|
Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut. Refleksione mbi librin më të ri të publicistit Ylli Polovina
Shkruar nga Ilirjan Gjika
(Publikuar në gazetën “Standart” më 16 Korrik 2012)
Ashtu si një vit më parë rrugët tona “u bashkuan” përsëri me Ylli Polovinën. Nuk ishte tashmë debati “i nxehtë” historik mbi ekzistencën e vajzës së Skënderbeut, që u zhvillua ato ditë korriku të vitit të kaluar në faqet e Gazetës Shqiptare, por prezantimi i jetës së njërit prej “personazheve’’ të historisë së shekujve XV-XVI-të, princit Gjon Muzaka. Dhe Polovina, siç i drejtohen të gjithë të njohurit, këtij studiuesi të palodhur, na mblodhi kësaj here “pas vetes”, për të prezantuar librin më të ri të tijin: “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut’’.
Duhet theksuar se libri prej 295 faqesh është një përpjekje e re dhe serioze e këtij përfaqësuesi të mirënjohur tashmë të publicistikës historike, i cili vijon të përpiqet dhe të rindërtojë përpara një lexuesi të kulturuar dhe me nivel, historinë e Gjon Muzakës, si dhe të bëjë një analizë të gjerë dhe analitike të kronikës-testament të tij.
Kështu, me bindje të plotë mund të themi se në botimet me temë historike, ky libër është një tjetër prurje me vlera dokumentare. Themi kështu se rreth historisë së familjeve të mëdha shqiptare të mesjetës së vonë është bërë fare pak. Mund të kujtojmë disa botime dhe vetëm disa emra të kësaj fushe. Në këto vite të periudhës postkomuniste duhej të ishte bërë më shumë në këtë drejtim dhe rreth këtij problemi, mund të veçojmë vetëm disa iniciativa të guximshme personale të autorëve shqiptarë. Në këtë fushë mund të kujtojmë fillimisht studiuesin Tonin Çobani, i cili në vitin 2003 botoi monografinë historike me titull: “Princi i përfolur Lek Dukagjini”, i cili ishte botimi i parë dhe i plotë për këtë familje të madhe shqiptare të mesjetës. Më pas do të ishte studiuesi i mirënjohur dhe autoritar Pëllumb Xhufi, i cili në vitin 2009 publikoi veprën e tij monumentale: “Nga Paleologët tek Muzakajt’’, ku shpjegon përveç historive të familjeve fisnike të Muzakajve, Matrëngëve të Karavastasë apo Arianitëve edhe ato të familjeve më të vogla si i familjes Frëngu të Vlorës. Gjithashtu në këtë vepër Pëllumb Xhufi boton për herë të parë në formë kritike dhe të plotë edhe Kronikën e Gjon Muzakës.
Megjithatë sot ekziston akoma në historinë shqiptare të mesjetës, zbrazëtia rreth historive të familjeve të tilla si: Balshajt, Topiajt, Gropajt, Blinishtët, Skurajt, etj. Dhe kështu në këtë 100 vjetor të Pavarësisë, Ylli Polovina na jep “një tjetër sinjal’’ në stilin e tij të publicistikës historike, siç është libri që prezantuam ditë më parë: “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut’’.
Duke e lexuar dhe studjuar librin, themi se me të Polovina, plotëson “ecejaket” e tij si gjurmues i historisë së familjeve princore shqiptare, gjë të cilën nuk e ka bërë vetëm në Itali, atje ku ka gjetur dhe dokumentuar për vite të tëra pinjollët e Kastriotëve, Muzakajve dhe të të tjerëve. Por siç e tregon edhe në faqet 221-235, të librit të tij, ai përpiqet të dokumentojë në terren edhe ‘’skutat dhe xhepat’’ e harruar tashmë të Principatës së dikurshme të Muzakajve, atje diku në malësitë e thyera përreth Tomorit. Këtu Polovina ngre disa hipoteza të reja dhe ndërton disa refleksione të guximshme mbi historinë e Beratit mesjetar, por edhe të një pike të “pandriçuar” mirë deri më tani në Historinë e Shqipërisë, siç është Beteja e Beratit e vitit 1455, atje ku heroi ynë kombëtar humbi të vetmen betejë kundër turqve. Me këtë betejë ai merret gjerësisht.
Më pas pasi zbulon përreth Tomorrit gjurmë, objekte arkeologjike dhe toponime, Polovina të kujton Eqrem Bej Vlorën, një nga njerëzit më të ditur të kohës së tij, i cili njëqind vjet më parë për udhëtimin që bëri këtu, na la ditarin e çmuar: “Nga Berati në Tomorr dhe Kthim...”
Më pas Ylli Polovina merret me toponiminë e kronikës së Gjon Muzakës, ku “meraku” i tij qëndron të lokalizojë Tomonishtën apo Myzeqenë e vogël të Muzakës. Por njëkohësisht ai merret edhe me etimologjinë e fjalës Lalë, emër i banorëve të Myzeqesë, përpara se ata të quheshin myzeqarë nga Muzakajt. Për këtë ai ka “shtegtuar” më parë kur punonte si diplomat në Itali, deri në Piana degli Albanesi, në Sicili, ku gjen të ikurit e “motit të madh” nga Myzeqeja, midis të cilëve edhe familjen Lala. Këtë Polovina na e pohon në faqen 235 të librit të tij, ku midis të cilëve na përmend edhe emrin e studiuesit arbëresh Leonardo Lala.
Padyshim që Polovina, pasi na ka dhënë më parë të dokumentuar edhe dy degët e Kastriotëve të Italisë, tashmë na jep edhe lokacionin dhe numrin e Muzakajve që jetojnë që nga shekulli i XV-të në Itali. Diku më sipër dhe pikërisht në faqen 265 ai na jep tre format e mbiemrit që mbajnë Muzakajt e sotëm, si Musaçhia me 73 anëtarë, Musaçhio me 286 frymë dhe Musaçhi me 79 anëtarë familjeje. Një tjetër element i studimit të Polovinës është se ai na jep edhe vendndodhjen e tyre në Sicili, Kalabri dhe Pulia.
Gjithashtu libri i Polovinës është i mbushur edhe me shumë informacione dytësore, por shumë të rëndësishme mbi botimet, njerëzit dhe hipotezat, që ekzistojnë mbi historitë e pasardhësve të familjeve të mëdha feudale që emigruan pas vdekjes së Skënderbeut në Itali. Ai është i pari që na jep një përshkrim të plotë për ekzistencën e varrit të Gjon Muzakës në Chiesa Maggiore në qytetin Francavilla Fontana. Deri më tani ne kemi marrë të mirëqenë se ky varr i takonte Gjon Muzakës, autorit të kronikës-testament. Këtë gjë na e kanë pohuar autorë të ndryshëm midis të cilëve edhe Pëllumb Xhufi. Por Polovina na pohon se ekzistojnë tre hipoteza se kujt i përket ky varr mbi të cilin është gdhendur emblemën e re të Muzakajve, ajo që iu akordua princit Andrea Muzaka, nga perandori bizantin Joani V Paleolog, pas fitores mbi mbretin serb Vukashinin në vitin 1370 pranë Kosturit.
Në ligjëratë të drejtë në faqen 8, Polovina shkruan: “Dyshimi se pllaka nuk i përket Gjon Muzakës së vërtetë, gjen mbështetje edhe për një arsyetim fare të thjeshtë. Princi i Beratit, edhe pse për disa kohë punoi në Brindizi, gjithë pjesën tjetër të jetës e kaloi në Napoli. Po aty ndërroi jetë. Asnjë arsye bindëse nuk ka përse trupi i tij duhej të bartej nga brigjet e Mesdheut deri në ato adriatiko-joniane, pra të kapërcente të gjithë gjerësinë e gadishullit Apenin e të strehohej në kishën dhe nëntokën e Frankavila Fontanës”. Ndërsa pak më poshtë Polovina shkruan: “Mes dy tezave të para kërkon të hapë e të gjejë vendin e vet edhe një e tretë. Sipas saj jo Gjoni vetë dhe as homonimi i tij Aranitas, por një degë e princit të Beratit, pra e Muzakajve, është zhvendosur pas vitit 1510 prej Napolit në Frankavila dhe atje, në vite të mëvonshme, mbase është ajo nismëtarja e përkujtimores së mermertë. I këtij mendimi është edhe Xhankarlo Valone, studiuesi më i mirë bashkëkohës Italian i familjeve fisnike arbërore të Mesjetës të mërguara në tokat e krahinës së Pulies dhe Salentos”, - përfundon ai.
Sidoqoftë kjo pllakë e mermertë përveç mbishkrimit që bart dhe që tregon se aty është varri i Gjon Muzakës, biri i despotit Gjin, zot i Epirit dhe i Myzeqesë, i cili vinte prej qytetit të Bizantit dhe në emblemën e tij mbante emblemën me dy koka, ka rëndësi se n jep të skalitur edhe stemën e Muzakajve, në qendër të së cilës ndodhet shqiponja bizantine.
Pikërisht në këtë pikë Polovina tregohet studiues i ndershëm dhe i guximshëm. Ashtu siç e theksoi edhe vetë gjatë prezantimit të librit:
“Gjon Muzaka në rrëfimin e tij është treguar një burrë i ndershëm”, - këtë gjë mund të themi edhe ne për Ylli Polovinën. Kjo, sepse ai e shprehet në mënyrë të guximshme, ndryshe nga shumë studiues tanët, që për shumë probleme të rëndësishme të Historisë së Shqipërisë, dridhen dhe spërdridhen, duke na e trajtuar historinë me argumente folklorike dhe jo fakte.
Kështu Polovina e thekson fort në faqet 262-263, ku ai konstaton dhe thekson një të vërtetë të madhe. “E gjithë klasa feudale që u ngrit kundër pushtimit osman, - shkroi ai, - u identifikua me vetëm një emër;
Skënderbeun. Flamuri i tij, ai i familjes Kastrioti, shqiponja e zezë me dy koka në një fushë të kuqe, u bë e të gjithë Shqipërisë që po rilindte me ëndrrën për një shtet të pavarur. Tani kemi njëqind vite në valëvitje të tij dhe krenohemi me të, madje duke e përsëritur se i kujt është, po në asnjë tekst mësimor për shkollat nuk gjen dy rreshta, të paktën sa për kulturë historike, ku të thuhet një e vërtetë e mohuar fare padrejtësisht. Shenja e Shqiponjës me dy krerë në historinë shqiptare nuk ka hyrë as nga Kastriotët, as nga Dukagjinët. Ca më pak nga të tjerët që nuk e përdornin këtë simbol. Shqiponja erdhi nga Muzakajt. Kjo shenjë e lartë perandorake bizantine, edhe pse njihej e përdorej, hyri për herë të parë zyrtarisht tek familjet fisnike shqiptare vetëm në vitin 1370. Me një dekret të veçantë të perandorit Joani V Paleolog e pati merituar princi Andrea II Muzaka”.
Kjo është një nga risitë më të rëndësishme të këtij libri dhe leksion për të gjithë ata që nuk e pranojnë një fakt të tillë, por na sjellin në shkrimet e tyre, sidomos ato që lexon në shtypin e shkruar trajtesa etnografike.
I çuditshëm dhe interesant është fakti se nga fillimi i librit e deri në fund të tij ndeshet emri i Beratit, duke nisur që nga titulli i tij në kopertinë e deri tek fjalia e fundit e tij. Duket se studimin e tij Ylli Polovina ia dedikon qytetit atëror dhe të origjinës, Beratit. Jo më kot edhe në kopertinë është vënë një foto e qytetit, e bërë nga muri jugor i kalasë nga një tjetër Polovina, këtë herë nga Agroni, përfaqësuesi i sotëm më në zë i shkollës beratase të pikturës.
Përveç vlerave që përmendëm, Polovina, së fundmi jep edhe një leksion për institucionet e specializuara të shtetit, që në këtë vit të 100-vjetorit të pavarësisë kombëtare duhet të ishin shumë aktive me botime të tilla. Ja seç shkruan ai në faqen e brendshme të ballinës.
“Ky libër u botua me të ardhurat personale, të cilat për mua dhe bashkëshorten, Fatbardhën, janë vetëm pagat si nëpunës shteti”. Dhe çfarë mund të shtojmë ne më pas. Vetëm urimin për autorin dhe familjen e tij. Të tjera fjalë janë të kota.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|