Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Një harrim tjetër mund të ngjasë


(Botuar në gazetën “Shqip”, më 27 maj 2012)

Ka një ngjarje në historinë tonë që është përfillur më pak dhe braktisur më shumë se çdo tjetër. Mbi të kanë rënë veprime çensuruese jo vetëm gjatë periudhës staliniste, e njohur për sakatime të tilla, por edhe pak vite më parë e shumë të tjerë pas 1990-tës. Ky është Kongresi themelues i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Shumëkush e di që u mbajt në qytetin e Beratit në 10 shtator 1922.
Që atëherë kanë rendur nëntë dekada të plota, njëra më e harruar se tjetra, por në 2012 këtij përvjetori nuk mund sërish t’i kalohet rrëshqitazi, duke bërë sikur nuk e shohim, siç të qarta po i duken shenjat deri tani, këtë fundmaj, vetëm tre muaj larg. Kjo jo vetëm sepse është jubile brenda një kryejubileu, njëqindvjetorit të shpalljes së pavarësimit, por sepse përfaqëson një ngjarje të një rëndësie mjaft të veçantë në të gjithë luftën e mundimshme për ruajtjen e sovranitetit kombëtar e shtetëror.
Ai Kongres erdhi në historinë tonë si zhvillim i natyrshëm i ligjësisë se pa emancipim fetar nuk mund të ketë asnjë lloj pavarësimi tjetër, doemos edhe nacional. Flamuri kuq e zi i ngritur në Vlorë do të qe thjesht një valëvitjeje bezeje pa në Shqipëri një besim mysliman, katolik apo të krishterë ortodoks të mosvarur prej fuqive, qendrave pushtetushtruese apo vendeve të huaja. Kanosja ekzistonte në të tre krahët, por në njërin prej tyre ishte agresiv dhe boll i pabesë, tejet i rrezikshëm. Vinte nga Kisha Greke. Grupe të shumta radikale të saj, me sloganin dinak ultranacionalist dhe po kaq shoven, se çdo besimtar ortodoks qe edhe etnikisht grek, ka kryer pa reshtur krime për shuarjen e kombit e shtetit të shqiptarëve. Kur Fan Noli dhe ndjekësit e tij që në 1908 shpallën në ShBA Kishën e tyre të pavarur nuk bënë gjë tjetër veç përparuan rrethanat e shpalljes së pavarësisë katër vite më vonë. Kur Ismail Qemali dhe shokët e tij të idealit nacional në 28 nëntor 1912 vezulluan në ajër flamurin me shqiponjën në mes përgatitën dhe afruan 10 shtatorin e vitit 1922.
Në rast se lexuesit në radhët e këtij shkrimi do t’i rrëfehej, posaçërisht dhe me hollësi, si ngjau Kongresi i Beratit, pse lëvizja për çlirimin e besimit ortodoks kombëtar rriti shtat në Korçë dhe se si nën trysninë e të krishterëve të këtij qyteti qeveria shqiptare ja doli të dëbojë diversionistin peshkop Jakov; si njërën pas tjetrës në vetëm pak muaj klerikët e krishterë shqiptarë morën nën zotërim Kishën e Shën Gjergjit në Korçë apo ato në Vlorë dhe Pogradec, duke filluar ngazëllueshëm shërbesat në shqip; po të ndodhte të tregonim si ndodhi që nismën për autoqefalinë e mori kryetari i bashkisë së Durrësit, Kostë Paftali, i cili i dërgoi një telegram qarqeve ortodokse të prefekturave dhe nënprekturave për t’u bashkuar; si u propozua Berati ku do të ngrihej flamuri i mëvetësimit të besimit fetar të krishterë ortodoks shqiptar; si komisioni organizator kërkoi ndihmën edhe mbrojtjen nga shtetit dhe Ministri i Jashtëm i kohës, ortodoksi Pandeli Vangjeli, për nismën deklaroi mbështetje si veprim gjeostrategjik në dobi të sovranitetit, kurse myslimani Ahmet Zogu, ministër i Brendshëm, hodhi poshtë çdo akuzë se shteti po hynte në punët e brendshme të feve; si në 10 shtator 1922 në Berat, në sallën e shkollës së Mangalemit, delegatët e Kongresit shpallën me një proklamatë mëvetësimin e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe me këtë rast njoftuan se megjithatë do të mbanin lidhje shpirtërore, dogmatike dhe apostolike me institucionin mëmë, Patriarkanën si edhe me kishat e tjera autoqefale në botë; se si ngjau që deri në çastin kur vendimin themelues të Beratit Sinodi i Shenjtë e pranoi pesëmbëdhjetë vite më vonë, vetëm në 12 prill 1937, dhe me këtë rast, në Katedralen Ortodokse të Tiranës, në një meshë posaçërisht panegjirike, mori pjesë edhe i pari i shtetit, Ahmet Zogu, do të qe një kohë e shpenzuar me tepri. Shumë e dinë këtë histori. Ata që nuk e kujtojnë mund ta shfletojnë nëpër libra ose edhe më shpejt, duke lundruar në internet.
Meraku që duhet t’i përcjellim njëri-tjetrit është se janë të gjitha gjasat që ky 90-vjetor, “në vrap e sipër”, të anashkalohet. E gjithë historia e deritanishme e vërteton këtë prirje. Në dy dekadat e fundit, përveç një konference në 1994 dhe në një interviste të kryeredaktorit të gazetës “Ngjallja”, “organ i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë” me “themelues Kryepiskopin Anastas”, Thoma Dhima, dhënë në përvjetorin e tetëdhjetë e pestë, në shtator 2007, rubrikës “Duke shfletuar kalendarin historik” të Radio Vatikanit, në të gjitha herët e tjera ceremonitë janë derdhur bollshëm vetëm në përvjetorët e 12 prillit, pra asaj pjese të historisë së saj që nis pesëmbëdhjetë mote më vonë, që nga viti 1937.
Doemos edhe kjo është një ngjarje, por aspak më e rëndësishme se 10 shtatori 1922. Po ta vlerësonim me të njëjtin standard shpalljen e aktit të pavarësimit kombëtar festimin nuk do ta kryenim në 28 Nëntor, ditë e shënuar e 1912-tës, por në 17 dhjetor, ditë e vitit 1920, kur Shqipëria u njoh si shtet më vete dhe u pranua në Lidhjen e Kombeve.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com