Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

ZBULIMI I TRETË MAHNITËS I ALBANALOGES VENECIANE LUCIA NADIN


(Botuar nè gazetèn “Illyria” me 25 dhjetor 2012)

Shkrimin e parë posaçërisht për të e pata botuar në të përditshmen “Shqip”. Ishte 14 shtator 2009. Kishte titull “Luçia Nadin, njeriu i çmuar i Shqipërisë në Venecia”. Atje flitej për një zbulim të madh të saj: gjetjen e imazhit statujë të Skënderbeut në anijen e Dozhëve, kryetarëve të shtetit të Republikës së Venetikut. Të dytit shkrim për Luçian, në po të njëjtën gazetë, i dhashë jetë në 22 janar 2010. Fliste për një zbulim tjetër, po kaq befasues. Pati gjetur Statutet e Shkodrës. Të tretin ajo e paraqiti këtë njëqind vjetor, në Tiranë. Qe Kisha San Sebastiano ose Kisha e Shqiptarëve në Venecie. Aty ndodhet i pikturuar edhe flamuri ynë kombëtar. Është pamja e parë e tij në histori, që kur përfaqësonte Kastriotët.
Kur Nadin botoi librin e saj për historinë e emigracionit të vjetër shqiptar në Republikën e Venetikut, para dhe sidomos pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, në kopertinë, në të dy gjuhët, vendosi fjalët “Shqipëria e rigjetur”. Por në të vërtetë ishim ne, shqiptarët, që e kishim gjetur këtë albanologe të jashtëzakonshme. Ajo është shkencëtare e lindur. Luçia nuk tjerr fraza, siç rëndom vijojnë të bëjnë disa kolegë të saj. As nuk nxjerr nga arkivat një apo dy dokumente me ndonjë informacion të ri dhe rri e u gëzohet thërrimeve të tilla mbi tavolinë. Ajo zbulon gjëra të mëdha, të barazueshme me punën e njëhershme të disa instituteve. Në pesë vite Luçia Nadin ka bartur në vendin tonë dëshmi vlerash sa për pesë dekada. Ajo nuk na e riktheu Venecien thjesht si njërin nga tre shtetet që u bënë, në mesjetë, bazat e ruajtjes së identitetit shqiptar (bashkë me Selinë e Shenjtë dhe Mbretërisë e Napolit), por edhe si urën më të drejtpërdrejtë të lidhjes tonë me zemrën e kontinentit evropian.
Për shkrimin e historisë kombëtare kjo zonjë veneciane është aktualisht dijetarja më kontribuese, për rrjedhojë edhe personaliteti dijetar më i vyer i kësaj periudhe.
Kontakti i parë i Luçias me Shqipërinë është tejet i habitshëm dhe pothuaj ekstravagant. Në mes të viteve shtatëdhjetë të shekullit të shkuar në qytetin e saj ajo pati ndeshur në rrugë disa komunistë stalinistë italianë, të cilët në çift por edhe në grup, shpërndanin nëpër porta shtëpish broshura përkrahëse për Enver Hoxhën dhe vendin si e kishte bërë ai. Doemos shumë më parë nga kjo çudi Lucia Nadinit i patën bërë përshtypje që në Venecia, në emërtimet e disa zonave të banuara dhe veçanërisht porteve të brendshëm, ngjendej e shpeshtë fjala “shqiptar”. Ishte “Calo dei albanesi”, por edhe “Campello di albanesi”. Njihej prej të gjithë venecianëve edhe “Scuola dei albanesi”.
Në janar 1994 Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë shpalli një konkurs për vende të lira pune në disa prej selive të saj diplomatike apo pranë instituteve kulturore jashtë. Mësuese në një shkollë të mesme të qytetit dhe lektore në universitet, e angazhuar në studimin e letërsisë italiane për periudhën e Rilindjes, ajo ëndrrën e kishte për në Francë. Për temën e saj këtu arkivat qenë të bollshme. Mirëpo kur u bë konkursi iu afruan vetëm dy zgjedhje: të shkonte në Moskë ose në Tiranë. U mendua fare pak dhe vendosi të shkonte drejt misterit. Zgjodhi Shqipërinë. Pas një udhëtimi të shkurtër vetëm paraqitës në Tiranë, në dhjetor, u rikthye këtu në mes të janarit 1995. Do të përjetonte në viset tona të trazuara edhe të tromaksurin 1997. Pas kësaj mandati i punës pranë Institutit të Kulturës do t’i përfundonte shpejt. Por jo lidhja shpirtërore me Shqipërinë. Ajo do t’i bëhej pjesë e domosdoshme jetës, gjymtyrë trupi.
Kopjen e statutit të Shkodrës Luçia Nadin e gjeti në muzeun Kore të Venecies, ndërsa qe rikthyer në vendlindje për të pushuar dhe ndërkohë po punonte. Përkthimin asaj mrekullie të qytetërimit tonë të birësuar me Evropën e kreu studiuesi i njohur i historisë mesjetare, Pëllumb Xhufi. Libri me titullin “Statuti i Shkodrës në gjysmën e parë të shekullit 14-të” u botua në vitin 2002, nën kujdesin e Universitetit të Venecies. Librin tjetër, “Shqiptarët në Venedik, mërgim dhe integrim (1479-1552), Nadin do ta publikonte më pas. Anijen kryeministrore të Dozhëve, Buçintoron, barkën më të madhe e më të famshme të të gjithë Mesdheut, me në kiç madhështor imazhin e nënkuptuar të Gjergj Kastriotit, ajo do ta shpjegonte pa u mbyllur dekada e parë e viteve dymijë. Për të kryer zbulimin e ri Luçia Nadinit iu desh të depërtonte në të fshehtat e ndërlikuara të shprehjes alegorike. Anija qeveritare Buçintoro ndërtohej ciklikisht në çdo njëqind vjet. Në shekullin e shtatëmbëdhjetë në anijen e re u shtua edhe një statujë, të cilin shumica e kronikave të kohës e interpretuan si një imazh të Marsit, perëndisë së luftës. Gjigand në shtat, me në dorë një sëpatë e një topuz me majë të hekurt, ky Mars thirrej edhe me emrin Mollosi. Porse mollosë dihet që janë thirrur epirotët, fisi i njohur ilir. Në pamjen e fytyrës Mollosi i Buçintoros nuk ngjan me Skënderbeun, sepse për ikonografinë e kohës nuk kishte rëndësi një ngjashmëri e tillë fizike. Pati përparësi mesazhi që përcillej, ai i luftës së Krishtërimit kundër osmanëve pushtues. Megjithatë Luçia Nadin, edhe pse ka gjetur dëshminë se mes venecianëve të kohës ajo statujë Marsi apo Mollosi nënkuptohej edhe si e Skënderbeut, ka interpretuar zhvillimet politike të kohës. Ato çaste të shekullit të shtatëmbëdhjetë Papa Klementi VIII po përpiqej të riorganizonte Lidhjen e Shenjtë kundër turqve. Mirëpo Venecia në këtë periudhë qe e interesuar për një politikë të fortë neutraliteti ndaj Portës së Lartë. Atëherë Papa, për ta detyruar të mos e vazhdonte këtë politikë, e paralajmëroi se do ta shpallte të çkrishtëruar. E gjendur në pozicion të vështirë Republika e Venecies me në krye dozhin Marino Primani, vendosi që në Buçintoron e re të vendosej imazhi i nënkuptuar i shqiptarit më të famshëm në luftë për mbrojtjen e krishtërimit, Skënderbeut. Kështu Papa Klementit të VIII-të iu fashit zemërimi.
Ndërkohë Luçia Nadin, në një guidë të Venecies të fund viteve 1600, kishte gjetur një pamje të vizatuar, ku statuja e anijes së Dozhëve ka në fytyrë mjekrën e Gjergj Kastriotit.
Kisha Shën Sebastiano ose ajo që Nadin tashmë e quan Kisha e Shqiptarëve ose Kapela Sistina (Cappella Sistina) e tyre, përbën një rast të rrallë. Ajo është e pikturuar prej vetëm një autori. Ky përfaqëson njërin ndër më të mëdhenjtë e Rilindjes Venedikase. Ka famë ndërkombëtare. Është varrosur po aty, pas vdekjes së natyrshme. Quhet Paolo Kaljari (Paolo Cagliari) dhe thirrej me emrin artistik Veronezi.
I gjithë cikli i punimeve të tij, që nga sakrestia e deri tek afresket në mure, i filluar në 1554 përfundoi më 1565. I tërheqim vëmendjen lexuesit të “Illyria” se 1555-ta është viti i botimit të Mesharit të Gjon Buzukut, për të cilin Luçia ngul këmbë se, ndryshe prej historiografisë së deritanishme shqiptare dhe të huaj, që lë hapësirë të gjerë për vendin ku është publikuar (nga shtypshkronja shëtitëse në Tivar deri në ato me emër në Venecia), shtypja sipas saj ka ndodhur vetëm në këtë qytet.
Për të depërtuar në zbulimin e tretë albanologes së mprehtë italiane sërish i është dashur të kapërcejë murin e lartë e misterioz të alegorisë. Njëri subjekt i ciklit të piktorit Veronezi në Kishën San Sebastiano, ai i Esterit, është marrë nga Bibla. Mardocheo, mbret, në një çast të një historie lufte për mbrojtjen e fesë së krishterë, hipur mbi një kalë të bardhë, mban në njërën anë të siluetës së tij një flamur të kuq me shqiponjë të zezë.
Subjekti tjetër i ciklit të afreskeve tregon historinë e të shenjtit San Sebastiano, të cilit i është kushtuar edhe kisha. Edhe ai konsiderohet martir për fenë. Ka qenë thirrur Ushtar i Krishtit. Luftoi kundër perandorit Diokleciano (Diocleziano), i njohur si persekutues i të krishterëve. Edhe në këtë rast në sfond të dy pikturave shpaloset një flamur me shqiponjë të artë në sfond të kuq. Në të dytën ka një person, simpatizant dhe ndjekës i San Sebastianit, i cili mban mbi trup një veshje të kuqe me sipër saj shqiponjën e zezë.
Lucia Nadin mendon se i gjithë ky cikël i krijuar prej mjeshtrit, në pamje të parë duket se ka mesazh antiprotestanizmin e të krishterëve të Selisë së Shenjtë, por në thelb, sipas saj, ai është antiotoman. Në historinë biblike të Mardocheo-s profesorja Nadin gjen historinë e Gjergj Kastriot Skënderbeut, të rrëfyer nga Marin Barleti, të botuar kaq shumë herë në Venecia. Shqiponja e zezë është shenjë e familjes së tij dhe, siç dihet, ndodhet ende e gdhendur në murin e kishës së Kepit të Rodonit, rezidencë lufte e heroit kombëtar shqiptar. Është po Skënderbeu që, si Ushtar i Krishtit, lufton dhe sërish po ai, i cili u shpall që atë kohë si mbrojtës i Krishtërimit perëndimor.
Luçia Nadin, përveç arsyetimit të saj dhe flamujve kuq e zi, krahas atij të Perandorisë së Bizantit (ngjyrë tulle, shqiponjë e artë) ka edhe një provë. Në muret e Kishës San Sebastiano ndodhet edhe një kokë dhie, çfarë të kujton përkrenaren ceremoniale të Skënderbeut.
Ja pse albanologia e tre zbulimeve të mëdha, ende në punë për ta plotësuar me argumente e prova të tjera këtë kishë të rrallë në Venecia, të cilën e quan edhe Kisha e Shqiptarëve, e vlerëson, për shkak të mjeshtërisë së lartë të piktorit Veronezi, Kapela Sistinën tonë.
Duket shumë, tepër shumë, por përse të çuditemi?

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com