Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PËRSE DUHET DËRGUAR NJË BUST I SKËNDERBEUT NË QYTEZËN ARBËRESHE SANTA SOFIA D’EPIRO


(Botuar në gazetën “Standard” më 31 gusht 2012)

Prag vjeshte e vitin 2010. Duke iu afruar Santa Sofia d’Epiro, rruga e hipjes nëpër ato kodrina në afërsi të lumit Crati, vjen e butë, por me shumë kthesa. Pas një uljeje në grykën e një lugine nisëm ngjitjen dhe më në fund shfaqet në horizont qyteza arbëreshe. Llamburit nga drita. Shumë shtëpi duken si të reja dhe të ngjyrosura me të bardhë. Përreth, diku më tej, dallohen plantacionet me pemët e gështenjave. Që kur pesë shekuj më parë u zgjodh si vend banimi prej arbëreshëve këtu kishte shumë burime ujërash. Edhe sot qytezën e përshkojnë mes për mes dy përrenj dhe në të ka 29 kroje. Nga banorët fjala shqiptohet saktësisht kështu: Kroj. Kështu në Santa Sofia d’Epiro ndodhet Kroj i Bukur, Kroj Kaciqit, Kroj i Malit. Njëzetë e nëntë kroje do të thotë njëzetë e nëntë herë më shumë dashuri, sepse nuk ka vend më të bukur për t’u takuar dy zemra të ndezura të rinjsh.
Femrat këtu kanë një bukuri të rrallë, marramendëse, pothuaj torturuese për kë i kundron. Janë përherë në një buzagaz të magjishëm dhe gjithmonë të mbushura me trazim emocionesh. Studiuesit ngulin këmbë se këtu femrat “ruajnë akoma bukurinë e paraardhëseve të tyre në atdheun e origjinës, Shqipëri”. Ndjenja e dashurisë së sofiotes që kur është vajzë e pastaj bëhet nënë ka qenë e mbetet themeli i qëndresës etnike shqiptare. Nuk ka si shpjegohet ndryshe, veç me këtë dashuri për vetë dashurinë, fakti që në qytezë ruhet me mjaft pasion i gjithë riti i dasmës arbërore, saktësisht ashtu siç në emigrimin e tyre e kanë marrë me vete që pesë njëqind vjeçarë më parë. Kjo ceremoni pagane në të gjitha ciklet e saj dëshmon ruajtjen xheloze të identitetit kombëtar. Jo më kot në Santa Sofia d’Epiro, veçanërisht nga femrat, mbahet e pa humbur jo vetëm tradita e valles, por edhe ajo e veshjes nëpër ceremoni e kostumeve popullore. Tek sofiotet ka një lidhje të fortë të vajzave me nënat e tyre dhe ky bashkim dhe vazhdimësi shpirtrash ka ndihmuar mjaft në transmetimin nga brezi në brez të gjithçkaje që është arbërore. Në rast se gjuha e vjetër shqiptare në Santa Sofia d’Epiro gjallon fort kjo është po ashtu, mbi të gjitha, edhe meritë e madhe e femrës. Deri në dhjetor 1999, kur më në fund nga parlamenti italian u miratua ligji për t’u mësuar në shkollat publike të Arbërisë edhe gjuha e bashkëkombësve tanë të vjetër, brezat e rinj nënat i kanë mëkuar me atë të folme. Sofiotet e mbushura në kraharor me feminizëm plot sqimë grupin e tyre të valleve e thërresin “Shqiponjat”. E kanë krijuar që në vitin 1994.
Por në këtë qytezë të bekuar edhe djali është tërë hijeshi, ka trup elegant dhe shumë i dëshiruar të vishet bukur, përherë i gatshëm t’u bëjë vajzave nga një surprizë aq të dëlirë dhe joshëse sa ato menjëherë t’i kërcejnë dhe varen në qafë. Kur bie në dashuri djaloshi sofiot të vjen poshtë dritares me një trëndafil ngjyrëndezur në dorë.
Në Santa Sofia d’Epiro mund të kuptosh sa racë e bukur fizike janë shqiptarët. Jo më kot në këtë qytezë banorëve u është mbushur mendja se janë me një fizionomi ndryshe jo vetëm nga italianët, por edhe prej bashkëkombësve të tyre në vendbanime të tjera, atje ku në këto pesë e më shumë shekuj, jeta e rrethana i ka sjellë ta përziejnë gjakun edhe me vendasit, latinët. Banorët e këtushëm mendojnë se fytyra e tyre ka formë ëmbëlsisht të rrumbullakët dhe ndryshe nga kalabrezët, krahina ku prej shekujsh banojnë, nuk janë me lëkurë disi të ngjyrosur në kafen e njohur të italianëve të jugut, por krejtësisht të bardhë, plot rrëzëllim. Ndërkohë flokët arbëreshët e Santa Sofisë i kanë të gështenjtë të errët, ngjyrë që u fërgëllon edhe në sy. Sofiotët janë të vetëdijshëm se kjo pamje e pangjashme me të tjerët u dëshmon gjallëri dhe inteligjencë. Ndërkohë ata pohojnë se vërtet nga bashkëjetesa me italianët arbëreshët i kanë modifikuar tiparet e kahershme me pamje luftarake dhe kryelartësi, por megjithatë ende e ruajnë shumë dukshëm karakterin krenar të racës. Sipas tyre shqiptarët janë punëtorë dhe fitimtarë në çdo sipërmarrje, përherë në kërkim të një fati më të mirë dhe jete ekonomikisht më të mirëqënë, janë mikpritës dhe bujarë, dinë të ruajnë zakonet familjare dhe traditën. Sofiotët shkojnë edhe më tej: thonë se mes arbëreshëve përherë lindin njerëz me shpirt të befasishëm krijues.

oooooo

Ora nuk është më shumë se tetë e gjysmë e mëngjesit. Në rrugët kryesore pothuaj nuk ka njërës. Menjëherë kujtohemi që është fundjavë dhe shumica patjetër pushon. Santa Sofia d’Epiro ka rreth tre mijë banorë e me siguri kush ka pasur punë bujqësie me kohë ka dalë në kodrinat përreth. Përveç vreshtave, gështenjave dhe fiqve, këtu ka edhe mjaft pemë ulliri.
Gjer sa të takojmë ndonjë autoritet vendas e t’i shpjegohemi se vijmë nga Shqipëria dhe kemi mall të madh për ta, shëtisim ngadalë. Ndërsa barisim përballë na shfaqet një sferë. Pothuaj mbetëm pa gojë. Qe një rruzull gjysmë i mbështjellë me gurë, tamam si me një lëvozhgë ngjyrë artë. Herë na dukej si fryt i prodhuar nga pemë kozmike të rritura në yllësinë e pafund të qiellit dhe herë si një lloj meteori, që pasi ishte shkëputur prej galaktikash të largëta, i përvëluar nga flakët, pati rënë megjithatë i paprishur, si një mesazh hyjnor, në tokat ku prej shekujsh mërgonin arbëreshët. Si të shushatur bëmë disa hapa përreth sferës, në mundim për ta kuptuar atë krijesë shumë të veçantë artistike. Diku duhej të qe titulli i asaj vepre ose të paktën emri i autorit. Më në fund gjetëm një gjurmë prej ku diçka mund të ftillonim. Ishte një pllakëzë e shkruar në dy gjuhë, arbërisht dhe italisht. Qenë vendosur në të vargjet e këngës së njohur, himnit të arbëreshëve, “Moj e bukura Morë”.
Vargjet i lexuam duke mos mundur dot t’i përmbajmë emocionet. Qemë gati të përloteshim. Për të gjithë ata shqiptarë që e kanë dëgjuar atë melodi ndjehen menjëherë arbëreshë.
Moj e bukura Morë,
Si të lë u më nëng të pe si të le.
Si të le, si të le u më nëng të pe.
Atje ku kam u zotin Tatë,
Atje ku kam zonjin Mëmë
Atje kam edhe t’im vëlla gjithë mbuluar,
Gjithë mbuluar, gjithë mbuluar nën atë dhe,
Moj e bukura Morë.
Vështirë në botë të gjenden shumë krijime të tilla. Melodia dhe teksti i saj për nivelin artistik dhe për forcën e dramës që ngërthejnë, janë shekspiriane. Nuk mund të shpjegohet ndryshe veç prej këtij gjenialiteti jo vetëm mbijetesa qindra vjeçare, mosvyshkja e saj, mos harrimi, por edhe freskia si të jetë krijuar ato çaste kur e këndon. “Moj e bukura Morë” është e interpretueshme po aq magjishëm me zë njeriu dhe vetëm melodi, në kor dhe fillikat, në muzgun e ditës dhe kur sapo zbardh agimi, kur të mbulojnë ëndrrat dhe kur dëshiron vetëm të mendosh, kur je fëmijë apo në fund të jetës, ndërsa je vajzë e re dhe kur ndihesh nënë. Jo, nuk mund të shpjegohet ky mbijetim shekullor përveç me nivelin e jashtëzakonshëm artistik të kësaj kënge. Po të kishte ajo një emër autori, ai do të qe mbuluar i tëri nga lavdia.
Ajo sferë qiellore autorin e ka italian. Anxhelo Alixha (Angelo Aligia) quhet. Atij krijimi hipnotizues i ka vënë emrin “Shqiptarët e Italisë“. Është një mënyrë kaq e drejtpërdrejtë, por edhe aq shumë e figurshme, për të kuptuar arbëreshët, cilësinë e tyre të mahnitshme të mostjetërsimit etnik. “Shqiptarët e Italisë“ do të thotë se prej fatit që nuk e kishin vetë në dorë, ata kanë ndryshuar vetëm vendin e banimit, shtetin, por jo identitetin e tyre. Janë thjesht shqiptarë të zhvendosur në një dimension tjetër fare të parëndësishëm për ta: hapësirë. Pa asnjë forcë ndikimi mbi ta edhe në një përmasë tjetër: në kohë. Ky formulim, “Shqiptarët e Italisë“, si të jetë kod gjenetik do të thotë se pesë shekuj kaluan, por le të kapërcejnë edhe pesëdhjetë të tjerë. Ata do të jenë e mbeten aty arbëreshë, shqiptarë të përhershëm.
Shën Sofia me atë monument artistikisht aq shumë simbolik është ndër të rrallat vendbanime arbërore në Itali që dëshmon të mbijetojë tek ta edhe një shpirt shumë i hollë artistik. Për shëmbull në këtë qytezë ka një grup folklorik i cili quhet “Avulli”. Ka edhe një pistë patinazhi. Siç është Kroi Mali gjendet edhe Kroi Piu (pi ujë kroji).
Studiuesit e Shën Sofisë dhe të shqiptarizmit të saj të paepur, të mbrojtur me kryelartësi etnike, me një lloj nacionalizmi të ndezur, por edhe me finesë e sqimë aristokratike, dëshmojnë se në traditën e shtëpive ka qenë vendosja në ballë të tyre, sipër harqeve të portave, të stemave ushtarake të legjioneve ku kanë marrë pjesë në motin e tyre heroik të rezistencës ndaj pushtimit osman
Këtë shenjë krenarie ndonjë banesë sofiote e ka ende.
Një gjë tjetër prekëse: në website-n e komunës së Shën Sofisë, dukshëm vendosur, gjenden edhe vargjet naimjane “O malet e Shqipërisë dhe ju, o lisat e gjatë, fushat e gjëra me lule q’ju kam ndër mend ditë e natë...”.
Pastaj: “Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar, dashurinë tënde kurrë zemra ime s’ka për ta harruar. Kur dëgjon zëthin e s’ëmës, qysh e lë qengji kopenë, blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë”.

ooooooo

Santa Sofia d’Epiro është katundi bashkëkombës ku identiteti mbrohet me forcën e artit. Ja pse tashmë gjënë tjetër që duam të shohim, është një bust përherë i gjendur në çdo vendbanim arbëresh: Skënderbeun. Sipas rregullit ai ndodhet në qendër, në një shesh të kuruar bukur, të gjërë, ku edhe popull mund të mblidhet për të kremtuar.
Tek e kërkojmë dhe sipas nesh tashmë jemi në mes të qytezës, atje ku ndodhet biblioteka dhe shumë afër bashkia, bustin e dëshiruar nuk e gjejmë. I pari që na ndihmon për ta kuptuar enigmën është shumë i sjellshëm dhe i qeshur. Thotë se është arkitekt e quhet Luço Franko Mashi (Lucio Franco Masci). Ka lindur këtu, por tashmë banon në Napoli. Në minutat e mëpasshme do të marrim vesh se është një autor librash, studion arkitekturën arbëreshe në Itali. Thotë se ajo është shumë fine, si e ndërtuar nga zotërinj. Banesat janë të gjitha me dritare nga dielli dhe kur është e mundur, me pamje nga deti. Përtej tij vështrimi i tyre kërkon Shqipërinë.
Arkitekt Mashit i lutemi të na ndihë për të bërë ritin e zakonshëm kombëtar: të shohim bustin e Gjergj Kastriotit. Ai hesht dhe pasi zgjedh fjalët thotë se një shenjë e tillë e heroit të famshëm aty mungon. Nuk i kërkojmë shpjegim përse kishte ngjarë një hata e tillë, por nuk u ndjemë mirë. Këtë temë do ta hapnim më pas me përgjegjësin e bibliotekës Antonio Franko Mirako (Antonio Franco Miracco) si edhe me këshilltaren e bashkisë për kulturën. Në të vërtetë me kohë e kishin caktuar vendin ku do ta vendosnin, por ngjarja e dëshiruar nuk po ndodhte jo vetëm sepse qenë banorë të një qyteze me shumë shije artistike si edhe me koncepte artistike moderne, prandaj edhe një bust tip, të zakonshëm, “parafabrikat”, i njëjti model siç e kishin marë mjaft qyteza arbërore si dhuratë nga qeveria komuniste e Tiranës e fundviteve shtatëdhjetë, nuk e pëlqenin. Krijimi duhej të qe i veçantë. Kështu opinioni dhe autoritetet e katundit u ndanë në dy palë. Njëra ishte ajo që lypte kohë për të bërë një zgjidhje origjinale dhe tjetra e cila nuk e duronte dot sheshin qëndror pa më të madhin e gjithë shqiptarëve.
“Por nuk mund të bëjmë diçka të përbashkët”, u themi. Patjetër, qe përgjigja.
Kështu lindi plani ynë për të nxitur në Tiranë krjimin e një busti të bukur për një nga qytezat më të hijshme të arbëreshëve. Në disa katunde të tjera pamë se pas viteve nëntëdhjetë, edhe pse roli i shtetit shqiptar në këtë kontribut qe zbehur, gjithsesi ishte rritur ai i shoqatave të ndryshme, madje në një rast edhe i një bashkie: asaj të Lushnjës. Kishin sponsorizuar gjysmë shtatore të Gjergj Kastriotit.
Për dy vite rresht, pasi premtimi i një biznesmeni që kishte financuar një monument të Skënderbeut, në një përpjekje të dytë nuk shkoi dot deri në fund, si edhe oferta publike e një institucioni shtetëror që nuk pati vullnetin të kthehej në realitet, këtë njëqind vjetor do të ishte mjaft e bukur dhe emocionuese për banorët e Santa Sofia d’Epiro, që shoqëruar prej një dërgate simbolike nga Shqipëria, mbase grup deputetësh pluralistë, të përuronin para këtij 28 nëntori bustin e heroit tonë kombëtar.
E kanë pritur aq shumë, jo për ta shmangur, por për ta pasur më të veçantin dhe më modernin.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com