|
KAPËRCE DETIN TË KUPTOSH VETEN!
(Botuar në gazetën Shqip më 26 dhjetor 2012)
Tashmë është një ndjenjë që e provojnë me qindra mijëra bashkëkombës. Mjafton vetëm të nisen për rrugëtim në një shtet tjetër të rajonit, të kontinentit dhe të globit apo të vijnë prej tyre. Saktësisht në kufirin shtetëror, pikërisht atje ku nisin dhe mbarojnë pikat doganore të Shqipërisë, ndodh si me një vakum ajri, me një zbrazje të vrullshme të tij. Bota jonë, vendin e mjedisi ku jetojmë, vazhdon ende të jetë tepër ndryshe. Në fillim të viteve nëntëdhjetë, kur sapo patëm dalë nga fati i trishtë brenda Murit të Berlinit dhe po e linim pas varfërinë e skajshme, ndryshimi qe tronditës, i bollshëm për të shkaktuar jo vetëm traumë psikologjike, por edhe sindromën e ikjes së përhershme dhe të kurrë moskthimit. Tani disa përmasa të humbellës sonë me shoqëritë e shtetet e zhvilluara pranë nesh, si edhe më tej tyre, janë zbutur. Në mbrëmjen e 17 dhjetorit, tek për të udhëtuar drejt Italisë, hyjmë në portin e ri të trageteve në Durrës, ndihemi të befasuar. Më në fund nuk ka mbetur asgjë nga ai kaos i mëparshëm balte dhe tek-tuk zhavorri, rrëmuje kafenesh prej llamarine të ndryshkur dhe copëra plastmasi apo grumbuj romësh të vegjël a të rritur, që lypin këmbëngulshëm lëmoshë. Tani që nga stacioni i autobuzëve ndërqytetas hyhet në një portë të madhe, të mbushur me dritë e të shtruar me mermer, ndërsa mund të përshëndetesh sjellshëm me dy policë. Më pas do të kalosh një rruginë të gjerë ajrore deri sa më në fund të zbresësh në sheshin para godinës së re. Brenda saj gjithçka është e pajisur dhe funksionon si në Perëndim. Ndërsa përfundojmë rutinën e veprimeve me biletën, pyetjes sonë se ku ndodheshin në tavan, në atë godinë të re dhe mjaft moderne, vrimat ku, siç patën shkruar disa gazeta, kur binte shi jashtë rridhte brenda, punonjësja me një kapele e uniformë të kaltër, ngre supet e habitur. Asnjë gjë e tillë nuk kishte ngjarë dhe as gazetat nuk i pati lexuar.
Afër mesnatës, ndërsa shëtitnim mbi kuvertë të anijes, pamë një ngarkesë droge të sekuestruar nga policia dhe për të cilën shtypi njoftoi të nesërmen. E ngritur në sheshin e portit të trageteve, një pemë e madhe e Vitit të Ri, tek vapori nisi rrugën drejt brigjeve italiane, na kujton një çast Tiranën, e cila mbrëmjeve qe e zhytur dëndur në drita zbukurimesh. Në kabinë bashkudhëtari është nga një fshat pranë Lezhës dhe po kthehet në Londër. Dy dekadat e tij të emigrimit në Britaninë e Madhe i ka kurorëzuar me krijimin e një firme ndërtimi. Është tepër elegant në të veshur dhe i sjellshëm. Biseda me të përqendrohet tek tema dhe brenga e vjetër e të gjithë emigrantëve tanë: njerëzit në Shqipëri u duket se janë bërë më të mbrapsht, shumë individualistë, tepër të dhënë pas parasë dhe përfitimit material, në humbje të vazhdueshme të ndjenjës së solidaritetit, madje janë përfshirë edhe në mizori: po vrasin shumë mes njëri-tjetrit...Shërbimi publik, po ashtu, akoma i prapambetur dhe i çartur, nga vetë punonjësit i bërë i ngadaltë dhe mjaft mundonjës, me një stil ushtrimi që përhap e ligjëson korrupsionin...Zanatin e vjedhjes disa duket sikur e kanë të shkruar në ballë. Nuk tremben nga kjo shenjë e dukshme, pse jo ndihen edhe krenarisht me atë damkë.
Në portin e Barit nuk ndeshim ndonjë shenjë që vendi i bukur dhe i famshëm i të krishterëve ndodhet në prag të kryefestës së tij, Krishtlindjeve. Për pak orë, sa qëndrojmë aty, as në qytet nuk shquhet ndonjë gjë e veçantë. Tek italianët dallohet më së shumti trishtim. Qeveria teknike Monti ka rënë, zgjedhjet e reja janë fare afër, në shkurt 2013. Ekstremistët gjenden në orë të mirë elektorale, duke filluar nga komunistët radikalë, nga pasfashistët nostalgjikë të dorës së fortë e deri tek grilistët, lëvizja masive kundër partive politike. Nga bisedat me të njohur këtë e kupton fare qartë në Romë. Afishet me thirrjet e tyre se Italia ndodhet në kaos dhe se vetëm këta përmbysës mund ta shpëtojnë, janë shtuar. Që kriza ekonomike botërore do të prodhonte një pasojë të tillë nuk ka qenë asnjëherë e paditur, por ku ajo fiton terren para syve të tu dhe të shfaqet në kufi, si në Greqi me fashistët e hyrë në parlament, ndjen se në Shqipëri asnjë rrezik i tillë, i skajistëve, nuk është i përjashtuar në zgjedhjet tona të pas pak muajve. Veprimet e tyre radikale, të paktën, dy partive të mëdha, ua kanë zhvendosur boshtin tradicional më majtas e më djathtas, madje me taste që bien muzikë tejnacionaliste.
Ja pse ka shumë rëndësi, edhe për ne shqiptarët, si do të jetë zgjidhja politike e shkurtit për italianët. Ismail Boçari, më i moshuari i diasporës sonë të pas Luftës, i vitlindjes 1917, me titullin e lartë Kavalier i Shtetit Italian dhe që prej gjashtë dekadave njohës mjaft i mirë i jetës dhe i lobimeve politike në Romë, tek bisedojmë, merakun e ka prej revanshit të komunistëve të markës së vjetër. Unë, që ndërkaq disa ditë rresht pata shëtitur posaçërisht edhe në disa zona periferike të kryeqytetit italian, ku pashë revanshin e pasfashistëve, preferoj të nxjerr në pah kanosjen, në mos këtë herë, më pas, të këtyre të fundit. Fashistët kanë një histori të tërë pushteti në gadishullin Apenin (1923-1943). Komunistët radikalë kurrë nuk kanë qeverisur në këtë vend, sepse territori i triumfit të tyre qe matanë detit Adriatik. Kur ditën e mbërritjes, për gjashtë orë, me një autobus linje, udhëtuam nga Bari për në Romë, ndërsa gjithkund nuk kishte zbukurime për Krishlindjet, ndeshëm megjithatë vetëm në një. Ishte një qytezë e vogël në të djathtë të autostradës, ku kordonët e llambave dhe pema qenë zbukurime të bashkisë. Me siguri kryetari i asaj komune duhej të qe tejkomunist, sepse në majë të pemës tradicionale kishte vënë, me përmasa të mëdha, një yll të kuq.
Duke përjashtuar ushqimet dhe nevojat më të ngutshme, për të cilat italianët këtë vit shpenzojnë edhe më shumë se më parë, gjithçka tjetër është në frenim të plotë. Një ish-ambasador, bashkëkombës i emigruar këtu dhe profesionalisht historian mjaft i mirë i periudhës së mesjetës, i cili familjen e tij të madhe e mban me një agjenci për shitje shtëpish e dhënie të tyre me qira, të shpjegon, me fatin e sektorit të tij, sa e thellë është këtu humbella e krizës. Mirëpo është fat që italianët e ndjejnë krizën, sepse ajo i bën të vetrregullojnë shpenzimet e tyre dhe kështu të mbrohen nga goditja e papritur. Është njëlloj si me një trup njerëzor, i cili e ndjen rritjen e tensionit arterial që në shkallën e parë. Ska më keq, dhe këtë e dimë të gjithë, kur ai presion ngjitet disa shkallë dhe ti nuk e kupton. Të qeverisësh në kohë krize dhe bashkë me të është aftësi më e madhe, vepër më e çmuar dhe punë më e nderuar se ta bësh këtë nëpërmjet fshehjes së saj.
Tashmë ka ardhur koha të rikapërcejmë detin dhe të rikthehemi. Ende nuk na është tretur mbresa se këtë herë, ndërsa ripamë botën e zhvilluar dhe matëm edhe njëherë tjetër distancën mes dy zhvillimeve, Italinë e lamë më pak festive dhe më pak optimiste se Shqipërinë. Sigurisht që e dimë se italianët janë më të trishtuar nga ne sepse në të shkuarën kanë qenë ekonomikisht shumë më mirë dhe kriza e sotme po ua ul nivelin e mirëqenies. Ne jemi më optimistë se më parë kemi qenë shumë të varfër dhe çdo rritje e jonë, sado modeste, na e përmirëson tani jetën. Pra janë përmasa relative të gjërave.
Le ta lëmë kështu, një iluzion të thjeshtë, por në mos qoftë një realitet, ky mbetet një perceptim. Në Sheshin Venecia në Romë, pra në qendrën e qendrës së saj, në Kampidolio, bashkë me lajmërimin për Muzeun Kombëtar të Emigracionit Italian shfaqet po aq i dukshëm edhe ai me emrin Thesare të Trashëgimisë Kulturore Shqiptare. Ky është një rast tepër i rrallë: Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, jo vetëm romanët dhe italianët, por edhe turistët e shumtë të huaj, do ta përjetojnë me praninë mbresëmirë të vendit tonë. Për një rastësi, patjetër, këto ditë ndeshëm në metro një shoqëruese turistike fëmijësh, e cila, ndërsa po u shpjegonte Koloseun, më të përgatiturin kishte njërin prej tyre. Qe djalë biond, shumë i bukur. Ky pati veshur një bluzë me siglën e përvjetorit të nëntëdhjetë të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe e cila nga pas, me germa të mëdha, kishte të shkruar fjalën ALBANIA.
Nëntëdhjetë e pesë vjeçari Ismail Boçari, nga natyra njeri kritik për italianë e shqiptarë bashkë, bisedën e mbyll me fjalët e përsëritura disa herë pothuaj pavullnetshëm, Shqipëria është vend shumë i bukur. Edhe pse mund të mos qenë krijesë e mendjes, ato i kishin dalë nga shpirti. Pak minuta më parë sapo pati thënë se shqiptari nëse nuk ka zemër, ka zorrë. Ishte një mënyrë e tërthortë të shprehuri, sipas të cilës etnisë tonë mund ti mungojnë mjaft cilësi dhe përsosje, por është një popull vital.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|