Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Në ditën e parë të njëqindvjetorit


(Botuar në gazetën “Shqip” më 8 dhjetor 2011)

Tani që shteti shqiptar ka hyrë në të njëqindtat e moshës së tij, çuditërisht ndryshe nga disa vite të shkuara apo thjesht pak ditë para 28 nëntorit të fundit, ai të bën një lloj magjie, të sugjestionon duke të lënë përshtypjen se është shumë i vjetër, tepër i moçëm dhe mendjeurtë.
Këtë ndjenjë të moçmërisë dhe pjekurisë së thellë e kanë të gjithë popujt e botës, kur njëlloj si ne, për çdo njeri nëpër ditëlindje bëjnë çiltërsisht urimin “U bëfsh 100 vjeç!”
Në këtë përjetim të veçantë, për ngjarjen që sapo ka nisur për të përfunduar më pas në 28 nëntor 2012, secili prej nesh do të ndihej lumturisht i gëzuar në rast se njëqind vitet e shtetit tonë do të jepnin për të treqind e pesëdhjetë e gjashtë ditët e motit të tij jubilar prova se me të vërtetë ai është i maturuar po aq sa ka edhe moshën e vet.
Druajmë, megjithatë, se duke dëshmuar që jemi shumë më mirë se më parë ne nuk do të provojmë dot as këtë herë atë pjekuri që ta imponon kjo moshë fisnike. E kemi nisur përtueshëm vitin e pazakonshëm, këtë rast të mahnitshëm për t’i dëshmuar vetes, njeri-tjetrit, popujve fqinjë dhe kontinentit amë të Evropës, gjithë njerëzimit, se ia vlejti ta themelonim këtë shtet, ta mbronim e ta ndërtonim, ta bënim të gëzueshëm e të besueshëm për nënshtetasit e vet, të tillë që ata ta adhuronin dhe me të, në mos të krenoheshin, të ndiheshin të barabartë me shumë vende të tjera.
Sepse kjo qe e mundur edhe para këtij 28 nëntori që sapo kaloi, edhe para një 28 nëntori shumë e shumë dekada më parë, për shembull në 1944-tën, apo edhe më herët.
Në 28 nëntor 1912, tek firmosej Akti i Pavarësisë, pjesëmarrësit dhe protagonistët e kësaj ngjarjeje sublime, me siguri patën ëndërruar një shtet më të mirë e më të begatë se ky qe ende kemi, më të fortë. Sepse Shqipëri atë kohë kishte, por nuk ekzistonte shteti i saj. Shqipëria kishte emër shumë të mirë, vend i varfër, por me një të kaluar plot dinjitet. Shqiptarët nuk patën fyer kurrë një popull tjetër, sulmuar, poshtëruar apo shpërfillur atë. Dijen e donin dhe magjepseshin pas saj sapo ajo mundësi u shfaqej. Jetën e mirë po ashtu, mjaftonte të mos i pengonin.
Pikërisht që të mbrothësonin më shumë ata e krijuan shtetin dhe këtë njëqind vjetor është shteti ai që para Shqipërisë duhet të provojë se ka bërë gjithçka për t’i shërbyer vendit të vet.
Të paktën këtë provë duhet ta japë në të treqind e pesëdhjetë e gjashtë ditët e këtij jubileu, i cili vetëm festë nuk mund të jetë. Ai duhet të shndërrohet në realizim, vepra që krijohen njëra pas tjetrës. Nuk ka asnjë rëndësi që nëpër botë apo kontinent vepron një krizë e ashpër financiare dhe ekonomike, sepse jo patjetër veprat e kryera duhet të jenë rrugë apo fabrika. Ato mirë se ardhshin, le të priten edhe shiritat e tyre apo të ndonjë monumenti. Por ngjarje më të bekuara do të jenë botimet e librave reflektues për veten, të filmave dhe pjesëve teatrore me në brendësi vlera që i kemi anashkaluar, kuvende akademike apo universitare me risi që dalin jashtë kufijve tanë.
Këtë njëqindvjetor të shtetit tonë do të kthehej në një shpresë të pavenitur nga stërkëmbëshat që i vëmë njëri-tjetrit, sikur dhjetëra herë më shumë se në një vit të zakonshëm të japim një dëshmi se ne, vetë shqiptarët, dimë të ndryshojmë më shumë, më vullnetshëm, kudo ku jemi, në politikë, në administratë, në gjykata apo media.
Jemi ne që duhet të bëhemi 100 vjeç.
Sepse mund të ndodhë që njëqindvjetorin ta festojmë, me stil propagande siç ende nuk po e heqim këtë zakon të keq, dhe në të njëjtën kohë të mbetemi me mendësinë dhe sjelljen e një të mituri apo ende çunaku.
Lexues i nderuar, në këtë 28 nëntor që sapo iku në Nju Jork bashkëkombësit tanë që jetojnë atje, shqiptaro-amerikanët, e nderuan këtë Ditë të Flamurit, mes mjaft veprimtarive të tjera, edhe me një vepër të pazakonshme: numrin special të gazetës së tyre “Illyria”, që botohet shumë rregullisht dy herë në javë.
Kishte plot treqind faqe.
Gjen atje të shkruar jo vetëm artikuj e analiza që ngërthejnë të gjithë historinë tonë, por edhe vetë bashkëkombësit me sipërmarrjet e tyre të fuqishme ekonomike, kulturore e patriotike.
Tek e sheh dhe e lexon ndihesh pjesë e një populli e kombi të fortë. Të jep edhe ndjenjën e lartësisë.
Ky botim special është një realizim, një vepër konkrete, për fat simbolikisht kryer në ditën e parë të 100-vjetorit.
Duke nisur nga 2006 ka shtatë vite rresht që merr jetë kjo madhështi.
Mirëpo ajo, përderisa në vendin amë nuk kemi mundësi ta shohim, ta shfletojnë dhe lexojmë, nuk mund të tregohet dot me fjalë. Edhe më pak entuziastet e tyre lënë pas përshtypjen e teprimit.
Por ndërsa nga Nju Jorku nuk vjen dot të Tiranë si gazetë me plot treqind faqe le ta japim ngjarjen të paktën si lajm. Ka tre vite që as si e tillë nuk mbërrin deri tek ne.
Patjetër po e përhapim edhe si mesazh inkurajimi, për t’i thënë njëri-tjetrit më shumë besim se po të duam, ah po të duam, në çdo ditë të këtij njëqindvjetori mund të bëjmë nga një mrekulli të vogël. Pastaj vetëm ditën e fundit, në 28 Nëntor 2012, duke e pasur hak, t’ia marrim këngës.

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com