|
Faleminderit Ylli për këtë punë të çmuar!
Fjala e zonjës Valbona Zylyftari, drejtoreshë e Bibliotekës Vehxhi Buharaja, me rastin e prezantimit të librit Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut, më 24 maj 2012
Përshendetje!
Të nderuar pjesëmarrës,
Është në nderin dhe kënaqësinë time të hap siparin e këtij aktiviteti prezantimi të një tjetër libri shumë të rëndësishëm për historinë dhe studimet shqiptare, siç është ky libër Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut, me autor Ylli Polovinën, beratasin e shquar, publicistin e njohur, gazetarin dhe diplomatin.
Libri që prezantojmë sot së bashku është një tjetër vlerë e shtuar ndër ato vlera që qyteti ynë i përmendur ka.
Nga leximi që i kam bërë librit them me bindje se ashtu siç është komentuar edhe nga faqet e medias së shkruar këto ditë, libri është një vlerë e suksesshme, sepse sjell një dimension të ri këndvështrimi, sjell përmbysje të raporteve tabu tashmë të tradicionalizuara në historiografinë shqiptare, shkruan testamentin pronësor e shpirtëror të Muzakajve, duke dëshmuar se përfaqëson një nga kronikat më themelore, më të vërteta, më të drejtpërdrejta, më të qytetëruara dhe më të sinqerta të jetës shqiptare në mesjetë, sidomos të klasës së saj feudale që i bëri rezistencë të hekurt pushimit osman.
Unë mendoj se qëllimi kryesor i librit nuk është të lëvizë nga vendet e tyre këto dy figura, Skënderbeun dhe Gjon Muzakën, kaq të rëndësishme të mesviteve 1400, por ti pozicionojë ato në mënyrë të natyrshme në vendin që u takon si edhe të tregojë me realizëm, larg pasioneve, ato që këto dy figura kaq të rëndësishme kanë bërë për vendin e tyre.
Ashtu siç e pohojmë të gjithë, historiografia shqiptare i përmend shkarazi Muzakajt, pak ose aspak, herë herë i anashkalon. Gjatë analizës që i bëhet Rilindjes Kombëtare Shqiptare kemi përmendur shpesh një fakt të pamohueshëm: kësaj Rilindjeje i duhej një model për të glorifikuar faktin që shqiptarët janë të zotë të vetëqeverisen, bile kanë dhënë edhe prova për këtë gjë. E si një model i përsosur i pushtetit është marrë pikërisht periudha e shtetit të Skënderbeut, duke lënë në harresë emra të tjerë të Mesjetës.
Me gjuhën e publicistit të sprovuar, Ylli Polovina vë në dukje tipare, karaktere dhe ngjarje që vijnë në këtë lloj trajtimi për herë të parë në këtë formë. Polovina pohon dhe përplas fakte të mara nga burime të njohura të kronikanëve të kohës apo edhe citon pjesë nga historiografia shqiptare, duke analizuar me ftohtësi gjykimi situata, përball personazhet si edhe bën analiza të fakteve të rëndësishme historike.
Një vend të rëndësishëm në vepër zë edhe gjenealogjia e fisit Muzakaj për të vazhduar më pas me Muzakajt që vendosen në Itali si edhe pasardhësit e tyre.
Besoj që kjo pjesë është e rëndësishme për faktin se Muzakajt janë familja më e madhe princërore që ndikon fuqimisht në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Beratit në këtë periudhë.
Thelbi i mesazhit që lë Gjon Muzaka në testamentin e tij nuk ka vetëm vlerat pasurore e pronësore, të cilat ka kjo familje. Ky është një testament i çmuar, i cili në formën e një dorëshkrimi pesë shekullor i jep historiografisë shqiptare një dokument të çmuar, të pakundërshtueshëm, që hedh dritë mbi një periudhë që sot e tutje po shikohet me syrin e një legjende dhe mitizimi.
Duke hedhur për diskutim çështje të marrjes së pushtetit nga Skënderbeu, të marrëdhënieve mes princërve me vendet fqinje, del në pah se kontributi i Muzakajve të Beratit është po aq i rëndësishëm sa edhe ai i Kastriotëve ndaj kujtimi dhe vepra e tyre meriton një obelisk në kujtesën kombëtare shqiptare.
Ndërsa autorit nuk i shkëputet shpirti nga qyteti Beratit, të cilin e vizaton me aq shumë dashuri në penën e tij. Po kështu një moment ngrihet edhe për malin e Tomorit, fronin e Perëndisë. Ylli është i dashuruar me të dy dhe nuk e kupton dot njërin pa tjetrin, sepse edhe nga pikëpamja fizike ata qëndrojnë përkarshi ose thënë ndryshe qyteti u ndërtua përkarshi Tomorit si të donte ta respektonte atë gjatë gjithë jetës së tij.
Përveç bukurisë fizike Berati ka vlerë edhe për tolerencën fetare që është një shenjë e qytetërimit që ky qytet sjell nga shekujt, siç ka vlerë edhe për faktin se prej tij kanë dalë burra shteti të lartë dhe të famshëm, si vezirë, sundimtarë, ministra dhe dijetarë.
Për të kulmuar tek fakti që Muzakajt e Beratit i dhanë këtij kombi flamurin e tyre. Nuk duhet harruar që shqiponja dykrerëshe ka qenë më parë se të ishte e Kastriotëve, e Muzakajve. Ata e kishin marrë me liçencë nga Perandoria Bizantine (pas meritash të mëdha) dhe më vonë prej tyre e mori Gjon Kastrioti.
Përmes historisë së familjeve të mëdha shqiptare tregohet se shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre janë orientuar nga Perëndimi, Evropa, familjes së madhe, të cilët i përkasin me të drejtë dhe që kërkojnë edhe sot ti bashkohen natyrshëm asaj, pse ne këtij qytetërimi i takojmë dhe madje për të kemi bërë shërbime të mëdha, shekull e vit pas viti.
Memoria jonë historike ka plot gropa të errëta. Kujtesa kombëtare është ajo që dallon një komb nga të tjerët, që i zgjat atij jetën dhe i mbron historinë për të qenë individ me të drejta të barabarta në këtë familje të madhe popujsh.
Faleminderit Ylli për këtë punë të çmuar!
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|