Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Përkrenarja e Skënderbeut, në Tiranë më 28 Nëntor


Fatmira Nikolli

(Botuar në “Gazeta Shqiptare”, më 20 qershor 2012)

28 Nëntori i këtij viti pritet të gjejë në Tiranë tri objekte tejet të çmuara të Skënderbeut. Përkrenarja e heroit dhe dy shpatat e tij, të ikura nga Shqipëria më 1468, pas 544 vitesh pritet të kthehen për një vizitë të shkurtër me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Vjena ka ndezur dritën jeshile. Premtimi për këtë \'dhuratë\' është bërë nga numri 2 i Austrisë, Michael Spindelegger, në një takim që ky i fundit ka pasur me ministrin e Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto. Akoma nuk janë përcaktuar detajet e ardhjes së tyre, po ndryshe nga shumë herë të tjera, duket se këtë vit është konteksti politik dhe raportet aktuale të Shqipërisë me Austrinë ato që do të ndihmojnë. Ylli Polovina, përfaqësues i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, jep disa detaje.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto ka marrë një premtim serioz nga homologu austriak për ekspozimin në Shqipëri të përkrenares së Skënderbeut dhe shpatës së tij. Sa e realizueshme është kjo?

Ka qenë dëshirë e objektiv i qeverive shqiptare që ato objekte të ekspozohen në vendin tonë; tre objektet, që janë shenjat e vetme që kanë mbetur nga Skënderbeu. Deri më tani kërkesat e qeverive shqiptare janë refuzuar me mirësjellje gjithnjë nga drejtoria e Muzeut të Artit Historik të Vjenës. Është kërkuar me raste të ngjarjeve të mëdha që kanë të bëjnë me identitetin shqiptar.

Çfarë ka ndryshuar kësaj radhe?

Me sa duket është konteksti politik i ngjarjes. Së pari është 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë. Për të qenë korrektë, citojmë zëvendës kancelarin austriak (që është njëkohësisht edhe ministër i Jashtëm i vendit): Ne biseduam për zhvillimet e pritshme të vjeshtës. Ne shpresojmë që të sjellim në Shqipëri përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut. Do të bëjmë të gjitha rregullimet e rastit, me qëllim që veprimtaria e madhe e 28 Nëntorit, të zhvillohet në Tiranë dhe do të përpiqem të marr pjesë\". Këtë deklaratë ai e ka bërë pasi është shprehur se takimi me zotin Haxhinasto ka qenë i shkëlqyer, dhe se qëndrimi i Austrisë ka qenë në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kuptohet që është gjithë ky kontekst i madh politik që e shtyn: Shqipëria në prag të BE dhe 100-vjetori i Pavarësisë. Për herë të parë një titullar i rëndësishëm austriak premton për sjelljen e përkrenares në Tiranë. Konteksti politik ka ndikuar!

Atëherë duhet ta besojmë ardhjen e \"gjurmëve\" të heroit kombëtar?

Autoriteti i lartë i atij që premton, pragvjeshta e prag BE-ja dhe festa e 100-vjetorit, na bëjnë ta besojmë. Vendi ynë gjithnjë e më shumë i afrohet Bashkimit Europian, na shtyn drejt kësaj. Austriakët janë shumë të informuar për historinë tonë.

Si shkuan këto objekte në Vjenë?

Pas vdekjes së Skënderbeut, ato i morën me vete, e shoqja Donika dhe i biri Gjoni, kur mërguan në Itali. Kur Gjoni vdiq, i mbajti Ferrantja e pas tij, e bija e tij Irena, si e vetmja trashëgimtare e Gjonit, e cila, së bashku me pasurinë, trashëgoi edhe objektet e vyera të Skënderbeut - dy shpatat, përkrenaren dhe lutjesoren. Përveç pasurisë, trashëgoi edhe titullin dukeshë. Ajo u martua me princin Pier Antin di Sanseverino, por i shoqi, siç thonë historianët italianë, ishte plëngprishës dhe kur vdiq ai i la së shoqes, Irenës, një pasuri të shkatërruar dhe 700.000 dukate ari borxhe. Për të kapërcyer gjendjen ku e katandisi i shoqi, Irena u detyrua të shiste pasurinë. Duket se nga kjo situatë financiare kritike, Irena Kastrioti u detyrua të shiste edhe objektet e Skënderbeut, të cilat kaluan në duart jo të një, por të dy blerësve. Mbas kalimit në disa duar ato bashkohen në muzeun vjenez.

A mund të na jepni një përshkrim të tyre?

Me porosi të qeverisë shqiptare të Zogut, një kopje identike e përkrenares së Skënderbeut, punuar me 1937-ën nga një mjeshtër i talentuar austriak, ndodhet në Muzeun Historik të Tiranës. Shpata me trup të drejtë, e cila ndodhej së bashku me përkrenaren në Muzeun e Ambrasit është me dy tehe. Trupin e ka të larë me ar. Është e gjatë 85.5 cm, e gjerë 5.7 cm dhe peshon 1,3 kg. Ka mhill lëkure. Sipas Faik Konicës, i cili e vëzhgoi në fillim të shekullit XX, në trupin e saj shiheshin ende njolla gjaku. Përkundrazi, shpata tjetër (palla), të cilën, para se të hynte në Muzeun e Ferdinandit (Ambras) e kishte në zotërim vëllai i tij, Karli (Gratz), ka trup të harkuar. Së bashku me dorezën, është 121 cm e gjatë dhe peshon 3,2 kg. Palla është e stilit turk të shekullit XV. Trupi i saj është i dekoruar me ornamente (damaskine, - ashtu siç shkruan Dhimitër Frëngu). Ka një mbishkrim turqisht, i cili, sipas F. Konicës, nuk është korrekt. Mbishkrimi mban emrin e Skënderbeut: (Libehadur Allah Iskander beg- Kampion i Perëndisë, Skënderbeu).

Ndërsa përkrenarja?

Në majë të përkrenares është vendosur koka e dhisë. Përkrenarja përbëhet prej dy pjesëve, një pjesë prej bakri dhe pjesa tjetër sipër me një copë metali, buzët e së cilës janë zbukuruar me ar. Syve të dhisë u mungojnë gurët. Në mesin e përkrenares është vendosur një rreth prej bakri. Në këtë rreth janë shkruar këto shkronja: I.N.P.E.RA.TO.RE. BT. Ky shkrim është shumë i vështirë për t\'u kuptuar. Deri më tani e kanë deshifruar si: \"Jesus Nazarenus Principi Emathiae Regi Albaniae Regi Eperi Benedicat\". Pesha e përkrenares është 3000 gr.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com