Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PSE NË 7 PRILL 1939 AHMET ZOGU NUK KA KRYER AKTIN E TRADHTISË KOMBËTARE


(Shkrimi i gjashtë dhe i fundit)

“Botuar në gazetën “Metropol” në 17 nëntor 2012)

Para se të mund të japim një tablo si reagonte mbreti shqiptar në para prillin e vitit 1939, mund t’i rikthehemi Owen Pearson tek “Albania and King Zog”. Aty ai shkruan se detyra që në 23 qershor 1925 nga Musolini iu dha Alesandro Lesonës dhe Ugo Sola-s, i cili sapo kishte zëvendësuar në krye të legatës Markezin Duraco (Durazzo), ishte “të bënin bisedime me Myfit dhe Eqerem Libohovën, të ngarkuar nga Zogu për të marrë një hua italiane. Marrëveshja u arrit me grupin financiar Il Credito Italiano, të drejtuar nga Dr. Mario Alberti, i cili mori përsipër të ngrejë brenda 90 ditëve Bankën Kombëtare të Shqipërisë”, Në vijim Pearson nënvizon se “Lesona u përpoq t’i imponohej Zogut se kjo marrëveshje ekonomike mund të bëhej...duke i dhënë përparësi interesave të Italisë dhe shmangur shtetet e tjera. Zogu për një kohë, duke mos pasur dëshirë që Shqipëria të binte nën dominimin e plotë të Italisë, u përpoq t’i bënte bisht”.
Siç shihet edhe në këtë rast historiografia perëndimore është mjaft e vendosur në pikëpamjen e saj se mbreti shqiptar jo vetëm nuk bëri figurën e një tradhtari, por ka kryer të anasjellën: kundërshtimin.
Quhet kjo rezistencë? Sigurisht që po. Vlerësohet si pasive apo aktive? Patjetër që është e karakterit aktiv.
Në rastin kur historishkruesit janë italianë dhe, ndërsa prej demokratëve do të prisje paanshmëri, prej fashistëve, të cilët Ahmet Zogu i pati sfiduar, natyrshëm mund të shkarkohej mbi të mllef dhe poshtërim si ktheshpinës i atdheut të vet. Përveç Lesonës, i cili është njeri i mbrapshtë dhe ngulmon ta dëmtojë figurën e Zogut nëpërmjet vesit të korrupsionit, politikisht asnjë tjetër nuk e godet. Të gjithë, demokratë e mëndjetotalitarë, historianë profesionistë e gjurmues të thjeshtë dokumentesh, rrëfyes dhe interpretues gjithfarësh, janë të një mendjeje: mbreti shqiptar nuk u nënshtrua.
Interesante është që në penën e analistëve italianë, kur shpjegohet qëndresa e Ahmet Zogut, vihet në dukje se vërtet ai “frikësohej mos mbretëria e tij transformohej në një protektorat”, por “qe edhe një pjesë e borgjezisë vendase që i druhej shtypjes së industrisë së dobët shqiptare prej asaj italiane”.
Ja edhe një fragment tjetër nga historishkrimi tipik italian: “Monarku përpiqej shpesh të mbrohej–edhe me mënyra pak korrekte- autonominë e tij prej ndërhyrjeve në rritje të Musolinit, i cili nga ana e vet nuk mund të bënte më pak. Për këtë arsye Zogu u kërkoi mbrojtje prej të gjitha fuqive rivale të Italisë, duke i zgjatur fijet e lidhjes deri edhe me marrëdhëniet diplomatike me Bashkimin Sovjetik si edhe duke krijuar një lloj aleance midis shteteve ballkanikë, me qëllim kompensimin e ndihmave që kërkonte vazhdimisht nga jashtë. Gjatë mbretërimit të tij Zogu tentoi pa ndërprerje të destabilizonte marrëdhëniet italo-jugosllave, praktikë politiko-diplomatike që në të vërtetë i tejkalonte kufijtë e shkathtësisë së tij reale dhe modeste”.
Shkëpusim një çast edhe një fragment nga zëri “Mbreti Zog” i fjalorit më cilësor enciklopedik italian, Treccani: “Prej vitit 1927 ai iu drejtua në mënyrë të vendosur lidhjes me Italinë dhe në 1 shtator 1928 u zgjodh mbret. Në fakt Zogu tashmë u gjend nën tutelën italiane: i nxitur nga Franca dhe Britania e Madhe ai u përpoq të çlirohej, por në prill 1939 Shqipëria u pushtua nga trupat italiane dhe Z., me mbretëreshën Geraldina Apponyi, e la vendin e vet, duke shkuar refugjat në Egjipt, pra në Francë...”
Nuk po ravijëzojmë prej kësaj pjese shpjeguese përse e autoritetshmja Treccani për ikjen e Ahmet Zogut përdor foljen “e la vendin” dhe jo “e braktisi vendin”. Rëndësi ka që ajo pohon se ai është përpjekur të mos i bindet tutelës italiane. Vëmë në dukje se në historishkrimin e vendit fqinj, ku, e përsërisim, mosdashës të Zogut ka boll, nuk e gjen kurrë të përdorur formën e akuzës ndaj tij me togfjalëshin: braktisi atdheun.
Ja pse duhet pohuar, kush e ka dëshirë dhe bindje, edhe pranuar, se vitet 1925-1938, për njëmijë arsye që nuk lidhen patjetër me qëndrimin e drejtuesit kryesor të shtetit, Shqipëria i ka bërë qëndresë të gjithë presionit fashist italian. Pushtimi ushtarak, pra kolonizimi me forcë, u krye sepse “i buti”, ai me mjete ekonomike, kulturore dhe ideologjike, dështoi. Edhe sikur prej ndonjë paragjykimi apo mërie partiake ose krahinore, të gjitha meritat e kësaj qëndrese t’ia blatojmë popullit, njerëzve të thjeshtë dhe elitës intelektuale, sipërmarrësve të ekonomisë apo përkrahjes së një apo dy fuqive të huaja, në rast se Ahmet Zogu personalisht do të qe kundër kësaj tendence, ai mund të ndikonte tërësisht në kahen e kundërt të ecurisë së gjërave.
Ai, politikan i mprehtë, e kuptoi prirjen e përgjithshme të nënshtetasve të tij. Njihte mirë po ashtu traditën historike, e cila nacionalizmin e ka përmasë kryesore të identitetit. Ndërkohë edhe vetë ai qe një i tillë. Problemi i tij ishte pushteti, raporti i vështirë me të, çështja si do të gjente një pozicion të së “mesmes së artë“, për të mos dëmtuar as njërën dhe as tjetrën. Çdo shtetar i kësaj kohe, po të qe në vendin e tij, do të brehej nga e njëjta dilemë hamletiane.
Duke qenë se akuza për tradhti kombëtare të kryer në 7 prill Ahmet Zogut i është bërë nga brenda vendit dhe në lirinë e tij të vlerësimit gjithsecili bashkëkombës është sovran, pasi kaluam nëpër ngjarjet kryesore të periudhës së “ftohtë”, por edhe të padukshme për gjindjen e thjeshtë të popullit, shohim tani atë të “nxehtë”. Ndryshe nga e para kjo kryhet në sytë e opinionit publik dhe natyrisht, nën analizën dhe gjykimin e tij.
Kjo rrethanë karakteristike e bën atë të ngarkuar me emocione të shumta kolektive, por edhe të ndikuar nga logjikë turme. Mbi të bien në të njëjtën kohë, kontradiktore, ajo që realisht ka ndodhur si edhe perceptimi individual që përjetuesit kanë pasur. Këto të dyja asnjëherë nuk janë identike. Ngjarja e pushtimit është tepër e fortë dhe ka krijuar në kujtesën kombëtare impakt të madh, tronditje shpirtërore dhe psikologjike, trazirë gjurmësh dhe pështjellim pikëpamjesh, idesh, interpretimesh. Mendimi dhe fjala e çdo njeriu tashmë bëhet një faktor tejet i rëndësishëm Të gjithë kanë të drejtë të mbajnë qëndrim dhe ta shprehin, ta ruajnë për veten, por edhe ta shpërndajnë për të tjerët, patjetër t’ia transmetojnë lirisht edhe brezit pasardhës.
Gjatë “luftës së ftohtë” me Ahmet Zogun, 1925-mars 1939, fashistët italianë tentuan ta likuidojnë me shndërrimin e tij në vasal dhe kur kjo nuk u eci, e vijuan me kryengritje të brendshme, me grusht shteti dhe me atentat fizik. Kur edhe këto u thyen, në 1 prill filloi ekzekutimi i mjetit të fundit, sulmit ushtarak. Armata u përdor jo për ta kapur të gjallë Zogun, por për ta shtrënguar të largohej jashtë kufirit. Mbreti që nuk pranoi të abdikonte dhe kurorën vullnetarisht t’ia linte Italisë e mbretit të saj Viktor Emanuele III, duhej të ikte. Në këtë largim të detyruar, sipas Romës, atij nuk duhej t’i hynte gjemb në këmbë, deri në kufirin e shtetit tjetër të mos kishte asnjë lëndim fizik. Benito Musolini nuk donte ndërlikime të tepërta ndërkombëtare, ca me shumë edhe një mbret të vrarë apo një popull të bombarduar nga topat dhe aeroplanët. Regjimi i tij fashist, i cili ndërtohej mbi demagogjinë, qe mjaft i interesuar që ushtria të depërtonte në territorin e vendit të sulmuar mundësisht nën muzikën e pllakave të gramafonit dhe në sheshet e qyteteve, ku do të hynin trupat hipur mbi tricikle, të shpërthente brohori dhe kishte hedhje lulesh. Ata nuk donin ta shkaktonin luftën dhe gjakderdhjen, për pasojë kush tjetër do t’ua prishte këtë plan, do ta nxiste përleshjen fizike, qoftë edhe në emër të lirisë, ata do ta shpallnin provokator e paraqisnin para botës si fajtor.
Për palën shqiptare dhe Zogun kjo ishte një grackë e madhe. Por liria as merret dhe as jepet pa një çmim, madje shpesh ky është prej gjaku. Pushtim nën muzikë dhe duartrokitje asnjë popull nuk do të pranonte. Doemos as shqiptarët, të cilët për italianët si komb ruajnë përherë një mbresë të mirë.
Ja pse, kur u bë e qartë se makina e madhe e pushtimit ushtarak u vu në lëvizje për të mos u ndalur më, përcaktimi i një strategjie qëndrimi ishte problemi numër një. Do të kishte qëndresë të armatosur apo jo, do të qe masive apo e pjesshme, betejë frontale apo, duke u tërhequr ngadalë, manovër pengimi dhe rraskapitjeje të tij. Vetë Ahmet Zogu, kur në 6 prill priti Hugh G. Grant, i pati pohuar se shqiptarët do të rezistonin, por kjo do të qe njëfarë rezistence për protestë. I pati pohuar diplomatit të parë në Tiranë të supershtetit: ushtarakisht Italinë nuk e përballonin dot. Pra strategjia e tij, gjashtëmbëdhjetë orë para se të niste zbarkimi i ushtrisë italiane, ishte për një qëndresë të kufizuar. Duke qenë se edhe në këtë koncept, rezistencë të limituar, ka përmasa të ndryshme, na takon të zhbirojmë ku Zogu i ka vënë kufijtë e tij.
Përballë, ndërkohë, ka presion edhe për një alternativë tjetër. Atë e shprehnin grumbullime dhe demonstrime të vazhdueshme të njerëzve të thjeshtë, veçanërisht rinisë së shkollave. Duke filluar nga 1 prilli kërkesa e tyre ngulmonte të rreshtoheshin bashkë me ushtrinë për të mbrojtur vendin. Më pas, çdo ditë e më shumë, thërritnin që t’u shpërndaheshin armë.
Këtë frymë për një qëndresë maksimale, betejë të drejtpërdrejtë me pushtuesit, e shprehnin edhe mjaft figura të spikatura të qytetarisë. Njëri prej tyre, mjaft popullor mes rinisë dhe intelektualëve, i cili merrej po ashtu edhe me politikë, ishte Mit’hat Frashëri. Siç ju kemi i informuar edhe më parë ai, shumë orë para se mbreti t‘i bënte të ditur amerikanit Grant masën e tij të rezistencës, e pati këshilluar “të largonte familjen një orë e më parë e të përgatitej për luftë”. “Edhe unë me dy djemtë e mi do të shkonja të luftoja”, shkruan në kujtimet e tij republikani Frashëri, më pas edhe udhëheqës i partisë Balli Kombëtar. Pastaj ngul këmbë: “Një sakrificë e këtillë mund të provokonte dhe një luftë të përgjakshme, por do të na krijonte të drejtën historike”.
Cili ishte në këtë çast të dialogut reagimi i Ahmet Zogut: “Mbi këto fjalë u impresionua tepër, sepse dukej që ende nuk e kish kuptuar thellësisht rëndësinë e çështjes. U ngrita dhe ika i shqetësuar tepër”. Megjithatë të nesërmen në drekë përfaqësuesit të shtetit të madh të përtej oqeanit Atlantik, mbrojtës i njohur i fatit të shqiptarëve në Konferencën e Paqes në Paris, në 1919, mbreti ia pati shprehur qartë strategjinë e tij, e cila qe në të kundërt të asaj të Mit’hat Frashërit. Sipas kujtimeve të këtij të fundit, ky e vijon trysninë e tij mbi shtetin. Në 6 prill, në mëngjes, pra kur takimi Ahmet Zog-Hugh G. Grant ende nuk kishte ndodhur, “vajta në pallat, ku gjeta disa ministra e deputetë...u thashë se pranimi i propozimeve italiane pa qëndresë me armë, do të na poshtëronte në sytë e botës pa ndonjë dobi të vërtetë, duke bjerë edhe të drejtat historike në rast të një lufte të përgjithshme...Vetëm poterja me pushkë do t’i jepte botës të kuptonte se populli shqiptar indipendencën e vet do ta mbronte me sakrificat dhe gjakun e vet”.
Për çudi në historishkrimin shqiptar, ku gjendet e fuqishme akuza se Zogu në 7 prill në mënyrë të paramenduar e shmangu luftën me italianët dhe për pasojë kreu aktin e tradhtisë kombëtare, qarkullon edhe përmbajtja e një deklarate të tij të mbajtur në Radio-Tirana në 6 prill, në orën 19.00 (paraqitësi i saj më ngulëkembës është së fundi Blendi Fevziu). Sipas tekstit të saj Ahmet Zogu është shprehur: “Italia i ka bërë Shqipërisë disa kërkesa që, nëse do të plotësoheshin, do t’i hiqnin vendit tonë pavarësinë. Unë dhe qeveria ime nuk do të pranojmë kurrë kushte të tilla që kanë për qëllim minimin e lirisë së fituar me gjakun e popullit. Përballë pushtimit, e ftoj popullin shqiptar të bashkohet sot, në këtë moment rreziku, të mbrojë sigurinë e vendit dhe pavarësinë e tij deri në pikën e fundit të gjakut. Unë jam i bindur se populli shqiptar, i vogël në numër por i madh në shpirt e guxim, do të dijë të tregojë ato ndjenja të larta nacionaliste që kanë frymëzuar atë dhe paraardhësit e tij. I bindun, që një komb i bashkuar në këtë frymë, do të ketë mbështetjen e Zotit, u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të mos e humbin guximin dhe dashurinë për atdheun. Rroftë Shqipëria! Rroftë Populli shqiptar! Zogu I, Mbret i shqiptarëve”.
“...e ftoj popullin shqiptar...të mbrojë sigurinë e vendit dhe pavarësinë e tij deri në pikën e fundit të gjakut”. Ndërsa gjithçka tjetër në këtë deklaratë të paraqitur si të lexuar nga radiofolësi duket e besueshme, pra që Zogu ka bërë thirrje për qëndresë, togfjalëshi “gjer në pikën e fundit të gjakut”, shkakton tepër dyshim nëse ka është formuluar e shqiptuar publikisht. Ka pasur në qarkullim shumë të interesuar, që për ta shpëtuar Ahmet Zogun nga balthedhja e vazhdueshme për qëndrimin e tij në 7 prill, ta kenë sajuar apo manipuluar në tekst këtë deklaratë. Historiani Arben Puto është i vendosur në pikëpamjen e tij të përhershme se “nuk rezulton që ai të ketë folur në radio duke bërë thirrje për rezistencë. Shtypi vendas i asaj dite, nuk përmend një gjë të tillë. Ka qenë vetëm Mehdi Frashëri që ka folur në Radio Tirana për të protestuar kundër agresionit”. Ndërkohë shënojmë se për mbrëmjen e 6 prillit askush prej justifikuesve të veprimeve të mbretit shqiptar ngul këmbë se ishte vetë personi i tij që foli. Gjithnjë bëhet fjalë për deklarata të Ahmet Zogut apo të qeverisë, të komunikuara nëpërmjet Zyrës së Shtypit.
Ndërkaq njeriu besnik i mbretit, Abaz Kupi, në kujtimet e tij dëshmon për një ngjarje të përafërt, por të ndodhur të nesërmen: “Përgënjeshtrimi erdhi më vonë nga Radio Tirana që njoftonte botën se luftime të ashpra po zhvilloheshin mes trupave shqiptare dhe ushtrisë pushtuese italiane që nga mëngjesi i 7 prillit 1939. Thirrja e mbretit Ahmet Zogu, në Radio Tirana, për qëndresë kundër pushtuesit u pasua nga mesazhi-protestë i Mehdi Frashërit për pushtimin italian”.
Tajar Zavalani, dëshmitari tjetër i rëndësishëm i këtyre momenteve, ka bërë publik këtë mendim të vet: “Ma në fund, atë mbramje u botue shpallja e Zyrës së Shtypit që pritej me aq padurim. Pa pritë e pa kujtue, thoshte komunikata, qeverija italjane parashtroi kërkesa të papajtueshme me dinjitetin dhe të drejtat e nji shteti të pamvarun. \\\"Mbreti dhe qeverija shqiptare nuk do të pranojnë me asnji mënyrë, - vijonte shpallja, - me i ba ndonji fuqije të huej koncesione qi mund të vejnë në rrezik pamvarësinë politike ose tansinë toksore të atdheut\\\". Për deklarimet radifonike të paradites së 7 prillit Zavalani paraqet një variant të anasjellë me atë të Abaz Kupit. Sipas tij “Kurse Radio Tirana, mbas protestës direkte të Mehdi Frashërit drejtue Mussolinit, filloi me dhanë mesazhin e mbretit Zog drejtue popullit shqiptar. Mbasi shpjegonte me pak fjalë thelbin e kërkesave italjane, të papranueshme për nji shtet të pamvarun, mesazhi mbretnor ftonte Shqiptarët me i rezistue invazionit”.
Tajar Zavalani nuk ishte aspak simpatizant i Ahmet Zogut, por siç e shihni dëshmon që ky i ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve, më së pari ushtrisë e xhandarmërisë, por edhe popullit të thjeshtë, të rezistonin. E veçanta e këtij pohimi është se nuk ka ndodhur në pasditen e 6 prillit, por në paraditen e ditës së shtatë, ndërsa sulmi kishte ngjarë dhe po të kishte në kokë ta tradhtonte vendin, thirrjen për qëndresë nuk do ta kryente.
Sipas rrëfyesit më të afërt të Ahmet Zogut, i cili i ka bërë një nga jetëshkrimet më të plota të tij, Hysen Selmanit, mbreti ka folur në Radio-Tirana në orën 10.30 të 7 prillit. Dëshmia e tij e shkruar thotë se mbreti “i drejtoi shqiptarëve dhe botës mbarë një thirrje e përkrahje kundër Italisë fashiste, duke vënë në dukje se me forcat e mëdha të saj dhe armët më moderne në det, ajër e tokë, sulmoi Shqipërinë, ku po luftohet pa armë dhe krejtësisht e izoluar nga bota”.
Vetëm kaq rreshta për këtë ka ai në librin e vet shumëqindra faqesh. Fjala “rezistencë” apo ndonjë e përafërt me të, nuk përmendet. Po të qe e shkruar në deklaratë, Selmani kishte për detyrim ta mbante mend dhe në librin e tij për njeriun që e ka idhull, duhej patjetër ta vendoste. Sidoqoftë togu i fjalëve “i drejtoi shqiptarëve....një thirrje ...kundër Italisë fashiste” e ka të gjithë të drejtën të transmetojë kuptimin “rezistencë”.
“Pas tij, shton Hysen Selmani në dëshminë e tij, foli kryeministri Koço Kota”.
Të gjitha këto hollësi, që në çdo rast tjetër mund të duken jo fort të nevojshme, ia referuam lexuesit për t’i kumtuar idenë se ekziston një mospërputhje çfarë ka ndodhur realisht në terren dhe çfarë në të njëjtën kohë ka pasur në kokë Ahmet Zogu. Natyrshëm kjo është një pamje tepër e ndërlikuar, siluetë e së paku e dyfishtë, pleksje e ngatërruar interesash. Ka mjaft prova, të cilat nuk po i shtjellojmë në këtë shkrim të fundit të ciklit, sepse do të ndodhen në një libër të autorit të këtyre radhëve, i cili do të dalë nga shtypshkronja në fillim të pranverës së vitit të ardhshëm, se mbreti Zogu I, e kishte gjetur mjaft saktësisht “të mesmen e artë” mes synimeve të tij dhe të dinastisë (familjes) si edhe atyre të vendit. Kjo përllogaritje, për ta shprehur me vetëm pak fjalë, e detyronte, atëherë kur nisi sulmi ushtarak, të bënte aq qëndresë sa opinioni publik ndërkombëtar ta ndjente lajmin se Shqipëria u pushtua dhe se ai e la vendin i dëbuar padrejtësisht dhe aspak me dëshirë të tij. Bota duhej ta mësonte se pikërisht për këtë arsye kishte të drejtën e rikthimit në vend dhe në fron në rastin më të parë të mundshëm. Siç dihet, sapo grupi i madh ikës me 1300 vetë kaloi kufirin grek në Kapshticë, u bë ceremonia e uljes së përkohshme të flamurit, vijim i një vendimi parlamentar të marrë shumë orë më parë në Korçë, për ta veshur Ahmet Zogun e emigruar me plotfuqishmërinë e të qenit mbret i shqiptarëve edhe jashtë vendit.
Na duhet t’i sjellim në kujtesë lexuesit se ikja e tij që nga mëngjesi i herët i 7 prillit, kur nisi agresioni fashist, zgjati edhe dy ditë të tjera qëndrim brenda territorit, duke u larguar nga Tirana jo i pari, por ndër të fundit, kur nuk kishte përse të qëndronte më, veç t’u binte rob italianëve dhe t’u jepte fatin e ligë ta poshtëronin. Zogu u largua në orët e para të pasdites, kur tashmë trupat këmbësore të pushtuesit qenë fare afër kryeqytetit, ndërsa në ajër avionët bombardues hynin e dilnin. Në tërheqje ai u vendos gjatë 8 prillit në Pogradec, ku një pjesë e qeverisë dhe e parlamentit kishin shkuar pak më parë, me shpresën e zënies së një vendkomande të dytë dhe plasdarmi për të organizuar një kundërmësymje. Më pas u tërhoq në Korçë dhe kufirin shtetëror e kapërceu vetëm në orën 19.00 të 9 prillit.
Sigurisht kjo nuk ishte një “ja mbathi”, siç e ka përshkruar historishkrimi i pesëdhjetë viteve gjer në 1990 apo siç, pjesërisht për inerci dhe jo pak për ta gjykuar e dënuar ideologjikisht, këmbëngulet edhe sot.
Në librin e tij “Politika e Italisë në Shqipëri” Françesko Jakomoni shkruan: “Për shkaqet e braktisjes së vendit nga ana e mbretit ishin bërë mjaft hamendje. Shumë kishin mendimin se ai ishte kërcënuar për jetën e tij, siç ishte në të vërtetë, për shkak të hakmarrjeve personale, të detyruara nga karriera politike e tij e trazuar. Por, sipas mendimit tim, ai dha me këtë rast, jo një provë frike, por një vizion largpamës politik. Ai ishte i qetë për të ardhmen e afërt të popullit të tij, sapo ky t’i ishte besuar Italisë, ndjenjat e së cilës ndaj shqiptarëve ishin të njohura mirë. Nga ana tjetër, siç kishte rastin mbreti të më thoshte mua dhe të tjerëve, një Luftë e Dytë Botërore i dukej tani e afërt. Ishte e vështirë që Italia, në këtë rast, të rrinte mënjanë. Duke u larguar, ai mund të shpresonte që, po ta fitonte luftën Italia, ai do të mund të mbështetej në dashamirësinë tonë, meqë nuk na kishte dhënë bezdira. Nëse fatet e luftës nuk do të ishin në dobi të Italisë, siç kishte gjasa se ishte bindja e tij brendshme, ai mendonte, duke u strehuar në Angli, se do të rimerrte fronin e Shqipërisë, me mbështetjen e Anglisë“.
Kur Jakomoni bëri këtë interpretim vazhdonte në bindjet e tij të qe fashist e për pasojë i pajisur me mëkatin për të kryer analiza të deformuara. Veç një gjë e thotë qartë: Zogu nuk i kishte bezdisur. Ndërkohë njëherë tjetër pati shkruar se 7 prillin e priti dhe e duroi me dinjitet. Sepse realisht ekziston kjo thellimë mes “bezdisë” që duhej t’u shkaktonte pushtuesve dhe përmasës së tij të mosnënshtrimit, gjykimi për të dhe përfolja do të zgjasin pafundësisht.
Për autorin e këtyre radhëve Ahmet Zogu iku pasi kishte dëshmuar për të paktën trembëdhjetë vite shpirt qëndrese ndaj përpjekjes së fashistëve italianë për ta kolonizuar Shqipërinë. E diskutueshme mbetet jo fakti i rezistencës, por përmasa e saj. Sigurisht për jo më pak, por për më shumë.
Me gabime apo faje jo pak, regjimi i tij gjithsesi tradhti kombëtare nuk ka. Historiani Bernard Fisher e ka cilësuar madje edhe patriot. Le të lëmë mënjanë këtë fjalë tepër vlerësuese, sigurisht pa e hedhur poshtë nacionalizmin e tij. Nëse para patriotizmit të mijëra të tjerëve, veçanërisht i njerëzve të thjeshtë, ai i tij mbetet më modest, Ahmet Zogu kurrë nuk është tradhtar i atdheut.
Në fund të fundit cili politikan i kohës, përfshi edhe vetë Mit’hat Frashërin, mori një pushkë dhe u rreshtua në një barrikadë për të ndaluar hyrjen e armatës italiane në Durrës, Vlorë apo Tiranë?
Ndërsa e ndiqnin herë pas here shtegtimin e tij të pafat nga një shtet në tjetrin, gazetat e Evropës e përshkruanin si të mbuluar nga trishtimi dhe pafati. Akuza politike për të nuk pati asnjë. Ahmet Zogu sërish, edhe në mërgim, nuk e uli kokën e të bënte ndonjë kompromis me bllokun e fuqishëm fashist. Zgjodhi të mbështetej tek demokracitë e Perëndimit dhe bëri gjithçka t’i gjendej në krah, deri në mbarim të luftës, aleancës antifashiste mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik.
Më pas, deri sa ndërroi jetë, tashmë i nxjerrë jashtë nga pushteti, por jo nga historia, mbeti i bashkuar politikisht me vendet demokratike, saktësisht me ato kombe dhe shtete që na u gjendën afër në 1990, kur duhej që Shqipëria t’i hapej zhvillimit dhe në 1999, kur Kosova t’i shpëtonte zgjedhës së huaj.
Prandaj pyesim jo pa habi: Pa i falur asnjë të metë pushtetit të tij autoritar dhe asnjë faj të kryer në ndonjë këmbim territori, ku ndodhet akti i tradhtisë kombëtare të Ahmet Zogut në 7 prill 1939?


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com