|
Djegia e një libri
(Botuar në gazetën Shqip më 22 janar 2012)
Rituali i djegies së një libri të një autori shqiptar për Enver Hoxhën u përsërit për të tretën apo të katërtën herë. I nisur kohë më parë në një qytezë të Kosovës ai e kapërceu kufirin shtetëror dhe duke qenë përherë brenda shtëpisë së përbashkët të shqiptarëve, e vijoi rrokullimën edhe në anët tona. Lajmet thonë se këtë herë zjarrvënësit e librit janë po ata, komunistët, por dyshoj të jetë plotësisht e vërtetë. Nuk duhet të jenë as enveristë seriozë, sepse shumë syresh prej tyre, në Shqipëri e sidomos në trojet e bashkëkombësve tanë në Kosovë apo Maqedoni e Malin e Zi, duke pasur edhe arsye të tjera për të qenë nostalgjikë të tij, në asnjë rast nuk kanë zgjedhur si mesazh të shpalljes së ideve të tyre djegien e një libri. Jo vetëm nuk e nxitën, por as e nënkuptuan si të arsyeshëm, një gjest të tillë, edhe pjesëtarët e familjes Hoxha, të cilët e përballuan debatin hapët, siç është rregulli themelor dhe i pacënueshëm i pluralizmit.
Zjarrvënësit e librit sigurisht që janë aq të painformuar sa nuk e dinë se edhe në vetë bibliotekën personale të diktatorit, ndryshe nga sa sistemi politik i institucionalizuar prej tij ktheu në karton apo censuroi e ndaloi, kishte botime kundër komunizmit. Ai zyrtarisht merrte informacione që flisnin kundër tij dhe të gjitha mund ti gjesh me bollëk nëpër arkiva. Nuk i përvëloi.
Ja përse këta që gjestin e shumë përsëritur dhe tashmë jo të rastësishëm të djegies së një libri po na e shndërrojnë në një mesazh, nuk duhet të jenë vetëm disa individë, por një mendësi që jo vetëm ka mbetur gjallë, por edhe hakërrehet. Këta janë stalinistët, një lloj komunizmi ultra radikal, që çuditërisht nuk vuri mend me dështimin e plotë të doktrinës së marksizëm-leninizmit, por, duke përfituar prej lirisë që solli rënia e diktaturës së asaj dogme, tani pëlqejnë të manifestojnë revansh.
Kjo nuk do të thotë se ndaj tyre duhet që shteti të marrë masa. Janë të lirë të djegin çfarëdo libri që u mbushet mendja. Tregojnë vetëm kulturën e tyre primitive. Librat e Hoxhës shiten gjithkund nëpër buzëtrotuaret e qyteteve shqiptare, madje në mes të kryeqytetit, para syve të mijëra e mijëra turistëve të huaj dhe askush nga ata që u persekutuan jo vetëm nuk ka djegur publikisht ndonjë prej tyre, por as i ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse për ndonjë veprim pastrimi. Edhe në fund të 1990-tës, kur lëvizja antikomuniste shpërtheu me vrull dhe në muajt janar, shkurt e mars të vitit pas ardhës u pleks edhe me veprime radikale, përveç ndonjë rasti të rrallë, nuk i dogji veprat e diktatorit, por protestoi duke i flakur në rrugë. Megjithatë edhe në këtë veprim të fundit nuk kishte mes tyre demokratë të së djathtës së vuajtur nëpër burgje. Jo sepse ende kishin frikë, siç thuhet shpesh, sepse koha e provoi, që kur ajo u doli, nuk e bënë kurrë një veprim të tillë.
Mosdhunimi i librit ishte gjest i madh lirie, siç qe veprim liridashës rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës në sheshin Skënderbeu. Qe i pranueshëm ato çaste kush e shprehte zemërimin me ndonjë goditje me duar apo këmbë, po ashtu edhe tërheqja zvarrë deri sa u mbart në qytetin Studenti. Aty pati edhe eksponentë të lëvizjes për çlirim nga diktatura që shkëputën nga bronci i statujës copëra dhe reliket e tij i shpërndanë nëpër Evropë, si shenjë e përfundimit të një regjimi. Ka ende që ndonjë prej tyre ndonjë copë e ruan, sigurisht aspak për ti shprehur simpati, por për kulturë kujtese kombëtare. Gjithkush që i ka ndjekur me vëmendje mbresat për episodin e rrëzimit të monumentit, cikël që do të gjallërohet edhe këtë 20 shkurt, nuk është ndjerë mirë kur ndokush prej pjesëmarrësve mburret se ka derdhur mbi statujën e diktatorit ujët e hollë.
Sepse libri është pjesë shumë e çmuar e lirisë dhe në një shoqëri që respekton mendimin ndryshe botimi që nuk të pëlqen ty apo edhe vetë qeverisë e shtetit, do të rrijë në publik i pacensuruar e ca më pak, kurrë, i djegur. Fuqiplote për veprime kundërvepruese janë vetëm gjykatat. Por as ato, po të kujtojmë njëzetë e një vitet e pas 1990-tës, nuk kanë ndërhyrë për ti larguar nga sytë e shqiptarëve librat e Enver Hoxhës apo të bashkëshortes së tij, e cila ka sipërmarrë me mjaft seriozitet e angazhim rigjallërimin e doktrinës së tij humbëse.
Për librin që po digjet dhe për çdo libër tjetër që do ta pësojë një sjellje të tillë barbare, shoqëria shqiptare, që nga më të diturit e saj, studiuesit profesionistë e deri tek njerëzit e thjeshtë, i ka të gjitha aftësitë që ti drejtpeshojë individët, ngjarjet dhe dukuritë me analizë, pra me mendjen dhe fjalën e lirë. Askush nuk ja hedh dot opinionit publik, sado dinak të jetë në shtrembërimin e një të vërtete, sado i fuqishëm të duket një çast, sado të ngjajë se ka mbështetje mediatike apo lidhje me pallate pushtetesh. Është liria e të shprehurit, sjellja e kulturuar qytetare, që i vë ata në vështirësi. Djegia e një libri, akt mirëfilli nazist (kështu vepruan hitlerianët në Natën e Kristaleve ), u jep atyre krahë.
Ka një fjalë të urtë, e cila qarkullon e mirëpritur mes shumë popujve. Më pak është e dëgjuar këtu tek ne, në Shqipëri. Ajo thotë se kur vdes një i moshuar digjet një bibliotekë.
Dituria botërore e ka gjetur librin si simbolin dhe vlerën e vetë jetës.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|