Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

A KA TRADHËTI KOMBËTARE TË AHMET ZOGUT NË 7 PRILL 1939?


Gryka e një arme pas shkurreve të oborrit mbretëror dhe rreziku komunist

(Shkrimi i parë i ciklit)

(Botuar në gazetën “Metropol”, më 12 nëntor 2012)

Ky cikël gjashtë shkrimesh po botohet posaçërisht, ndërkohë që në Tiranë në 17 nëntor, siç thuhet, do të kryhet një nga ceremonitë më të diskutuara dhe më të debatuara, më të mospranuara dhe dukshëm të justifikuara, ngjarje që shumë zemërata i ka përndezur dhe mjaft shpirtra të tjerë qetësuar: ajo e sjelljes së eshtrave të Ahmet Zogut për t’u varrosur në një mauzole familjar të dinastisë së tij.
Rikthimi në atdheun e vet nuk mund të jetë veç një e drejtë. Ajo nuk mund të pengohet. Mëmëdheu është i të gjithëve, të paktën nëntoka. Këtë prehje kockash nuk bën t’ia refuzosh madje edhe vetë Esat Toptanit, politikanit, të cilit shumica dërmuese e shqiptarëve i ka shenjuar mbi trup të gjitha damkat e tradhtarit model. Varri, streha e fundit e një njeriu, ajo e nëndheut, nuk ka kritere politike. As nacionale nuk ka pse të ketë detyrimisht. Në Kodrat e Liqenit në Tiranë janë strehuar mirë e bukur gjermanë të Luftës së Dytë Botërore. Le të prehen të qetë, edhe pse në mbidhé, tek librat e historisë, i quajmë siç në të vërtetë qenë, pushtues.
Është mbitoka, ku duhet të kemi dhe zbatojmë rregulla gjykimi, parime dhe mbi të gjitha moral.
Mirëpo pikërisht këtu trazohet e bëhet lëmsh gjithçka. Pështjellohet e vërteta historike jo në emër të vlerës kombëtare, edhe pse më shumë se gjithçka, ata që manipulojnë, shpallin më të tepërt pasionin e atdhedashurisë. Të gjallët kanë interesa të ndryshme, për fat të mirë e të keq, prandaj edhe ngatërrojnë.
Autori i këtyre gjashtë shkrimeve ka shfrytëzuar për këtë interpretim të çështjes nëse Ahmet Zogu në 7 prill 1939 kreu tradhti kombëtare apo jo, përveç kërkimeve të tij në arkiva dhe zotërimit të çdo materiali tjetër të nevojshëm, po ashtu nga kontribute historianësh bashkëkombës, të cilët do të ketë nderin t’i citojë, edhe tri libra. Janë botime autorësh italianë dhe jo të vetmit në këtë cikël. E veçanta e tri librave të përzgjedhur është shpërndarja e tyre në kohë dhe për rrjedhim përfitohet mundësia e analizës në dinamikën e më shumë se një gjysmë shekulli. Përbëjnë po ashtu edhe këndvështrime origjinale.
Përfaqësojnë edhe “palën tjetër”, protagonisten e veprës pushtuese, atë që ka regjistruar gjithçka dhe politikisht ka pasur interes ta shohë negativisht Ahmet Zogun dhe për pasojë ta përshkruajë më me të meta nga sa realisht ka pasur. Prej burimeve të saj dokumentare vjen më lehtë çdo dëshmi nëse ishte apo jo tradhtar.
Këto tre botime kryesore orientuese janë “Politika e Italisë në Shqipëri” (“La politica dell’Italia in Albania”), përkthyer në shqip, me autor Françesko Jakomonin, këtë kohë shef i legatës së këtij vendi në Tiranë. Libri i dytë titullohet “Le trupe italiane in Albania (Anni 1914-20 e 1939)”, botuar në Romë në vitin 1978, si edhe “In silenzio gioite e soffrite” (“Në heshtje gëzoni dhe vuani”). Ky libër është botuar në Itali së fundi, në 2010. Ka autor Andrea Vento dhe në mbi pesëqind faqe dëshmon historinë e shërbimeve sekrete italiane nga Rilindja deri në Luftën e Ftohtë.

ooo

Për të shkuar më tej në këtë sprovë duhet patjetër fillimisht të theksojmë një gjë: Shqipëria do të pushtohej nga Italia musoliniane edhe sikur në krye të shtetit të saj të mos qe Ahmet Zogu, por një tjetër. Kobi do të ndodhte edhe sikur numri një i vendit tonë në 1939 të ishte jo politikan autoritarist, por një liberal, të qe diktator apo me mendësi demokratike, shpirtzi ndaj nënshtetasve të vet apo i dhimbsur për fatin e bashkëkombësve, të qe i ri në moshë, burrë tek të pesëdhjetat apo plak me mjekër. Shqipëria do të pushtohej edhe sikur ky kryetar shteti të ishte jo mysliman, por një i krishterë, madje edhe katolik.
Këtë fatalitet e përmbanin rrethanat ndërkombëtare të kohës dhe dihet që mbi vullnetin e tyre nuk shpëton dot një komb e shtet shumë më i madh dhe më i fuqishëm se yni. Ajo që ngjau në 7 prill 1939 dhe e cila në kushte kur në krye mund të kishim një person tjetër, do të ndryshonte vetëm datë dhe teknikë të marrjes së sovranitetit territorial.
Qe rezultat, pasojë, “fryt” i hidhur i gjeopolitikës.
Në këtë kontekst të zhvillimit të pakthyeshëm të ngjarjeve, e ndryshme, pra e veçantë, ndaj pushtimit fashist do të qe mënyra e reagimit të personit udhëheqës të vendit. Ahmet Zogu veproi si Ahmet, një tjetër mund të mos vepronte aspak si ai. Tani, në vitin dymijë e dymbëdhjetë, veç mund të fantazojmë për atë “tjetrin” ose ta marrim me mend. Në histori u ngulit mënyra e sjelljes së Zogut dhe jemi të shtrënguar të vëzhgojmë pikërisht atë. Me një fjalë, edhe ai, do apo nuk do, bashkë me të edhe mbështetësit apo simpatizantët e tij dje dhe sot, janë po aq të shtrënguar të pranojnë debat për 7 prillin, pikën më të “dobët” të karrierës politike të tij.
Fatal ishte pushtimi italian, fatale është edhe mosshmangia e Ahmet Zogut nga gjykimi i përhershëm, sa të kenë jetë shqiptarët, e këtij momenti. Shpresa se djallëzimi i tij deri tani ka qenë agresion i komunizmit dhe himnizimi pasojë e antikomunizmit të vitit 1990 e këtej, është e gabuar.
Që në vitin 1925, kur Zogu me një ndërhyrje ushtarake nga territori i mbretërisë jugosllave dhe i asaj greke, rrëzoi qeverinë e rivalit të tij Fan Noli, edhe ky i ardhur në pushtet me kryengritje të armatosur, Benito Musolini bëri gjithçka që ta kolonizojë Shqipërinë. Humbja e ngadaltë e pavarësisë së saj ishte synimi i tij dhe i ideologjisë që përfaqësonte. Kjo tashmë, e shpjeguar hollësishëm në të gjitha librat e historisë, dihet, prandaj këtu nuk po qëndrojmë. Çështja mbetet tek fakti që ky agresion i vazhduar u mbyll me mjete ushtarake.
Në arkivat italiane thuhet se “Drejt fundit të vitit 1937 nisi të punohet në shtatmadhorinë e armatës së saj hipoteza e një pushtimi të Shqipërisë. Në 30 shtator 1937 atasheu ushtarak në Tiranë, nënkoloneli Mario Bombali , hartoi një raport mjaft interesant mbi kushtet shumë të këqija të ushtrisë shqiptare dhe të oficerëve të saj. Gjithnjë në 1937 u emërua ministër i Italisë në Tiranë Françesko Jakomoni di San Sovino), arkitekt i Anschluss-it ala italian”.
Ishte ky i fundit, dy vite para se të ndodhte në brigjet shqiptare zbarkimi masiv i armatës italiane, i caktuari me misionin e bashkimit territorial (gjermanisht “anschluss”) i dy vendeve. Jakomoni qe natyrë inteligjente dhe besonte në rrugët e buta të pushtimit. Rrethanat do ta sjellin që në udhën e realizimit të këtij objektivi do të ketë rival vetë shefin e tij, ministrin e Jashtëm, kontin Çiano. Ky ishte për rrugët e imponimit. Besonte tek arroganca dhe nënshtrimi me ushtrim force.
Qe ky kont, dhëndër i vetë Musolinit, i cili do të kushtëzonte dhe përcaktonte në fatin e Shqipërisë mjaft ngjarje të ndodhura më pas. Madje ato do të ndikohen aq fort sa në dokumente të pafund do të mbajnë mbi trup gjurmët e këtyre dy të fortëve: Çianos dhe Zogut. Përballë njëri-tjetrit, në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Romës, që nga viti 1937, ata do të rrinin si tigra në prag të kacafytjes.
Në 1938 arsyen për të kundërvepruar sa më shpejt ndaj mbretit shqiptar ministrit të Jashtëm italian ia kishin dhënë tashmë edhe dy rrethana. E para qe martesa e Ahmet Zogut me konteshën hungarezo-amerikane Geraldina Apponyi. Raportet sekrete të kohës, tashmë prej kohësh të hapura në Romë, tregojnë se gjatë ceremonisë së dasmës ndaj përfaqësuesve të Italisë qenë shfaqur nga pala shqiptare disa gabime të qëllimshme, gjeste ftohtësie të mbuluara me kujdes, por për diplomatët italianë të dallueshme. Këto ata i konsideruan menjëherë si incidente dhe rreshtuan bashkë me to një gjendje humori të prishur mes klerikëve katolikë. Një pjesë e tyre patën pëshpëritur se nusja dhe feja e saj nuk u kishte pëlqyer. Sipas raporteve italiane të kësaj kohe të pakënaqur na paskëshin qenë edhe klerikët myslimanë. Këta, gjithnjë sipas këtyre relacioneve dikur sekret, e dëshironin një nuse të mbretit që të ishte me fenë e tyre. Në këtë dasmë mbeteshin qejfmbetur apo shpresërënuar edhe jo pak personalitete të tjera të vendit, të cilët patën menduar se martesa e Ahmet Zogut, pas kaq shumë viteve beqarie dhe shoqërimesh të hapëta apo të fshehta me femra të tjera, do të përfundonte me zgjedhjen e një bashkëshorteje nga derë e fuqishme ekonomike dhe politike.
Rrethana e dytë që ia rriti kontit Çiano adrelaninën e veprimit sa më të shpejtë, ishte edhe një lumë i tërë të dhënash, sipas të cilave në oborrin mbretëror qe rritur shumë ndikimi i lobit austrohungarez. Këta të fundit nuk ishin vetëm intelektualë apo njerëz të kulturës dhe të albanologjisë, por edhe ministra e oficerë të xhandarmërisë e ushtrisë. Kanosjen e influencës së rritur të ish-perandorisë së dikurshme ministri i Jashtëm i Romës e shihte si dorë të Gjermanisë, të Adolf Hitlerit, aleatit të tyre, me të cilin për rajonin e Ballkanit kishin rivalitet. Me këtë rast ai i tha Musolinit se Berlini e kishte tepruar shumë dhe po i konkurronte në mënyrë të keqe, përderisa synonin largimin e influencës italiane nga Shqipëria.
Për të dalë atje ku dëshironte, konti Çiano këtë kohë kreu një përpjekje për një marrëveshje të fshehtë me kryeministrin jugosllav Milan Stojadinoviç, i porsahipur në pushtet atë vit, 1938. Roma dhe Beogradi, që kur është krijuar shteti shqiptar, kanë qenë rivalë të përhershëm për ta vënë atë nën kontroll. Në qëndresë të vështirë mes këtyre dy “mokrave”, që të dy shtete mjaft të fuqishëm, qeveritarët shqiptarë në çdo kohë kanë zgjedhur rolin e “kuzhinietës”, e cila shpesh është shprehur në formën “lojë me dy porta”.
Kjo teknikë mjaft herë ka qenë shpjeguar (edhe sot ndodh) si shprehje e servilizmit të politikanëve drejtues të Tiranës, porse në të vërtetë, pa shmangur ndonjë gjest të këtij kallëpi, kjo sjellje ka qenë e mbetet një mënyrë për të përdorur njërën “mokër” ndaj tjetrës. Këto teknika loje diplomatike, edhe pse, për mjaft arsye të kuptueshme, për ne shqiptarët kanë përfunduar me rezultate të zbehta, ja kanë dalë ndonjëherë të shmangin më të keqen.
Me Milan Stojadinoviçin Ahmet Zogu luajti për të frenuar sadopak Italinë fashiste, e cila në rrugën e saj të pandalur për ta gëlltitur Shqipërinë, nuk po ruante asnjë masë dhe formë. E pati hequr nga fytyra maskën. Mirëpo mbreti, pa mohuar se nuk e dëshironte fatin e nënshtruar të atdheut të tij, kishte edhe një hall tepër të madh: ruajtjen e pushtetit të vet. Kjo nuk mund të realizohej në rastin kur Roma e nëpërkëmbte dhe e shndërronte në një person pa ndikim në shtetin e vendin e tij. Zogu nuk mund të pranonte të qe një kufomë politike. Nuk kishte qenë i tillë që i ri, kur startoi ambicien. Ndërkohë në shtator 1928 ai nuk qe bërë mbret sepse e mendonte veten një qeverisës të përkohshëm, por të përjetshëm, deri në vdekje. Madje kurorën e monarkut e pati vënë në kokë që përhershëm në krye të Shqipërisë të ishin brez pas brezi edhe pasardhësit e tij. E theksojmë këtë raport të Ahmet Zogut me pushtetin për të qartësuar sado pak lexuesin se ajo nuk qe marrëdhënie e zakonshme, ashtu siç ndodh ta ketë një politikan republikan apo një me mendësi pluraliste. Këta në karrierën e tyre veprojnë me logjikën dhe largvështrimin e të qenit të përkohshëm, të zëvendësueshëm.
Ngulim këmbë edhe njëherë në këtë tipar të veprimit politik të Ahmet Zogut, të ndjenjës së tij të përhershmërisë në pushtet, sepse do të na duhet për të bërë më të kuptueshme mjaft nga qëndrimet e tij, veçanërisht atë të 7 prillit 1939.
Konti Çiano, tepër i dëshiruar të manifestonte rëndësi personale në politikën e vendit të vet dhe të vjehrrit, protagonist i thekur dhe ambicioz pa cak, në veprimet mbrojtëse të Zogut, nëpërmjet Beogradit, gjeti një arsye më shumë për t’i treguar grushtin. Ai nguli këmbë se mbreti shqiptar duhej patjetër të zëvendësohej, pra të rrëzohej. Një material i Shtabit Madhor të Ushtrisë Italiane dhe i sektorit të tij të zbulimit, i pas Luftës së Dytë Botërore, tregon se konti ngriti në kokë edhe një variant tjetër të zgjidhjes së çështjes së Tiranës. La në dorë të dytë silurimin personal të Zogut dhe e zëvendësoi aksionin e tij për vënien nën kontroll të të gjithë Shqipërisë me një marrëveshje të ndërsjellë me jugosllavët. Ajo do të ndahej më dysh. Mirëpo ngjarjet në Beograd u rrokullisën më shpejt nga sa gjykoheshin në Romë. Regjenti Pavëll Karaxhixh, tepër i shqetësuar me raportet shumë të ngushta të kryeministrit të tij me Italinë fashiste, bëri që Stojadinoviç të jepte dorëheqjen dhe në 5 shkurt 1939 ky ia la vendin një pasardhësi: Dragisha Cvetkoviçit.
Kryeministri i ri jugosllav ecte në rrugë të kundërt nga ajo ku po i çonte bashkëkombësi i dhënë pak si tepër pas Benito Musolinit.
Kështu 5 shkurti 1939 u bë një hallkë kyçe në të gjithë zinxhirin e ngjarjeve të mëpasshme. Konti Çiano, shtytësi dhe rrokullisësi i parë i tyre, i raportoi me shkrim Musolinit se duhej të nxitonin në zgjidhjen e çështjes shqiptare. dhe se çdo ditë, që kalonte, duke e forcuar në Beograd qeverinë e re të Cvetkoviçit, e bënte Jugosllavinë të qe më imponuese dhe pretenduese në kushtet për likuidimin e Shqipërisë. Këtë ministri i Jashtëm italian e pohon në ditarin e vet të njohur. Sipas tij ishte ora “të kishte një pohim italian, mundësisht të karakterit përfundimtar dhe totalitar”.
Sipërmarrja e likuidimit të sovranitetit të vendit të vogël përballë, në rast se nuk realizohej dot me kularin e ekonomisë italiane, pra që ajo të depërtonte aq thellë sa të mund të ndikonte në vendimet politike, po qe se nuk kryhej dot me një ndarje të mbretërisë zogolliane në marrëveshje me Jugosllavinë dhe Greqinë, nuk kishte shteg tjetër veç zgjidhjes radikale: bashkimit personal (modeli anschluss). Shqipëria me “vullnet të lirë“ do të njoftonte mbarë botën se e braktiste sovranitetin e saj territorial dhe i bashkëngjitej shtetit italian. Në krye do të kishte vetëm një monark, mbretin Viktor Emanuele III.
Por le të rikthehemi në rrjedhën kryesore të rrëfimit.
Bashkëshortja e Ahmet Zogut, Geraldina Apponyi, në kujtimet e saj të shkruara e botuara në një libër, do të përshkruante edhe tre orvatje të fashistëve italianë për vrasjen e të shoqit, që të tre të kryera në shkurt 1939. Njëra prej tyre u bë në 12 shkurt. Në orën 16.00, gjatë shëtitjes me mbretëreshën në kopshtin e Pallatit, Zogu dalloi midis shkurreve grykën e një arme të drejtuar kundër tyre. Çifti u kthye me të shpejtë në pallat dhe aty ai i pohoi të shoqes “Sapo shpëtuam nga një atentat”.
Kjo tentativë për vrasje ndodhi gati njëzetë e katër orë më pas prej një ngjarjeje tjetër, paralele. Pasditen e 11 shkurtit u mbyll një gjyq i bujshëm kundër 73 të akuzuarve si komunistë. Pesëdhjetë prej tyre u dënuan, njëzetë e tre u shpallën të pafajshëm. Si për ironi të fatit këtë ditë pati ndërruar jetë në Paris bolsheviku Ali Kelmendi, në vitet tridhjetë një nga prijësit kryesorë të lëvizjes staliniste në Shqipëri.
Ky gjyq special politik dhe sidomos fjala mbrojtëse e Qemal Stafës me deklaratën e tij publike “Jam komunist i bindun dhe deklaroj se vetëm komunizmi do ta shpëtojë masën e punëtorisë që sot ndodhet e shtypun; jam i sigurt se çfarëdo që të ndodhë, ne komunistët do ta shpëtojmë Shqipërinë”, do të lërë gjurmë të forta në vetëdijen e mjaft njerëzve, sidomos rinisë.
A e kishte dëshiruar këtë efekt Ahmet Zogu?
Operacionin antikomunist ai e pati nisur që në fund të verës 1938, por arrestimet xhandarmëria i kreu në fundvjeshtën e thellë, në prag të dimrit. Prangosjet qenë të veçuara dhe të fshehta, shpesh një nga një, dhe ranë në sy të opinionit publik vetëm në gjysmën e dytë të dhjetorit. U dallua qartë se ato kishin në qendër Grupin Komunist të Shkodrës, por futën nëpër qeli edhe ndjekës të kësaj ideologjie që jetonin e vepronin në Tiranë, në Elbasan dhe Durrës, madje edhe në Bilisht. Tek-tuk kishte edhe ndonjë anëtar të Grupit Komunist të Korçës.
Ndërsa në sfond janë tentativat për ta likuiduar fizikisht, një ballafaqim kronik i ngjarjeve të këtyre çasteve të bën të besosh se gjithçka është e orkestruar për nevojat imediate të mbijetimit politik të vetë Ahmet Zogut. Mbi të binte si peshë e tejrëndë plumbi një trysni mjaft e ashpër e qeverisë fashiste italiane. Këtë kohë mes Tiranës dhe Romës ritmi i disa zhvillimeve ndodhet në sinkron. Ngjan si me dy enë të mëdha komunikuese. Çdo lëvizje ngritjeje apo uljeje në kryeqytetin e përtej detit shkaktonte të njëjtën gjë, por në të kundërt, në atë shqiptar. Po ashtu ndodhte edhe e anasjella.
Benito Musolini e firmosi planin e ministrit të Jashtëm Gaetano Çiano për pushtimin real të Shqipërisë në 8 janar 1939. Gjashtë ditë më pas, më 14 janar, shtypi i Tiranës botoi dekretin e porsafirmosur mbretëror mbi emërimin nga Ahmet Zogu të trupit gjykues të Gjyqit të Posaçëm për Faje Politike.
Qe ngritur ekskluzivisht për komunistët dhe askënd tjetër.
Kjo fushatë masive arrestimesh dhe menjëherë një gjyq i rrufeshëm, i zuri në befasi të gjithë, jo vetëm opinionin publik, por edhe legatat e huaja në Tiranë. Asaj britanike diçka i qe thënë, por francezët dhe amerikanët ngritën supet. Sidoqoftë më i hutuari dhe që nuk po kuptonte fare ku desh të dilte i pari i vendit, ishte masa e madhe e popullit, veçanërisht intelektualët dhe studentët. Në vend që drejt opinionit publik të vinin mesazhe vigjilence dhe alarmi për çfarë kundër sovranitetit të Shqipërisë po përgatitej në Romë, vetëdijshëm Zogu e zhvendosi targën e rrezikut nga fashistët tek komunistët. Ndërkohë ai e dinte shumë mirë që ato çaste bolshevikët, kudo ndodheshin nëpër Evropë, posaçërisht edhe në Ballkan, po orientoheshin nga Moska të qenë gati për të përballuar me çdo mundësi që u jepej e duke bërë edhe sakrificën më sublime, dhënien e jetës, pushtuesit e ardhshëm fashistë. Në atë janar 1939 forca më aktive për t’i bërë ballë nazizmit si reparti më agresiv i ideologjisë totalitare të ekstremit të djathtë, qe armata e madhe e ekstremit të majtë, komunistët stalinistë. Të ngjashmit shpesh janë armiqtë më të mëdhenj të njeri-tjetrit.
Sipas rregullit më të thjeshtë Ahmet Zogu, mjaftueshëm i zgjuar për ta kuptuar thelbin që rreziku ato momente nuk i vinte prej komunistëve, por nga fashistët, për të mirën e Shqipërisë dhe të vetën duhej patjetër t’i mbante bolshevikët e vendit nën vëzhgim dhe kontroll, por hë për hë të mos i godiste. Në fund të fundit deri atëherë ata ose kishin lexuar fshehtas ndonjë libër marksist, ose patën shfletuar ndonjë broshurë të Leninit, ose kishin përcjellë dorë më dorë romanin “Nëna” të Maksim Gorkit, ose patën shkruar me dorë e varur në ndonjë skaj muri, dy-tri trakte me letër të shkëputur prej ndonjë radhoi shkolle.
Komunistët, domosdoshmërisht, Zogu duhej t’i ruante si rezervë për orët e këqija që po i vinin, madje që po rendnin ta pllakosnin. Ata duhej t’i përdorte për ditën dhe orën e sulmit ushtarak italian. Informatorët e tij mund të mos e dinin çfarë kishte ngjarë në zyrën e Musolinit në 6 janar, por gjithsesi e patën tejngopur me të dhëna që konti Çiano jo vetëm i kërkonte kokën, por me kryeministrin jugosllav Stojadinoviç patën rënë dakord ta ndanin më dysh Shqipërinë.
Pse vepronte kështu Ahmet Zogu, kur e dinte që një aksion i gjerë i mbrojtjes së Shqipërisë me të gjithë aleatët e mundshëm, përfshi edhe kundërshtarë e deri ato çaste rivalë politikë, brenda dhe jashtë vendit, ishte urgjente? Pse shpalli armiq më të rrezikshëm të momentit komunistët, kur lufta për atdheun do t’i bashkonte të gjithë, madje edhe rreth tij, duke e pranuar si prijës të çastit? Kështu grumbullimi në një front për të përballur agresionin ushtarak italian patjetër do t’ia shtonte edhe kohën e qëndrimit në pushtet.
Në fund të fundit a nuk thoshte se qe mbreti i të gjithë shqiptarëve?
Aq e vërtetë është që në rastin e sulmit fashist edhe komunistët do të rreshtoheshin krah tij, sa kjo provohet edhe me një fakt.. Kur pritej të dënoheshin, në një nga tre sallat ku në Burgun e Vjetër të Tiranës i kishin mbyllur të 73 të akuzuarit, një mëngjes, mes bisedës së zakonshme, nga dikush u bë pyetja “Po sikur Italia fashiste të sulmojë Shqipërinë, ne çfarë qëndrimi do të mbajmë”. Një çast ishte bërë heshtje, por përgjigjen delikate e pati dhënë Qemal Stafa. Ai tha saktësisht: “Ne duhet të rezistojmë, kështu të paktë siç jemi dhe në rast se Zogu do të rezistojë kundër fashistëve, ne do të bashkohemi me të”.
Ja pse edhe njëherë pyesim përse mbreti shqiptar, përgjegjësi kryesor i fateve të popullit, veproi ashtu, në të kundërt të logjikës së ngjarjeve dhe të nevojave të vendit?


(Vijon)

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com