Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

GJAKMARRJA QË VRAU EDHE VETË LEKË DUKAGJININ


(Botuar në gazetën “Shqip” më 13 tetor 2012)

Lajmi i radhës për gjakmarrjen, por këtë herë një kuvend përkujtues
për njërin nga viktimat e saj, priftin Dritan Prroni, me jetë të marrë
dy vite më parë, kaloi në opinionin publik pa ndonjë gjurmëmbetje. Nuk
qe pasojë e ndonjë shpërfilljeje. Ishte thjesht një mënyrë sa për bërë
pak prehje. Pothuaj çdo javë mediat transmetojnë nga një krim real me
marrje gjaku dhe kjo kronikë e dhimbshme tashmë është bërë mpirëse.
Këtu nis edhe problemi i ditës: gjendja po e lodh opinionin publik, po
e sfilit. Të paktën po e shndërron në një dukuri rutinë. Nuk është e
para herë që ndodh kjo. Fenomeni është qindravjeçar, përtej Mesjetës
së Hershme, pse jo edhe shumë më parë. Princi Lekë Dukagjini, në vijim
të një tradite të mëparshme, i përpunoi dhe i hartoi më mirë
profesionalisht rregullat e ligjit (kanunit) për ta frenuar. Ai kurrë
nuk u zotua se gjakmarrjen do ta hiqte. Iluzionin se në luftën kundër
saj mund të mbërrijë momenti i asgjësimit, i zerimit, duhet
mospranuar. Veç në ndodhtë në dy apo treqindvjeçarin tjetër.
Shpresa që të nxit se për disa dekada ja paska dalë diktatura e para
nëntëdhjetës, është naive. Ajo bëri shumë, por kryesisht nëpërmjet
forcës dhe frikës dhe në statistikën e përgjithshme më tepër rezultat
kanë dhënë nismat jo ideologjike të pajtimit të gjaqeve se burgjet.
Gjakmarrjen mund ta kufizojë dhe nxjerrë në periferi të problemeve
aktuale shqiptare vetëm një shoqëri e tërë e lirë dhe e zhvilluar
mendërisht. Si e tillë në të gjithë historinë tonë shpresa mbetet pas
nëntëdhjeta Është alarmante që ajo në njëzetë e dy vitet e saj nuk ka
dhënë shenjë se ia del. Në dyvjetorin e vrasjes së priftit katolik
Dritan Prroni, ku organizatorët qenë persona të matur e të ditur, u
tha se në dy dekadat e fundit prej gjakmarrjes, ndërsa viktima të saj
qenë 5.700, të vrarët kanë mbushur shifrën e 5200 vetëve.
130 (NJËQIND E TRIDHJETË) janë fëmijë.
Sipas rregullave të jetesës moderne një shoqëri, vend dhe një popull i
tillë, duhet të vihet botërisht në karantinë.
U bënë kaq vite që kemi rënë “në qetësi” dhe nuk i ushqejmë mediat
perëndimore dhe lindore, si edhe ato fqinje, me shfrime të
papërmbajtura të luftës së brendshme politike, as me trafiqet e
prostitutave dhe të lypësve të mitur. Kaluam me dinjitet hapjen e
kufijve me vendet e BE-së, ndërsa çfarë nuk thanë se ikësit prej nesh
do të bënin lëmsh rregullat e Evropës. Asgjë nuk ndodhi, përveç një
çudie. Ata bashkëkombës që kërkonin azil në Belgjikë dhe e shkaktuan
problemin, ngulnin këmbë se prej Shqipërisë ja patën mbathur nga që
ishin në gjak dhe mund t’i vrisnin(?!)
Gjetja e përgjegjësve kryesorë për gjakmarrjen, lojë që për fat të keq
vazhdon e nuk ka të vetpërmbajtur, siç për njëmijë vjet ka vazhduar,
do të vijojë edhe më pas, duke lënë mënjanë një rrethanë: është
shqiptare dhe lidhet me vetë karakteristikat e bashkësisë sonë. Ne, me
kaq tepër prirje të marrim hak, kemi një raport problematik me jetën
dhe për pasojë me vdekjen. Sigurisht tashmë, prej dekadash të
panumërta, gjakmarrja është përqendruar në një hapësirë të caktuar e
të kufizuar të territorit tonë, por do të qe gabim ta trajtojmë atë si
çështje lokale, me personazhe një Mark, Preng apo një Nikollë. Lekë
Dukagjini e hartoi gojarisht kryeveprën e tij kanunore, siç edhe dihet
që nene të tëra kundër gjakmarrjes gjendeshin edhe në paketën e
ligjeve të shtetit të Kastriotëve (edhe të Skënderbeut) apo u
ndërfutën, gjatë mesjetës, në nyje të veçanta të statutit të qytetar
të Shkodrës, por historia e mijërave familjeve tona, edhe nga trojet e
jugut, është e lidhur me një dukuri. Zhvendosjet e tyre nga një qytet
apo krahinë në një tjetër, përfshi edhe Çamërinë, kanë ngjarë që
hershëm për shkak konfliktesh të përfunduara me vrasje. I lutem
secilit lexues kurioz të depërtojë sa të mundë të pemën gjenealogjike
të familjes së vet dhe në jo pak raste ka për ta ndeshur këtë
karakteristikë.
Në territorin ku prej disa shekujsh gjakmarrja gëlon dhe tanimë,
nëpërmjet zhvendosjes së vrullshme demografike, po e spërkat vesin jo
vetëm në një mit të tolerancës dhe qytetërimit, siç është Shkodra, por
edhe në Tiranën metropolitane, defekti ynë i përbashkët thjesht ka
marrë theks për shkak të temperamentit lokal, për të cilin ata mund të
bëjnë më shumë në vetedukim. Mendësia është po ajo. Aty mund të jetë
vërtetë syri i ciklonit, por stuhia shfryn spazmë në të gjithë ne, ku
më pak dhe ku më shumë.
Ne, shqiptarët, nuk e vlerësojmë jetën e njëri-tjetrit. Është një nga
treguesit e shumtë të profilit tonë me minimum jetik të forcës së
bashkimit dhe kohezionit të brendshëm. Jetën ne e shpërfillim, edhe
pse e duam. Mirëpo jeta kërkon kulturë të madhe. Ajo nis nga ndjenja e
respektit. Kjo e fundit tek ne është në gjendje problematike,
përderisa, si për të dhënë një shembull të rëndomtë, nuk themi kurrë
faleminderit. Ku në ndonjë skaj të globit, si të tillë, ka ndonjë të
ngjashëm? Ose verifikoni me durim shumicën e shkaqeve përse tek ne
merret jeta e tjetrit! Asnjë prej vrasësve nuk është i çmendur apo i
doktrinuar dhe i fanatizuar prej ndonjë ideologjie raciste, siç ngjan
në rastet kur lëshohet breshëri plumbash në ShBA apo deri edhe në
Suedi. Jo, të dalë të tillë mendsh nuk kemi. Por zotërojmë një Guines:
të vrasim për hiç gjë. Si të jesh mizë. Në shkaqet prej të cilave në
vetëdijën tonë provokohet dëshira për vrasje arsyet janë nga më të
absurdet: gërvishtje makine apo çështje gardhi, vije uji apo sepse
donte të vriste vetëm njërin dhe shkon e qëllon me automatik
kallashnikov kur viktima ndodhet ulur në klub, në një tavolinë. Kështu
e humbin jetën edhe disa të tjerë. Në qytetin tim të lindjes gjatë
vitit 1997 një bandë të rinjsh vriste vetëm sepse nuk donte t’i
shihje, qoftë edhe për një çast. Kurse një nga serialet më të mëdha e
më të gjata të luftës me likuidim fizik nisi nga një zbavitje
drithëse. Njëri la një kutiçkë alumini në mes të rrugës dhe vendosi të
vriste atë që do t’i binte me këmbë. Dhe ashtu ndodhi.
Studiuesja britanike, mjaft e njohur për temën e gjakmarrjes, Antonia
Young, kohët e fundit, vetëm duke parë gjendjen e të ngujuarve, pra të
të vrarëve ende jo fizikisht, por gjithsesi shpirtërisht, një shifër
kjo tejet e madhe, u shpreh se nuk është vetëm tragjike, por edhe punë
e çmendur.
Gjakmarrja qëndron në këmbë dhe nuk tutet, edhe pse veprimtaria
pajtuese, ajo e ashpërsimit të dënimit penal apo shkishërimi, i
tregojnë se triumfi i saj në prag të kandidimit dhe të anëtarësimit të
plotë në BE apo edhe në mes të festës së 100-vjetorit si shtet, ka
disa kundërshtarë. E përsërisim, ndoshta me idenë se mbase kemi të
drejtë, që nën veprim të fortë të këtyre faktorëve gjakmarrja është
ndodhur dhe herë të tjera e nuk ka bërë mbrapa. Ajo ka fituar
imunitet.
Kemi bashkëshoqëruese të historisë dhe identitetit tonë një gjyle të
madhe lidhur në këmbë, në një problem, të cilin, në të gjithë
rruzullin, në përmasën tonë, nuk e ka popull tjetër. Kaq shekuj i pa
nënshtruar ai mund të dëshmojë se është fatal. Shumë e vështirë dalja
kundër vetes, vetëkulturimi dhe vetëqytetërimi ynë, por nuk ka rrugë
tjetër shpëtimi nga ky kob. Sepse gjakmarrja ka vrarë edhe vetë Lekë
Dukagjinin. Dhe a e dini si? Princi ynë i Mesjetës e hartoi paketën e
ligjeve për t’ia ndalur revanshin ogurzi. Pesë shekuj më pas imazhi i
tij deri tek ne mbërriti i shtrembëruar. Shumica jonë beson se qe ai
fajtori, ishte ai i vuri rregullat e vrasjes reciproke. Dhe jo vetëm
kaq. Jeta dhe veprimi i tij në historinë kombëtare, nga më
interesantit dhe më mbresëlënësit, prijësit që pas vdekjes së Gjergj
Kastriotit, për një dekadë të tërë udhëhoqi qëndresën shqiptare kundër
pushtimit osman, është lënë mënjanë. Vendin në histori ia kemi
rezervuar stërprapthi: vetëm me Kanunin.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com