|
Foto: .jpg | “BOSËT” E PARË TË NAFTËS NË SHQIPËRI JANË MUZAKAJT
(Botuar në gazetën “Metropol” më 26 dhe “Ekonomia” më 29 qershor 2012)
Bashkë me anashkalimin herë rutinor dhe shumë shpesh tinëzar për forcën e ndikimit në historinë tonë të familjes princërore Muzaka, një nga protagonistet më të mëdha të mesjetës sonë, dinasti me gjurmëlënie të thekshme për tre shekuj me radhë (XII-XV), terri ka rënë edhe mbi interpretimin e stemës së tyre të parë zyrtare.
Në librin tim të fundit “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut” jam përpjekur ta shpjegoj këtë dukuri, pra përse për hir të kultit pozitiv të Gjergj Kastriotit janë lënë në zbehje të vazhduar edhe Arianitët, edhe Topiajt, po ashtu Dukagjinët. Edhe të tjerë sigurisht. Por me këtë shkrim në “Metropol”, në këtë njëqindvjetor të ngjarjes së pavarësimit shtetëror, po i rikthehem kësaj teme i bindur se ende diçka ka mbetur pa u çuar gjer në fund, të paktën deri aq sa për lexuesin të qartësohet dhe mbetet në kujtesë.
Është Gjon Muzaka, pasardhësi më i fundit i dinastisë, i cili pasi i rezistoi plot dinjitet pushtimit osman dhe në tokat e pakta të mbetura në buzë Tomor të Beratit mbijetoi pa u epur edhe një dekadë tjetër pas vdekjes së Skënderbeut, që i emigruar në Napoli të Italisë, na ndihmon për t’ia dalçë mbanë. Në prag të vdekjes dhe në krye të tridhjetë e dy viteve ekzil politik, ai shkroi testamentin e tij pronësor për të tre bijtë. Ky rezultoi më pas se qe edhe një kronikë shumë e vyer për këtë periudhë të rëndësishme historike. Pikërisht në këtë dëshmi jo më të madhe se pesëdhjetë faqe ai shpjegon se familja e tyre kishte dy stema. Mbështetur mbi deklarimin e tij si edhe kontributin e veçantë të historianëve të specializuar për Muzakajt, Pëllumb Xhufi dhe Ferit Duka, po interpretojmë atë që është thënë dhe po ashtu mos theksuar, duke padrejtësisht harruar.
Në testamentin e tij kronikë Gjoni ua përshkruan tre bijve të tij me këto fjalë stemën e parë princërore, e cila mbetet edhe më e dashura për Muzakajt: “Dua gjithashtu të dini se si ishte stema e familjes sonë. Ishte një burim gurgullues me dy sylynjare që shpërthente nga toka; e ky ishte ai burimi i Epirit për të cilin shumë autorë kanë shkruar: “Shuan pishtarët e ndezur e ndez pishtarët e shuar”.
Ndërkohë familja e tyre dinastike më pas zotëroi edhe një stemë tjetër, të cilën e bëri zyrtare për vetë prestigjin që ajo mbarte. Pasi veproi Andrea Muzaka I (1280-1313), i cili gjatë sundimit të francezëve Anzhuinë, prej mbretit të tyre në Napoli, Karli I, qe emëruar si qeverisësi numër një i vendit (kishte titullin Marshall i Mbretërisë së Arbërve), administroi Teodori I. Pas këtij erdhi epoka e më të shquarit: Andrea II (1319-1372). Perandori bizantin Androniku II Paleolog i akordoi titullin më të lartë pas nivelit të tij, atë të despotit. Duke qenë se pothuaj e gjithë karriera e këtij muzakasi iu përkushtua luftës me serbët, me mbretin e tyre Stefan Dushan dhe të birin Urosh, armiq të mëdhenj për Bizantin, dhe i mundi dy herë rresht, madje përfundimisht i bëri të parrezikshëm për integritetin territorial të saj, vetë perandori i asaj kohe, Joani V Paleolog, jo vetëm ia rinjohu princit shqiptar titullin e despotit dhënë nga paraardhësi, por edhe i dërgoi si dhuratë stemën e Bizantit. Ajo përbëhej nga shqiponja me dy krerë, simbol i Perandorisë, me një yll gjashtëcepësh në krye.
Andrea II e përdori këtë stemë të ligjshme si zyrtare, duke e lënë të mëparshmen, tradicionalen, me statusin e shenjës thjesht familjare. Kështu në periudhën më shkëlqimtare të dinastisë, tek Andrea II, bashkëjetuan të dy shenjat e shkallës së fisnikërisë së Muzakajve. Kështu edhe u pasuan në brezat e mëpasshëm, deri kur trashëgimtari i fundit, Gjoni, i ndjekur nga njësi speciale osmane për t’u vrarë dhe me çdo kusht shfarosur bashkë me gruan dhe dy fëmijtë, e mitur, mërgoi në Itali.
Në testament, edhe pse flet për këtë stemë të dytë, Gjoni nuk ka atë vëmendje, atë frymëzim dhe përmallje sa për me burimin gurgullues me dy sylynjaret. Pushtet të madh publik tregon shenja që i erdhi nga vetë Perandori, aq më tepër shqiponja dykokëshe, të cilën e zotëronte kur feudalët e tjerë shqiptarë nuk e kishin. Janë vite mjaft të mëpasshëm kur kjo shenjë e piratuar nga simboli i Bizantit shfaqet tek familje të tjera feudale arbre, përfshirë edhe Kastriotët. Madje Gjoni, i ati i Skënderbeut, stemën me shqiponjën e zezë dykrerëshe e paraqiti në mjediset zyrtare të Republikës së Venedikut shumë vite më pas nga çasti kur pati ndërruar jetë Andrea II Muzaka, zotëruesi i vetëm i ligjshëm i saj.
Trashëgimtari i mërguar Gjon nga mënyra se si e përshkruan stemën tradicionale të familjes së tyre lë të kuptojë se ajo jo vetëm qe e themeleve të saj, por mbarte edhe forcë të dukshme pushteti. Nuk mund të zgjidhej me një mision të tillë në rast se nuk e zotëronte këtë cilësi. Shenjat heraldike për këtë sugjestionim publik qenë, ca më tepër shumë shekuj më parë, ku forca ishte mjeti kryesor i epërsisë ushtarake, ekonomike dhe politike.
Autori i këtij shkrimi, ndërsa shkruante librin “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, për shkak të elementëve ende të paktë, nuk e pranoi dot tërësisht që në fillim se ato dy shatërvanë të drejtuar lart dhe që vetëm më pas binin, tregonin fontanë nafte. Togfjalëshat kyçe “burim gurgullues...që shpërthente nga toka”, “burimi i Epirit” dhe se për të “shumë autorë kanë shkruar “Shuan pishtarët e ndezur e ndez pishtarët e shuar”, të shtynin vendosmërisht tek ideja e parë, por duke qenë se familja Muzaka ishte nga Opari i Korçës, saktësisht nga Zereci, një mosnxitim gjithsesi duhej treguar. Vendlindja e tyre është fare pranë malit të Tomorit, plot me legjenda si vend perëndish, prej ku ujërat rrjedhin furishëm nga i gjithë shtati i tij. Madje Zereci apo Lavdari, kjo e fundit qyteza ku Muzakajt kishin varret e të parëve, ndodhen shumë afër një katarakti të pazakonshëm dhe fare pak të bërë publik në Shqipëri. Ky quhet Currilat. Aq mbresëlënëse është kjo ujëvarë (ujë që shpërthen nga brendësia e shkëmbinjve, sa kur e pamë për një çast na u duk se nën ndikimin e fortë të asaj pamjeje brezat e hershëm të Muzakajve mund të kishin sendërtuar në stemën e familjes së tyre imazhin e atij derdhjeje. Veç vërshimi ishte lart, madje Gjoni shkuan se ishte shpërthim nga toka. Pra, pasi udhëtuam posaçërisht në anët e Tomorit, hipoteza se shenja heraldike paraqiste kataraktin “Currilat” u zbeh dhe ra poshtë. Triumfoi versioni se paraqiste fontanë nafte. “Kroin e Epirit” e përmend Aristoteli në veprën e tij “Mbi mrekullitë e dëgjuara”. Sipas studiuesve atje thuhet “…pranë Epirit, burojnë ujëra të nxehta...” Kështu kemi një nga dhjetëra e dhjetëra prova se Epiri (as i Jugut dhe as i Veriut siç thuhet sot) nuk ka të bëjë me territoret e sotme shtetërore të Greqisë, por ndodhej në Shqipërinë tonë të jugut e deri në Shkumbin. Myzeqeja, prona kryesore e familjes Muzaka, gjendej në këtë territor. Në testament Gjon Muzaka shkruan se të parët e tij dhe ai vetë ishin despotë të Epirit. Si princ i arbërve dhe i epirotëve njihej nëpër Evropë pesë shekuj të shkuara edhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Që stema tradicionale e Muzakajve paraqiste fuqinë e tyre nëpërmjet shpërthimit të naftës vërtetohet nga një fakt mjaft i thjeshtë. Territoret historike të principatës së tyre ndodhen gjeografikisht atje ku sot janë burimet kryesore të naftës shqiptare: Myzeqe (Fier-Patos-Divjakë e përreth) dhe Kuçovë. Ndryshe nga principatat e tjera arbërore, ajo e Muzakajve ishte e vetmja me rezerva vajguri. Atëherë si përdorej për pishtarë si edhe gjatë luftimeve në kështjella si lëndë e zjarrtë që u hidhej rrethuesve. Gjurmë pranie nafte ndodhen edhe afër Tomorit. Vetë kryeqendra e krahinës së Skraparit, pronë shekullore e Muzakajve, quhet Çorovodë, çfarë sllavisht do të thotë “Uji i Zi”. Me të njëjtin emër, por shqip, gjendet një vend tjetër, afër, në krahinën e Tërpanit. Aty gjithçka përreth edhe sot bie erë vajguri.
Sidoqoftë duke paraqitur një fontanë nafte përzgjedhja heraldike nga ky sugjestionim duhet të ketë ndodhur prej shpërthimeve spontane të saj në fushën e Myzeqesë. Pamje të tilla, flakë që përskuqte qiellin, i kemi parë për muaj të tërë edhe në vitet gjashtëdhjetë apo shtatëdhjetë të shekullit të shkuar. Madje një legjendë për Manastirin e Ardenicës tregon se netëve përreth tij e sidomos mbi çati, shfaqej një flakë e kaltër. Është më e pakta gaz që digjet.
Edhe kur Gjoni mërgoi në Itali dhe trashëgimtarët e tij vijuan edhe për ca kohë mbijetimin e dinastisë, në shenjën e tyre zyrtare si familje princërore, tashmë të bashkuar me të dy imazhet, nuk e harruan kurrë të stilizonin dy sylynjaret që shpërthenin lart. Në murin e një vile në rrugën “San Xhovani” në Frankavila Fontana, në Salentino, Pulia, ku mendohet se ca kohë mund të kenë jetuar Muzakë, ndodhet një stemë. Përbëhet prej një shqyti mbi të cilin paraqitet një shatërvan i argjendtë. Ky rrjedh nga të dy anët. E shoqëron po ashtu një pishtar.
Duke e mbyllur këtë shkrim për “bosët” e parë të naftës së Shqipëri, tema më kurioze mbetet përse stemën me mesazhin e pasurisë, të fuqisë dhe të pushtetit të naftës, e ka si shenjë zyrtare bashkia e Beratit, çfarë ajo mund të zgjidhte, në të drejtën e saj ekskluzive, shenjën e dytë heraldike, atë me shqiponjën e zezë dykrenore. Për shembull përse nuk e bëri këtë zgjedhje Fieri ose të paktën Kuçova.
Sigurisht e tëra kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e mos studimit dhe sidomos mospërhapjes së të dhënave të plota për historisë e kësaj familjeje shumë të rëndësishme, të anashkaluar me aq fort shkujdesje. çfarë nuk na bën nder.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|