Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Një vështrim mbi librin e Ylli Polovinës, “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut.”


Botuar në “Shqiptarja.com”, shtojca kulturore”Rilindasi”,10 qershor 2012)

Nga Jovan Jano,
publicist, studiues

“Faktet janë të shënjta, komentet janë të lira.”

E kaluara ka një rëndësi të madhe për ne. Më duket se jemi duke rrëmuar ca si shumë në histori, por ajo është e domosdoshme të njihet, që ta kemi të qartë se nga vijmë e nga ç’gjë duhet të largohemi. Dhe më mirë se kush do tjetër këtë e bën një studiues, një historian apo dhe një shkrimtar.
Duke shkruar për principatën e Muzakajve dhe për Myzeqenë, gjykojmë se edhe në këtë rast jemi duke shkruar histori. Dhe, nëse kemi marrë përsipër të themi të vërtetat ashtu siç i kemi lexuar, studiuar, dëgjuar dhe përjetuar, do t’i lutesha lexuesit tim të mrekullueshëm që elegancën e kësaj të vërtete të na i lërë neve, “rrobaqepësve.”
Kohët e fundit lexuesit shqiptar i është dhënë mundësia që të njihet me një libër letraro-historik të titulluar “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skendërbeut”.
Ky libër përveçse një histori e madhe e përpjekjeve të kësaj familjeje për lulëzimin ekonomik e kulturor të principatës së tyre dhe rezistencës kundër pushtuesve osmanë, është edhe një shprehje e nivelit të lartë kulturor dhe artistik të autorit të librit, Ylli Polovina. Një nga meritat e autorit të librit është edhe fakti se ai në mënyrë të hollësishme dhe me sensin e një shkrimtari të palodhur na jep pasqyrën e peripecive të testamentit të Gjon Muzakës; interesimin që kanë shfaqur studiues të shquar evropianë për të dhe evidentimi i tij. Që këtu fillon rëndësia historike e këtij testamenti dhe vlera e principatës së Muzakajve. Libri i zotit Polovina është shumë interesant gjithashtu sepse ai është shkruar me dashuri nga një shkrimtar si Ylli, autor i shumë librave të kësaj lloji gjinie. Aleksandër Dyma thotë se historinë e bëjnë shkrimtarët dhe historia që bëhet prej tyre, është më e bukura nga të gjitha. Ah ç’historianë do të ishin shkrimtarët po të pranonin të bëheshin historianë! Në libër shkrimtari me shumë finesë përshkruan madhështinë dhe rolin e Muzakajve në drejtim të administrimit të principatës së vet; përshkruan shtrirjen e saj dhe lidhjet e krushqive me të gjitha familjet kryesore e të mëdha të Arbërisë. Është me rëndësi evidentimi i krushqive të tyre me Kastriotët, Arianitët, Balshajt, Dukagjinët, Topiajt etj. Në libër, gjithashtu spikat bukur dashuria dhe krenaria e autorit për kryeqytetin e principatës, Beratin (Beligradin), për qytetarët e tij fisnikë, të qytetëruar dhe tolerantë. Ai zbërthen testamentin – kronikë të Gjon Muzakës dhe ia bën të njohur lexuesit me interpretime historiko-kronologjike e me rifiniturë artistike.
Libri, në pamjen e parë të krijon përshtypjen e një monografie. Duket sikur trajton vetëm prejardhjen, fuqizimin dhe rënien e principatës së Muzakajve. Por në fakt nuk është kështu. Aty, lexuesi njihet edhe me familjen feudale të Arianitëve, me Skendërbeun, me aleancat e tyre, me fitoret dhe dështimet. Aty lexuesi befasohet me stilin e veçantë të përshkrimit të betejës së Beratit të vitit 1455, ku turqit vranë e therën pesëmijë shqiptarë. Përshkruan vrasjen e Muzhaq Topisë dhe tradhtinë e Moisi Golemit. Autori me shumë kujdes, por qartë, nëpërmjet një psiko-analize të thellë, jep mesazhe të tilla se sa herë-herë krerët e principatave janë në mosmarrëveshje me njeri-tjetrin, harxhet i paguan populli dhe vendi. Jo pa qellim zoti Polovina jep në libër mosmarrëveshjen midis perandorit bizantin Paleologu me Kantakuzenin, gjë që shpuri në fuqi sulltan Muratin e Parë dhe rënien e Kostandinopojës. Më tej ai tregon se si Karl Topia u grind për prona me Balshën dhe nga kjo grindje përfituan turqit në betejën e Savrës. Po ashtu autori nëpërmjet psikoanalizës analizon dhe shtjellon humbjen e betejës së Beratit të vitit 1455, të cilën e klasifikon si rezultat të grindjeve dhe qejfmbetjeve që pati familja e Muzakajve dhe Moisi Golemi me Skendërbeun për divorcin që shkaktoi Gjergj Kastrioti në marrëdhëniet e Muzhaq Topisë e Zanfinës, motër e Muzakajve, duke martuar të motrën, Mamicën me Muzhaq Topinë. Atëherë Muzakajt e martojnë të motrën me Moisi Golemin. Por kjo ngjarje krijoi një humnerë midis dy-tre familjeve të mëdha feudale shqiptare, dhe pse kjo çarje qe e përkohshme. Tradhtia e bëri punën e vet, pesëmijë të vrarë si rezultat i saj!!! (po grindjet e sotme për pushtet a janë reminishenca të së kaluarës?!)
Dua të shpreh njëkohësisht edhe një tjetër opinion, timin. Gjykoj se libri i Ylli Polovinës është i vetmi material letraro-historik që i kushtohet familjes së Muzakajve. Populli ynë thotë: “Trimi mirë me shokë shumë”. Për Gjergj Kastriotin me të drejtë është shkruar shumë sepse qe një kryetrim. Por s’ka arsye të rrinë nën hije Muzakajt, Arianitët, Dukagjinët, Balshajt etj

Myzeqeja

Në historinë Shqipërisë dhe të toponomastikës shqiptare një vend të rëndësishëm zë edhe Myzeqeja.
Myzeqeja, kjo metaforë pjellorie dhe mjerimi ka qenë dhe mbetet hambari i Shqipërisë. Por Myzeqeja dhe myzeqarët janë edhe bartës të një tolerance dhe kulture qytetare të trashëguar edhe nga e kaluara e largët, mesjeta, sepse zotërit e tyre, Muzakajt, ishin të zhvilluar nga pikëpamja ekonomike e kulturore.
Mos të harrojmë së në trevën e Myzeqesë para se të bëheshin Muzakajt, ishin princat Pal dhe Vlash Matrënga që kishin hyrë në marrëdhënie ekonomike me Anzhuinët, me Venetikun dhe me Raguzën. Dhe ishin pikërisht këta që sundonin në ato kohëra Fushën e Savrës, që më vonë u quajt Myzeqe. Edhe pas Matrëngasve, që u shkrinë si familje me Muzakajt, banorët e kësaj treve përsëri ranë në kontakt me zhvillimin sepse Muzakajt kishin prona e pasurira pafund që nga koha e perandorisë Bizantine. Në kohën e tyre u ndërtuan mjaft kështjella dhe fortifikime, mjaft qytete, kisha dhe manastire, shumë ura, tregje dhe rrugë. Vetë kryeqendra e tyre, Berati (Beligradi) ishte një qytet shumë i fortifikuar por kishte edhe një tregti mjaft të zhvilluar, nga lindja dhe nga perëndimi. Përveç rrugës Egnatia ekzistonte edhe një rrugë shumë e rëndësishme karvanësh që shërbente për tregtinë dhe që kalonte nga Berati në Tomorricë e që andej në qytetin e lulëzuar të Voskopojës deri në Selanik. Ky zhvillim rrugësh ishte i domosdoshëm sepse principata qe shumë e madhe dhe kishte shumë tregtarë që sillnin mallra të ndryshme nga brigjet italike apo nga Kostandinopoja e Selaniku dhe shpinin bagëti dhe lëndë drysore në këto vende. Mos të harrojmë edhe një fakt tjetër: princat Muzakaj kishin lidhje miqësore dhe krushqi me familjet më të mëdha arbërore si me Aranit Komnenin, Gjergj Kastriotin, me Lekë Dukagjinin, me Moisi Golemin, Balshajt etj. Këta nuk ishin vetëm zotër të pasur por edhe të ditur. Nuk është rastësi që Lekë Dukagjini na ka lënë Kanunin e famshëm i cili për kohën e vet ishte Kushtetutë për banorët e principatës së tij. Nuk është rastësi që Gjon Muzaka la të shkruar Testamentin-kronikë të tij të hollësishëm dhe gjyshërit e tij ngritën me dhjetëra kisha me të vetmin qellim: banorët që ishin nën juridiksionin e tyre të ruanin traditën fetare të të parëve por edhe të kultivonin tolerancën kristiane, pra mos kundërshtimi i së keqes me forcë. Kjo kulturë mirësjelljeje është e kultivuar tek myzeqarët deri në ditët tona. Myzeqarët janë shumë njerëz të përzemërt e fisnikë. Më kanë bërë shumë përshtypje të mira fjalët e ngrohta të Ismail Kadaresë për myzeqarët.
“Myzeqarët në përgjithësi janë shumë realistë; e shikojnë jetën me sytë e tyre dhe jo me sytë e konvencializmave të vjetra. Për Myzeqarët janë të huaja arroganca, brutaliteti, vaniteti; etja për t’u dukur, për t’u kapardisur; mania për t’u mburrur, llafet e kota. Bisedojnë zakonisht me zë të ulët, pa shkaktuar zhurmë e pa bërë qerasje plot bujë… Ka njerëz që mendojnë se këto tipare të karakterit të myzeqarëve i ka lindur shtypja e egër e së kaluarës. Madje disa mendojnë se këto cilësi kanë të bëjnë me përuljen dhe bindjen e tyre shekullore. Të mendosh kështu, do të thotë të arsyetosh në mënyrë tepër mendjelehtë dhe snobiste. Realizmin e tij, mungesën e paragjykimeve e të thashethemeve, disa e quajnë naivitet, duke mos kuptuar se këto cilësi janë cilësi të njeriut të së ardhmes…”
I këtij mendimi është edhe Ylli Polovina kur shprehet në libër se “myzeqarët, beratasit, skrapallinjtë apo banorët e përreth luginës së lulëzuar të Devollit më mirë se sa të rrinë në krah tek i pari, tek më i forti, tek komanduesi, ndihen të nevojshëm te masa, tek veprimi kolektiv. Ata janë seriozë me jetën dhe pikërisht sepse asaj i japin shumë kuptim dhe po ashtu e kalojnë atë në mirëqenie, ajo u dhimbset…Më tepër se revolucionarë myzeqarët, beratasit, korçarët, madje dhe skraparllinjtë, përkrahin më shumë mënyrat evolucioniste të ndryshimit…Ata janë “Forca e Butë”. Myzeqarëve, për shembull, ky fjalor shpotitës u thotë “laluc”Sipas logjikës që e ka formuluar dhe e qarkullon gjithandej, nënkupton njeri të nënshtrueshëm, qenie pa kurajë për të kundërshtuar, individ që pretendon pak dhe nuk ndihet i shqetësuar kur rri në kufijtë e mbijetesës dhe të braktisjes nga vëmendja.”- përfundon zoti Polovina.
Para epokës skendërbejane, pra në kohën e sundimit të Uroshit të Dytë Serb dhe të sundimit Anzhuin Myzeqeja, siç e përmenda më lart është quajtur Fusha e Savrës. Në mesjetë e kanë quajtur “grunar i madh”. Në mesjetën e hershme, pra, para se kjo trevë pjellore të sundohej nga Muzakajt, ra në sy lulëzimi i familjes princërore të Matrëngasve ose Matarangasve. Familja princërore e Matrëngasve kishte titullin “Grafi i Karavastasë e i Apollonisë, mbrojtësi i Bashtovës dhe Kryezot i Savrës dhe Slanicës (kripores). Kjo familje në shekujt e 13-të dhe 14-të zotëronte tokat që nga fusha e Savrës deri në Babunjë, Sulëzotaj, Kështjella e Bashtovës dhe deri në derdhjen e lumit Vjosë duke përfshirë edhe Apolloninë. Në vitin 1274 ndërmjet princërve të familjeve të mëdha, që i rezistuan ushtrive Anzhuine, ishin edhe anëtarët e kësaj familjeje, Pavli dhe Vlashi ose Paulus dhe sevast Blasius. Papa Xhovani i XXII-të në vitin 1319 i dërgoi një dekret Pal Matrëngës kundër mbretit serb, Uroshit të Dytë. Kjo familje arriti kulmin e lulëzimit dhe të fuqisë në kohën e princ Vlashit të II-të, në vitin 1358-1367. Pas vdekjes së këtij princi këtë trevë pjellore e pushtoi Karl Topia. Edhe në një dokument tjetër venedikas të 13 qershorit të vitit 1382 përmëndet për herë të parë “Kulla e Pirgut”, në jug të fshatit Ndërnënës dhe Karavasta. Ishte Andrea dhe Nikoll Muzaka ata, që e panë të nevojshme ndërtimin e një fortifikimi të tillë për të mbrojtur skelën lumore me të njëjtën emër, skela e Pirgut të Myzeqesë. Nëpërmjet kësaj skele lumore Vlash Matrënga, në ato kohë eksportonte drithë në drejtim të Raguzës nga anijet e huaja dhe ato të sundimtarëve të tjerë vendas. Kjo skelë është ndër më të vjetrat dhe me interes të madh studimi. Ajo përmendet për herë të parë në dy dokumente veneciane: pra, më 15 nëntor 1344 dhe 13 qershor 1389, nën emrin “Dievali”(Devolli i vjetër)
Nëpërmjet skelës lumore të Pirgut hynin në këtë principatë mallrat nga tregtarët venecianë dhe të Raguzës. Fitimet që sillte skela e bënë atë objekt grindjeje midis feudalëve vendas. Pas Matrëngasve ajo ra në duart e Balshajve dhe më vonë të Muzakajve.
Zotërimet e kësaj familjeje shtriheshin në fushën, që më vonë do të merrte emrin Myzeqe. Ky emër të kujton familjen princërore të Muzakajve, e cila ka qenë sundimtare e kësaj krahine gjatë shekujve të 14-të dhe 15-të. Mendojmë se nga emri i Muzakajve doli edhe emri i sotëm i Fushës së madhe të Myzeqesë. Tek ky mendim të shpie edhe një dokument venedikas i 28 prillit të vitit 1412, në të cilin emri i kësaj fushe quhet “Muzakia”. Ky toponim, ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri arriti deri në ditët tona në saj të autoritetit dhe ndikimit që ka pasur familja princërore e Muzakajve, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm ekonomik gjatë mesjetës. Në një relacion të ambasadorit të Napoleonit pranë Ali Pashë Tepelenës, Pukëvil, thuhet: “Në Karbunarë të Myzeqesë është duke u vdirur (degjeneruar) raca më e mirë e mëzave të Ballkanit, të cilët në ato kohë bliheshin nga frëngjëjt (anzhuinët) dhe transportoheshin nëpërmjet skelës lumore të Pirgut të Myzeqesë”. Pra, nëpërmjet saj hynin në Myzeqe, në këtë grunar të madh të principatës së muzakajve, mallrat e huaja. Po ashtu ekzistonin dogana me nëpunës të rregullt. Kësaj periudhe i përket ndërtimi dhe lulëzimi i një qëndre mjaft të rëndësishme për kohën siç ishte Manastiri i Ardënicës, vepër e perandorit bizantin, Androniku i Dytë Paleologu.

Matrëngasit, Kështjella e Bashtovës dhe Karavastaja

Gjithashtu, në zotërimet e Muzakajve në Tomonishte (Myzeqeja e vogël ose fusha e Kavajës) u ndërtua edhe kështjella madhështore e Bashtovës, e vetmja kështjellë fushore në Shqipëri, e ndërtuar nga Vlash e Pal Matrënga, në bashkëpunim me venecianët, Bashtova shumë e shumë vite më parë ka qenë në krahun e majtë të lumit Shkumbin e jo ku gjendet sot. Banorët e saj edhe sot e kësaj dite ruajnë tradita dhe zakone etnografike si ato të Myzeqesë së Madhe. Është kjo arsyeja që pesë fshatra që sot ndodhen në krahun e djathtë të lumit Shkumbin si: Vila, Bashtova, Rreth Grethi, Spilleja etj, janë të besimit ortodoks. Po ashtu mënyra e jetesës, traditat zakonore dhe marrëdhëniet e miqësive e krushqive i kanë të njëjta me zonën e Divjakës. Sipas studiuesit ushtarak austriak, Xhorxh Veith, para dy tri shekujsh lumi ndryshoi drejtimin dhe e kaloi në krah të djathtë Kështjellën e Bashtovës.
Një qendër shumë e rëndësishme tregtare, ekonomike dhe seli feudalësh në mesjetë ka qenë Karavastaja. Në ato kohë ka qenë edhe një liman për ankorimin e anijeve tregtare, i cili me kalimin e kohës u mbath nga kapriçot e lumenjve dhe kësisoj u formua këneta. Në kohët e vjetra në Karavasta ka qenë e njohur lagja me emrin “Menegatis”, e cila edhe sot e kësaj dite quhet me emrin “Mënga”. Nën juridiksionin e principatës së Matrëngasve ka qenë edhe Porto Nuovo (Sulëzotaj i sotëm).
Me hyrjen e osmanëve në Shqipëri, familja e Matrëngasve shpërbëhet dhe filloi shtegtimi i banorëve drejt brigjeve italike. Turqit vunë në dorë skelën e Pirgut. Një pjesë e njerëzve u mbyllën në kështjellën e Bashtovës dhe u betuan që të mos iu nënshtroheshin turqve osmanë. Që këtej ka mbetur edhe shprehja proverbiale: “U betuan si kaurri në Bashtovë”. Këta njerëz të pamposhtur luftuan heroikisht, u torturuan, u masakruan dhe ranë në fushën e luftës me shpatë në duar. Ata para se të vdisnin u dhanë mundësi fëmijëve, grave dhe të moshuarve që të largoheshin e të hipnin nëpër anije për të udhëtuar drejt brigjeve të mbretërive të përtej detit. Edhe Lekë Matrënga, emër shumë i dëgjuar i mesjetës shqiptare, i përket familjes princërore të Matrëngasve. Është interesant fakti që këtë emër (Matrënga), në formën e një llagapi e hasim në fshatin Perondi të Beratit ashtu siç hasim emrin Muzaka në formën e një llagapi në Bubullimë të Lushnjes. Po ashtu llagapin “Myzeqari” e hasim në Lushnje, Berat dhe në Fiershegan, në të dyja besimet fetare. Në rrethinat e Tiranës dhe në rrethin e Skraparit gjenden fshatra me emrin Muzhak (Muzak). Janë pinjollë të hershëm!? Janë fshatra ku kanë jetuar princat e tyre apo e mbajnë këtë llagap (mbiemër) ose emër fshati për respekt të këtyre familjeve princërore!? Le t’ia lemë kohës!.
Toponimet, omonimet, këngët, folklori, legjendat në tërësi ruajnë ende të dhëna të kësaj krahine në vitet që sundonte familja princërore e Muzakajve. Më i shquari ndër princat Muzakaj kanë qenë Andrea Muzaka dhe Teodor Lalë Korona Muzaka. Të gjithë banorët e principatës së tij u quajtën “Lalë”.

Lalët e Myzeqesë

Banorët e fushës së madhe e pjellore e kanë marrë këtë emër kur zotër të tyre ishin Muzakajt. Para se të bëheshin sundimtarë Muzakajt ata thirreshin arbër, lalë. Dhe zoti Polovina ka të drejtë kur thotë në libër se për të kuptuar se midis dy periudhave ka ndodhur një harresë e padrejtë i kuptimit të dikurshëm e mjaft dinjitoz, mjafton të kapërcesh detin e të shkosh te bashkëkombasit tanë të vjetër në Itali, tek arbëreshët. Mes tyre janë 165 familje janë me këtë mbiemër (Lala), ku 66 gjenden në Sicili dhe 18 në Pulia., saktësisht në zonat arbërore. Në Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëve) ka madje edhe një rrugë të emërtuar “Lala”…Në Itali mbiemri “Lala” tingëllon me origjinë fisnike, prej dere të shquar. Ka gjasa që ky imazh fillimisht të ketë mbërritur përtej detit prej ndonjë familjeje shqiptare të zonës së Myzeqesë. Në Peloponez të Greqisë është një krahinë që quhet “Lalia”. Arvanitologu i shquar Aristir Kola në librin e vet “Arvanitasit dhe prejardhja e grekërve” shkruan gjithashtu se “lalët muslimanë të Moresë, pasi u vendosën para Kryengritjes greke nëpër Eube, pas Kryengritjes u kthyen në krahinën e tyre Lalia të Moresë dhe u bënë të krishterë. Ata ndryshuan emrat, por mbiemrat shqipëtarë i ruajtën si Kurti, Vrioni, Alizoti, Kryezoti, Hundgjati… Pranë Avlonarit të Eubesë ekziston një fshat me emrin “Lala”.
“Shumë lalë janë vendosur edhe në qytetin e Verias”- shkruan P.Aravantinos (Kronografia e Epirit, vellimi 2, faqe 32.) Sa gabim dhe sa pa kuptim është t’u vësh nofkën “laluc’ atyreve që refuzuan të gjitha dallgët e osmanizimit dhe mbetën tradicionalë, të krishterë! Sa boshe është ndaj tyre çdo ironi apo shpërfillje, kur pas vdekjes së Skendërbeut, sepse me shpirt ishin me të, që të mos u lëndohej sovraniteti arbëror, zgjodhën masivisht rrugën e emigrimit në Itali dhe Greqi.
Lalët si banorët më të hershëm të Myzeqesë dallohen nga banorët e tjerë, që kanë zbritur gjatë periudhave të ndryshme historike në Myzeqe, kryesisht nga traditat e vjetra që i ruajnë ende si: veshja karakteristike dhe takia e bardhë konike prej liri, që është pothuajse unikale në Shqipëri, e folura e butë dhe nga mënyra liriko-epike e të kënduarit. Ata dallohen edhe si bujq të pasionuar. Janë popullsi tolerante, mjaft të sjellshëm e të zgjuar. Lalët janë një komunitet i madh në Myzeqe që dinë të falin dhe për ta janë të huaja hakmarrja dhe gjakmarrja.
Fjala “lalë” ka edhe një kuptim të vetin leksikor, të cilin e shpjegon Vaso Pashë Shkodrani në studimin e vet interesant “E vërteta mbi Shqipërinë dhe Shqipëtarët”. Sipas tij në gjuhën shqipe fjala “lalë” do të thotë vëlla i madh. Në disa vende kjo fjalë nuk iu largua kuptimit të parë. Filloi të përdorej si emërtim për të treguar popullsinë, që nuk u islamizua. Përveç kësaj emri “lalë” ka arritur deri në kohët tona si shprehje e një mesazhi besnikërie, që përjetëson dhe nderon qëndrimin që mbajtën banorët e këtueshëm ndaj princit të mesjetës, Teodor Lalë Korona Muzaka.
Ende këtë llagap e mbajnë shumë familje në Myzeqe. Lalët e Myzeqesë, që nuk mundën të largoheshin nga vendi ruajtën kulturën e vet autoktone. Ata nuk e njollosën poezinë e tyre gojore me këngë dylberësh dhe ashikësh, që impononte pushtuesi osman.
Nuk e di se sa e vërtetë është, por më kanë pohuar se një histori për Skendërbeun tonë është shkruar nga një historian rus aty rreth vitit 1750, në të cilën shkruhet se kur sulltan Mehmeti i Dytë ishte 20 vjeç, kryeagai i jeniçerëve, Skendërbeu ishte 40 vjeç. Ky i fundit kujdesej shumë për të riun Mehmet, e stërviste me kuaj e shpata dhe Mehmeti e respektonte tej mase atë duke e thirrur me emrin ledhatues e plot respekt “Lalë”. Edhe ky duhet pranuar si argument për të sqaruar këtë emër. E gjithë Shqipëria e mesme, në të cilën dikur shtrihej principata e Kastriotëve e përdorin këtë emër në shenjë nderimi për njeriun e madh të shtëpisë apo të fisit.
Po ashtu janë të njohura vargjet e poetit arbëresh, Gavril Dara, i cili tek poema “Kënga e sprasme e Balës” shkruan vargjet:
“Mori bijë, bijë e Lalës,
Moj e bukur dhe e trishtuar,
Pse më çon në motnë e shkuar…”
Libri i zotit Ylli Polovina është një dritare nga ku brezi i ri dhe gjithë lexuesit shikojnë dhe mësojnë një realitet të historisë së mesjetës shqiptare, historinë e principatës më të madhe të arbëreshëve, atë të Muzakajve dhe historinë e Myzeqesë si treva më e rëndësishme e kësaj principate.
Ky libër përfaqëson edhe një jehonë të së kaluarës në kohët e sotme.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com