|
Hitleri nuk hidhet në treg si domatet
(Botuar në “Gazeta Shqiptare” më 11 mars 2012)
Një botues fare i rastësishëm, i padëgjuar kurrë, madje me një hall
shëndetësor e për pasojë me jetë në një karrocë invalidi, prodhoi një lajm që tashmë i kapërceu dhjetë ditët e jehonës. Madje poteres së shkaktuar prej tij ende nuk i duket shterimi, fundi. Protagonisti i ri ala-shqiptar shtypi dhe hodhi në treg, si të qe një kilogram domate,
programin politik të Adolf Hitlerit, “Mein Kampf”. I gjendur në
vorbullën e një debati që sigurisht nuk e priste aq depërtues sa të zbulonte që librin e pati piratuar dhe për këtë faj që rregullon të Drejtën e Autorit nuk i shpëton dot një ndëshkimi financiar,
zhurrmëtari i ri i jetës sonë publike, në përgjigjet që u jep gazetave
duket njeri i zgjuar dhe që është mjaft i vetëdijshëm për çfarë ka bërë. Nuk ngjan fare me një njeri të lig apo ca më keq, me një turbullues apo diversionist të shoqërisë shqiptare. Duke mos qenë i
papërgjegjshëm ky botues i rastësishëm është një element mirëkuptimi në gjendjen e krijuar, ku tashmë filluan të mos mungojnë edhe përfaqësuesit e hebrenjve, popullit mbi të cilin Hitleri realizoi si një kriminel gjakftohtë, si një xhelat, si një gjarpër boa, gjenocid të mirëfilltë.
Kur debati nis e plekset gjer këtu, pra në një kapërcyell ku mund të shfaqet nga çasti në çast keq apo mos kuptimi, një vetfrenim i poteres
mediatike mbase është i udhës.
Botuesi një duzinë ditësh më parë fare anonim, ky guximtar i panevojshëm, është i qortueshëm sepse nuk u përmbajt nga një rrethanë: kishte njëzetë e një vite që kolegë të tij, mjaft të sprovuar në zanat, e patën shmangur botimin e “Mein Kampf”. Ndërkohë nuk dukej se që nga fillimi i vitit 1991 deri në këtë shkurt 2012 lexuesit e thjeshtë në vendin tonë, grupe të ndryshme intelektualësh apo elita
akademike, kishin bërë trysni për t’u publikuar. Kurrgjë e tillë nuk pati ndodhur. Indiferencë e plotë pse tregut të librit në shqip i mungonte programi politik i Adolf Hitlerit. Cili ka dashur ta njohë i ka mjaftuar vetëm kapërcimi i Adriatikut. Matanë bregut, duke filluar nga tezgat e librave e deri tek libraritë e mëdha me kate, ky dyqind e ca faqesh nuk mungon kurrë. Ose gjithsecili mund ta shkarkojë nga
interneti. Për dy-tre minuta paketën e faqeve në formatin pdf, libër online, e ka gati. Në disa gjuhë.
Nuk qe kujtuar njeri për “Mein Kampf”, ca më tepër këtë vit kur, kush ka projekte kulturore, vullnet dhe mundësi financiare, ndihmon të na bëhet më i dobishëm jubileu i 100-vjetorit të pavarësimit të shtetit,veçanërisht me rikthimin në histori të ngjarjeve dhe bashkëkombësve të munguar apo keqinterpretuar.
Por botuesi i rastësishëm e hodhi hapin e pamatur, e bëri gabimin. Jo juridik, aspak politik, kurrë antisemit. Por publik po. Jo sepse i futi shqiptarët në një telash me një popull, jetën e të cilit e kanë mbrojtur me shpirt, por sepse askush nuk ia kishte lypur këtë shërbim.
As tregu me kërkesë-ofertën e tij. Ndërkohë pjesë e këtij gabimi tani
rrezikojmë të bëhemi nga pak edhe ne. Jo si shprehës të opinioneve, por po qe se shtojmë radhët e shtrënguesve për ta mallkuar këtë person, për ta djallëzuar, ca më tepër në rast se bëjmë trysni të ndalohet libri. Para këtij çasti ngjarja ishte një lajm që mund të
fikej, por që nga momenti kur i nisi hakërrimi i ndonjë kundërveprimi
juridik, ai u bë ortek, nisi të rrokullisej nëpër këmbët tona.
Liria është arma më e mirë kundër çdo të keqeje.
“Mein Kampf” as në Shqipëri nuk do të shkaktojë dëme. Ajo është një
vjetërsirë e kompromentuar mjaft rëndë dhe e dënuar të mos ringjallet
as në formën më dhelpërisht të rinovuar. Nacionalsocializmi, emri i
vërtetë i nazizmit, fashizmit gjerman, është si Nacionalkomunizmi,edhe ky emri shkencërisht korrekt i bolshevizmit, i marksizëm-leninizmi të vënë në jetë, i stalinizmit. Për të dy ato tirani nuk ka asnjë shpresë të mëkëmben. Prapësitë e reja botës mund t’i vijnë nga pusi të tjera, pse jo edhe nga liberalizmi tebdil, prej atij gjoja.
Për fat të keq me llafet që kemi nisur “ka të drejtë“ apo “nuk ka të drejtë“, i lejohet apo i ndalohet, ka kod penal që vepron mbi të apo legjislacioni ynë është akoma me një boshllëk etj, po i japim “Mein
Kampf” artificialisht rëndësinë që nuk e ka.
Shpesh ne nuk e kuptojmë sa duhet vendin tonë, popullin të cilit i
përkasim, këtë shoqëri që asnjëherë nuk u bë dot kompakte dhe ku secili shqiptar, si “kokë më vete” që është, ecën në rrugën e vet. Por një virtyt jemi të detyruar t’ia themi të paktën vetes: tolerancën.
Nuk e kemi fjalën për atë fetare, sepse kjo dihet. E tërheqim vëmendjen për një tolerancë tjetër, atë politike.
Pikërisht këtu kanë pllakosur dyshimet nëse ajo ekziston apo krejtësisht është munguese. Për ta mohuar ose paraqitur si të kufizuar mbi të kanë rënë të gjitha llojet e rrebesheve manipuluese. Janëformuluar të tëra tipologjitë e tezave. E kanë bërbëlitur pa pushim
pseudoteorinë se në fillim të viteve njëzetë nuk ja dolëm dot për të
bërë pluralizëm partiak dhe duhej patjetër, për të mbrodhësuar
kombëtarisht, më pas të vendosnim pushtet të vetëm njëshit. Teza se
nuk qemë pjekur ende për shumëpartitizëm, pra që ishim alergjikë ndaj mendimit politik ndryshe, u përdor edhe pas vitit 1944 për të na rrëmbyer nga fati normal jo një dekadë, por plot një gjysmë shekullit.
Në gusht 1990 ajo u përsërit në prag të vetë lirisë. Madje u deklarua pa pushim deri në fillim dhjetor, kur Lëvizja Studentore e imponoi atë
që shqiptarët e kishin cilësi normale, shumë më parë se të shpallnin shtetin e tyre të pavarur.
Është e afërt, por jo e njëllojtë, shkalla e tolerancës që ka mes vetes klasa politike shqiptare dhe ajo e popullit të vet. Niveli i saj në të parën nuk ka pse bëhet masë tipike për të vlerësuar gjendjen në të dytën. Distanca mes të dyjave dhe çdo gjë që lidhet me dyshimin e hedhur padrejtësisht se shqiptarët nuk janë fort të durueshëm ndaj mendimit alternativ politik, është një çështje e studiuesve.
E këtij shkrimi është një dhe vetëm një: Të mos çajmë kokën se është
botuar një farë “Mein Kampf”!
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|