Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ÇFARË FSHIHET PAS MUNGESËS SË FOTOS PËR NGRITJEN E FLAMURIT NË 28 NËNTOR 1912?
AMERIKË, PSE TË DUAN KAQ SHUMË SHQIPTARËT
FLAMURI QË U NGRIT NË VLORË DHE KASTRIOTI I PESTË, ALEANDRO
22 NËNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBËTAR NËPËR NJË DET TË MINUAR
PASARDHËSIT NË ITALI TË SKËNDERBEUT NË KRYE TË MBROJTJES SË PAVARËSISË SË PORSASHPALLUR
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

KARMEN, HISTORIA NË KOMUNIZËM E NJË SHQIPTARO-ITALIANEJE


“Botuar në gazetën “Shqip” më 25 tetor 2012)

Dhimitër Papastefani në atë fundvjeshtë 1963 sapo pati përfunduar në Tiranë studimet për mjek dhe prej fare pak kohësh kryente detyrën që i kishin caktuar. Ishte inspektor shëndetësie në rrethin e Beratit, vendlindjes së hershme të familjes së tij, edhe pse i ati, tregtar manifakturash prej dy brezash, shkoi më pas në Elbasan dhe në Kavajë, duke u vendosur pas lufte përfundimisht këtu. Ndërsa një ditë inspektonte
në qytezën e Urës Vajgurore, atë kohë bashkë edhe me Qytetin Stalin pjesë e të njëjtit qark administrativ, la një akt kontrolli. Në të, punonjësja sanitare, e cila e kishte emrin Roza dhe qe italiane, qortohej për disa të meta. Kur bëri rikontrollin vuri re se
e paralajmëruara për masë ndëshkimore ende nuk i pati zbatuar të gjitha detyrat e lëna. Kështu nuk hezitoi t’i priste fletën e gjobës: pesëqind lekë. Atë kohe ishte sa një e teta e rrogës mujore.
Pas disa ditësh e thirrën në zyrë dy drejtuesit e tij kryesorë. Ndërsa priste ta falënderonin, ata i ndërhynë në të kundërtën. I thanë se Roza dallohej si punonjëse e mirë e shërbimit shëndetësor dhe defektet e gjetura qenë pa ndonjë rëndësi. Eprorët i propozuan një kontroll të ri, por që do t’ia kryenin së bashku. Kështu edhe u bë.
Ndërsa verifikimi përfundoi shpejt italiania i ftoi në apartamentin e saj me dy dhoma të vogla dhe në këndin pranë dritares një tryezë nisi të bëhej gati për të drekuar.
Inspektorit gjithçka iu duk si e kurdisur, por nuk bëri zë. Në këtë moment në dhomë hyri një vajzë e bukur. Feksi. Ishte e zeshkët dhe me vështrim që shkëndijonte. Nisi t’i qerasë miqtë. Roza shpjegoi ndërkaq se qe e bija, vajzë e vetme. Emrin e kishte Karmen.
Për Papastefanin ky çast do të kalonte pa lënë asnjë mbresë sikur papritur zemra t’i
mbërthehej në ngërçin e një rrahjeje të çrregullt, si të përpëlitej. Iu terr vështrimi. Kur drita i rierdhi dhe gjithçka para syve iu kthjellua, vuri re se imazhi i vajzës së hijshme nuk ndodhej më para tij, si përmasë normale njeriu, por qe kurmzvogëluar e bërë si kukull e qelqtë. Ishte futur brenda në bebëz dhe rrinte atje, si të qe në pritje të një takimi intim me të.
U fejuan shumë shpejt dhe bashkë me këtë ngjarje ai mësoi se jo vetëm dy vëllezërit e Karmenit, Guido dhe Encio, por edhe i ati i saj, Milto Xhimitiku, patën kaluar burgime politike. Ndërsa dy të parët tashmë ishin të lirë, personi i cili do të kishte qenë vjehrri i tij, nuk jetonte më. Pati vdekur në spitalin e burgut. Kur u kërkuan trupin vetë drejtori, i cili dëshironte të mos qe i ashpër, u tha se kjo gjë nuk qe e mundur. Ishte
rregull zyrtar. Shtoi se për të vdekurin gjithsesi do të kishte një varr, por se ku ndodhej nuk duhej ta dinin. Madje nuk duhej as ta kërkonin.
Kur Karmeni dhe Roza i treguan këtë histori Dhimitër Papastefani nuk pyeti më për hollësi të tjera. Atij i duhej të ruante e shpëtonte dashurinë e tij, si edhe familjen e ardhme. Ato nuk ia treguan ditët e para të fejesës zyrtare as foton e Milto Xhimitikut. Kur nisi ritin e vizitave tek të afërmit e të fejuarës, në dhomën e pritjes së xhaxhait të saj Lilo Xhimitiku, i cili ishte fotografi më i njohur i qytetit, varur në mur, Dimitrit i mbeti vështrimi në foton e një burri me flokë të thinjur dhe me mustaqe të holla. Për të kjo qe pamje mjaft e njohur. Atë njeri mund ta kishte parë e prekur mbi tridhjetë herë. Qe një nga kadavrat që përdornin në fakultet. E pati fiksuar në kujtesë që në vitin 1959, kur sapo kishte nisur studimet për mjekësi. Në sallën e madhe të morgut, ndërsa nga duhma e formalinës të gjithëve u digjnin sytë, punonjësi i moshuar me emrin xha Naun, me një kanxhë hekuri u nxirrte nga vaskat, ku trupat notonin, atë kadavrë që ata kërkonin. Ato nuk kishin emra, bile as numra. Identifikoheshin sipas ndonjë karakteristike të dukshme fizike. Kështu ai njeri që tashmë po e shihte në shtëpinë e xhaxhait të së fejuarës dhe që patjetër duhej të kishte një lidhje të afërt me ta, thirrej “ai me mustaqet spic”.
Në të katër vitet e fakultetit Dhimitër Papastefani vuri re se ajo kufomë e ruajtur shumë mirë nga formalina, qe më e preferuara nga studentët. Kjo ndodhte sepse ishte trup i hollë dhe i dobët, i dallohej çdo hollësi. Në vitin e parë ata mësonin për kockat, në të dytin për enët e gjakut dhe nervat, për grupet e muskujve po ashtu. Të lagura
kadavrat shtriheshin në një shpinë tavoline të gjatë dhe nën drejtimin e një specialisti pjesëmarrësve në leksion u jepeshin shpjegimet e nevojshme. Pastaj me majën e pincave, studentët, për t’u ushtruar praktikisht, kapnin një për gjë nyjet kockore apo enët e gjakut dhe u shqiptonin emërtimet shkencore. Veç në të gjitha rastet kjo gjë bëhej me shumë kujdes, fare butësisht, që të mos dëmtoheshin. Çdo gabim në
përdorimin mbi kadavrë të forcës fizike kushtonte shumë shtrenjtë. Përjashtimi nga fakulteti qe fare pak. Për ato kufoma, duke lënë të nënkuptohej se për ta shteti nuk kishte pasur asnjë mëshirë, thuhej më së shumti se kishin qënë armiq, spiunë të të huajve apo anëtarë bandash të parashutuara për sabotim dhe akte terroriste. Ndonjëherë përflitej se mes tyre kishte edhe të dënuar ordinerë, të braktisur nga familjet apo edhe të paidentifikuar.
Atë pasdite të vonë, ndërsa ishte në vizitën e mirësjelljes, Papastefani nuk e bëri pyetjen se çfarë lidhje kishte me të fejuarën e tij ajo foto. E kreu këtë veprim sapo u gjend vetëm për vetëm me Karmenin. Ajo. Me një mbajtje të beftë fryme, iu përgjigj se qe i ati. Dhimitri u mpi. Për disa minuta të tëra nuk ndjeu të kishte trup dhe gjymtyrë. Pastaj duke bërë kujdes të mos i shkaktonte ndonjë traumë, filloi t’ia shpjegonte të vërtetën. Po atë mbrëmje ia thanë edhe Rozës. Në shtëpi një bombë e hedhur në mes të dhomës do të qe më pak e tmerrshme se ai lajm.

ooo

Milto Xhimitikun e patën arrestuar nëpër natë, bashkë me të dy djemtë e tij. Qe prilli i vitit 1950. Ishin duke pritur festimin e Pashkëve, madje familjarisht patën bërë edhe një foto të gëzueshme. Ato çaste Roza ndodhej në spital, turni i tretë. Pranguesve që erdhën nga errësira Milto iu lut nëse mund të fliste me të shoqen. Ajo duhej të vinte
patjetër të merrte vajzën gjashtë vjeçe, ndryshe vogëlushja do të mbetej fillikat. Ardhësit e paftuar nuk kundërshtuan. Roza mbërriti si të kishte pasur krahë shqiponje. Pastaj shtëpia menjëherë u boshatis. Ata të tre, me hekura në kyçet e duarve, ikën në heshtje. Nga ky moment Karmeni mban mend vetëm terrin e sallonit të vogël dhe zërat e folësve, që dukej sikur i vinin prej fundit të një shpelle. Gjithçka
tjetër, nga tronditja e madhe, ndoshta edhe si fat për ta shpëtuar prej ndonjë traumë psikike shkatërrimtare, i është fshirë përfundimisht. Në vend të pamjes së gjërave, kur e pyet, i rizgjohet vetëm një vetndjerje rrëzimi në humnerë.
I dënuan në shtator. Nga dhjetë vite djemtë, njëzetë Miltos. Dyfish të atit, “sepse nuk ke ardhur t’i denoncosh”. Roza e pati diktuar me kohë që Guido dhe Encio, bashkë me tre të rinj të tjerë, ku patjetër njëri duhej të qe spiun i shtetit, mbylleshin në dhomë. Dhe sa herë që kjo ndodhte, u prishte takimin, duke i dëbuar me bishtin e fshesës. Por në rast se dy djemtë e saj mund ta kishin prekur diku namuzin e regjimit, i shoqi nuk qe përzierë fare. Ai për nga natyra nuk bënte dot guxime të tilla.
U konfiskuan shumicën e orendive të shtëpisë dhe ato, dy femrat e mbetura pa pjesën tjetër të familjes, jetuan ca kohë në spital. Shpejt i larguan nga Kuçova dhe i vendosën në Berat. Aty Roza kishte qenë dy dekada, duke filluar nga viti 1926, kur erdhi nga atdheu i vet me në krahë studentin shqiptar Milto Xhimitiku. Ishin njohur dhe dashuruar në Napoli, në pension-hotelin e vogël të tezes së saj. Atë vit ishte punësuar
si mamie e bashkisë, ndërsa i shoqi nisi punën e përkthyesit pranë atasheut ushtarak italian Gustavo Gambara, kolonel. Kur ky në vitin 1932 u largua, e rekomandoi Milton tek shoqëria naftënxjerrëse AIPA, në Kuçovë. Këtu nisi profesionin e llogaritar-arkëtarit, madje pothuaj të një shefi zyre. Roza i shkoi nga pas, bashkë me fëmijët. Vetë punoi si mamie. Pa mbaruar lufta Guido dhe Encio shkuan në Itali dhe kryen shkollën.
Tashmë që po kapërcente viti 1950 dhe familjen e përgjysmuar e mbartën në Berat, autoritetet lokale për t’i strehuar, i sollën të ndëshkuarit drejt e në katoin e një shtëpie private. Gjer pak kohë më parë ajo hapësirë përdhese qe përdorur për të mbajtur një lopë. Sapo njerëzit e pushtetit ikën, i zoti i shtëpisë i mori lart, tek tre dhomat e
familjes së tij dhe u tha se mund të zgjidhnin njërën prej tyre. Në katua nuk do të jetonin kurrë. Kështu edhe ndodhi.
Italiania Roza duhej tanimë të priste daljen nga burgu të të shoqit dhe të dy djemve. Vitet po iknin dhe ajo qe optimiste se një ditë do t’i kishte të tre pranë vetes. Milton për ta gëzuar si bashkëshort dhe dy çunat për t’i martuar. Ndërkohë, ndonjëherë edhe me Karmenin e vogël përdore, i shkonte të shoqit në burg. Ca kohë mori rrugën edhe
për në kampin e punës në Zadrimë të Shkodrës. Kur Milto, i sëmurë rëndë prej një të ftohti dhe me diabet mjaft agresiv, u shtrua në spitalin e burgut të Tiranës, ajo i solli ushqime për sa mundi ekonomikisht dhe për sa e lejuan. Luftoi me të gjithë forcën e shpirtit t’ia përmirësonte shëndetin. Por ai në 1958 vdiq.
Për vite të tëra Roza qe përpjekur t’u kujtonte autoriteteve se gjatë luftës të dy e patën ndihmuar shumë lëvizjen partizane. Ajo kishte nxjerrë fshehtas me çantën e saj të vogël, mes kontrollit të rreptë të spitalit italian, alkool, jod, fasha, lekoplast, tableta dhe ilaçe të ndryshme. Qe përpjekur t’u sillte ndërmend po ashtu se edhe i shoqi për partizanët pati bërë atë që në rrethana të tjera kurrë nuk do ta sillte as ndërmend: vjedhjen. Milto Xhimitiku, financieri me korrektesë shembullore për çdo qindarkë të llogarisë së AIPA-s, kishte marrë ilegalisht dhe nisur për në mal një makinë daktilografimi. E kishte nxjerrë nga zyra e tij. Italianët e diktuan dhe menjëherë e burgosën. Ai nuk e pranoi akuzën. Pas dy javësh në birucë, nga që nuk ja provuan dot, e liruan. E rikthyen në punë, por tashmë në një shkallë më të ulët: si pagator i thjeshtë.

ooo

Prej peshimit të rëndë të diktaturës dhe nga furia e papushuar e luftës së klasave Karmeni do të ishte me më shumë fat se dy vëllezërit. Ajo dhunë politike në të vërtetë nuk e harroi, por gjithsesi ndonjëherë e kurseu. Plot hire në të sjellur, femër e matur, e mençur dhe e kujdesshme me të tjerët, shumë e ëmbël dhe komunikuese, shpirtgjerë dhe të përkushtuar pas punës, mbi të egërsia e ideologjisë së kohës do të përmbahej. “Lëshime” i bënte edhe fisi i të atit. Dy vëllezërit e saj qenë me dy emra, një italian dhe tjetri shqiptar. Ky ishte një mirëkuptim që kur çifti erdhi nga Italia. Encio quhej edhe Leonidha, Guido thirrej edhe Andon. Karmenit e ëma ia kishte vënë emrin e dytë Marie, por çuditërisht ai nuk u përdor kurrë as nga prindërit dhe as prej fisit Xhimitiku. Madje këta nuk e morën vesh kurrë se vajza e vogël, “e pleqërisë“, lindur katërmbëdhjetë vite pas vëllait më të vogël, e kishte një emër të dytë. E lanë me Karmen. U mësuan ta thërresin ashtu. U quajt si emër shqiptar.
Në jetën e saj nga shitëse e përkohshme, “me zëvendësim”, në një ndërmarrje
ushqimore, u bë për disa vite “e përhershme”. Më pas e trajtuan më mirë, si inventarizuese. Kur ngrinte shkumë dallga e re e luftës së klasave, për ta mbrojtur, dashamirët e së ëmës, mamisë që pati qenë e çmuar në lindjen e mijëra fëmijëve, e zhvendosnin për vetëm disa muaj në punëtore. Pastaj e rikthenin në pozicionin e para goditjes, të paktën shitëse. Gjithçka ndryshoi në 1985, kur pas vdekjes së Enver Hoxhës shenja zbutjeje në të vërtetë kishte. E hoqën si shitëse dhe e dërguan punëtore paketimi, në periferi të qytetit. Duhej nga një thes i madh të merrte sheqer apo oris e miell dhe t’i fuste në qeska letre njëkilëshe. Norma qe 1021 në tetë orë. Në javët e para mezi bënte gjysmën e tyre dhe pak nga pak diçka më tepër. Shoqet e asaj pune të mundimshme, më të forta dhe më të stërvitura, e ndihmonin përditë. Kur kthehej për në shtëpi, që të ndeshte sa më pak njërës dhe vështrimin e tyre, ecte nëpër një rrugë të dytë të qytetit. Sidoqoftë, mes atyre që i druheshin një bisede me të, njëherë i ndodhi që njëra nga drejtueset e një zyre të rëndësishme në ndërmarrjen e saj, ta ndalte e t’i “hiqte vërejtjen”: Kur shkëmbehesh në rrugë me mua mos m’i ul sytë, por ngriji që të të përshëndes”.

ooo

Ishte moti 1952 kur nxjerrja e naftës në tashmë prej një viti jo Kuçovë, por me emrin e ri Qyteti Stalin, u ndërpre. Qe djegur motori i TEC-it. Në Vlorë cisternat e ardhura nga “kampi socialist” prisnin varg. Pajisja ishte italiane dhe pas dy javësh përpjekjeje pa rezultat nga specialistët çekë dhe rusë, u kuptua se shpresa e vetme qe ndonjë i mësuar nga inxhinieri i mëparshëm, Marineli. Ky specialist ishte i njohur për drejtuesit e naftënxjerrjes: Guido Xhimitiku. Autoritetet komuniste në vitin 1948, kur Marineli kërkoi të riatdhesohej, i patën vënë kusht të përgatiste dhe linte një zëvendës. Mes të rinjve që punonin në TEC, ai zgjodhi të birin e bashkëkombëses Roza. Pafundësisht ajo iu lut të mos i vinte të birit nëntëmbëdhjetëvjeçar atë barrë të rëndë, por tjetri nuk u tërhoq prej vendimit të tij. Guido qe mjaft i talentuar. Kështu ky një ditë mori nën përgjegjësinë e tij teknike makinerinë e ndërlikuar. Pastaj ndodhi që e futën në burg, duke i hedhur mbi shpinë fajet se dëgjonte “Zërin e Amerikës”, kryente agjitacion e propagandë dhe pati bërë tentativë për rrëzimin e pushtetit popullor.
Në fillim të javës së tretë të bllokimit të naftënxjerrjes, në qytet erdhi vetë Mehmet Shehu. Sapo i thanë që për rregullimin e motorit ekzistonte një mundësi, por personi gjendej në burg, urdhëroi ta sillnin para tij. “Doje të përmbysje pushtetin popullor?”, i
kërcëlliti dhëmbët sapo Guido iu shfaq përpara. Ky u bë gati të justifikohej, por kryeministri iu vërsul “Po nuk të vara tek trekëndëshi që do të vë në hyrje të TEC-it, mos më thënçin Mehmet Shehu! Sa të kanë dënuar?” I riu iu përgjigj me marrje goje, por tjetri ia preu “Duhet të bashkëpunosh! Shko ta shohësh dhe ndreqësh motorin! Unë nuk iki që këtej pa u vënë ai në punë. Sa kohë do?” Guido shqiptoi “afro tre javë“, por kryeministri u nervozua edhe më shumë: “Më shpejt!” “Po të paktën dhjetë ditë”. “Më shpejt!”, bërtiti Mehmet Shehu. “Një javë“. “Më shpejt, më shpejt dhe tani ik në TEC!”, qe thirrma e fundit. Me një polic tek koka, të cilin mirësisht ja zgjodhën të ishte miqësor, Guido e rregulloi defektin e rëndë në tre ditë të pagjuma. Kur ia risollën para, Mehmet Shehu shqiptoi vetëm “Tani je i lirë, por kjo që po të them do të të vijë zyrtarisht. Që tani e tutje do të punosh për ekonominë e socializmit. Për çdo hall e problem pune do të vish drejt e tek unë!”
Urdhri i lirimit mbërriti shumë shpejt dhe pas kësaj Guidon e mobilizuan ushtar. Më pas punoi në parkun e automjeteve të Urës Vajgurore dhe prej këtej në Ministrinë e Industrisë dhe të Minierave. Deri sa doli në pension kreu shumë shpikje, ndonjë, si G84, e bërë e famshme në shtypin e kohës. Ishte një pajisje helmete minatori me dritë mbi krye. Gjer atëherë ato i blinin në Poloni.
Guido edhe u dekorua.

ooo

Encio pas burgut punoi në minierën e Bulqizës. Edhe ai qe një teknik i përsosur, novator dhe shpikës po ashtu. U bë i adhuruari i drejtorit të njohur të saj, Teodor Manço. Kur ky iku në një detyrë tjetër dhe menjëherë nga paaftësia e drejtuesit të ri realizimi i planit filloi të çalonte e më vonë të shndërrohej në problem të të gjithë shtetit, atë e arrestuan. Qe pesëdhjetë e dy vjeç. Ishte 1 janar i 1985-ës. Ata, të cilët qenë përgjegjës për këtë gjendje rrënimi të minierës që nxirrte valutë për arkën e zbrazur të buxhetit, mes tyre edhe një ministër anëtar i Byrosë Politike, për të shpëtuar nga ndonjë ndëshkim, përdorën armën e vjetër të Partisë: shpikën sabotatorin, armikun. Ky nuk mund të ishte veç Encios, teknik i puseve, i burgosur njëherë për politikë, me të atin po ashtu...Njerëz të Sigurimit të Shtetit bënë fshehurazi me dinamit një shpërthim në një nga puset nëntokësorë dhe faji “i gabimit teknik” iu hodh viktimës së paracaktuar. Me që kjo ishte fare pak dhe i arrestuari nuk e pranoi, iu hartua akuza se qe agjent i italianëve, i rusëve, i jugosllavëve...Nga që Encio rezistonte për të mos pranuar atë që jo vetëm nuk e pati kryer, por as edhe shkuar ndërmend, hetimi zgjati plot 19 muaj. Pothuaj çdo ditë një njeri i maskuar hynte në dhomën ku merrej në pyetje dhe e rrihte egërsisht. E futën të gjallë edhe në një arkivol. Gjatë të ftohtit të dimrit të Peshkopisë, ku e mbanin të izoluar, e lanë vetëm me një këmishë fanellate në trup. Iu verbua njëri sy. Zemra iu dobësua dhe përherë e më shpesh filloi binte në aritmi. U katandis një i gjallë i pavarrosur. Më tej nuk duroi më dhe vendosi të vetvritej. Provoi disa herë. Nuk mundi. Ia kishin hequr çdo mjet për ta bërë. Atëherë firmosi çfarë deshën ata.
U dënua me 22 vite burg. Në Spaç fillimisht, ku njëherë iu desh t’i hapë vend pranë vetes, për të fjetur, djalit të Mehmet Shehut. Më pas e çuan në Sarandë. Këtu qyteza me burgun quhej “Përparimi”. Emrin e para diktaturës, të vërtetin, e kishte Shën Vasili. U lirua në prill 1991, ndër të fundit. Nuk e takoi dot të ëmën. Roza pati ndërruar jetë në njëzetë e një shkurt. Ajo prej pak kohësh kishte ardhur në Laprakë të Tiranës, ku për të persekutuar nga regjimi komunist patën dhënë disa banesa
të thjeshta.
Encios i pushoi zemra ditën që bëri vizitën tek krushku i ardhshëm, ku po fejonte djalin. Qe 30 shtator 1991. E kishte zgjedhur nga Bulqiza, qytetit që i kishte përkushtuar gjithë jetën.
U varros në periferi të kryeqytetit, në vendin e quajtur Sharrë.

ooo

Kur në 8 prill 1939 trupat pushtuese italiane hynë në Berat, Roza instiktivisht ngriti dorën për t’i përshëndetur. I kishte bashkëkombës dhe e pati munduar shumë malli për atdheun. Por kur një çast ktheu kokën nga i shoqi, pa se ai i kishte sytë me lotë hidhërimi. E uli menjëherë pëllëmbën. Nga turpi e fshehu dorën fajtore pas shpine. Në shtëpinë e tyre fotua me të cilën Milto shmallej më shumë qe ajo e 28 nëntorit 1922. Kishte dalë në Napoli, bashkë me shokët e tij. Qe në vitin e parë të universitetit për financier dhe ato ditë, në nder të Ditës së Flamurit, patën ngritur shoqërinë atdhetare “Naim Frashëri”.
Biseda për t’u kthyer dhe sistemuar në vendlindjen e nënës u krye kur ende Roza ishte gjallë. Ajo tha se kishte shumë dëshirë të shkonte në vendlindje dhe të takohej me të vetët. Me këdo që kishte mbetur gjallë pas një gjysmë shekulli. Por nuk mundi. Më 27 shkurt dha shpirt. Në fillim të marsit përfaqësues të 96 familjeve italiane të mbetur në Shqipëri dhe të mbi 1800 anëtarëve të tyre, u thirrën në bazën e përkohshme të operacionit humanitar “Pelikan” në dikur Kampin e Pionierëve në Durrës. U takuan me ministrin e Jashtëm De Mikelis, atë të Punës, Marteli dhe të emigracionit, Boniver. Këta u thanë se në Bruksel Evropa e Bashkuar kishte vendosur të riatdhesoheshin. Nuk do të merrnin me vete asnjë plaçkë, por vetëm një valixhe me rrobat e trupit. Në Itali do t’i gjenin gati të gjitha. Kjo ikje ndodhi pas gjashtë muajsh. Me ta qe edhe Guido. Kur me të rënë diktatura patën biseduar ai kishte ngulur këmbë se jo vetëm do të ikte, por edhe nuk të vinte më kurrë në Shqipëri. E vendos në Peruxha, por shumë shpejt, sa herë shkruante letra, thonte se Ura e Goricës në Berat ishte më e bukura në botë. Kështu nuk e mbajti dot betimin. Ka mjaft kohë që vjen përvit, edhe pse mjaft i sëmurë me parkinson. Madje i biri ka blerë për vete dhe për të edhe një shtëpi në lagjen Don Bosko.
Encio pas daljes nga burgu, pasi bëri një vizitë në vendlindje, qytetin e një mbi një dritareve, shumë i dëshiruar të kapërcente detin e të njihte atdheun e nënës së tij, pësoi infarktin fatal.
Atë ditë kur biseduan nëse do të zgjidhnin Italinë apo Shqipërinë për të jetuar Karmeni u shpreh se nuk ndihej kaq entuziaste për të ikur. “Do të shkoj, por do të kthehem”, tha. Në vonë u bë edhe qytetare italiane, por nuk u lëkund asnjëherë nga vendimi i saj. Bashkë me Dhimitrin jetojnë në Tiranë dhe kufirin e kalojnë vetëm kur shkojnë tek tre vajzat e tyre dhe katër nipërit e mbesat. Bruna është në qytetin italian Beluno, Fabiana në Bukuresht, kurse Averisi në Londër.
Në Sharrë varri i prindërve të tyre ka fotot e të dyve. Roza, kur i vjen Karmeni dhe Guido, si edhe nipërit e mbesat, nga çdo pozicion që ata u afrohen t’i rrinë pranë, ajo duket sikur i ndjek me sy. Kurse Milto i urtë vazhdon t’u buzëqeshë, përherë sikur diçka të gëzueshme do t’u thotë.
Por nën mermer vazhdojnë të jenë vetëm një palë eshtra.

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com