
pra edhe figurën tjetër politike të spikatur të kësaj kohe, Fan Nolin.
Edhe në këto dy raste të fundit, jam kujdesur të kem interpretime dhe
dokumente krejt të reja, rrëfim artistik si edhe thurje subjekti triler.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|