Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

SHQIPËRIA, E RËNDËSISHME APO E MADHE?


(Shkrim i botuar në gazetën “Shqip”, më 2 shtator 2013)

Siç dihet individë që në jetë ndërmarrin një rol të caktuar publik përcaktojnë edhe strategji të ndryshme veprimi, për rrjedhojë ndjekin rrugë jo të njëjta. Ata që turren me shumicë për të kaluar me të njëjtën mënyrë e në të njëjtin shteg, për shembull si në të lakmuarën politikë, doemos do të përplasen me njëri-tjetrin, do të shtyhen, shkelen, shahen, kapen prej fyti...
Edhe shtetet përzgjedhin e realizojnë drejt, si edhe gabojnë njëlloj si njerëzit. Në Ballkan për shembull e gjithë historia e serbëve, popull me dhunti artistike dhe modesti në jetë, nëpërmjet radikalëve të saj të shumtë, e ka të bashkëngjitur në fatin e vet shekullor pasojën e dëshirës për të qenë i pari i gadishullit. Bëjnë gjithçka ta rrisin shtatin gjeografik dhe fuqinë ushtarake, krijojnë monarki të bashkuar, federatë komuniste, projekt për Federatë Ballkanike apo Ballkania e çfarë të duash. Pastaj nga që gjithçka është tepri pushteti dhe jo e drejtë e natyrshme dhe po ashtu aftësi reale për të komanduar kombe të tjerë, ngrehina u bie me rrokopujë. Rrënohet aq ciklikisht sa habitesh si, ndërsa grupe ekstremë mes tyre skicojnë sërish të zmadhuarin shtet, pasi e humbën Kosovën sepse nuk qe pjesë e ligjshme e tyre, shpresojnë në ditën kur rendi botëror, evropian dhe ballkanik, do të rindryshojë dhe toka e shqiptarëve të kthehet në sinorët e vjetër, si në mbretërinë apo federatën e dikurshme. E trishtueshme që nuk e dallojnë pamjen e plotë të ciklit të tyre fatal, atë me mbyllje humbëse, por i gëzohen vetëm gjysmën e parë joshëse.
Në historinë e grekëve do të gjesh edhe periudha të tjera falimenti ekonomik, si tani. Identikë. Duket sikur kjo dramë e pandërprerë e tyre vjen e gjitha prej pasionit hedonistik, dëshirës për t’u kënaqur më shumë se lodhur apo dredhisë prish se na ndihmon bota. Në historinë e tyre kombëtare kjo humbellë u është shfaqur sepse duan, për shembull, një ushtri shumë më të fortë nga sa kanë mundësi financiare. Pëlqejnë fuqi më tepër nga takati. Kjo ndodh sepse kanë kultivuar një traditë perandorako-bizantine për të qenë me domosdo ata të parët e Ballkanit. E duan për të gjitha gjërat dhe në çdo fushë, jo vetëm atje ku realisht kanë epërsi dhe meritojnë respekt: mënyrën perëndimore të jetës dhe të organizimit të shoqërisë.
Sa pa rezultat pozitiv është kjo strategji e patjetër “të parit” dëshmohet këto kohë. Të dy shtetet e sipërpërmendur janë në pikën e anasjellë të asaj kuote lartësie të synuar: vetëm në majë.
Duke qenë se në gadishull si volum demografik dhe pothuaj territorial, të barabartë me serbët dhe grekët jemi edhe ne, logjika dhe kuti i njëjtë i vlerësimit strategjik do të ishte projekti i një Shqipërie të Madhe. Ose Natyrale, siç ka një term për ta shmangur sado pak nga ngarkesa tejnacionaliste. Ose të Bashkuar, siç e formulojnë disa parti të caktuara të shfaqura së fundi këtej dhe përtej kufirit. Apo Shqipëri Etnike, siç e ruajnë ende disa bashkëkombës një formulim të fillimshekullit të shkuar.
Porse asnjë e tillë nuk ka ekzistuar ndonjëherë. Edhe kur 100 vite më parë u pavarësuam shteti ynë nuk u bë dot kurrë në kufijtë me popullsi etnike. As tani, edhe pse Kosova u shpall më vete, nuk ekziston ndonjë strategji e tillë. Por as edhe që bëhet, po të na hipë në kokë, përshembull. Jo vetëm që për të nuk punon në favor tradita e dështuar e planeve të njëjtë tek dy shtetet fqinj, por as koha e sotme. Kjo e fundit vepron në kahe të kundërt, rend drejt bashkimit më shumë se më parë, por në mënyrë tepër të balancuar, si hapje e madhe mes etnisë dhe njëkohësisht asaj me popujt e tjerë. Kështu kufijtë zyrtarë në të ardhmen, edhe pse sovraniteti i shteteve do të ruhet i madh, do të jenë pa asnjë forcë ndarjeje dhe veçimi. Sa herë të zgjohen një Serbi e Madhe apo Greqi e ngarkuar me Megali Ide, si edhe një Shqipëri identike, do të jenë kështjella letre.
Ndërkohë, edhe pse na doli për fat, ne shqiptarët nuk kemi asnjë dhunti dhe asnjë ambicie, asnjë vullnet dhe forcë, asnjë lider për të ngritur një ngrehinë të tillë. Madje edhe sikur vetë Skënderbeu të çohej nga varri nuk do ta bënte dot. Arsyeja thelbësore është se mes të tjerash ne kemi një defekt tepër të madh: aftësia jonë bashkuese gjendet në pikë shumë të ulët. Një forcë ne e kemi mjaft të madhe: të ndajmë njëri-tjetrin.
Duke qenë se serbëve, grekëve, shqiptarëve, si edhe maqedonasve apo malazezëve, historia e formimit të tyre u ngjizi në identitet vlera të spikatura dhe të meta të natyrshme, tani dhe më pas asnjë prej tyre nuk mund të ndryshojnë dot. Nëpër vite thjesht kultivohemi dhe bëhemi më finë për të shfaqur të njëjtat karakteristika kombëtare, virtyte dhe vese. Në një rrethanë të tillë paaftësinë tonë fatlume për t’u bërë të parët e Ballkanit, më të fuqishmit e tij, mund ta përdorim edhe më mirë për të qenë jo vetëm të nevojshëm, pra që pa ne nuk mund të merret në rajon një vendim me peshë, por të jemi edhe të rëndësishëm. Këtë pikëpamje, në rast se lexuesi do të na mirëkuptojë përse e theksojmë, po përpiqemi ta ilustrojmë me një shembull: si vepron ambasada e vogël e modeste e Republikës Shqiptare në Bosnjë-Hercegovinë. Emrin e titullarit të saj (Flamur Gashi) po e zgjedhim jo si përjashtim e si më të mirë nga kolegët e tij në Beograd, Zagreb, Shkup apo Podgoricë, por thjesht për shkak të disa lehtësirave që na ndihmojnë për të argumentuar pikëpamjen. Për të ka të dhëna publike, sepse mediatikisht kjo përfaqësi diplomatike e ka më të dukshme veprimtarinë e saj në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Tiranë.
Pastaj, siç dihet, Sarajeva është zemreku i Ballkanit. Atje gërshetohen e përcillen tek njëra-tjetra të gjitha kulturat pajtuese apo konfliktuale mes popujve ballkanikë. Pikërisht në këtë vatër gjeostrategjike të ndikimit të ndërsjellë mund të dallosh përse është me mjaft efekt të jesh i rëndësishëm. Ose Faktor, siç formulohet në gjuhën profesionale.
Në gadishull, ndryshe nga territore të tjera kontinentale apo globale, Shqipëria gjithnjë ka qenë me më shumë ndikim. Nga një faktor ideologjik para vitit 1990 me mbarimin e Luftës së Ftohtë iu çel mundësia për të ushtruar ndikim pragmatist. Kështu tashmë ka marrë formë dobia e të luajturit në Ballkan të një roli konstruktiv. Kjo, e cila s’ka përse të mos përsoset, tashmë është e gjithëpranuar. Në një intervistë në gazetën e shumëlexuar, por edhe të moderuar, të Republikës Serbe të BH, popullsi që përbën dyzetë për qind të këtij shteti, “EuroBlic”, si edhe përherë në median boshnjake apo kroate, përfaqësuesi i shtetit tonë ka mëshuar edhe në një cilësi e mundësi tjetër për të qenë i rëndësishëm: tek vlera e tolerancës ndërfetare. Edhe kjo tashmë është e mjaftpranuar. Madje rreth datës dhjetë shtator në Sarajevë BE dhe bashkësia e njohur ndërkombëtarisht e Sant’Egidios do të kryejnë një veprimtari për bashkëjetesën mes besimeve të ndryshme dhe përveç kryeministrit vendas i vetmi i ftuar në këtë nivel nga Ballkani është ai shqiptar. Këtë cilësi pozitive të identitetit tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore e rivërteton edhe shembulli i mbrojtjes së hebrenjve. Në Sarajevë u promovua posaçërisht në gjuhën vendase libri i Harver Sarner “Shpëtimi në Shqipëri”, si edhe dokumentari me të njëjtin titull i autorëve nga Prishtina Alush Gashi dhe Dardan Islami. Efekti përmirësues i imazhit ishte i madh.
Të jesh i rëndësishëm në rajon nëpërmjet një roli ndikues konstruktiv, do të thotë ashtu (siç po veprohet) t’u afrosh popujve të gadishullit, edhe atij serb, alternativën, që për sigurinë dhe begatinë e përbashkët, rrugë e vetme është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe pjesëmarrja në NATO. Të jesh ndërtues dhe jo trazovaç do të thotë të mbështetësh tezën se në Ballkan nuk duhet të ketë ndryshim kufijsh. Kjo i inatos ata bashkëkombës që duan bashkimin klasik territorial të Kosovës me Shqipërinë, pra ndryshimin e kufijve mes këtyre dy shteteve, duke harruar se, me një formë të tillë, bashkimi i vërtetë funksional, ai nëpërmjet integrimit në Ballkan dhe Evropë, do të ndërlikohej dhe shtyhej.
Në periudhën e komunizmit tek radikalët serbë qarkullonte një shprehje mjaft përbuzëse ndaj shtetit tonë. Me një frazë banale, nga ato që rëndom kanë në mes edhe emrin e nënës, në vend të saj vihej ai i Shqipërisë. Por, për ta poshtëruar, nuk e përmendnin me emër, por sharjen ia drejtonin “atij vendi që e kemi në perëndim!” Për ta gjeografikisht Shqipëria qenka përfytyruar si kahu perëndimor i horizontit! Kjo fyerje e djeshme tani ka nisur të zëvendësohet me një pohim publik, serioz: Shqipëria vërtet është në Perëndim.
Që ne për t’u bërë qytetarë mirëfilli perëndimorë na duhet shumë e shumë mund, dihet, por që popujt ballkanas kanë filluar të na e vlerësojnë si një mendësi të palëkundur, kjo ka ndodhur sepse kemi gjetur edhe strategjinë e dobishme kombëtare për të mos qenë kurrë të parët e gadishullit, por patjetër të rëndësishmit e saj.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com