Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

ÇDJALLËZIMI I DIKUR ENGJËLLIT ENVER HOXHA


*Botuar në “Gazeta Shqip” më 16 dhjetor 2012”

Vajza e tyre, ende pa mbushur dhjetë vjeç, ndërsa po ndiqnin në
televizion një nga deklarimet më të fundit për vlerësimin pozitiv të
Enver Hoxhës, doli heshtur nga salloni. Zakonisht ajo tërhiqej në
dhomën e vet dhe kur nuk bënte detyrat apo shfletonte librat e
shkollës, pikturonte. Qe e talentuar në hedhjen e ngjyrave, befasuese
sidomos në kapjen e temave. U kthye pas një ore. Sërish pa shqiptuar
asnjë fjalë u zgjati prindërve një fletë të bardhë. Mbi të qe vizatuar
një portret zyrtar i Enver Hoxhës. Ata të dy panë në sy njëri-tjetrin:
ndikimi mbi të voglën duhej të kish ardhur jo prej tyre. Ata qenë
racionalë dhe asnjëherë të nxehtë ndaj politikës. Hynin në njerëzit e
lodhur prej saj. Nëse ndonjëherë flisnin në publik pëlqenin debatin
për ndërrimin real të brezave në mjeshtërinë e qeverisjes. Shpresonin
në ardhjen e gjeneratës së dytë të të lindurve pas rënies së
diktaturës, sepse për të parën gjykonin se, për një mijë arsye të
kuptueshme, nuk mund t’i shpëtonte dot peshës së rëndë të
gjysmëshekullit të shkuar. Po ashtu edhe traditës kombëtare para saj,
me pluralizëm me thonjtë në fyt.
Nuk duket aq fort jonormale, por gjithsesi mbetet problematike tek ne,
gjendja e një mosmarrëveshjeje, pakuptimi dhe anarkie të re. Në këto
mbi dy dekada të një Shqipërie apo të të gjithë shqiptarëve, që
përjetojnë një fat gjeopolitik, i cili në Ballkan dhe veçanërisht në
anët tona mbërrin tepër rrallë dhe nuk zgjat shumë, shihet se
ndryshimet përmirësuese, ndërsa diku ecin e diku kanë ngecur,
ngarendin në një fushë dhe bëjnë hapin e breshkës në një tjetër,
shtrijnë autostrada asfalti dhe rrjeti internetik e mediatik, por
ngushtojnë e vështirësojnë rrugë komunikimi mes partive,
institucioneve, pushtetushtruesve publikë, kanë rënë në një fushë që,
nga këmbët e shumta, po kthehet në një baltovinë: vlerësimi i
trashëgimisë historike. Vetëm pas kryerjes së kësaj dhe bashkë me të,
është i dobishëm shkrimi, në letër siç vezulloi Ilir Ikonomi me
“Udhëtimi i Ismail Qemalit drejt pavarësisë”, bëri dritë Roland Qafoku
me dokumentarin e tij televiziv për të njëjtin personalitet të shquar
dhe për temën e Luftës dhe të pas saj, depërtoi me kurajë në gjashtë
numra të një gazete të përditshme studiuesja Ana Lalaj. Asnjëri nga të
tre nuk veproi ashtu, sepse mendojnë se kanë të drejtë të vënë rregull
në këtë rrëmujë të përgjithshme, por sepse dëshirojnë, bashkë me
informacionin e ri të dokumentuar, të largojnë sa më shumë prej
mendësisë sonë mënyrën e të kuptuarit dhe të të interpretuarit të
protagonistëve të historisë sonë me çelësin rrondokop “ose djall, ose
engjëll”.
Enver Hoxha bëri shumë ta shndërronte në djall Ahmet Zogun. Ky Fan
Nolin. Për Ismail Qemalin, sigurisht vetëm si shpallës i parë i
shtetit tonë, të dy më të zotët për të qenë në krye tona pa
ndërprerje, për 15 vite (Zogu) dhe 41 (Hoxha), kishin nevojë ta mbanin
si monument. Nuk ja kallëzuan defektet. Ua lanë në dorë atyre që vinin
më shumë nga jashtë politika. Këta qenë plot vlera intelektuale dhe
kombëtare si Faik Konica apo Eqerem Vlora, por edhe jo pak xhelozë
ndaj më të suksesshmëve. Mbi Ismail Qemalin u vërsul për ta djallëzuar
edhe një turmë e vogël lokale, tashmë e harruar dhe me po të njëjtin
fat sa herë shpupuris pendët. Sidoqoftë themeluesi i shtetit tonë i ka
të pakta gjasat të “shejtanoset”, veç periudhën e të mbajturit si
engjëll e pati tejkaluar. Këtë njëqind vjetor ky monopol zbukurues u
thye. Nga kjo ai nuk humbi asgjë, veç fitoi, sepse nga statujë e
ftohtë u bë njeri i ngrohtë. Në këtë rast nuk e kemi fjalën për një
libër të publikuar dy muaj më parë prej një studiueseje energjike dhe
barrierëthyese, si Elena Kocani, e cila duke ritheksuar dobishëm rolin
e posaçëm austro-hungarez në shtetshpalljen tonë, për fat të keq e ka
tepruar në të drejtën për ta djallëzuar Ismail Qemal Vlorën.
Periudha e pasvitit nëntëdhjetë, për shkak të hyrjes dhe pranimit
zyrtar në Shqipëri të mënyrës perëndimore të jetesës, nuk mund të qe
kaq sektare sa ish koha e monizmit të durueshëm zogist dhe atij të
gjatë dhe frymëmarrës enverist. Megjithatë ndërsa i pari nisi të
rifitonte prestigj, pra të çdjallëzohej, shefi fizik e moral i
diktaturës gjysmëshekullore u refuzua krejtësisht nga klasa e re
politike. Ndërkohë botimet e tij, të quajturat “Vepra” apo seriali i
kujtimeve, ditareve dhe i analizave staliniste, shiten kudo. Jo vetëm
në vendlindjen e vet, Gjirokastër, por deri edhe në Tiranë gjen në
treg porcelane me pamjen e tij. Në një garë shpejtësie, siç mund ta
keni parë së fundmi, përkrahës të pasionuar mbi makinë kishin ngulur
një foto të madhe të diktatorit. Kohët e fundit disa politikanë të një
krahu të caktuar, por edhe ndonjë studiues me përvojë i historisë,
kanë kërkuar një rivlerësim për të. Më i spikaturi vjen prej
bashkëkombësve tanë të Kosovës: Rexhep Qosja. Në historinë e
përmbysjes së diktaturës komuniste, në manifestimet e para të
studentëve dhe të punëtorëve dhjetoristë, portreti i tij, bashkë me të
Ismail Kadaresë, qenë dy emblemat kryesore për frymëzim ndaj shoqërisë
së re pluraliste. E theksojmë këtë jo vetëm për kundërshtuesit e
ashpër të tij, por edhe për vetë profesorin, mos edhe ai e ka
kapërcyer kufirin ku rri në vendin e saj historiografia dhe në të
vetin politikë ushtrimi.
Rishfaqja e kërkesës për çdjallëzim të Enver Hoxhës, edhe pse në pamje
të parë gjen shtysë llogaritjen e rezultateve të pritshme të ndeshjes
elektorale, dhe në këto njehsime secili prej ballafaquesve di çfarë
bën, nxitje kryesore pati një tjetër arsye. Ishte engjëllizimi i Ahmet
Zogut. Kishte disa vite që procesi i rehabilitimit të merituar të disa
kontributeve të tij pati arritur përmasën reale, të pranueshme dhe
qetësuese për opinionin publik. Nuk ishte më, madje, as mollë sherri.
I rikthyer dhe i cituar qetësisht nga historianët, por i frekuentuar
edhe nga politikanët e pothuaj gjithë spektrit partiak, ai qe më pak
ndarës e më shumë pajtues dhe bashkues. Tejkalimi i kësaj mase
shpërthyese për monistin tonë të parë, pra fillimi i engëllizimit të
tij, shkaktoi, siç pritej, të kundërtën. Jo vetëm i rigjallëroi
refuzuesit, deri ato çaste të dremitur, por edhe i shumoi, i bëri më
agresivë. Në jo pak raste edhe më të padrejtë. Këta u hodhën
vërtikshëm në të kundërtën, në ridjallëzimin e tij. Për ta çuar gjer
në fund këtë aksion, më të butët apo më dinakët, ofruan një
marrëveshje “xhentellmenësh”: rehabilitimin e monistit të dytë, Enver
Hoxhës. E kishte parathënë këtë me kohë diktatoresha, bashkëshortja e
bashkëpunëtorja e tij.
Kështu, si në enët komunikuese që kemi mësuar nga fizika apo edhe si
tek “babushkat” ruse, ku nga e madhja nxjerr një të vogël, nga kjo e
fundit një tjetër, më të imtë, e kështu me radhë,
djallëzim-engjëllizimi i Ahmet Zogut shkakton procesin e anasjellë e
njëkohësisht të kundërt: engjëllizim-djallëzimin e Enver Hoxhës.
Që kjo mënyrë vlerësimi e historisë dhe e protagonistëve të saj
kryesorë të mos bëhet model apo edhe shtampë e ngurtë për të gjykuar
ata që po dhe do të jetojnë këtë shekull shpresëmadh të mijëvjeçarit
të ri, do të qe shumë e vlefshme që politikanët e sotëm (të paktën
ata) të qëndronin në një distancë të arsyeshme, sigurisht aspak të
censuruar. Ata kanë ndikim të madh publik dhe ndërhyrja e tyre në
çastin e duhur, mbetet e dobishme.
Çështja është që ata, profesionistë të një mjeshtërie që e bën
historinë, por nuk e shkruan dot, në portat e trashëgimisë dhe të
kujtesës kombëtare të hyjnë duke lënë tek dera teserën e partisë. Ta
rimarrin kur të dalin.
Kjo është shumë e mundur dhe do t’u bënte e jepte nder. Do të ishin
vërtet mjaft të dëshiruar për të shpëtuar njëherë e mirë, të gjithë së
bashku, nga mendësia foshnjore se protagonistët tanë publikë, janë
vetëm djaj dhe vetëm engjëj, vetëm të zinj dhe vetëm të bardhë.
Duke qenë se janë si të gjithë ne, racë njerëzore dhe i llojit
shqiptar, kanë dritë nëpër të dhe shumë hije. Në çfarë raporti ndodhen
këto tek i njëjti pushtetushtrues, pra ai shpërndan më shumë ndriçim
apo terr, kjo është punë tepër e ndërlikuar dhe kërkon specialistë
teknicien. Rivlerësimi i politikanëve nuk mund të bëhet nga të
ngjashmit. Më e pakta ka “konflikt interesi”.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com