Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

DISA FJALË TË TJERA PËR QEMAL STAFËN


(Botuar në “Gazeta Shqiptare” më 24 korrik 2012)

Qemal Stafa ka “trazuar” përsëri. Që pas vitit 1990 mbi bustin e tij kanë rënë njëra pas tjetrës me furi dallgë të mëdha. Më të shumtat e tyre përplasen sepse duan ta rrëzojnë, ose së paku ta mbulojnë e fundosin. Nëpër dy dekadat e fundit heqja sysh e tij nuk u mpak ndonjëherë, por përherë u shtua. Njëqindvjetori i pavarësimit i ka nxitur më shumë pasion polemikës dhe mospajtimit. Të bësh debat për një temë dhe në njëzetë e dy vite me radhë të mos arrish në një rezultat, por përkundrazi ndarja nga hendek të bëhet humnerë, nuk është dukuri aq e ngjashme edhe në popuj të tjerë.
E themi këtë jo thjesht sepse një lloj marrëveshjeje duhej të qe arritur apo se e drejta nuk mund të jetë kurrë vetëm e vetëm me një palë, por sepse pluralizmi dhe demokracia nuk maten me masën e mospajtimeve. Vlerësohen për të anasjellën. Tek Qemal Stafa mohimi total i rolit të tij historik, pra rënia e bustit, veç të kundërtës, nuk prodhon asnjë efekt tjetër. Sektarët e shumuar për t’ia shfarosur çdo gjurmë janë ndihmësit më të mëdhenj të kultit të tij. Ajo që i shërben historisë dhe të vërtetës është ridimensionimi, përmasa sa më reale. Në Tiranë një bust i këtij 21 vjeçari që në fillim të vitit 1939 luajti Pavël Vllasovin e romanit “Nëna” të Maksim Gorkit dhe shpalli publikisht përkatësinë e tij tek komunizmi, çfarë atë kohë donte të thoshte bolshevizmi dhe stalinizmi e aspak variantet më të buta të tij e jo më socialdemokracia, qëndron i patrazuar në mes të Tiranës. Nuk është në ndonjë skaj, por në një nga lulishtet më të bukura dhe më të vizituara të kryeqytetit. Ajo ndodhet në një pozicion “strategjik”; midis zyrave të Parlamentit dhe godinës së Presidencës, në vijë të drejtë më pak se njëqind metra nga Kryeministria. Kjo do të thotë se mbeti atje ku jo pa qëllim spikatjeje ia kishte caktuar vendin regjimi i mëparshëm. Në më shumë se dy dekada e vetmja që mund të ketë ngjarë në këtë bust të trajtuar me kujdes si nga opinioni publik ashtu edhe nga strukturat shtetërore është një yll i kuq që i bashkëngjitej germave të emrit. Ai është akoma aty, por jo i lyer posaçërisht me ngjyrën e mëparshme.
Në të vërtetë duhet rilyer. Të duket. Shpallësit të parë publik të ideve komuniste në Shqipëri historikisht nuk mund t’i mungojë simboli që ai nuk e vuri ndonjëherë në ballë, sepse e dha jetën në luftë me pushtuesin kur ende nuk ishte marrë vendimi që njësitë e armatosura partizane ta mbanin në kasketat e tyre, por sepse i përkiste bindshëm PKSH-së, e cila u themelua dhe veproi si një parti staliniste. Ai yll ishte dëshmi e pranisë së sovjetikëve. Si partizanët e kuq francezë apo italianë njësive partizane shqiptare u takonte të zgjidhnin një shenjë qartësisht kombëtare, për shembull shqiponjën, por këtë papërgjegjësisht e refuzuan.
Beteja e rishpërthyer tani për Qemal Stafën jo vetëm të lodh, por edhe të trishton, ta rrit ndjenjën e pashpresës. Nuk mund të rrihet përherë në një vend, nuk mund të përsëriten në një debat po ato argumente, të përdoret po ajo gjuhë. Në rrethana të tilla urtësia popullore thotë “Ku ishte? Hiç, asgjëkundi”.
Komunisti i bindur dhe inteligjent, madje edhe erudit, Qemal Stafa, për qëllime të caktuara nga para nëntëdhjeta u mitizua, u bë një supermen politik. Përveç vendit të spikatur që zinte në librat shkollorë, në ceremonitë e Shtetit, me buste, pulla, kartolina, përkujtimore, emrit të një gjimnazi të madh dhe të një rruge, po ashtu edhe një stadiumi, me jetën e tij lidhet edhe vetë Dita e Dëshmorëve të Kombit. Duhet të pajtohemi në një gjë fare të thjeshtë: nuk mund të jetë kurrsesi 5 maji, ditërënia e tij e dhimbshme, përfaqësuesja e të gjithë gjakut të dhënë nga kjo elitë e nderuar kombëtare. As kronologjikisht nuk i takon të funksionojë logjika kështu, si një orë e kurdisur stërprapthi, duke filluar jo nga fillim shekulli apo më herët, nga ku nis e ndritshmja Rilindje, por nga viti 1942?!
Me një propozim ekspertësh të historisë, persona të pa ndikuar nga politika, por që realisht përfaqësojnë palët më të ndjeshme me opinione të ndryshme, duhet të gjykojnë një ditëpërkujtimore tjetër. Qeverisë apo Parlamentit që do t’i takojë të marrë parasysh propozimin e specialistëve dhe të marrë vendimin (për shkak ende të ndjeshmërisë së lartë ideologjike kjo nuk mund të bëhet këtë vit të festës) do t’i takonte nderimi për një punë shumë të domosdoshme dhe të vyer.
Më pas kësaj, në vijim të korrigjimit, secili bashkëkombës, për shkallën e vlerësimeve të tjera ndaj Qemal Stafës, i ka të gjitha të drejtat të gjykojë e pranojë variantin e vet. Për autorin e këtyre radhëve ai mund të “lehtësohet” edhe nga monopolizimi i emërtimeve të shumta, ku përfshihet deri edhe një stadium të njohur. Këtij komunisti që me jetën personale nuk dëshmoi dot se do të qe një nga radikalët e pas vitit 1944 dhe pushtetushtruesit e dhunshëm të sistemit, pra la hamendje se mund të ishte edhe një liberal, i mjaftojnë busti publik në mes të Tiranës dhe një rrugë. Në Ditën e ardhshme të Dëshmorëve edhe një tufë me lule mbi pllakën e mermerit në vendin më sublim: tek Varrezat Kombëtare Nënë Shqipëri.
Por gjithsesi çështja e dimensioneve të tepërta në histori, të kryera nën trysninë e politikës së ditës (çka ndonjëherë ndodh edhe sot, ku bustin e simbolit të Lëvizjes Studentore çlirimtare nga diktatura, Azem Hajdari, përveç se në mjedisin e duhur, në Tiranë, e gjen edhe në vende pa ndonjë lidhje thelbësore), nuk është ajo e njëzetë e një vjeçarit Stafa. Merremi me të sepse është shndërruar në një simbol shumë të dukshëm i kësaj dukurie. Ajo që duhet risistemuar ka të bëjë me vetë ngjarjet kyçe kombëtare, jo aq me personat. Spikatja e Kongresit të Lushnjës është njëri veprim i tillë, po ashtu deklarata e përsëritur qeveritare se lufta antifashiste është një pasuri kombëtare e pa rrëzueshme dhe se përgjatë saj ballafaqimi ekstrem midis komunistëve dhe nacionalistëve e mbretërorëve nuk përfundoi asnjëherë në një luftë civile totale.
Shkakton dhimbje, madje zemërim tek mjaft komunistë që për një gjysmë shekulli punuan të përkushtuar për ta zhvilluar vendin e tyre, por duhet thënë e pranuar se risistemimi më i madh i historisë sonë të njëqindvjeçarit të shkuar ka të bëjë me gjykimin e periudhës nga fundviti 1944 deri në fund të 1990-ës. Ata që e fituan pushtetin në 29 nëntor, duke dhënë një kontribut të madh për sovranitetin e vendit, i cilësuan kundërshtarët e tyre politikë si reaksionarë. Termi është i rëndë, ideologjikisht mjaft inatçor, në shumë raste edhe i keqpërdorur ndaj bashkëkombësish që realisht qenë përparimtarë, por po të na lejohet vetëm për një çast të përdorim këtë fjalor të dalë jashtë kohe, para gjykimit të historisë periudha e socializmit real shqiptar qe po aq reaksionare.
Nëse duam të korrigjojmë parametrat e analizës dhe të vlerësimit të historisë, por edhe të kujtesës kombëtare, pika e fillimit nis që këtu. Pikërisht këtu duhet guximi. Gjesti i reflektimit është tepër delikat dhe i mundimshëm, sepse shumë pjesëtarë të sinqertë të asaj kohe janë gjallë dhe, për shkak të karakteristikave si funksiononte ajo shoqëri askete dhe shtrënguese, nuk duan të besojnë se mbajtën në këmbë pa dashje një padrejtësi të madhe, një shoqëri shtypjeje, ndërsa pikërisht kundër shtypjes dhe shfrytëzimit të njeriut nga njeriu e patën përqafuar atë ideologji dhe për të qenë vetmohuar.
Këtë reflektim e njëkohësisht vetëpastrim moral të shoqërisë, në rast se ajo e merr përsipër, nuk mund ta kryejë nën trysninë e politikës apo të sulmeve gjuhëakuzuese të disa të pakëve tepër grindavecë që në vitin 1990, por ende edhe tani, shohin si alternativë përmbysjen e gjërave, këtë metodë bolshevike, dhe aspak rivendosjen e harmonishme të gjërave në vendin e duhur. Në një qytet verilindor në shëtitoren qendrore të qytetit, krahas busteve të merituara të patriotëve, është ngritur një tjetër për një antikomunist, i cili jo pas vitit 1944, kur të ishte i tillë qe po aq e nderuar siç pak kohë më parë qenë antifashistë të respektuar edhe komunistët, por gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte si parim të vriste sa më shumë partizanë. Bënte saktësisht atë që dëshironin pushtuesit dhe krejt të kundërtën e strategjisë së aleancës ShBA-Britani e Madhe-Bashkimi Sovjetik. Në një qytet tjetër të veriut u shemb busti i Cucave të Maleve, pa dashur të kuptojnë se ajo histori është tepër e pleksur dhe e ndërlikuar me paragjykime ndaj çlirimit shoqëror të femrës dhe gjer në grykë edhe me diversion interesash serbe. Nuk mund të kurohej çështja e drejtë e çvendosjes së superpërmendores së Pesë Heronjve të Vigut nga hyrja ballore e Shkodrës me flakjen në harrim e përbuzje, madje pranë zonës ku hidheshin plehrat e qytetit, por me rivendosjen në një kënd tjetër të qytetit.
Veprime të tilla jo vendosin, por prishin baraspeshime të rëndësishme të të menduarit dhe për pasojë të veprimit të shoqërisë dhe i justifikojnë më shumë ata radikalë të kohës së shkuar që nuk duan të lëvizin asnjë milimetër nga bunkeri i gjykimit të tyre. Arroganca e disave prej tyre, që mund t’u shihet qartë edhe në këtë valë të fundit të debatit, i forcon ata dhe u rrit konsensusin shoqëror, kur duhet, që t’ia dalim mbanë misionit të përbashkët të vlerësimit të së vërtetës historike, të ngjajë e kundërta.
Shqipëria është e të gjithëve dhe bëhet çdo ditë prej të gjithëve. Qemal Stafa dhe shumë figura të tjera të nderuara gjatë gjysmëshekullit komunist duhet të hapin vend edhe për të tjerët, ata që vuajtën nga diktatura.
Borxhin shoqëria e sotme nuk e ka me të parët, por me të dytët.
Ndërkohë Shqipëria e vogël është aq e madhe sa ka vend për të dy palët. Po të rrinë edhe bustet apo emrat e rrugëve, të shkollave apo institucioneve të ndryshme, pranë dhe afër njeri-tjetrit, do të rinisë vëllazërimi.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com