Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

MIRDITORËT, KËTA TË KRISHTERË TË PERËNDIMIT


(Botuar në gazetën “Metropol” më 12 korrik dhe në “Agon” më 11 korrik 2012)

Në një të shtunë të 26 majit të këtij viti, ku faqet e para të
gazetave njoftonin si edhe sot, në ditët e para të korrikut, krime
rrëqethëse prej lubisë Së quajtur Gjakmarrje, një shi i cili përgjatë
tërë javës nuk qe ndalur, sërish u shfry prej qiellit gri. Ishim një
grup miqsh që po udhëtonim drejt Rrëshenit, “kryeqytetit” të Mirditës.
Organizatorja e asaj fundjave me atë rendje nëpër rrugët e veriut, qe
Albana Lifshin, një krijuese shqiptaro-amerikane, autore e mjaft
librave interesantë. Mbiemrin amerikan Lifschin e ka prej martesës me
njujorkezin Poll e sigurisht që të dy banojnë në metropolin e madh të
ShBA-së dhe të vetë globit. E lindur në Vlorë, para vitit 1990 ajo ka
jetuar në Tiranë, por duke e pasur mbiemrin e nënës Mëlysh dhe Mirdita
është vendlindja historike e këtij fisi, Rrësheni mbetet qyteti i saj
i pëlqyer sa herë që çdo vit kalon një muaj në atdhe.
Këtë herë dëshironte të na i tregonte sa i bukur qe, si po
bashkëjetonte dhe rritej bashkë me kohën, sidomos çfarë rinie të
gëzuar kishte...Dhe iu bindëm. Në një çast të reklamimit të Rrëshenit
Albana pati thënë se festën e maturës atë vit qyteti dhe banorët e tij
e kishin bërë në sheshin e madh në qendër, një mbrëmjeje tërë aromë
pemësh dhe lulesh, ndërsa të gjithë qenë veshur me rrobat më të mira.
Të rinjtë dukeshin po aq të çlirët e modernë si në Manhatan të Nju
Jorkut. Asnjë shenjë, pati këmbëngulur ajo një çast, nuk kishte vënë
re tek ta se mund të fshihnin e mbartnin me vete nëpër jetë, si
ndëshkim e mallkim për veten e të tjerët, zakonin tribal të
gjakmarrjes.
Qemë në vazhdim të udhëtimit, përherë nën shfrimin e ujshëm të
qiellit, kur në Fushë Krujë shiu befas u bë rrebesh. Më tej, thellë
autostradës së veriut, filluan të gjëmonin edhe bubullima.
Shoferi i furgonit dukej mjaft i mirësjellshëm, kurse i biri, një
djalë rreth të dymbëdhjetave, edukatën e kishte si të shkruar në
ballë. Përherë e më shumë bëhemi gjithë vëmendje, mes të tjerëve edhe
unë. Atë ftesë e pata pranuar me një qëllim të fshehtë kulturor.
Dëshiroja të njihja nga afër të vetmen krahinë të vendit, e cila qe
tërësisht vetëm me të krishterë të Perëndimit, me katolikë. Brenda
vetvetes prej vitesh Mirditës i kisha vënë emrin-kod “Mikrorepublika e
Vatikanit”.
Ishte po ashtu një grishje e përhershme karakteristika tjetër e
krahinës: ajo është trualli ku emrat e banorëve kanë një formim
tingullor krejt tjetër nga e gjithë pjesa tjetër e Shqipërisë. Ata
quhen Preng, Dedë, Pal, Gjet, Mark, Lec, Pjetër, Bardhok, Kel, Gjon,
Zef, Ndue, Frrok...
Gjithnjë më kishte bërë kureshtar kjo botë “ndryshe”. Sigurisht nuk e
pata paragjykuar, ca më keq, të kisha rënë viktimë e një përfoljeje të
përhimtë, sipas të cilës mirditorët janë bashkëkombës me karakter disi
të paqartë, jo lehtësisht të kuptueshëm e të hapët. Kurse e quajtura
në histori si ngjarja e “Republikës së Mirditës”, duke qenë se e kisha
mësuar mirë si pati ndodhur dhe në çfarë rrethanash, si qe manipuluar
nga kryebajraktari i saj dhe qeveria e Beogradit, nuk më kishte
sugjestionuar kurrë për t’i parë shtrembër, si separatistë,
kundërshtarë të shtetit unik shqiptar.
Gjithsesi një druajtje e kisha pasur përherë, sigurisht jo
“distancim”. Ngasja e fortë për të dalë përfundimisht nga kjo
vetëmbyllje ndaj mirditorëve mu krijua ndërsa në një testament të Gjon
Muzakës, bashkëkombës i emigruar në Itali pas vdekjes së Skënderbeut,
zbulova se Lekë Dukagjini i këtyre viseve veriore pati pasur grua deri
në fund të jetës Teodora Muzakën, bijën e dinastisë së njohur
princërore të Shqipërisë së jugut. Kjo lidhje dukej shumë e veçantë, e
gëzueshme njëkohësisht edhe e pabesueshme. Ngjante si një përjashtim.
Një nga Berati, Myzeqeja apo Devolli e Korça duket shumë pak i
përputhshëm me një tjetër prej Mirditës.
Kur mbërrita në Rrëshen do të mësoja se lidhja martesore e Lekë
Dukagjinit me Teodora Muzakën nuk qe fare përjashtim, por rregull, e
zakonshmja. Në atë qytet ndiheshin fare mirë, si në vendlindjen e
tyre, të ardhur nga e gjithë Shqipëria, veçanërisht nga jugu, sidomos
bashkëshortet. Këto qenë mjaft ngulëkëmbëse për të mos ikur kurrë nga
Rrësheni.
Por kjo ishte e papritura më e vogël. Të tjera do ta pasonin, mjaft më
gjurmëlënëse.
Befasia kryesore ndodhi përgjatë udhëtimit, tamam aty ku tabelat në të
djathtë të autostradës tregojnë rrugën për në Qafë Morinë dhe për të
vazhduar përpara spikatin emrin e Kukësit. Këtë çast shkrimtarja
Lifschin ngriti zërin: “Mungon emri Mirditë!“ I thamë se shenjat
orientuese për drejtuesit e mjeteve të komunikacionit janë gjithnjë
qytetet dhe pikat doganore, nuk mund të jenë krahinat. Na pa
mosbesuese, gati për të kundërshtuar. Disa kilometra më pas
shqiptaro-amerikania sërish thirri “Shihe, ky është kufiri gjeografik
i Mirditës, as këtu nuk është!” Për të shprehur të njëjtin mospëlqim
ndërhyri edhe një udhëtar i ri, deri atëherë pasagjer i pazë.
Kur më në fund lamë autostradën e veriut, një gjë kaq shumë e bukur,
çliruese për zhvillimin në këto anë, dhe morëm asfaltin e vjetër për
në qytetin e Rrëshenit, u bë e qartë se emri Mirditë mungonte
tërësisht në të gjithë buzërrugën e ardhjes nga Tirana. Një udhëtari
të huaj të vitit 2012, mjaft ndryshe nga pararendësi i tij që në këtë
vise ka qenë i shumtë një, dy apo tre shekuj më parë, ia kanë hequr
mundësinë për t’iu fiksuar në kujtesë më të rëndësishmin emër historik
të kësaj hapësire, të dëgjuarin mjaft shpesh nëpër kontinent, të
regjistruar në aq shumë dokumente të arkivave evropiane, por
veçanërisht të Romës, në faqe librash e kujtimesh të udhëtarëve
anglezë, gjermanë apo francezë.
Në të vërtetë kjo nuk ka ngjarë vetëm me Mirditën. Në sinjalistikën
rrugore të autostradave tona, tashmë moderne, jo vetëm në veri, por
edhe në jug, mungojnë krejt emrat e krahinave. Nuk gjen as Labëri dhe
as Kurvelesh, as Dumre apo Çermenikë. As fusha më e madhe e vendit, e
tejmbushura me begati dhe histori, por edhe mundim, Myzeqeja, nuk
shkruhet qoftë edhe në një tabelë të vogël. Sistemi i shenjave rrugore
me vetëm treguesit e qyteteve apo pikave kufitare formalisht është
korrekt me mospraninë e emrave të krahinave gjeografike. Veç në tabela
të tjera, madje të shumëdukshme dhe të shoqëruara me disa shënime
orientuese, ato duhet të jenë në buzë të rrugëve kryesore të
komunikacionit nacional, atje ku përditë kalojnë jo vetëm gazetarët
apo studiuesit, bashkëkombës të këtej dhe përtej kufirit, të ardhur
nga diaspora jonë nëpër botë, por edhe turistët e huaj.
Mbase një ditë do të jetë qeveria, e cila do të ndërhyjë të caktojë
një institucion përgjegjës për të ndërtuar sinjalistikën kulturore dhe
historike të Shqipërisë. Nuk është një sipërmarrje e vogël e mbase
përveç angazhimit intelektual të specialistëve të kujtesës kombëtare,
do të duhen edhe disa shpenzime financiare, veç nuk mund të
konsiderohet e përfunduar një autostradë, në pamje të parë vetëm për
lëvizjen e automjeteve, të mallrave dhe të njerëzve, pa bashkuar në
aksin e vet edhe trasenë e historisë tonë. Korridoret e komunikimit në
këtë kohë të globalizuar nuk mund të kuptohen vetëm me rrotat e
makinave, pa këtë rrjet viziv të të dhënave orientuese për krahinat
dhe karakteristikat e tyre më të spikatura e të veçanta prej
njëra-tjetrës.
Gjithsesi, duke u rikthyer tek mungesa e fjalës Mirditë në të gjithë
autostradën nga Tirana deri në kryeqendrën e saj administrative,
Rrëshen, na duket se zbehja që i shkaktojmë memories nacionale nuk
është e kapërcyeshme me një shfajësim. Të gjitha krahinat shqiptare
përbëjnë një thesar të madh vlerash, por Mirdita është një nga më
origjinalet. Ajo përfaqëson një nga veçansitë më të thekshme të
identitetit tonë.
Arsyeja më e parë e kësaj vlere: ajo është nga më të lidhurat
shpirtërisht me Evropën. Në një të tillë përkatësi me zemër mbase edhe
më antikja.
Këtë vepër të vyer nuk e ka kryer vetëm gjeopolitika e Perëndimit,
interesat e saj strategjike në Ballkan, synimet e këtij apo atij
shteti të përtej detit apo matanë zemrës së kontinentit. Më shumë se
të gjithë ata së bashku këtë ngjizje të shpirtit të mirditorit me
Evropën e ka realizuar feja e krishterë katolike. Në të kundërtën me
të cilën doktrinuan stalinistët e Tiranës për një gjysmë shekulli me
radhë, kjo kishë dhe besim mbarti dhe edukoi tek ndjekësit e vet
dashurinë për Shqipërinë. Kur skuadrat e pushkatimit nga viti 1945 e
më pas vrisnin priftërinj katolikë, të cilët antikomunizmin e kishin
bindje dhe koha u dha të drejtë, në të vërtetë u merrnin jetën
patriotëve më të mëdhenj të kombit.
Në orët e qëndrimit në Rrëshen në atë 26 maj, por edhe të nesërmen,
shfletuam disa libra të autorëve vendas (Gjon Marku, Bardhok Pulaj,
Nikollë Loka, Ndue Dodbiba...) Nuk janë pak këta studiues. Gjetëm në
shkrimet e tyre një fakt kuptimplotë të lidhjes së fortë të
Krishterimit Perëndimor me atdhedashjen. Kur në mars 1946 regjimi
komunist dënoi me vdekje disa klerikë, ndërsa po i ekzekutonin, ata
uronin vetëm dy përjetësi: “Rroftë Krishti Mbret!” dhe “Rroftë
Shqipëria!”
Mund ta kuptosh këtë të vërtetë edhe duke e shëtitur qytetin e
Rrëshenit, sidomos duke e “lexuar” sjelljen e banorëve. Në të
ndërtesat e reja janë me arkitekturë moderne, kurse banesat e vjetra
me një harmoni të jashtme që nuk e ndesh shumë në trevat tona. Madje
këtu nuk ka asnjë shenjë të rrëmujës sonë karakteristike. Ka rregull
deri edhe në distancat mes luleve të mbjella. Qyteti orientohet nga
hapësira dhe drita, nga pastërtia po ashtu. Edhe nga qetësia. Në klube
apo në rrugë asnjë nuk e ngre zërin. Ndërkohë, në të anasjelltë të
imazhit se janë treva të gjakmarrjes sipas “kanunit”, festa e laurimit
të maturantëve të këtij viti shkollor, siç e kishte habitur
shkrimtaren Lifschin, na la edhe ne pa mend, kur në vend mësuam
hollësi rreth saj. Në Rrëshen funksiononte edhe një mrekulli tjetër:
shëtitja popullore e mbrëmjes. Për sa kohë ajo shijohej, bulevardi
kryesor në të dy skajet, duke vendosur nga policia bashkiake pengues
elegantë, ndalohej për makinat.
Vlerat këtu vetëmbroheshin nga qytetarët e vet. Në rast se emri
“Mirdita” mungonte në të gjithë buzë autostradën, faqja web e Bashkisë
në krye rrezëllin vetëm këtë emër. Edhe Albtelekom në selinë e saj
qendrore e spikat. Edhe një ndër baret më të mëdhenj të qytetit e
bashkon me ndriçim ëndërrimtar germat e kësaj fjale.
Në Kishën e Shelbuemit, një godinë sugjestionuese mbi shkëmb, në
Rubik, shkojmë paraditen e të dielës, 27 maj. Këtë herë shiu është i
potershëm dhe vetëtimat po aq. Një vendase me emrin Zina dhe i biri i
saj Fredi na ndihmojnë me një makinë të përballim udhëtimin e
domosdoshëm deri në këtë faltore të mahnitshme, të ngjitur nga natyra
dhe mirditorët deri në prag të qiellit.
Ndërsa mbahej mesha e së dielës dhe besimtarët, shumica gra, luteshin
dhe këndonin me zë të ëmbël në gjuhën amtare, një libër me të gjithë
ritin ndodhej në secilën prej bankave.
Emocioni të merr frymën. Nuk je në një kishë, në një strehë të Zotit,
por mbi të gjitha në një tempull të atdhetarizmit. Çdo frazë në librin
lutësor është hartuar me një shqipe aq të pastër, sa duket sikur e
kanë bërë albanologët më të mëdhenj.
Çdo fjalë nuk duket si e shkruar, por një për një e gdhendur si në mermer.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com