|
LUIGJ GURAKUQI, PËRMASAT TEJSHQIPTARE
(Botuar në gazetën Shqip 24 gusht 2012)
Vetëm pak kohë më parë, për ditë të tëra, media i hapi vend çështjes së përmasës kombëtare të Luigj Gurakuqit dhe po ashtu shqetësimit se rolit të tij në historinë tonë i është ngrënë hak. Kjo mangësi, sipas shumicës së shprehësve, dëshirohej të paktën të mos përsëritej në këtë 100 vjetor.
Tërheqja e vëmendjes publike për këtë temë qe veprim i admirueshëm, aq më tepër kur sheh se mes mjaft emrave të rizgjuar në këtë jubile, pjesën e luanit po e konsumon Ahmet Zogu, historikisht një kundërshtar politik i Luigj Gurakuqit dhe prej një pjese bashkëkohësish i akuzuar si urdhëruesi i vrasjes së tij. Madje në këtë vit festiv, ndërsa ende nuk ka ndonjë qëndrim rreth mundësisë së restaurimit të shtëpisë së Gurakuqëve në Shkodër, jo në shërbim të figurës së Zogut si një politikan mjaft ndikues në jetën e vendit, por vetëm si mbret, çka është edhe pjesa më e vogël e jetës dhe e kontributit të tij, si edhe më kontradiktorja dhe më mosbashkuesja mes shqiptarëve, po i vijnë në ndihmë edhe fonde shtetërore.
Qe fillimisht ish-ambasadori ynë në Vatikan në gjysmën e parë të viteve nëntëdhjetë, Vili Kamsi, që kushtroi për rigjetjen e vendit të merituar të Luigj Gurakuqit në Panteonin kombëtar. Më pas edhe i mjaft autorëve të tjerë. Së fundi dha intervistë edhe një studiues, autor libri për Gurakuqin. Duke qenë se informacioni real ka rëndësi të madhe, mes gjërave të vyera që ky shprehu, tha edhe këto fjalë: Një vlerësim i veçantë i është bërë nga bashkia e Rajonit të Pulias, e cila më 2 mars 2000 organizoi veprimtari të veçantë për Gurakuqin. Sheshit pranë, ku u vra heroi ynë, në Bari, iu dha emri i tij, duke vendosur edhe një tabelë të shkruar në shqip e në italisht në përkujtim të tij.
Duke qenë se kjo është e pasaktë, por ndërkohë ka një rëndësi të madhe për tu ngulitur mirë në kujtesën kombëtare e vërteta, i kërkoj leje lexuesit dhe pas tij opinionit publik të interesuar, të dëshmoj se cila është kjo.
Historiografia shqiptare, zyrtare ose jo, përfshi të gjitha librat shkollorë e jo vetëm në periudhën e diktaturës dhe atë të pas shembjes së saj, por edhe gjatë qeverisjes republikane e më pas monarkiste të Ahmet Zogut, është bërë qartësisht e ditur: vrasja e Luigj Gurakuqit është kryer në qytetin e Barit. Nuk është mbajtur i fshehur as krimbërësi. Qe i afërmi i tij, djali i tezes, Baltjon Stambolla. Pastaj përherë në të tre periudhat, jo me të njëjtin ngulmim, ka vijuar edhe përdorimi politik i këtij episodi tronditës. Dy ditë më parë nga jetëmarrja e Luigj Gurakuqit, në 28 shkurt 1925, i ndjekur për tu kapur ose likuiduar fizikisht, mundi të shpëtojë në fill duke kaluar kufirin Riza Cerova dhe në 29 mars u vra pranë Shpellës së Dragobisë Barjam Curri. Janë tre opozitarë të Ahmet Zogut të gjuajtur për tiu marrë jeta brenda vetëm një muaj, ndërsa ky e kish rimarrë pushtetin vetëm njëqind ditë më parë.
Duke qenë se është shkruar shumë për të gjitha këto, habitshëm ka munguar një fakt tepër i rëndësishëm. Pikërisht ky, që studiuesi e rrëfen aq sa e di: që në qytetin italian të Barit me emrin e Luigj Gurakuqit ka një rrugë. Kjo përmasë nderimi e tij edhe në një shtet tjetër, është lënë dhe ende mbetet në heshtje. Nuk ka përse të gjejmë këtu rrënjët e ndonjë komploti, por indiferenca gjithsesi është e padenjë. Kur në vitin 1985 u botua i pari Fjalor Enciklopedik Shqiptar, pra e para Enciklopedi e jona, midis 1246 faqeve të saj, në hapësirën e gjysmë fletës 328, ku ndodhet zëri Gurakuqi Luigj (1879-1925), për këtë prani të emrit të tij në një rrugë të Barit nuk shkruhet asnjë fjalë. Atje sigurisht nuk mungon edhe fraza Pas shtypjes së Revolucionit të Qershorit shkoi në Itali, ku më 2 mars 1925 u vra në Bari prej një agjenti të shtyrë e të paguar nga klika zogiste. Kur pritej që në shoqërinë e hapur të pas vitit 1990 emërtimi i një rruge në një qytet-port të rëndësishëm mesdhetar të vendit fqinj të mos mungonte, në korpusin me tre vëllime të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botim i vitit 2008, në faqen 798 të 872 të tillave të pjesës së parë, ajo sërish nuk gjendet. Është i njëjti autor që e ka përpiluar, këtë herë edhe me dy qëndrime të reja të tij. Për Luigj Gurakuqin ka pothuaj dy herë më pak tekst se varianti komunist dhe fraza që posaçërisht cituam më sipër është riformuluar Pas shtypjes së Revolucionit mërgoi në Itali. U vra në Bari më 2 mars 1925. Sa e thjeshtë paska qenë: u vra dhe kaq!
Kjo çështje e emrit të rrugës në kontinent ka të bëjë me njohjen e përmasës së tij, e cila del jashtë kufijve të vendit tonë dhe për këtë arsye është një rast tepër i rrallë. Përveç Skënderbeut dhe për karshillëk politik edhe ndonjë Xoxeje në Beograd, askush tjetër nuk e ka këtë fat. Studiuesi që morëm me respekt si pikë referimi në intervistën e tij pohon se emri i Luigj Gurakuqit, si kontribut i të shumëditurit Eqerem Çabej, ndodhet edhe në Enciklopedinë kroate, por duket nuk e di që bashkëkombësi ynë shkëlqimtar ka një zë edhe në Enciklopedinë italiane Treccani, ku shqiptarët e depërtuar deri atje janë vetëm fare pak. I cituar disa herë si kryeministër apo kryetar shteti i Shqipërisë, si zë më vete në të mungon edhe vetë Ahmet Zogu.
Megjithatë të qëndrojmë tek çështja nëse emri i rrugës Luigj Gurakuqi është vendosur në 2 mars 2000 apo shumë më parë, me dekada hershëm. Ka të ngjarë që studiuesi ta ketë marrë informacionin prej një lajmi të shpërndarë po këtë ditë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, në të cilin është thënë Në ditën e 75 vjetorit të vrasjes së patriotit Luigj Gurakuqi, më 2 mars të vitit 1925, Kryeministri Ilir Meta mori pjesë në përurimin e pllakës përkujtimore, në Bari të Italisë, ku u mblodhën bashkë barezë e shqiptarë. Në fjalën e tij Kryeministri Ilir Meta theksoi rëndësinë e figurës shumëdimensionale të patriotit Gurakuqi...Duke u ndalur në raportet e të tashmes e të ardhmes, Meta theksoi intensifikimin e shkëmbimeve ekonomike, kulturore e njerëzore....
Këtë kohë si nëpunës i shtetit shqiptar pranë përfaqësisë sonë diplomatike në Romë autorit të këtij shkrimi i është dashur të kryejë detyrën e tij e të gjejë më pas mbështetjen e plotë të ambasadorit, të ministrisë së tij eprore dhe qeverisë, si edhe të vetë kryetarit të bashkisë së Barit Simeone Di Kanjo Abresha (Simeone Di Cagno Abbrescia) jo për ta vënë për herë të parë atë pllakë rruge, por për ta ribërë. Dhe duke qenë se këto çaste do të qe jashtë çdo etike bërja e ditur e ndonjë kontributi të firmosësit të këtij artikulli, një emër tjetër nuk është e sjellshme të mos e përmendim. Quhet Anamaria Çislagi (Annamaria Cislaghi), bijë e një nëpunësi të konsullatës italiane në Kajro, për katër dekada punonjëse dhe shefe e departamentit të marrëdhënieve me jashtë të panairit më të madh të Italisë së Jugut, Fiera del Levante, ku Shqipërinë e ka ndihur me gjithë shpirt. Tani është në pension dhe mes të tjerash kryen shërbime vullnetare për bashkëkombësit tanë në burgun e Barit. Për një rastësi në një nga qelitë e këtij e kaloi gati për dy dhjetëvjeçarë dënimin Baltion Stamolla.
Në tetor të vitit 1999 Anamaria më telefonoi nga qyteti i Barit dhe më tha se pllaka e rrugës me emrin e Luigj Gurakuqit qe thyer. Ribërja e saj ishte, që prej këtij çasti, misioni ynë. Rezultati i saj është ai lajm që ATSH e ka shpërndarë në 75 vjetorin e 2 marsit 1925.
Për fat Anamaria këtë rrugë e ka afër shtëpisë së saj dhe i gëzohet përditë. Tashmë dikur pllaka e thjeshtë është një tabelë mjaft e bukur, shumë sugjestionuese. Ngjan me një monument.
E treguam këtë episod përkujdesi për Luigj Gurakuqin nga një vend tjetër me shpresë që këto ditë vë në sedër në atdheun e vet administratorë të dëshiruar ta ringrejnë atë shtëpi të rrënuar në Shkodër, ku dashuria për patriotin e shquar duhet thënë se është e palëkundshme, e shprehur qartë me një shtatore në mes të qytetit dhe me emrin e universitetit.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|