Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

NJË HARRIM I HISTORISË NDODHI PARA SYVE TANË


(Botuar në gazetën “Shqip” më 24 shtator 2012)

Pikërisht në këtë të përditshme, gazeta “Shqip”, tre muaj më parë, në
27 maj 2012, autorit të këtyre radhëve iu botua shkrimi “Një harrim
tjetër mund të ngjasë”. Ishte thjesht një kujtesë që të mos dilte nga
vëmendja jubileu i nëntëdhjetë i Kongresit themelues të Kishës
Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Ai qe mbajtur në qytetin e Beratit në
10 shtator 1922 dhe dy ditë më vonë bëri shpalljen e saj publike.
Punimet i mbylli në ditën e nëntëmbëdhjetë të muajit, sigurisht i
gëzuar që edhe qeveria e kohës, e drejtuar nga Xhaferr Ypi dhe me
ministër të Brendshëm Ahmet Zogun, në një vendim me numrin 807 kreu
njohjen zyrtare të këtij institucioni mjaft të rëndësishëm të
identitetit kombëtar, duke deklaruar se kjo vepër e të krishterëve
ortodoksë shqiptarë qe e mbështetur në parimin e pavarësisë së vetë
shtetit. Kjo donte të thoshte se procesi i mëvetësimit të Shqipërisë
vetëm kishte nisur në 28 nëntor 1912 dhe nuk mbyllej me një kabinet
qeveritar, por përbënte një ngrehinë të tërë komplekse, pjesët dhe
strukturat e të cilës do të krijoheshin njëra pas tjetrës, nëpër vite
dhe dekada. Midis kësaj mëkëmbjeje ishte edhe Kisha Ortodokse
Autoqefale.
Tre muaj më parë artikulli “Një harrim tjetër mund të ngjasë” u shkrua
i sigurt se nëntëdhjetë vjetori i një ngjarjeje të shënuar kombëtare,
i cili përkonte me njëqindvjetorin e pavarësimit, në mënyrë absolute
nuk mund të nënvlerësohej apo anashkalohej. Harrimi as që mund të
përfytyrohet. Shkrimi u bë jo të paralajmëronte një harrim të vërtetë,
por që të nxiste sadopak kujdesin për ta nderuar jubileun sa më
hijshëm.
Por për fat të keq ndodhi më e pabesueshmja: përvjetori u la mënjanë.
Themi “u la mënjanë“, sepse logjika më e thjeshtë të çon tek arsyetimi
se u harrua vetëdijshëm. Kjo ngjarje dihet nga dhjetëra mijëra
shqiptarë, sepse duke filluar nga fundi i viteve njëzetë të shekullit
të shkuar, ajo është shkruar në të gjitha librat e historisë së
shkollave tona. Këtë, doemos, e di mjaft hollësisht edhe Akademia e
Shkencës e Shqipërisë, e cila bashkë me Institutin e Historisë, në 19
shtator 1992, në përvjetorin e shtatëdhjetë të shpalljes së kësaj
Kishe, e përkujtoi me disa kumtesa studimore. Madje në shtator 2007,
në përvjetorin e tetëdhjetë e pestë, këtë vepër të bukur e kreu, me
një intervistë për Radio-Vatikanin, edhe kryeredaktori i gazetës
“Ngjallja”, “organ i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”, ku
është shënuar posaçërisht se ka “themelues Kryepiskopin Anastas”.
Që këtë mes shtator kjo Kishë dhe institucion jetik i pavarësimit real
të Shqipërisë mbushte jubileun e nëntë dekadave të shtetit tonë
njëqind vjeçar e dinte fare mirë edhe bashkësia e besimtarëve të
krishterë ortodoksë. Doemos që kishte njohuri të mjaftueshme edhe
klasa politike, shoqatat e shumta, shtëpitë botuese...E dinte Tirana,
Korça dhe patjetër qyteti ku u krye vepra sublime, Berati. Edhe
gazetat e dinin në majë të gishtave çfarë pati ngjarë nga 10 deri më
19 shtator 1922.
Si i iku të gjithëve nga duart (?!)
Është një harrim i rëndë, i ndodhur para syve tanë. I shkaktuar në
kulmimin e një procesi të drejtë për ta plotësuar historinë tonë me
pjesët e saj të munguara apo të shtrembëruara rëndë.
I pambrojtshëm prej asnjë lloj justifikimi, kjo që ndodhi dëshmon se
diçka po vazhdon të mungojë në sovranitetin tonë fetar të krishterë
ortodoks. Nuk bëhet fjalë që ky përvjetor të shpërdorej nga disa ultra
lokalë, zelli i të cilëve është mobilizuar në shpalljen armiq të
drejtuesve aktualë të kësaj bashkësie e ca më pak të bashkatdhetarëve
të thjeshtë ortodoksë, pjesë e nderuar e shoqërisë shqiptare dhe
festues të dëshiruar e të sinqertë, si të gjithë ne, të 100 vjetorit
të ditëshpalljes së Pavarësisë. Ajo që do të ishte inteligjente këtë
nëntëdhjetë vjetor dhe do ta çlironte ngjarjen nga keqkuptime dhe
interpretime të shtrembra, do të qe një veprimtari, e cila mund të
kryhej fare mirë nga vetë Hirësia e Tij Janullatos. Me nismën dhe
angazhimin e drejtpërdrejtë të këtij teologu profesionist kjo
përkujtimore mund t’i jepte shoqërisë sonë dhe vetë jubileut të
100-vjetorit një mesazh harmonie dhe mirëkuptimi, duke davaritur qoftë
edhe fare pak, një dyshim që rri përherë pezull dhe bren ndërgjegjen
tonë kombëtare për rolin e ndryshëm në krye të kësaj Kishe Autoqefale
të një kleriku me etni shqiptare apo helene. Historia jonë, si e çdo
populli, provon se edhe personalitete me kombësi tjetër i kanë
shërbyer mjaft devotshëm dhe madje për këtë vepër edhe janë vrarë nga
shovenë të huaj si albanologu kroat Milan Shuflaj. Pra, shërbesa nga
një etnikisht joshqiptar, nuk përbën argument fuqiplotë për ta
refuzuar apo paragjykuar.
Ja pse Hirësia e Tij kësaj here mund të qe vetë nismëtar...
Po të ndodhte kjo, i dituri Janullatos do ta kishte më të lehtë e më
të drejtë të na mblidhte përreth në çdo 17 prill, në nderim asaj dite
të shënuar, kur në vitin 1937 Patriarkana Ekumenike me në krye
Patrikun Beniamini I, e pranoi, pesëmbëdhjetë vite më pas nga
vetëshpallja, Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare.
Ishte shumë i shtrenjtë ky nëntëdhjetë vjetor. Nuk duhej t’ia punonim këtë reng.
Qe sikur t’ia bënim 28 nëntorit 1912, të cilin e kemi ditëthemelimin e
shtetit tonë të pavarur, edhe pse këtë çast ai qe vetëm një akt
vetshpallës. Shumë më vonë Shqipëria u njoh nga bashkësia
ndërkombëtare. Veç kjo e fundit nuk do të ndodhte kurrë po të mos
ishin ata guximtarë me në krye Ismail Qemalin.
Në autoqefalinë e Kishës sonë Ortodokse nuk do të ekzistonte një 17
prill 1937 dhe asgjë tjetër më pas, madje as vetë mbrothësia shqiptare
e Hirësisë së Tij, pa ato nëntë ditë të shtatorit 1922.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com