|
PSE KAQ SHUMË FLAMUJ
(Botuar në gazetën Shqip më 24 nëntor 2012)
Kur mes dhjetëra fiseve ilire, këtej ujdhesës ballkanike, por edhe përtej, në vijën bregdetare adriatikase të gadishullit Apenin, paraardhësit tanë nuk i përmbyti dot gjiratorja e madhe e asimilimit, sekreti nuk ka qenë ndonjë dhunti biologjike. As se qenë fise malesh, sepse vargmale kishin edhe territore e fise të tjerë të rajonit. Pamundësia për të fshirë apo modifikuar identitetin e të parëve tanë duhet të ketë ngjarë, mes të tjerash, edhe prej një arsyeje: individi parashqiptar, duke mos pasur të kultivuar prirjen, në masën e nevojshme, të jetesës dhe të veprimit kolektiv, u bë një fillikat tepër i fortë. Kështu njëshi brenda vetes u shndërrua në dhjetë. Karakteristika kryesore pas të cilit u kap ky superindivid për të mbijetuar qe ndjenja e përkatësisë. Këtë tipar të vet jetik e ruajti nëpërmjet ngulimit të pashkulshëm në territorin e tij si edhe me mos humbjen e gjuhës që fliste.
Qëndresa ndaj pushtimit osman dhe mënyrës së jetesës që ai solli me vete, ka qenë balada e fundit e këtij moti kreshnikësh. Për të ruajtur identitetin, në pasmesjetë, shoqëritë njerëzore dhe popujt u pajisën edhe me mundësi të tjera, që i sillte zhvillimi. Kur ky hap i progresit erdhi i mbarë për shumë, tek ne nuk solli fat. Perandoria, në të cilën bëmë pjesë për pesë shekuj, pa ja mohuar ndonjë dashamirësi të rrallë, për shkak të llojit të qeverisjes dhe natyrës së qytetërimit të saj, i hoqi individit shqiptar edhe dy mjete identitetruajtëse: mbiemrin dhe trashëgiminë pamore. Mënyra e tyre e jetesës individit i njihte vetëm emrin, në të gjallë e në të vdekur. Kështu na i rrënoi mundësinë e ruajtjes në kujtesë të jetës së çdo familjeje dhe fisi. Populli, si të qenë vetëm numra, u bë një turmë pa formë. Statujat apo pikturat që gjeti, pushtimi i ri, i shfarosi dhe nuk lejoi të bëheshin të tjera. Bëri fir edhe kjo mënyrë për të memorizuar karakteristikat etnike dhe mbajtur aktive ndjenjën e përkatësisë.
Ndërkohë i dha arbërve, më pas shqiptarëve, edhe një goditje tjetër tepër të rëndë e të pamëshirshme: u ndaloi gjuhën. Ajo mund të flitej në një kthinë të shtëpisë apo qoshe të oborrit, por kurrë në mjedise të mëdha publike e ca më pak nëpër zyra. Kurse për ta shkruar as që bëhej fjalë, sepse po ta hidhje në një pllakë guri a dërrase, po ashtu edhe në letër, kryeje krim kundër shtetit. Ndëshkoheshe. Kështu shqiptarëve u mbeti si shenjë që ishin të mëvetësishëm, vetëm ruajtja e territorit, të cilit, për fat të keq osmanët nuk ia kursyen mjetin e lig për të mos e mbajtur në kufijtë e një vilajeti, por duke e përçarë në katër pjesë. Me këtë aksion tiranik të rrafshimit të identitetit tonë u bashkua edhe kisha e atëhershme greke, madje ajo, sa më shumë vite i afroheshin shekullit të njëzetë, aq më agresivisht shtyhej më tej në këtë zell. Kur mbrojtja e të veçantës së etnisë mbërriti në kufijtë e agonisë, në përpjekje për të shpëtuar nga zhbërja përfundimtare, shqiptarëve më shumë se kurrë u erdhi në ndihmë bëma e Skënderbeut. Shembulli i tij u ruante përkatësinë në tokat e tyre, shpirtin krenar dhe të mosnënshtruar si edhe lidhjen e lashtë me kontinentin. Sepse e dinin këtë, pushtuesit osmanë me mënyrat më të sofistikuara u përpoqën ta shkulin nga memoria e brezave këtë emër. Në këto kohë të vështira Gjergj Kastrioti qe kryeluftëtari i rezistencës identitare.
Kur shqiptarët hynë në njëqindvjeçarin e nëntëmbëdhjetë, i kishin të goditura më rëndë se kurrë të dy shtyllat kryesore të përkatësisë: gjuhën e shkruar dhe Skënderbeun. Rilindja jonë, e vonuar për pikërisht arsye të tilla dhe pa shkëlqim piktorësh apo filozofësh (si fqinjët tanë në Evropë), kishte urgjencë gjëra më të nevojshme: restaurimin e cilësive identitembajtëse, alfabetin dhe mësim-shkrimin shqip si edhe Gjergj Kastrioti. Mbase këto do të ishin të mjaftueshme relativisht kur Faik Konica kreu gjestin e madh të publikimit në revistën e tij Albania të pamjes së flamurit tonë. Ishte i Skënderbeut.
Kështu ajo beze e kuqe me shqiponjën dy krerëshe erdhi dhe u bë shenja kryesore e identitetit të shqiptarit. Kur nëpër natën e 27 nëntorit 1912 Marigoja e shoqet e saj qëndisnin flamujt që do të valëviteshin të nesërmen në ballkonin e shtëpisë së Vlorajve, do të mbaheshin po ashtu në duart e popullit të gëzuar, të tillë mund të gjendeshin tepër rrallë nëpër Shqipëri. Ishim popull me ndjenjë të fortë kombëtarie, por pa flamur. Por do të kalonin vetëm pak javë dhe ai do të shumohej, do të përhapej me një shpejtësi marramëndëse. U kthye në qëllimin kryesor të jetës së njerëzve. Studiuesja e vjetër Parashqevi Sahatçiu na shkruante këto ditë një histori të tillë: Pas 28 nëntorit 1912, Lil Mingu bashkë me vullnetarët e tjerë beratas kthehej nga Vlora hipur në kalë me një objekt të veçantë. Ishte një flamur i gdhendur në gur me sfond të kuq të errët. Mbi të qëndronte shqiponja e zezë me dy krerë. Autori i asaj relikeje nuk u njoh kurrë, por e kishte punuar atë flamur posaçërisht për atë ditë. Mbi gur, gdhendur edhe tri germa që përfaqësojnë emrin e qeverisë së parë, VQSH (Vlorë Qeveria Shqiptare) si dhe datën e Pavarësisë. Rrethanat se si erdhi ky flamur- dokument...dëshmojnë se Jan Minga, një firmëtar i aktit të Pavarësisë, kushëri i tyre, e kishte dhuruar gurin me flamur në shtëpinë e tij të lindjes. Këtë relike, shtëpia e tij në lagjen Vakëf vendosi ta ekspozonte, për ti dhënë krenari gjithë qytetit. Lili e vuri fillimisht mbi tavolinën që mbanin në avlli, ndërsa nëna e tij vuri dhe dy kupa me llokume e karamele pranë dhe hapi portën për vizitorët që skishin të sosur...Ditë më pas, Lili e vendosi gurin e kuq me shqiponjë në qemerin e gurtë të portës, sepse ai simbol ishte i të gjithëve. Por, entuziazmi nuk vazhdoi gjatë. Kur më 1914-n në Berat erdhën rebelët e Haxhi Qamilit me flamurin me gjysmëhënës dhe thirrjet Duam Babën!, flamujt e gjithë qytetit u futën në sepete. Nuk kishte flamur në erë. Lili, i zoti i shtëpisë, flamurin në gur e mbuloi me një suva të hollë llaçi, nga frika se mos ua thyenin. I biri, Gaqi, kur u largua nga ato shtëpi e hoqi nga qemeri i portës dhe e mori me vete në mes sendeve më të çmuara të familjes. Në shtëpinë e re e ekspozoi në korridor...
Histori që dëshmojnë përse flamuri ynë këto ditë po mbush ballkonet dhe ka familje që nëpër shtëpi kanë shpalosur nga pesë a gjashtë, që e gjen të valëvisë mbi makina, përflakë nëpër shaje, bluza apo kapela, të bëhet me drita apo në qelqe kristalore, të mbulojë në Tiranë të gjithë fasadën e hotelit pesëmbëdhjetë katësh, të qepet në Kosovë i madh sa qindra metra katrorë, të vizatohet mbi motorë shpejtësie apo mbi torta të vogla e të mëdha, të vendoset në themelet e një shtëpie që nis të ndërtohet apo të shkojë gjer në Hënë, siç bëri me astronautin shqiptaro-amerikan Shepard, rrallë gjen nëpër botë. Të gjithë popujt i duan flamujt e tyre dhe i kanë të shenjtë. Betohen, lotojnë, këndojnë e vdesin para tyre. Në Greqi nxënësit më të mirë të shkollës i jepet vlerësimi i ngritjes së flamurit kombëtar. Ne ende dashurinë për simbolin tonë të shumëfishtë të identitetit, i cili mund të na shërbente më shumë për të krijuar një shtet të organizuar dhe efikas për tu shquar mes të tjerëve, ende e kemi në formën fillestare, madje edhe sipërfaqësore, të shprehjes së entuziazmit. Pa tjetër do të vijë koha kur nëpër trup, makina, godina shtetërore e shtëpi, do të nderim më pak flamuj dhe së brendshmi do të jemi më inteligjentë e më të motivuar për të kryer vepra të mëdha për kombin, veç gjithsesi kjo stinë e bukur vjen më pas. Asaj i duhet të kalojë nëpër këto që po na shohin sytë sot dhe që, sado sqimatar të jesh për të mospranuar format naive të shprehjes së përkatësisë kombëtare, sërish emocionohesh.
Nuk është se kështu ndodh vetëm njëherë në njëqind vite. Thjesht shqiptarit këtë herë iu dha mundësia që me flamurin, ku në një pjesë të tyre disa të paudhë prej vesit të batakçillëkut të fitimit, shkaktuan deformime, të shprehnin atë që kishin e kanë përherë në zemër. E kanë ruajtur e dashur ashtu të thjeshtë, fushë e kuqe me në mes shqiponjën e zezë, aspak siç për katër vite bënë pushtuesit fashistë italianë që i vunë sopatat e Liktorit, koha gjysmëshekullore e diktaturës, e cila i nguli yllin e kuq dhe ajo e monarkisë që i nderi shenjat e dinastisë Zogu. Një flamur i tillë, vetëm kuq e zi, në tetor 1998, i vendosur në dy xhipa të shpejtë të UÇK-së, për të përhapur mesazhin e fitores së ardhme, kaloi furishëm përmes dy pjesëve të Mitrovicës dhe nuk u la kohë policëve serbë ta goditnin me armë. Një e tillë valëvitje flamuri mund ta shihje këto ditë në duart e një plaku tepër të vjetër në moshë, që mezi ecte, dhe fytyra i qeshte si të ishte fëmijë. Apo do ta ndeshësh tek Iris Matathia, përkthyese në shqip e faqes së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, bashkëkombësja jonë hebre, e cila jeton mes Jeruzalemit dhe Tiranës, pak muaj andej e disa të tjerë këtu. Irisi nuk di dhe nuk do ti ndajë të dy kryeqytetet. Apo një bashkëkombës i thjeshtë nga Kosova, Abdyl Kadolli quhet, i cili prej disa muajsh rend nga njeri skaj në tjetrin e trojeve etnike dhe shpërndan në face book pamje që të mahnitin, thua ky popull e komb di të bëjë vetëm mrekulli. Është kohë entuziazmi dhe festimi i madh të shtyn ti zmadhosh disa vlera e për një çast të harrosh defektet që kemi. Madje prej kësaj dëshire të madhe e të sinqertë, fat që do ti jepet vetëm atij brezi të ardhshëm që do të festojë dyqindvjetorin e shtetit tonë të pavarësuar, të ndodhë të lutesh brenda vetes që politika, të paktën për dy-tri ditë, deri sa të mbërrijë data tridhjetë e nëntorit, ti vërë një kyç të vogël gjuhës së mospajtimit politik dhe ta gëzojmë të bashkuar këtë të rrallë jubile.
Në mes të viteve shtatëdhjetë të shekullit të shkuar kur anijet tona tregtare hynin në Gjirin e Kotorit, në Malin e Zi, troje ku në shekuj të hershëm kanë jetuar prej atyre fiseve ilire që krijuan më pas shqiptarët, u dilte përpara një delfin. Ai i drejtonte pastaj të kalonin nëpër ngushtica dhe të hynin në port. Kjo ndodhi për disa vite dhe marinarët tanë e kuptuan se ai i bënte vetëm për anijet shqiptare. Delfini i dallonte anijet nga flamuri, saktësisht shqiponja që mbante në mes. Kjo çudi ndodhi për disa vite rresht, gjer në atë ditë pikëlluese kur ai nuk doli më ti priste. Marinarëve atëherë iu krijua bindja se delfini, nga që sillej ashtu me shqiptarët, u vra prej serbëve, por ky shpjegim ka brenda ca mllef të kotë etnik. Mbase ai ka ndërruar jetë, si çdo gjë e gjallë.
Le ta kujtojmë me mirënjohje edhe këtë delfin që e donte aq shumë flamurin tonë!
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|