|
Kur ikte nga Shqipëria Tedi Papavrami dhe Ismail Kadare, por donte të rikthehej Sadik Premte
(Botuar në “Gazeta Shqiptare”, shtojca kulturore “Milosao”, më 11 shtator 2011)
Ka botuar së fundi një libër voluminoz me dyzetë e dy tregime, veshur hijshëm me një kopertinë të konceptuar me shijet moderne. I ka vënë edhe titullin “Haraçi i miqësisë”. Me në fytyrë dritën e një çeljeje rinore po ashtu ia bëri edhe promovimin dy vite të shkuara. Ndërkohë kur bisedon me të çdo gjë që shpreh duket se i krijohet në një mendje pa kurrfarë shenja plakjeje ose të paktën lodhjeje.
E megjithatë ai, Arqile Semini, është shtatëdhjetë e tetë vjeç. Ka lindur në qytetin e Beratit më 1933 dhe u largua prej tij drejt Tiranës kur sapo mbushi të gjashtëmbëdhjetat.
Biseda jonë sy më sy zgjati afro dy orë dhe ende nuk e pikasa dot, ndërsa atë papritur e ka kapur një krizë astme, cila energji e brendshme e mban larg perëndimit të moshës. Vetëm kur pas atij takimi, ndërsa u enda ca kohë nëpër rrugët e Tiranës dhe risolla në kujtesë mbresat që pata, mu duk sikur e zbulova të fshehtën e tij: qe letërsia.
Madje e pazakonshmja që atij i ka ngjarë me këtë art.
Arqile Semini ka qenë i adhuruar pas saj që në vitet pesëdhjetë të shekullit të shkuar, kur botoi librin e parë “Re dhe rreze”. Ishte një novelë, me të cilën në konkursin letrar të vitit 1969 mori çmimin e tretë. Tregimi i tij i parë e kishte parë dritën e botimit më 1957. Këtë kohë u përhapën fjalë se ishte një penë premtuese. E kishin parë disa herë edhe Ismail Kadarenë dhe kjo për entuziastët dhe dashamirët e tij provonte çfarë patën dëgjuar e besuar.
Por jeta është e çuditshme dhe trillet e saj pa fund. Krijon të papritura. Pas studimeve në Paris shkrimtari me karrierë të porsa nisur iu fut politikës. Më saktë profesionit të punëtorit politik, siç atëherë rëndom prej gjuhës ideologjike të kohës quhej. Vitet më të shumta në këtë profil të ri, të cilit Arqile Semini iu përkushtua me temperamentin e tij pasionant, i kaloi në Komitetin Qendror të Partisë së Punës, ku një pjesë të veprimtarisë e shkonte me grupet marksiste-leniniste që hynin e dilnin në Shqipëri, të sigurt se aty ndodhej vetë djepi i botës së ardhme.
Kur në atë bisedë sy për sy ia vura re dritësimin rinor në vështrim akoma nuk e dija se tek ai, pikërisht sepse buronte një energji e papushuar krijimi, ndryshimi të përhershëm dhe transformimi, ia kishte dalë që vitet me komunizmin dhe dogmën e tij të mos e kishin vënë poshtë e mundur, nënshtruar, ngurosur dhe nxjerrë jashtë kohe.
Sepse ishte i lirë brenda vetes, madje egoist të qe “dikush”, pra një që nuk varej lehtë prej mendimeve të një tjetri veç kokës së tij, për gjashtë vite në Paris. Si diplomat i rangut të parë, këshilltar politik (statusi i numrit dy të ambasadës) dhe për një vit e gjysmë edhe I Ngarkuar me Punë, që do të thotë numri një i përfaqësisë, Arqile Semini ka lënë gjurmë që nuk duhen braktisur pa iu kumtuar lexuesit dhe opinionit publik, historisë së vendit tonë. Ja pse në këtë shkrim nuk zgjodhëm të depërtojmë në katërqind e tridhjetë e një faqet e 42 tregimeve të përmbledhura në “Haraçi i miqësisë”, por tek një libër tjetër i tij, i botuar shumë më parë, në vitin 2005. “Misioni i fundit” titullohet. Janë 205 faqe të një formati të vogël, pothuaj libër xhepi, mbuluar me një kopertinë pa pretendime dhe ku teknologjia e botimit mund të qe më e mirë. Aty gjenden tetë vite jo të kujtimeve të autorit, madje as edhe të një ambasade, por të një pjese të historisë shqiptare në kapërcyell mendësish, fati dhe epoke. Qenë motet e fundit të Shqipërisë totalitare dhe të vetizoluar ekstremisht, vitet e parë të jete e shoqërie të re, me shumë shpresë të ishte ajo që duhej.
Sepse qe historia e vendit tonë në ndryshim prandaj e zgjodhëm këtë libër. Madje me këtë rast bëmë edhe një zgjedhje të dytë. Do ta vështrojmë këtë libër jo prej faqeve të tij plot analizë profesionale diplomatike, çka është e vyer edhe tani për diplomatët në karrierë, por për t’i shërbyer një lexuesi më të gjërë. Kështu po e këndshohim librin “Misioni i fundit” nëpërmjet fateve të disa emrave të veçantë, të njohur për të gjithë ne.
Ja pse që prej këtij çasti do të zgjedhim në më të shumtën e herëve rrëfimin me fjalët e autorit. Me këtë mënyrë mund të njihet më mirë nga shfletuesit e “Milosaos” edhe autori, ky plak që nuk plaket, ky shkrimtar të cilin asgjë nuk pati fuqi ta ndajë nga dashuria e tij e rinisë, letërsia.
Nga diplomati gjermano-perëndimor deri tek ai jugosllav dhe grek
Në 7 gusht 1985, kur mbërriti në Paris me detyrën e Këshilltarit Politik në Ambasadën Shqiptare, Arqile Semini ishte pesëdhjetë e tre vjeç. Kishte me vete një jetë të tërë përvojash, veçanërisht në raporte me të huaj. “Misioni i fundit” në çdo faqe dëshmon këtë eksperiencë të tij, një forcë të madhe analitike po ashtu, dhunti të dukshme komunikuese dhe aftësi tepër të spikatur për të kërkuar e mbledhur informacionin më jetik për vendin e tij, moskufizim prej dogmave ideologjike të kohës dhe elasticitet për t’i duruar ato pa iu nënshtruar verbërisht. Semini në atë çfarë tregon për opinionin publik nuk ndikohet prej asnjë paragjykimi të krijuar me bollëk gjatë periudhës staliniste, por edhe prej atyre të shkaktuara pas vitit çlirues 1990.
Kur për ditë e ditë me radhë në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme kishte lexuar dosjet përkatëse i pati mbetur një shije e athët. Qenë raporte diplomatike që dëshmonin gjendje të ngurosur e të vetbllokuar mes Tiranës e Parisit, marrëdhënie të mbajtura peng prej gjithfarë dyshimesh dhe mosbesimi reciprok. Sundonin dogmat ideologjike të politikanëve shqiptarë, por edhe mosinteresim i qartë i Francës. Vepronte pa dyshim edhe pasoja e hidhur e miqësisë së ngushtë të Parisit me Beogradin. Gjendja e brendshme tiranike në Shqipëri nuk mungonte të ushtronte ndikim. Kur Enver Hoxha pati ndërruar jetë shtypi francez për dhënien e lajmit qe pothuaj i njëllojtë në formulimin e titujve: “Vdiq stalinisti i fundit i Evropës”.
Ndryshe nga çfarë letrat e arkivit ia ngrysën humorin një takim me Hekuran Isain, atë kohë Ministër i Brendshëm, i la një përshtypje të mirë. Me gjuhën e zyrave të kohës Isai i pati thënë se nga shteti shqiptar Francës i kushtohej vëmendje e veçantë. Nga të katër aleatët e Luftës së Dytë Botërore ajo qe e vetmja fuqi e madhe me të cilën mbahej lidhje Shqipëria. Ministri i Brendshëm argumentimin e tij e vijoi edhe me një hollësi tjetër. I spikati Seminit edhe një fakt të dytë, mjaft i rëndësishëm edhe ky: në Paris mjekohej udhëheqja politike. Si vlerë të tretë të Francës për Shqipërinë Hekuran Isai i vuri në dukje se Parisi qe kryeqyteti ku kryqëzoheshin shumë interesa të Lindjes dhe Perëndimit. Njëkohësisht i pati vijuar shpjegimin se ishte vendi i huaj, ku kishin numrin më të madh të studentëve dhe pasuniversitarëve shqiptarë jashtë shtetit.
I mbërritur në Paris ende pa dalë muaji gusht i atij viti, 1985, ndër takimet e para me kolegë të rangut të tij për Arqile Seminin i pari dhe më joshësi qe me homologun gjermanoperëndimor Klaus Volbert Shmidt. Autori e përshkruan si një burrë trupmadh, serioz, i hapur dhe korrekt, me njohje në nivele të larta të Ministrisë së Jashtme të vendit të vet. Kur Semini një çast e kishte pyetur në se ekzistonte ndonjë rrezik agresioni kundër Shqipërisë në kufijtë e saj veriorë, pra nga Jugosllavia, diplomati i Bonit i qe përgjigjur me një “jo” të sigurt. “Shmidti e përjashtonte një mundësi të tillë”, shkruan autori i “Misioni i fundit”, “Unë ngulja këmbë në timen. Atëherë ai më thoshte se masa e parë që do të merrte Perëndimi ishte bllokada ekonomike ndaj Jugosllavisë. Shmidti përjashtonte gjithashtu mundësinë e një agresioni nga Greqia, sepse ajo ishte në NATO. Bile ai tha se për ndjekjen e gjendjes në Shqipëri qe ngarkuar Greqia”.
“Njëherë më zuri ngushtë”, vijon Arqile Semini, “Shtypi gjerman kishte shkruar për Nexhmije Hoxhën. Thoshte për të se ishte ajo që në të vërtetë e drejtonte vendin nëpërmjet Ramiz Alisë. Unë nuk iu përgjigja. Shmidti e kuptoi heshtjen time. As në informacionin e takimit për Tiranën nuk e vura këtë çështje. Radhës tjetër (takimet e rregullta i bënim çdo dy muaj) Shmidti vetëm sa tha se prapë kishin shkruar për Nexhmije Hoxhën dhe nuk kërkoi që unë të jepja ndonjë mendim. Megjithatë unë fola, duke formuluar një përgjigje evazive për pyetjen e takimit të mëparshëm. Pak a shumë i thashë se ajo kishte një ndikim të madh moral mbi Ramiz Alinë. Këtë radhë në informacionin për Tiranën e vura këtë çështje. Ambasadori hezitoi në fillim duke më thënë që ta hiqnim “çështjen e shoqes Nexhmije”, por unë ngula këmbë: Qendra duhej ta dinte të vërtetën se çfarë flitej në Perëndim për udhëheqjen tonë!”
Davor Sosiç qe homologu i tij jugosllav. Ishin të një moshe, të dy patën studiuar në Paris, qe kroat dhe “burrë i shtruar, i çiltër, modest”. “Sosiçi më ka lënë kujtime të paharruara”, nënvizon Arqile Semini. Ambasada jugosllave dhe ajo shqiptare në kryeqytetin francez ndodheshin shumë afër njëra-tjetrës dhe të dy këshilltarët politikë të dy vendeve me tension të fortë e të vazhdueshëm me njëri-tjetrin takoheshin rregullisht çdo muaj, në fillim në ambasadat respektive, më pas në restorante me çmime të arsyeshme, sidomos në “Viktor Hygo”, i cili ndodhej pranë përfaqësisë sonë. “Ai shprehte simpati për shqiptarët dhe e njihte historinë tonë”, shënon me dashuri Semini”. “Davor Sosiç mbante lidhje me shqiptarë të Kosovës”, saktëson. “Jemi afër, fqinjë”, i thoshte diplomati jugosllav nga Kroacia, “jemi të detyruar të bashkëpunojmë”.
Para largimit nga Shqipëria Sosiçi dha një pritje koktej në apartamentin e tij në Paris. Midis të ftuarve, rrëfen një episod në “Misioni i fundit”, ishte edhe një funksionar francez i Interpolit. E kishte gruan jugosllave dhe sapo Davor ia prezantoi u largua për t’i lënë qëllimisht vetëm. Pas një bisede të shkurtër, vetëm për vetëm në këmbë, në një cep të sallonit të vogël, duke folur për ndryshimet që kishin ndodhur në vendet e lindjes në Evropë, njeriu i shërbimeve të fshehta franceze i pati pohuar Arqile Seminit se “Me njerës si Kadareja dhe ju, shpresoj që Shqipëria do ta gjej rrugën e saj”. Sigurisht diplomati shqiptar, pasi e largoi emrin e tij nga ai krahasim jo i merituar, e mori për mesazh shprehjen “Me njerëz si Kadareja...”. Kur ndodhi kjo bisedë ishte shtator 1990. Një muaj më vonë Ismail Kadare do të kërkonte strehim politik në Francë.
Tek mbyll faqet e ngrohta për diplomatin jugosllav Semini shkruan me pikëllim se miku e kolegu i tij i dashur i larguar nga Parisi atë shtator vetëm një vit më pas, në 1991, tek pushonte në vilën e tij në bregdetin kroat, pati vdekur papritur nga zemra.
Tek bisedonin për çështjen e Vorio Epirit, rrëfen autori në disa rreshta te “Misioni i fundit”, kolegu grek në një nga takimet i pati pohuar se në të vërtetë fijet e kësaj teze tërhiqeshin nga shovinistët e pasur grekë që ndodheshin në SHBA dhe se shqiptarët duhej ta kuptonin qeverinë e Athinës për faktin se kisha greke kishte influencë të madhe mbi shtetin dhe opinionin grek në përgjithësi, brenda dhe jashtë Greqisë.
Kurse këshilltari politik i ambasadës turke në Paris, punonjës i vjetër i Ministrisë së Jashtme të Ankarasë, koleg me të cilin takohej e bisedonte shpenguar, i pati thënë njëherë me një të qeshur të gëzueshme se në institucionet kryesore të vendit të vet “Në çdo zyrë që të hysh ose nga çdo derë që të hapet do të dalë përpara një shqiptar”.
Ismail Kadare
Sipas Arqile Seminit mediat franceze rolin e Kadaresë në Paris e kishin përcaktuar si “Ambasadori më i mirë i Shqipërisë”. “Për ne që jetonim në Francë”, shkruan ai, “nuk ishte e vështirë të kuptonim atë që thuhej se në opinionin francez njiheshin dy personalitete të Tiranës: Enver Hoxha dhe Ismail Kadareja! Po me një ndryshim thelbësor midis tyre, i pari si ”Sulltan i kuq”, i dyti si “shpresë për të ardhmen e Shqipërisë”.
“Me Ismailin”, ngul këmbë ai, “bënim shpesh biseda “të rrezikshme” (apo të ndaluara) për gjithçka që kishte ndodhur në Shqipëri: për punën e fesë, të barazimit të pagave, të mbylljes së Shqipërisë, për tufëzimin e bagëtisë dhe për jetesën e Bllokut në Tiranë. Me neveri të madhe Ismaili fliste për “budallenjtë që mblodhi rreth vetes Enver Hoxha”. Unë ia kisha frikën, jo për vete, por për atë, se ishte inatçi e mos i shpëtonte goja të fliste kaq hapur edhe kur kthehej në Tiranë”.
Në çfarë tregon për vitet e fundit 1989-90 e ndoshta edhe më parë, Arqile Semini tek “Misioni i fundit” pohon se “Me Ismailin kemi biseduar shpesh për gjendjen në Shqipëri. Ai më fliste me njëfarë entuziazmi kur shikonte shenja të zbutjes në politikën e brendshme dhe shpresonte se Ramiz Alia dhe Foto Çami do të bënin diçka. Pati një periudhë që sa herë që vinte në Paris nga Shqipëria, Ismaili më sillte ndonjë lajm të mirë. Shpresonte Ismaili, shpresoja edhe unë, se i besoja atij”.
Nëpër këtë dinamikë për shpjegimin e figurës së shkrimtarit të shumënjohur këshilltari politik i ambasadës sonë në Paris, por edhe miku i tij i sinqertë, duke mos harruar të përshkruajë edhe zhgënjimin që Kadare pati nga mosveprimi i gjatë i Alisë, i hap vend të dukshëm ikjes së tij nga atdheu. “Kur e takova Ismailin në Paris, vura re një farë pezmatimi në çehren e tij. Nuk guxova të pyesja se çfarë kishte. Një parandjenjë fatale po më shkëpuste nga ai. Një parandjenjë e sigurt! Unë isha futur në valle për shkak të pozitës sime në ambasadë. Sinjalin e parë e mora nga Klod Dyrani, drejtori i “Fajarit”. Ishte fundi i gushtit 1990. Sekretarja e Dyranit, pa dhënë asnjë shpjegim, më tha se zoti Dyran kërkonte një takim urgjent me mua. E prita menjëherë. Ai e paraqiti fare thjeshtë çështjen: kërkonte vizën që të shkonte vetëm në Tiranë dhe sa më parë, sepse kështu kishte rënë dakord me Kadarenë. Unë i premtova që do të bëja çmos nga ana ime për t’ia plotësuar dëshirën. Në të Klod Dyrani dhe Zhak Atali ishin në listën që duhej të shkonin në Tiranë që para një viti. Ata nuk e realizuan këtë vizitë. Në raste të tilla unë isha i autorizuar nga Qendra që brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm mund t’u jepja vizë miqve francezë. Mirëpo ishim në gusht! Duhej të njoftoja Qendrën patjetër. Rashë në hall! E dija, se atje, në Komitetin për Marrëdhënie (me Jashtë), do ta stërzgjatnin këtë çështje. Përgjigja po vonohej. Dyrani merrte përditë në telefon. Së fundi atë ditë që i thashë të dërgonte sekretaren për të marrë vizën, akoma nuk kishte ardhur autorizimi nga Tirana. Pas dy javësh, ndërsa isha në aeroport për të pritur njerëz me porosi nga Tirana, u ndodha ballë për ballë me Klod Dyranin që kthehej nga Tirana. Pas tij vinte një vajzë e re, pak e ndrojtur. Dyrani më pyeti a e njihja dhe pa marrë përgjigje nga unë, më tha se ishte vajza e vogël e Ismail Kadaresë. Unë e shëmbëlleva menjëherë, megjithëse kisha shumë vite pa e parë. Pak kohë pas kësaj nga “Fajari” më njoftuan se do të vinte në Paris Ismaili me të shoqen (bëhej familja komplet, sepse vajza e madhe ishte aty për studime). Unë i thashë se, si zakonisht po i zija vend në hotelin e tij të preferuar. Sekretarja e Dyranit nuk më tha as po as jo! Kur vajta në hotel “Derbi” më thanë se tashmë vendet ishin rezervuar. Nuk e di përse atë ditë nuk u ndodha në aeroport kur arriti Ismaili? Prisja të nesërmen që të më merrte në telefon. Më mori një ditë më vonë, për një çështje ordinere. Nga zëri mu duk se nuk ishte i qetë. I thashë që të më lajmëronte vetë, kur të kishte kohë, të paktën për të pirë një kafe...Mirë! tha dhe me kaq u mbyll biseda ime e fundit me Ismail Kadarenë në Paris...”.
“Dhe ja një pasdite”, vijon Arqile Semini dëshminë e tij të padyshimtë, “nga ditët e fundit të tetorit 1990, më merr në telefon nga ambasada shoku i shërbimit dhe më tha që të shkoja menjëherë atje. Më dorëzoi letrën, një zarf i madh, që e kishte prurë korrieri i “Fajarit” nga ana e Kadaresë. Unë i rashë në të dhe pa e hapur zarfin thashë me vete: “Si duket Ismaili na la opingat!” Në zyrë, nga kureshtja po më prisnin dy-tre diplomatë, që ishin ndodhur aty...Ishte letra që Ismail Kadareja ia drejtonte Ramiz Alisë, ku e njoftonte për vendimin që kishte marrë për të qëndruar me të gjithë familjen në Francë. Parandjenja fatale ishte realizuar!
Gjeta mënyrën që të nesërmen letra t’i binte në dorë Reiz Maliles. Në Tiranë ishte hapur Konferenca Ballkanike. Dikush atje këtë rastësi e interpretoi si të bërë me qëllim nga Kadareja! Nuk vonoi reagimi i Tiranës. Një komunikatë e ashpër e ATSH-së shoqërohej me porosi nga Ministria e Jashtme që ajo të shpërndahej në të gjitha ambasadat e huaja, masmediat dhe në Ministrinë e Jashtme në Paris. Edhe në telegramin e mbyllur jepej e njëjta porosi me fjalë të prera. U ndodha ngushtë edhe nga fakti se komunikata e parë e ATSH-së ishte tepër bajate, e shkruar me nervozizëm. Ajo mbeti në zyrën time pa u shpërndarë, të paktën kopjet që mbajta për vete. Pak ditë më vonë shikoja me habi një kthesë në qëndrimin e Tiranës. Ministri vetë me telegram të mbyllur më udhëzonte me fjalë të matura se si ta trajtonim “çështjen Kadare”...”
Në “Misioni i fundit” Arqile Semini shpjegon po ashtu se më pas Ministrisë së Jashtme i kishte propozuar të sipërmerrte një takim personal me Kadarenë, por i erdhi një përgjigje negative. Po ashtu edhe një homolog i një vendi perëndimor i qe afruar me ndihmën t’i organizonte privatisht një takim me shkrimtarin, madje kjo do të bëhej në shtëpinë e diplomatit të huaj në periferi të Parisit, por këtë gjë as ia shkroi Qendrës dhe as ra dakord me kolegun. As e kreu.
Tedi Papavrami
Në mes të dhjetorit 1985 në ambasadën italiane në Tiranë kishte hyrë familja Popaj, çka e kishte tronditur nga brenda regjimin, por edhe vënë në pozitë shumë të vështirë atë në opinionin publik ndërkombëtar. Pak javë më vonë, ndërsa kishte nisur viti 1986 dhe hyrë shkurti ndodhi edhe një ikje tjetër: Tedi Papavrami. “Ishte një ditë e zakonshme, aty nga ora nëntë e mëngjesit. Më mori në telefon ambasadori dhe me një zë pak të shqetësuar më tha që të zbrisja menjëherë poshtë në zyrën e tij...e gjeta në këmbë Maxhunin (ambasadorin) dhe sekretarin e parë të ambasadës (Eqerem Gaxhollin). Ata dukeshin te tronditur. Maxhuni me dha të lexoja letrën e Papavramëve, me të cilën shpjegonin arsyen përse kishin vendosur të qëndronin në Francë. Gjithë \"sakrifica\" e tyre justifikohej me dëshirën që t\'i krijonin kushte optimale djalit të tyre të talentuar, Tedit, me një fjalë, mundësisë për të bërë karrierë. Pasi lexova letrën, unë desha t\'i qetësoja shokët e mi, duke u thënë se \"ishin gjëra që ndodhnin dhe se tani duhet të mendojmë si ta kapërcejmë situatën e krijuar!\"
Në vijim Arqile Semini rrëfen se iu desh ca kohë të merrej me \"çështjen Papavrami”. “Bashkë me ambasadorin”, dëshmon, “shkuam në takim me të ëmën dhe Tedin çunak në Ministrinë e Jashtme. Takimi u bë në prani të avokatëve të familjes Papavrami. Ca kohë më vonë, me porosi nga Qendra, ndërmora një udhëtim me Ylli Qamiranin në drejtim të jug-perëndimit të Francës, ku shkova afër Bordosë, në një fshat ku ishte vendosur familja Papavrami. Por autoritetet lokale nuk më lejuan të takohesha me ta, bashkeqytetarët e mi, sigurisht me urdhër nga Parisi”.
Po ashtu Semini, i kthjellët gjithnjë t’i çojë deri në fund e t’i kumtojë të qarta ngjarjet, idetë apo qëndrimet e tij, shkruan se “Për këtë çështje nga Ministria jonë e Jashtme erdhi një telegram i rreptë dhe që ngarkonte me përgjegjësi ambasadorin tonë, për mungesë vigjilence, sidomos që nuk kishim njoftuar me kohë ardhjen e befasishme në Paris të babait të Tedi Papavramit. Vura re se Maxhuni (ambasadori) po hezitonte për t\'i kthyer një përgjigje Ministrisë. Unë ngula këmbë, që ai t\'i përgjigjej menjëherë Ministrisë, se Tirana nuk na kishte pyetur fare kur i kishte dhënë vizën babait të Tedit dhe se ne e morëm vesh, qe ai kishte ardhur në Paris pothuajse \"inkonjito\"-sic na tha vete, gjoja për t\'i bërë surprizë të shoqes, atëherë kur erdhi vetë në ambasadë. Më vonë, ne e sqaruam me vetë ministrin Reiz Malile, këtë çështje dhe ishte ky që na tha se edhe vete Ministria e Jashtme nuk dinte gjë për vizën e babait të Tedit. Vizën atij ia kishte nxjerrë Ministria e Brendshme. Pak më vonë, gjithashtu morëm vesh se kjo ëçshtje ishte diskutuar Lart në udhëheqje të Partisë dhe se punët ishin të ngatërruara, por së fundi çështja e vizës së babait të Tedit u la në heshtje. Kjo histori me familjen Papavrami, që u strehuan në Francë, si refugjatë politikë, na dukej si një sfidë e palës franceze, një lloj presioni për të nxitur hapjen e dëshiruar të Perëndimit për Shqipërinë. Ishte një konkluzion jo tepër i saktë dhe jo aq i qartë. Çeshtja \"Popaj\" dhe ajo \"Papavrami\", a kishin lidhje me njëra-tjetrën?...Me mentalitetin e \"vigjilencës revolucionare\" mund të gjeje një lidhje logjike midis dy çështjeve. Kush mund ta dinte?! Megjithatë, unë nuk e vrava mendjen dhe aq shumë për të hyrë në analiza që më parë kërkonin disa elemente njohjeje nga fusha e zbulimeve, të cilën nuk e njihja. Sidoqoftë, unë dalloja një ndryshim thelbësor midis të dy çështjeve. Çështja e parë kishte vënë në provë forcën dhe vendosmërinë e principeve të \"Murit të vetëizolimit\". Ndërsa tek çështja e dytë e Papavramëve, për shkak të implikimeve të familjeve të mëdha në Tiranë, më dukej se në këtë mes kishte njëfarë bashkëpunimi të heshtur midis palës shqiptare dhe franceze. Nuk arrija të kuptoja, se cili ishte pozicioni i vërtetë i Ramiz Alisë në këto çështje?...”
Zhylien Rosh
Zhylien Roshin, emri i të cilit shqiptarëve të dhjetë viteve të shkuara u kujton pronarin kryesor të gazetës tashmë të mbyllur “Korrieri”, Arqile Semini e ka peng. Në librin e tij i hap vend bisnesmenit francez me brengën që bashkëkombësit e tij të mos e harrojnë, “sepse mbetet një njohës dhe mik i vjetër i Shqipërisë”. Në “Misioni i fundit” ka shumë dëshmi të besueshme të këtij përkushtimi, mes tyre edhe një artikull që në 18 korrik 1991 Rosh e kishte botuar në gazetën “Le Monde”. Miku i vendit tonë qortonte atdheun e vet se “Franca nuk ka treguar as interesin më të vogël serioz për Shqipërinë”.
Nostalgjia e Arqile Seminit për Zhyljen Rosh, të cilin e kishte njohur në shkurt 1986 në mjediset e një koncerti ku merrte pjesë edhe Tedi Papavrami, ka një sinqeritet prekës. Vëmendjen, por edhe dashurinë e veçantë për të, ia kishte shtuar qëndrimi i ftohtë dhe pothuaj diskriminues i një diplomati të ambasadës, atasheut tregtar. Ky nuk e kishte propozuar as si person që mund të ftohej në takimin dhe festimin jubilar të festave të fundnëntorit, status të padrejtë që vetë Semini, duke qenë numri dy i përfaqësisë sonë diplomatike dhe për një vit e gjysmë edhe titullari i saj, ia kishte përmbysur. I dha vendin e merituar në shenjë të një respekti të thellë.
Sadik Premte
“Mbaja lidhje të rregullta me shefin e shtypit të ambasadës greke, i cili e njihte Shqipërinë dhe shqiptarët”, tregon Arqile Semini një çast. Pastaj vazhdon “Befasisht një ditë tha se kishte miqësi me Sadik Premten. Unë nuk reagova”. Radhën tjetër tek të dy shkonin për të ngrënë drekën në lagjen “Kartie Laten”, ku në Paris ka shumë restorante greke, diplomati helen iu lut t’i plotësonte një kërkesë “Xhepit”, pseudonimi i luftës i Premtes. Dëshironte të vizitonte Shqipërinë. “I thashë hapur se kjo ishte e pamundur”, shkruan në libër Semini, “Tirana do ta refuzonte në mënyrë kategorike”. Por kolegu grek kishte nisur t’i shpjegonte se Sadik Premte tashmë ishte plak i sëmurë dhe në buzë të varrit dhe se lypte dhembshuri nga shteti i vet deri sa të shkonte në Vlorë, të përqafonte një mbesë që kishte atje dhe pastaj le të vdiste. “Këto fjalë me prekën”, pohon diplomati shqiptar, “dhe i shkruaja Tiranës. Përgjigja dihej: heshtje dhe mos e kruaj”.
Më tej Arqile Semini nuk shkruan më për “Xhepin”, që në mospërputhje të plotë pikëpamjesh me Enver Hoxhën dhe i rrezikuar, u arratis nga atdheu në ditët kur ende Tirana nuk qe çliruar përfundimisht nga ushtria partizane. Diplomati shqiptar u kthye në Tiranë në 27 maj 1991, ndërsa Sadik Premte kishte ndërruar jetë në 7 prill. Më pak se tre javë më parë, në 20 shkurt, kishte lexuar gazetat franceze dhe parë në televizion si ishte bërë i pjerrët e pastaj qe shembur përdhe monumenti i Hoxhës. E mbylli jetën e tij 78 vjeçare në kryeqytetin francez, në një apartament të ngushtë dhomë e kuzhinës dhe pasi kishte vuajtur dy infarkte të miokardit.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|