Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Një libër pranë shpatës


(Botuar në gazetën “Shqip” më 17 gusht 2011)

Në mes të korrikut 2009 në gazetën “Shqip” pata botuar shkrimin “Albanologu hungarez në Tiranë për dosjen e tij komuniste”. Ishte fjala për Gyorgy Reti, atë vit i ftuar zyrtar i Qendrës Albanologjike dhe i përkujdesur edhe nga një këshilltar i Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës.
Ai qëndroi në Shqipëri tre javë. Gyorgu, pra shqip Gjergji, përherë shumë lumturuar që është omonim i heroit tonë kombëtar, njihet si autor i katër librave për Shqipërinë, po ashtu edhe i të paktën shtatëdhjetë artikujve. I fundit, të cilin e ripublikoi edhe gazeta dygjuhëshe që botohet në Romë, “Rrënjët-Le Radici”, Reti i gjeti hapësirë në një nga revistat më tërheqëse të vendit të vet, “Fokus”. Bënte fjalë, gjithnjë shoqëruar me fakte të reja, për martesën e Ahmet Zogut me Geraldinën, bijën e tyre hungareze, derë konti. Kjo lidhje në kohën e vet, pra në vitin 1938 dhe disi më vonë, nga dashamirë miqësish mes popujsh, por së shumti edhe prej propogandës së Tiranës zyrtare, u interpretua si një rilulëzim i një tradite mjaft të vjetër e historike të shqiptarëve me hungarezët: atë të Skënderbeut me Gjon Huniadin.
Në të vërtetë në Budapest nuk kishin këtë pasion të madh sa në Tiranë për ta theksuar, jo se, duke e pasur edhe vetë kështjellën e tij në mes të qytetit nuk i njihnin këto marrëdhënie speciale. Disa prej dijetarëve hungarezë ndiheshin përfaqësues të një vendi shumë më të rëndësishëm e të fortë se Shqipëria, doemos edhe se Gjergj Kastrioti i kalasë periferike të Krujës. Pastaj për ca kohë hyri në mes një ngjarje e hidhur. Qeveria fashiste e Budapestit në prill 1939 mbështeti menjëherë agresionin italian kundër Shqipërisë. Pas Luftës së Dytë Botërore ndërhyrja e politikës në fatin e lidhjeve shkëlqimtare të Skënderbeut me Gjon Huniadin, ishte edhe më e imponuese. Vepronte i quajturi kampi socialist, zhvillohej me rropamë lufta kundër “revizionizmit” apo “dogmatizmit stalinist” dhe kështu përfillja e vogël e disa bashkëkombësve të Gjon Huniadit u shndërrua në një kub të madh akulli. Çuditërisht pati prej tyre, që për të çliruar shpirtin nga ky mëkat, frynë historinë e mosardhjes së ushtrisë së Skënderbeut në një betejë të Huniadit, kryer pothuaj në trojet e Kosovës së sotme, ku ai u mund nga turqit. Në të vërtetë Gjergj Kastrioti la çdo punë tjetër dhe me ajkën e armatës së tij, përfshirë edhe gardën, i shkoi në ndihmë mikut e bashkëluftëtarit të madh, aleatit të tij, por e pengoi me prita e pabesi një despot e monark serb.
Ndërkohë ishin të thekur për këtë ftohje edhe në Tiranën me pesë dekada të vështira mes një Lufte të Ftohtë globale dhe të përpirë ethshëm në një vetmbyllje katastrofike. Kështu bashkë me Zogun e mërguar, që vdiq parakohshëm dhe një djalë të tij i cili për dhuntitë politike nuk i ngjante shumë të atit, ky degëzim i ri lidhjeje u mpi dhe u tha. Raportet shumë të veçanta të Gjergj Kastriotit me prijësin e betejave kundër pushtimit osman, tepër të afërta e plot inteligjencë bashkëpunimi profesional mes njëri-tjetrit dhe sidomos kontinentin e krishterë, kryesisht Selinë e Shenjtë, deri tani ende të kërkuara e të zbuluara pak, Geyorgy Retin e kanë tashmë njërën nga shpresat e ringjalljes. Ose të paktën njërën nga nxitjet, sepse për fat në këtë rikthim të madh të miqësisë mes Tiranës dhe Budapestit, përherë në shërbim të qytetërimit evropian, punojnë edhe të tjerë.
Në atë verë të vitit 2009 albanologu hungarez tre javët e tij të qëndrimit në kryeqytetin shqiptar, vazhdimisht me një ëndërr të pezullt për të shkuar deri në Durrës, parë detin dhe prekur ujin e kripur (sepse në vendin e tij “det” ata quajnë me shaka liqenin e tyre të madh me ujë të ëmbël Balaton), përveç të dhënave albanologjike kishte edhe një interes tjetër. Qe i “fshehtë“, krejtësisht personal. Dëshironte të zbulonte në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme ndonjë dokument se çfarë shkruhej për të nga regjimi komunist i kohës.
Sepse albanologjinë Gyergy Reti e ka profesion të dytë, pra pasion. Është diplomat karriere. Në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të shkuar ai përfundoi studimet për marrëdhëniet ndërkombëtare në Moskë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e vendit të vet u emërua menjëherë në Kinë. Mandatin e dytë e pati në Vietnam. I katërti dhe i fundit qe në Romë, vitet 1993-1997. Prej këtij çasti e mbërriti mosha e pensionit.
Ndërkohë mandatin e tretë e kreu në Tiranë.
Në ambasadën e vet Gyorgy ishte këshilltar, por duke qenë se shefi i tij për shkak të disa problemeve shëndetësore nuk ndodhej çdo herë në zyrë, në jo pak raste kryente edhe detyrën e të Ngarkuarit me Punë, pra të numrit një. Kështu që kishte dërguar e marrë shkresa, por edhe qe përgjuar nga një seksion i posaçëm i shërbimeve të fshehta shqiptare. Në të vërtetë këtë zanat nuk e bënin më keq edhe kolegët të tyre në Budapest. Ç’ishte shkruar vallë për të?
Kështu duke qenë se periudha e viteve të qëndrimit të tij në Tiranë në volumin më të madh të dosjeve kishte dalë nga sekreti punonjësit e arkivit të MPJ-së i fotokopjuan dhe i dhanë të vetmen fije letër ku ai citohej. Qe e 18 majit 1979, por për këtë nuk do të flasim sepse e kemi shkruar njëherë dy vite të shkuara. Le të kthehemi tek njerëzit e miqësive mes popujve.
Kur Gyorgy Reti në korrik 2009 vizitoi Muzeun Kombëtar të Skënderbeut në Krujë, dhuroi atje edhe një nga librat e tij për Shqipërinë. Gjatë një ripërtëritjeje të mjediseve paraqitëse drejtori Hafizi dhe bashkëpunëtorët e tij e vendosën librin pranë shpatës së Gjon Huniadit (kopje e origjinales), e cila ruhet në këtë muze.
Një ditë shkuam atje dhe ngjarjes i bëmë disa foto. Sigurisht ia dërguam menjëherë edhe omonimit hungarez të Gjergjit tonë. Gëzimi i tij qe i pakufi.
Ndërkaq këtë simbol, libri që rri pranë shpatës, menduam se do të ishte e dobishme t’ia shpërndanim bashkëkombësve. Është kohë kur patriotizmi ynë po kalon valë të nxehta dhe në vjeshtë zjarrmitë e veprimeve të tij të domosdoshme do të jenë më të thekshme. Që të ngadhënjejmë e të mos “përvëlohemi” duhet të fitojmë bindjen se atdhedashuria është më e dobishme kur di të zgjedhë atë mjet që ia kërkon koha. Dje lypte qëndrimin e rreptë dhe tërësisht refuzues, shpatën, tani atë të një kohe në bashkëjetesë me kufi të hapët: diturinë.

Ylli Polovina






Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com