Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”


-Shënime rreth librit më të fundit të studiuesit dhe publicistit Ylli Polovina

Zylyftar HOXHA

(Botuar në gazetën “Telegraf” më 5 korrik 2012)

Është i njohur fakti që Gjon Muzaka, një nga pinjojtë e fundit të principatës së Muzakajve, të një prej familjeve më të mëdha e më të fuqishme të shekullit të 13-të deri në atë të 15-të, me një shtrirje gjithë Myzeqenë, Kaninën e deri në Kostur, pas vdekjes së Skënderbeut, që nga Italia e Jugut ku ishte ngulur përfundimisht me fis e farë, dëshmon gjenealogjinë e familjes në formën e një testamenti në rreth 50 faqe. Shënimet janë të vitit 1510, një vit para se ai të ndërronte jetë dhe janë publikuar për herë të parë nga albanologu Karl Hopf, dhjetë vjet pasi u gjetën, që i bie rreth vitit 1873. Vonë ato janë botuar edhe në shqip. Janë këto shënime mbi të cilat publicisti dhe shkrimtari, tashmë i njohur për këtë lloj gjetjeje, që shkojnë midis historisë dhe letërsisë, Ylli Polovina, gërmon e thellohet për të nxjerrë të vërtetat e kësaj familje të madhe e të njohur princërore, rolin e saj në zhvillimet historike të kohës dhe veçanërisht në periudhën e saj të fundit, në luftën kundër turqve dhe bashkëpunimin e ngushtë me Skënderbeun.
Do ta them që në fillim se Ylli ka ditur të lexojë me kujdes dhe germë për germë në disa variante, në shqip, në italishten e vjetër apo edhe në latinisht ato që thuhen në 50 faqe, por më tepër ai ka ditur të evidentojë deduksionet që dalin midis rreshtave për të kuptuar ngjarjet, faktet, jetën e gjallë dhe aktive të kësaj dinastie të njohur të shtrirë në të dy Myzeqetë, e Madhja dhe e Vogla, dhe rreth Tomorit me disa qendra të zhvilluara, por më kryesorin, Beratin si kryeqendër. I zhytur thellë në kohën që zhvillohen ngjarjet, me intuitën dhe fantazinë e guximshme, Ylli flet me admirim për mënyrën se si e kanë shtrirë sundimin e tyre Muzakajt, për rolin e tyre në jetën politike dhe shoqërore në trojet që sundonin, por edhe më tej, për mirëqenien dhe kulturën e tyre, dukshëm më të avancuar se të gjithë fqinjët rreth e rrotull.
Duke lexuar librin, ne që jemi nga ato troje, nuk mund të mos ndjehemi krenarë që jemi pasardhës të këtij fisi të shquar, nuk mund të mos mendojmë se myzeqarët e urtë dhe të mirë, beratasit që Evliha Çelebiu i ngre në qiell, skraparllinjtë apo devollinjtë me vetitë e tyre të njohura dhe cilësore, janë produkt historik i një civilizimi, sido mesjetar, por tepër të avancuar për kohën, siç ishte dinastia Muzaka e lidhur me fise e mbretëri brenda Arbërisë që nga Dukagjinët, Kastriotët, Arianitët e më gjerë e deri në Ballkan dhe Evropë.
Duke hulumtuar thellë në jetën e Muzakajve, autori me një gjuhë të modifikuar dhe të përmbajtur, por jo pa shqetësim, për shkak edhe të kulturës së tij, bën vërejtje për historianët tanë që për shumë ngjarje, si për pushtimin e trojeve nga anzhuinët që më 1269 dhe largimin tyre gati dy shekuj më vonë ose si disfata e Skënderbeut në Berat apo edhe ngjarje të tjera kyçe janë treguar të pavëmendshëm duke i anashkaluar apo duke i përshkruar përciptas. Me siguri ata nuk do të binin në këto gabime, po të vepronin siç vepron Ylli, që me lupë shkencore lexon dhe krahason Marin Barletin me Gjon Muzakën, nuk do të binin në “grackën” e shkëlqimit të një ylli të madh që eklipson apo i bën më pak të dukshëm yjet e tjerë, siç ka ndodhur me Skënderbeun dhe Muzakajt. Jo pa qëllim, madje ky ka qenë edhe meraku i autorit, që ta evidentojë që në titull kur thotë “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, madhështinë e Muzakajve, shkallën e hierarkisë shoqërore të tyre në atë kohë, zulmin e tyre të madh historik, por modest dhe të heshtur etj. Natyrisht pa prekur asnjë qime Skënderbeun famëmadh. Sepse në fund të fundit nuk ishte “faji” i tij që ndriçonte aq shumë. Skënderbeu, siç shkruan autori, pati zulmuar sa qe gjallë, ai kishte hyrë në kronikat e kontinentit që në ditën e parë të kryengritjes së tij, menjëherë pasi mori kështjellën e Krujës dhe rishpalli rikthimin e bujshëm në fenë e mëparshme, të krishtere. E quaj të udhës që në këtë pikë të citoj autorin kur shkruan: “Gjergj Kastrioti në kronikë-testament të sugjestionon si figura më kryesore për asnjë arsye fare të qartë. Gjon Muzaka atë e përshkruan me virtytet dhe të metat e veta. Në penën e tij Skënderbeu është vizatuar me ngjyra të shumta, aspak vetëm bardh’ e zi. Ai jo vetëm e skicon, e vizaton, i përvijon hollësisht siluetën, e përshkruan, i jep dritë, i hijezon profilin, pastaj pamjen përballë, sa që Gjergj Kastriotin mund ta kuptosh mirë si ai qe. E interpreton po ashtu me larmi, si politikan e feudal, si prijës e komandant, si forcë trupi e fuqi mendore. Princi i Beratit ka guximin të mbajë qëndrim ndaj tij. Madje edhe e ka kritikuar. Gjon Muzaka është i pari në histori që Skënderbeun e ka vështruar si njëri e jo si mit, ndërsa koha qe e përflakur nga dëshira dhe nevoja politike për të kryer këtë të fundit. Madje ishte kaq e ndezur nga ky pasion, sa refuzonte çdo mënyrë tjetër interpretimi. Kërkonte romantizmin e të vërtetës. Pëlqente histori, por edhe propagandë”. Me këtë paragraf esencial nga libri, pa mundur t’i bëj koment më tepër, po i mbyll këto shënime, duke e uruar studiuesin e njohur Ylli Polovinën për një punë të bukur që ka bërë me këtë botim të fundit.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com